Komploti i Soros për “non grata”, çfarë nuk tregon Berisha

Sot Berisha e sjell Grenellin si aleat. Kjo vetëm sa tregon se Berisha dhe ndoshta edhe PD, nuk u morën me të vërtetën, u munduan ta shohin realitetin në interesin e tyre se sa ta kuptojnë atë. Ose e sjellin të tjetërsuar për ata që i dëgjojnë në Shqipëri. E vërteta është vetëm kundër tij.

Featured image of article: Komploti i Soros për “non grata”, çfarë nuk tregon Berisha



Nuk dihet a e beson vërtetë apo e thotë për të bindur të tjerët në pafajësinë e tij, por në takimin e Fierit, Berisha e detajoi historinë e shpalljes “non grata” nga Departamenti i Shtetit. Historia ka nisur kur ish-kryeministri doli hapur kundër shkëmbimit të territoreve mes Kosovës dhe Serbisë, “kundër atyre qe nxirrnin harta nëpër konferenca shtypi”, kundër “marrjes së Trepçës nga Serbia” dhe pastaj shkrirjes së Kosovës. Në historinë e Berishës, Soros ishte aty, si ideator dhe mbështetës i një projekti që kishte për aktorë publikë, Vuçiçin, Thaçin dhe Ramën.
Pas dështimit të ndarjes, vazhdoi me iniciativën e Novi Sadit, tregonte Berisha per një auditor që nuk ishte përgatitur të merrte kaq shumë informacion gjeopolitik. Minishengeni, vazhdoi historia, ishte projekti i hegjemonisë serbe në Ballkan, që, pasi ka humbur Slloveninë dhe Kroacinë, kërkon një Jugosllavi të re me Shqipërinë. Për ta divulguar – përshtatur me auditorin, Berisha tha se bujqit shqiptarë, pasi të falimentonin nga konkurenca serbe, do të linin tokat tona djerrë dhe do të punonin në Serbi.

Edhe në këtë projekt, ideatori është Soros, por një nga tre aktorët e serisë së parë, Hashim Thaçi, mungon. Bashkë me Kosovën!
Pjesa e tretë e historisë është Reforma në Drejtësi. Dihet tashmë që Sali Berisha, pas negocimit të ndryshimeve për miratimin konsensual në 2016, ka denoncuar implementimin e saj me dhe pa fakte. Soros dihet që është një ndër sponsorizuesit kryesor dhe Rama kuptohet një ndër përfituesit kryesor.
Historia duket e besueshme. Miliarderi hebre, i lindur në Hungari, është sponsori kryesor i Partisë Demokratike amerikane, mjaft influent në parti. Ai ka sponsorizuar ambiciet e familjes Klinton deri në 2008 kur kaloi si donator i Barak Obamës. I zhgënjyer nga Obama u kthye tek familja Clinton. Të gjithë e kujtojnë kabllogramin e rrjedhur, ku Soros i kërkonte Hillary Clinton, atëkohë Sekretare e Shtetit, të ndërhynte për të shmangur një përplasje të rrezikshme pas vrasjeve të 21 janarit 2011.
Kjo marrëdhënie e fortë vazhdoi deri në 2016 kur Hillary humbi përballë Trump në garën presidenciale, por Soros, vazhdoi të ishte pranë Paetisë Demokratike amerikane, me fonde, me aktivistët e tij, që përfaqësojnë shpesh ekstremistë të majtë, ndonjëherë të dhunshëm dhe të gatshëm për përballje fizike me ekstremistët e djathtë, që tani kanë shumë vend tek e djathta amerikane, ose më mirë tek e djathta e së djathtës, që ka ‘çarë’ Partinë Republikane.
Këtu del e vërteta përgjysmë e Sali Berishës. Sepse në kohën kur diskutohej shkëmbimi i territoreve, mbështetja kryesore nuk vinte nga Soros, as nga Departamenti i Shtetit, por nga Shtëpia e Bardhë që drejtohej nga Donald Trump. Ishte këshilltari i sigurisë Kombëtare, John Bolton, i pari ai që doli pro një marrëveshjeje dypalëshe dhe më pas, Richard Grenell, ambasadori i SHBA në Gjermani që u bë i dërguari special i Presidentit për Ballkanin Perëndimor. Cinizmi jodiplomatik i Grenellit ishte arma më e fortë me të cilën Trump shpresonte se do të arrinte një marrëveshje historike Kosovë – Serbi, që mund t’i jepte një çmim “Nobel” për paqen vetëm 1 muaj përpara zgjedhjeve presidenciale të nëntorit 2020 dhe ta ndihmonte kështu të rizgjidhej.
Ishte ajo koha kur Rama e pyeste Sali Berishën: “A shkon dot në Amerikë?”

Ishte Grenell ai që e siguronte Ramën se pyetja e tij nuk do dilte huq. Sot Berisha e sjell Grenellin si aleat, argumentin e Grenellit kundër “non grata”-s së Blinken si mbështetje për të. Kjo vetëm sa tregon se Berisha dhe ndoshta edhe PD, nuk u morën me të vërtetën, u munduan ta shohin realitetin në interesin e tyre se sa ta kuptojnë atë. Ose e sjellin të tjetërsuar për ata që i dëgjojnë në Shqipëri, që t’u japin shpresë se kanë aleat Grenellin (sipas Berishës Sekretar i Shtetit në hije) dhe Trump si Presidentin që pritet të rikthehet.
E vërteta është vetëm kundër tij. Trump nuk është aleat i PD dhe administrata e tij ishte e lidhur ngushtë me Edi Ramën, edhe për shkëmbimin e territoreve edhe për Mini-Shengenin. Grenell e tregoi në gusht se e mbështet Edi Ramën si mik, ndërsa Edi Rama e tregoi në Parlament se PD dhe Berisha në SHBA nuk kanë asnjë shans të gjejnë miq.

E vërteta është që Trump dhe Soros, ndërsa kacafyten brenda vendit kundër njëri – tjetrit, duke fituar çdo ditë më shumë pushtet brenda partive kryesore politike, kanë një politikë të jashtme të njëjtë, të paktën për Ballkanin. Këta dy faktorë shumë të fuqishëm në SHBA, që gati e kanë kontrollin e republikanëve dhe demokrateve, kanë vetëm Edi Ramën aleat në Shqipëri, ashtu siç kishin Hashim Thaçin në Kosovë.
Albin Kurti e dinte këtë, prandaj doli hapur kundër tyre, i vuri të gjitha tek Biden, si përfaqësues tipik i politikës tradicionale amerikane dhe në fund u kthye fitimtar, bashkë me Biden.

Opozita shqiptare u fut qorrazi me Trump, ndërsa Edi Rama, që flirtoi për 4 vitet e Trump me kundërshtarët e politikës tradicionale, shpenzoi ditët e fundit gjithë energjitë për Biden. Kështu sot, Rama është i preferuari i të gjithëve në SHBA, ndërsa PD shikon ëndrra me Trump dhe Grenell.
Albin Kurti, duke ndjekur interesin e Kosovës për tu mbështetur nga politika tradicionale e SHBA, që vazhdon të ndjekë të njëjtën axhendë diplomatike që e çliroi Kosovën, dha shembullin se si, duke ndjekur interesin kombëtar, mund të fitosh mbështetjen dhe simpatinë e të gjithëve, edhe të popullit, edhe të fuqive të mëdha.
Berisha ndoshta e ka kuptuar se çfarë e penalizoi kur tregon historinë me 3 kapituj, por, ai dhe PD, ndoqën konjukuturën oportuniste në vend të zgjedhjes parimore dhe sot gjenden pa një derë për të trokitur në SHBA.
(Dosja.al)
 

Konkursi Letërsisë

  • 1-Bëju.

    Votat: 11 40.7%
  • 2-Ankth mesnate.

    Votat: 3 11.1%
  • 3-Të dua ty.

    Votat: 8 29.6%
  • 4-Nje kujtim.

    Votat: 5 18.5%
Back
Top