Nga Pierre Haski
Në marrëdhëniet ndërkombëtare të fuqisë ka një faktor që nuk varet as nga madhësia e ushtrisë dhe as nga ajo e ekonomisë: është fuqia e butë, aftësia për të ndikuar mbi një vend përmes mjeteve të tjera.
Një shembull është kinemaja e Hollivudit, që me kalimin e viteve ka qenë në gjendje ta përhapë në të gjithë botën “Ëndrrën Amerikane”. 2020-a, i karakterizuar nga përmbysje ekstreme, imazhi i vendeve të mëdha (një nga përbërësit e fuqisë së butë), ka pësuar ndryshime të mëdha.
Një sondazh i kryer në Gjermani,zbuloi një rritje të papritur të simpatisë për Shtetet e Bashkuara pas zgjedhjes presidenti të Xho Bajdenit, pikërisht aty imazhi i SHBA-ë ishte dëmtuar rëndë gjatë mandatit të Donald Trump.
Ndaj pyetjes “Kush është partneri më i rëndësishëm i Gjermanisë?”, përgjigja më e zakonshme mbetet “Franca”. Por hendeku me Shtetet e Bashkuara është ngushtuar me 15 për qind.
Dhe ky ndryshim nuk është i papërfillshëm, sidomos në një moment të karakterizuar nga debati midis francezëve dhe gjermanëve mbi autonominë strategjike evropiane, me Berlinin që është më i prirur t’i afrohet Uashingtonit, dhe Parisit që është i vendosur të mos e humbë lidershipin e Evropës.
Kina është një shembull tjetër spektakolar i ndryshumit të fuqisë së butë. Në fakt imazhi i Pekinit, ka pësuar një kolaps në opinionin publik evropian. Një studim i kryer në 13 vende tregon një prirje konstante në pjesën më të madhe të Evropës: 60 përqind e të anketuarve, kanë mendim negativ ose shumë negativ mbi Kinën.
Gjiganti aziatik sigurisht që po paguan koston e të qenit “atdheu” i pandemisë, por edhe të një diplomacie agresive (në pranverë ambasadori kinez në Francë u thirr nga Ministria e Jashtme), për shkak të shtypjes së Hong Kongut dhe vuajtjeve të shkaktuara ndaj ujgurëve.
Por në studimin e botuar nga IFRI, një institut studimor francez, të intervistuarit treguan mungesën e respektit për të drejtat e njeriut, si arsyen e parë për mendimin e tyre negativ mbi Kinën. Një element tjetër domethënës, është se nuk ka ndryshime në vlerësimin e Kinës bazuar në tendencat politike të francezëve të intervistuar.
Dhe kjo është diçka absolutisht e rrallë. A mundet që Pekini ta injorojë realisht këtë prirje dhe të ecë përpara si një lokomotivë? Për momentin, Kina duket e pandikueshme nga kritikat, dhe preferon shumë të tregojë muskujt e saj, në vend që të përdor bindjen diplomatike.
Franca është gjithashtu një nga vendet që ka një ndikim të rëndësishëm, për sa i përket fuqisë së butë dhe diplomacisë. Por këtë vit, ku asgjë nuk shkoi siç pritej, edhe Parisi është vendosur në pozita mbrojtëse.
Pas vrasjes së profesor Samuel Pati nga një islamik radikal, Franca, që e konsideron veten viktimë të terrorizmit, u gjend në bankën e të akuzuarve, së pari nga një pjesë e botës myslimane armiqësore ndaj diskursit të shekullarizmit dhe të drejtës së blasfemisë, dhe më pas nga mediat anglo-saksone, të zellshme për ta drejtuar gishtin tek kontradiktat midis premtimit për barazi dhe realitetit.
Polemikat mbi ligjet e sigurisë, e kanë kompromentuar më tej imazhin e Francës në botë, me videot e dëbimit të dhunshëm të emigrantëve nga vendi i “de la République”, që kanë bërë xhiron e botës.
Jashtë vendit, imazhi liberal i presidentit të ri Makron në vitin 2017, i ka lënë vendin vizionit konfuz dhe sjelljeve autoritare në kohë pandemie dhe terrorizmit. Fuqia e butë nuk është vetëm një çështje prestigji, por edhe një mjet i aftë për të ndikuar mbi ekuilibrin e fuqisë.
Ata që e shpërfillin atë paguajnë pasojat, në Paris ashtu si edhe në Pekin. / “Internazionale” – bota.al