Kur shiu pushoi
Binte shi. Po ecja zbathur mijëra kilometra,
gjurmët një nga një po i lija të pllaquritura.
Era po më mbulonte gishtërinjtë e mi,
ndjesia e kësaj cinëgrime nuk kish’ mbarim.
I lodhur nga humbja, copëza të grisura nga shpirti im vdekatar,
po marshoja drejt të pakthyeshmes, duke frymuar nën ajrin përvëlues.
Hijet e kalimtarëve me lot të pareshtur,
vulosur në argjend një mëkat të fshehur.
Por shiu pushoi në lagështinë e lotëve mbi faqet e mia.
Larg syrit tim ëndërrimtar,
përtej horizontit po ndodhte mrekullia.
Krahët e qiellit u hapën dhe sollën një shoqëruese të çastit.
Papritur, dëgjova zërin e saj duke më thirrur:
- Vazhdo, lufto dhe kurrë mos u dorëzo.
- Ashtu si unë, çdo ditë marr një formë të re.
- Ashtu dhe jeta, çdo ditë duhet të ketë një fillim të ri.
- Por si? Nuk mundem të ndriçoj njësoj si ti.
- Nuk dua të ndriçosh njësoj si unë.
- Dua të jetosh dritën brenda teje.
- Mjafton të ndezësh atë pakëz që ke,
dhe jeta jote, nga errësira në dritë do të jetë.
- Kam frikë të guxoj, të shkoj përtej dhimbjes sime.
- Nuk mundem të rifilloj, nuk e di nëse mundem të ndriçoj.
- Ndonjëherë ndihem si një hënëz e vetmuar,
- e di çfarë? Besimin e kam harruar.
- Ngrije kokën, largoje këtë mjegullnajë,
dhe sytë e tu le të shohin lart.
Se hëna asnjëherë nuk është e vetmuar,
me një obsesion yjesh unë jam e mbuluar.
Kurrë mos mendo sa në vetmi je duke jetuar,
shiko përreth me sa yje je duke u mbuluar.
Shushurima e hënës – një përqafim i heshtur,
më përpiu, si etja që kërkon burimin e pashterur.
Nga sot e tutje do të jetoj duke guxuar,
se gjithçka në këtë jetë arrihet duke besuar.
U sodita në dritën e këtij dialogu hyjnor,
mes petale yjesh , mes kohës pa kohë,
Nën hijen e hënës mbetet e shkruar,
e përjetshme ajo.... zëri i amshuar.
kthehu te PËRMBAJTJA