Harro të më harrosh...
Nuk e dija nëse ishte mjegull e bardhë, lëndinë me lule apo det i tërbuar derisa e takoja nëpër shkallë në çastet e "arratisjeve" të saja .
Më pagëzonte me emra të ndryshëm dhe me pseudonime të çuditshme e në shumicën e rasteve me lejonte ta merrja për krahësh e ta shoqëroja deri tek dera ..
I bia ziles dy herë e shkurt. Dëshiroja të më identifikonte ajo zile...
E me shpejtësi dilte zotëriu i shkalles 21, zotëri me kuptimin e plotë të fjalës.
Pasi me përshëndeste me shikimin e ëmbël mjaltë drejtohej nga zonja e tij..
- O, e bukura ime, ku do ikje pa mua ti?!
Aty unë i përshëndesja dhe kështu niste maratona e rutinës sime.
Një ditë, e bukura e zotëriut nuk dëshironte të futej brenda, nuk e njihte, thërriste me zë të lartë duke e qëlluar si kurrë më parë, duke protestuar se nuk ishte shtëpia e saj, kërkonte ta mbroja, ta largoja nga aty.
Zotëriu, zoterues i situatës me buzëqeshi ëmbëlsisht të më largonte frikën e përqafon fort duke i mbajtur duart me shtërngimin e krahëve e i foli me zë të ulët -
- Bukuroshe shikomë në sy , shikomë në sy! ..
Më ngjau me shumë si një lutje !
Ajo përuli pak kokën e ai i tha me zë më të ulët akoma, si një pëshpërimë:” jam unë, jam unë”...
Zonja u qetësua, hyri brenda në shtëpi e unë ashtu e trazuar u drejtova drejt punës. Atë ditë u ktheva në një orë të vone..
Degjova një zile të harruar nga mospërdorimi. Ngrita kufjen e telefonit të shtëpisë e dëgjoj zërin e zotëriut të më përshëndeste..
Ndërkohë si një rrufe në trurin tim ndizen 100 motivime te asaj telefonate, por ai me thotë këto fjalë:
-Faleminderit, pasi unë harroj që ajo harron!
Kaloi një kohë e gjatë pa e takuar më. Kur merrja shkallët, kërkoja që ta shikoja, por ngaqë kjo nuk po ndodhte, vendosa t’i bie ziles së tyre.
M’u përgjigj zotëriu duke m’u drejtuar në emër.
- Erdhe nga puna? Kalo pak nga ne …
Pranova ftesën. Kur hyra brenda vura re që në divan ishte nje album dhe shumë fotografi të shpërndara kuturu .
Nisi t’i largonte ato dhe pa hequr shikimin nga fotografitë i drejtohet bukuroshes.
- E shikon kush ka ardhur; tregoji pak ku ishim këtu!
Ajo pa fotografinë që kishte ndër duar dhe tha emrin e tij…
Ajo ishte në botën e saj të mjegullt, ndërsa zotëriu me rrezet e tij i bënte aq dritë sa ndriçonte jo vetëm bukuroshen e tij, por çdo njeri që e njihte!
kthehu te PËRMBAJTJA