Juvja alergjike ndaj “Made in Germany”, dështimi gjerman i radhës largohet në janar

Xhelozi

Staf në FV.AL
S/M
Mesfusha e Juventusit vuan dhe ndoshta i mungon një Sami Khedira, të cilin, edhe pse e ka në grup, nuk kërkojnë më që ta mbajnë pjesë të projektit, duke parë ulje-ngritjet e tij të shumta në këto 5 vite në Torino. Edhe pse mesfushori 33-vjeçar është një ndër të paktit që di të bëjë atë urën lidhëse mes mesfushës dhe sulmit, madje të bëjë edhe rolin e sulmuesit të fshehur duke çarë mes linjave armike, është mungesa e vazhdimësisë si rrjedhojë e problemeve të panumërta fizike të Khedirës ajo që çon drejt divorcit mes palëve.khedira1.jpg
Por, edhe pse as me Sarrin dhe absolutisht fare me Pirlon nuk është parë më ai Khedira që shkëlqente nën drejtimin e Masimiliano Alegrit, po kaq e vërtetë është se Juventusi duket shumë alergjik ndaj “Made in Germany”. Dhe episodi i Sami Khedirës është vetëm rasti i fundit i një konfirmimi që vjen i përpiktë prej të paktën 30 vitesh, duke parë edhe rastet e kaluara që tregohen më poshtë.

EMRE XHAN – Mbërriti me parametër zero, ndaj në aspektin financiar gjithsesi përbëri një plusvalencë ekonomike të rëndësishme në bilanc. Por, ndryshe nga Khedira, për Emre Xhanin nuk mund të thuhet se pati një karrierë fantastike te Juventusi. Gjermani, gjithashtu me origjinë turke, la Torinon pas një sezoni e gjysmë, me Borusian e Dortmundit që këmbënguli për ta pasur me çdo kusht atë, pas pagesës prej 25 milionë eurosh. Fatkeqësisht një zhgënjim i bukur, duke mos harruar edhe betejën e gjatë disamujore që “Zonja e Vjetër” t’ia grabiste falas Liverpulit.

BENEDIKT HËVEDES – Përpara Xhanit, gjermani që kishte shkelur në Torino kishte qenë Benedikt Hëvedes, në huazim me të drejtë blerjeje nga Shalke. Kampioni i botës në vitin 2014 duhet të ishte një alternativë me shumë peshë në repartin e mbrojtjes, por në fund rezultoi një afrim inekzistent, pasi një dëmtim e mbajti në 90 për qind të kohës në infermieri. Ndalesat e njëpasnjëshme i dhanë mundësinë që të luajë vetëm 3 ndeshje me bluzën bardhezi dhe në fund të sezonit nuk u shlye nga Juventusi. Gjithsesi, goli i tij i vetëm, i cili dyfishoi sfidën e fituar 3-0 me Sampdorian, vlejti sigurinë për arritjen e torinezëve në titullin e shtatë kampion.

ANDREAS MËLER – ndërkohë, përvegj afrimeve të freskëta gjermane në Torino, për të kaluarit duhet të kthehemi në mijëvjeçarin e kaluar. Në vitin 1992, në radhët e “Zonjës së Vjetër” mbërrin Andreas Mëler, fantazisti i talentuar, po jo gjithmonë i lavdëruar për impenjimin e tij. Qëndron dy vite, në kohë për të fituar Kupën UEFA në vitin 1993, por me Marçelo Lipin në stol, nuk kishte më vend në fushë për të. Ndaj, Mëler shitet te Borusia e Dortmundit, me bluzën e të cilës hakmerret, duke mundur Juventusin në finalen e Ligës së Kampioneve, në vitin 1997.

SHTEFAN ROJTER – Mes futbollistëve të atij Dortmundi ishte pjesë edhe një Shtefan Rojter, një ndër blerjet më të këqija të Juventusit në vitet ’90. Mbërriti në Torino në vitin 1991, nga Bajerni i Mynihut, kampion bote në Botërorin italian, por për Rojterin që në fillim pati një përplasje të ashpër me trajnerin Trapatoni, i cili e përdori më së shumti në mesfushë, sesa në mbrojtje, duke nxjerrë totalisht jashtë roli gjermanin. Ndaj largimi në fund të atij sezoni nuk ishte një surprizë, përkundrazi një çlirim total për të dyja palët, me Rojterin që kaloi te Dortmundi.

JYRGEN KOHLER – Së bashku me Rojterin në Juventusin e vitit 1991 dhe te Dortmundi i 1997-ës ishte edhe Jyrgen Kohler. Gjermani me mustaqe (që më pas do t’i priste), ndryshe nga bashkatdhetari i tij, arriti që ta kalojë plot sodisfaksione aventurën torineze, duke fituar Kupën UEFA 1993, por më pas nuk arriti që t’i rezistojë revolucionit të Marçelo Lipit. Kohler në fakt ishte edhe pjesë e titullit kampion në sezonin 1994-1995, por pikërisht atë vit u shit te Borusia, me të cilën do të ishte protagonist absolut, në finalen e dy sezoneve më pas ndaj Juventusit, në Champions.

TOMAS HASLER – Gjermani i parë në 3 dekadat e fundit që firmosi me Juventusin ishte Tomas Hasler, i cili u ble në vitin 1990 nga Këlni, për 11 miliardë lireta. Gjithsesi, mesfushori ngec në një sezon të mallkuar për bardhezinjtë, pasi me Xhixhi Maifredi has në probleme taktike dhe në fund të sezonit “Zonja e Vjetër” mbetet edhe jashtë zonës së Kupave të Europës. Për Haslerin ishte shumë më e mirë aventura e dytë italiane në radhët e Romës, ku qëndroi për 3 vite dhe ende sot kujtohet me mall dhe vlerësim nga fansat verdhekuq.

Panoramasport.al
 

Konkursi Letërsisë

  • Jeta pa ty

    Votat: 7 46.7%
  • Simfonia e bisedave tona

    Votat: 2 13.3%
  • Bora e parë

    Votat: 3 20.0%
  • Larg

    Votat: 3 20.0%
Back
Top