Jutta shkon kudo

Gjarperesha

Anëtar i Respektuar
Jutta shkon kudo

ImageErdhi nga Gjermania 17 vjet më parë për të realizuar foto të një realiteti të hidhur shqiptar. U ndal për të mos ikur më. Ndaj ka arritur ta shohë Shqipërinë nga të gjitha skutat. Së fundmi u është përkushtuar portreteve të bukura, linjave elegante... të cilat i gjen nëpër evenimentet e modës. Pse ka ndryshuar drejtim fokusi i aparatit fotografik të Jutta Benzenberg Klosit? Na e zbulon vetë ajo
Suadela Balliu

Nuk është modele, as stiliste. Nuk ka asgjë të përbashkët me ato zonjat e moshës së saj, që ulen në rreshtat e para, farë pranë pasarelave të modës për të kundruar më nga afër punët e stilistëve, ndërsa mbështetin mbi prehër një fletë të bardhë ku shënojnë të gjitha veshjet, të cilat mendojnë t’ua shtojnë gardërobës së tyre. Jo, stili i saj është shumë larg atij lloj shkëlqimi e elegance që përcillet përmes atyre pasarelave.
Megjithatë, Jutta Benzenberg Klosi nuk mungon në asnjë prej evenimenteve të modës që organizohen në Tiranë. ثshtë parë shpesh e më shpesh të shfaqet e veshur krejt sportive e gjithmonë me një aparat fotografik varur mbi vete.
Rreshtohet krah fotografëve të tjerë, që ashtu si dhe ajo, janë aty për të fotografuar modele, veshje, të ftuar të njohur, që zënë vendet e para mes publikut. Por pak interesa profesionale ndan Jutta me gjithë fotografët e tjerë.
Disa gjenden për të shkrepur foto të mirëfillta mode: koleksionin e ri të veshjeve, modelet, stilistët. Të tjerë ndoshta për të pikasur një modele të bukur e për të realizuar më pas me të një set të tërë fotografik në ndonjë studio ose për ta shndërruar në imazhin e një reklame. Të tjerë kanë interesin e të ftuarve VIP, me të cilët do të mbushin të nesërmen gazetat e thashethemeve.
Jutta përqendrohet më së shumti në passkenë. Atje ku modelet ende duken si vajza të thjeshta, të veshura me xhinse e bluza të pambukta. I pëlqen t’i fiksojë më parë, pikërisht kështu, në shkrepjet e panumërta të aparatit fotografik për t’i ndjekur pastaj sesi shndërrohen nga rosakë, në mjelma elegante. Se si transformohen nga ato çupëlinat e qeshura, të shpenguara e arrakate, në profesioniste të vërteta, që shkelin mbi rrugicën e ngushtë të sallës plot siguri, që shpalosin bukuritë e veshjeve dhe njëkohësisht të tyret me lëvizjet, mënyrën e të ecurit, qëndrimet, shikimet, rrotullimet... Këto janë të gjitha emocionet që Jutta Klosi i bën të përjetshme në një fletë të stampuar polaroidi.

Fotografja gjermane që erdhi të fotografojë pamje nga Shqipëria në vitin 1991, e shoqëruar nga përkthyesi Ardian Klosi (tani bashkëshorti i saj ) – që asokohe shkrimtari i njohur Martin Camaj ia kishte rekomanduar – pjesën më të madhe të punëve të realizuara i përmblodhi në librin e parë me fotografi bardhezi “Bukuri e rëndë”. Libri, ku pasqyroheshin imazhe të traditave shqiptare, vuajtjeve njerëzore, gjakmarrjes, realitetit të mjerueshëm nëpër qendra spitalore, fshatrave të thella e të harruara, portreteve të rrudhura të të përvuajturve... por edhe imazhe të pasurisë së shpirtit, që rrëfejnë histori njerëzore vetëm me një shkrepje, e bëri të njohur edhe përtej atij rrethi elitar që i kishte ndjekur punët e saj, që kur ia nisi aventurës artistike në Shqipëri.
Ai rreth i miqve, artistëve, kolegëve, të cilët e njohin mirë tashmë firmën artistike të pangatërrueshme të Jutta-s dhe subjektet e saj të fotografive, mund të jenë habitur ndërsa e kanë parë që kohëve të fundit aparati i saj ka ndërruar fokus. Një ndryshim jo i papërfillshëm, që i shpëton syrit të kundruesve, por një rrotullim 180 gradë që e ka çuar të fotografojë në një skaj tjetër, në atë të pasqyrimit të jetës mondane. A thua se subjektet e saj fotografike kanë pësuar metamorfozë. Por jo! Edhe këtu Jutta kërkon përtej asaj që duket. Ajo rrëmon nën veshjet që rrinë përsosmërisht mbi modelet elegante, zbulon një fytyrë të vërtetë përtej makijazhit të rëndë të balerinave “kurtizane”, ndjek emocionet e vërteta përtej dukjes së ngurtë... Ajo është gjithnjë në kërkim të personazheve që flasin me një qëndrim. ثshtë në kërkim të një historie të veçantë për të rrëfyer. Vërtet është transferuar nga zonat më të harruara në zemrën e metropolit shqiptar, por edhe aty gërmon përtej fasadës së shkëlqyeshme, duke realizuar të njëjtën punë si në vitet e para të ‘90-ës.

Kur shkeli në tokën shqiptare para 17 vitesh, ndoshta as asaj vetë nuk do i kishte kaluar ndërmend se një ditë do të ndiqte me kureshtjen më të madhe evenimentet ku kryefjala është moda.
ثshtë e vërtetë që po shfaq një interes që, kohë më parë, edhe vetë asaj mund t’i tingëllonte i pazakontë. Ashtu siç është e vërtetë që ka shkrepur fotografi pothuajse të të gjitha evenimenteve të modës që janë zhvilluar muajt e fundit në Tiranë. “Kam bërë fotografi nga “Fashion week” , nga prapaskenat e musical-it “Moulin Rouge” dhe nga sfilata e një stilisti të ri që po diplomohej”, rrëfen Jutta, ndërsa menjëherë shton, si për t’ua shuar kureshtjen dhe atyre që janë habitur me ndryshimin profesional të saj: “Më pëlqen të fotografoj modelet e reja, sidomos në prapaskenë. Po i frekuentoj gjithnjë e më shpesh këto evenimente dhe po realizoj shumë foto. Por, nuk e quaj veten fotografe të mirëfilltë mode. Unë nuk dua të realizoj një foto që nuk tregon asgjë përveç një veshjeje të bukur. Ky është edhe qëllimi i fotove të modës: rëndësia duhet të bjerë te veshja dhe jo te modelja. Kjo lloj fotografie më duket e ftohtë. Mua më pëlqen të mbërthej një emocion. Të tregoj një pjesë nga bota e brendshme e personit që fotografohet. Të tregoj një histori të shkurtër në atë foto. Në këtë aspekt nuk jam larguar aspak nga motivet e mia sociale, në të cilat e mbështes artin tim”.

Jutta nuk i ka ikur asfare këtij qëllimi, edhe pse ka nisur të realizojë më shumë foto me ngjyra, krahas bardhezive të preferuara. Ajo kërkon të tregojë një histori, të shprehë një gjendje shpirtërore edhe nga një subjekt si moda, ku të paktë janë ata që e kanë menduar më parë.
Subjektet që ajo zgjedh për të punuar ndryshojnë me kohën, shndërrohen me zhvillimet e reja dhe evoluojnë për të marrë trajta të ndryshme. Ashtu si ka ndryshuar edhe vështrimi i saj për Shqipërinë vit pas viti.
“Unë fotografoj duke u nisur nga tranzicioni nëpër të cilin kalon Shqipëria dhe këndvështrimi im për këtë vend. Kur erdha në fillim, fotografoja nga distanca. Fotografoja fshatra, spitale, rrugë, shkolla... Pasi nisa ta njoh më mirë Shqipërinë, u përqendrova në portretet e njerëzve. Fotografoja portrete njerëzish të zakonshëm. Sepse e kuptoja dhe e ndieja se mund t’u afrohesha më shumë shqiptarëve. Arrija ta perceptoja dhe ta mbërtheja në një foto historinë e secilit, të dalloja vuajtjen, krenarinë. Dhe nuk është rastësi apo fakt i pashpjegueshëm që tani po realizoj foto të evenimenteve të modës. Më pëlqen të punoj në backstage dhe të shkrep foto. Të kap emocionet e një stilisti të ri, teksa përgatit modelet për sfilatë. Të shoh shndërrimin e një vajze krejtësisht normale, që duket e pabesueshme se do të ngjitet mbi pasarelë dhe do të ngjajë njësoj si modelet e huaja që jemi mësuar t’i shohim në sfilatat e stilistëve botërorë me emër. T’i sjell të prekshëm balerinët që kërcejnë në një shfaqje musical-i, ndërsa presin pas perdes të vijë radha e tyre për t’u shfaqur në skenë... Mendoj se Shqipëria ka ndryshuar shumë nga koha kur unë erdha për herë të parë. ثshtë zhvilluar më shumë, është pasuruar, është investuar më shumë për të. Prandaj kam vendosur ta ndryshoj paksa fokusin e fotografive të mia, por duke mos i ikur asnjëherë aspektit social”. Këtë e ka pasqyruar edhe në një seri fotosh të realizuara në rrugët dhe mjediset e ndryshme të kryeqytetit shqiptar dhe mendon t’i përmbledhë në një libër, që mund ta titullojë “Tjetër këndvështrim për Tiranën”.
“Po mendoj të bëj një libër me këto fotografi, por ka shumë linja. Më duhet të vendos më parë se cilën nga linjat do mbaj. Nuk dua të nxitohem, e kam marrë me durim”.

Ajo nuk mund t’i ikë qëllimit social edhe sikur të donte. Sepse, ndërsa intervista ka nisur të rrjedhë natyrshëm për punën e saj, pasionet, qëllimet, subjektet artistike, një grua e moshuar që i afrohet tavolinës së barit dhe zgjat dorën për të lypur, i rikthen edhe njëherë ato kohë kur nisi aventurën e saj shqiptare. “Më vjen keq për këta njerëz. Dhe ky është paradoksi më i madh në Shqipëri. Sepse nga një anë ka ndërtesa të mëdha, bare të mbushur me njerëz, makina luksoze, veshje të bukura dhe nga ana tjetër ka ende njerëz që janë të harruar nga shteti dhe shoqëria”.
Jutta vazhdon të punojë ende për projektet e UNICEF-it. Realizon foto për ta dhe njëkohësisht realizon foto që duken të një bote tjetër, edhe pse i shkrep të gjitha në të njëjtën Shqipëri. “Kam realizuar disa foto për Ambasadën Gjermane në një klinikë psikiatrike në Shkodër. Kushtet atje ishin me të vërtetë të tmerrshme. Të sëmurë të mbingopur me medikamente, të mbyllur me çelës në dhoma të ftohta dhe të zbrazëta, pa kushte higjienike. Këto foto, më pas, Ardiani i përdori në një Konferencë për të treguar gjendjen e vërtetë të qendrave spitalore dhe shëndetësisë shqiptare, në një kohë kur ministri i Shëndetësisë deklaronte se kushtet në spitale ishin të mira”. Gjithashtu, po bashkëpunon me agjencinë gjermane GTZ për realizimin e disa fotove mbi fëmijët handikapë dhe integrimin e tyre në shoqëri.

Si artiste, ajo është në kërkim të subjekteve të reja me të cilat të mund të shprehë botën e saj dhe në të njëjtën kohë të përkojnë me aktualitetin. “Tani po mendoj të fotografoj adoleshentë. Më duket mosha më interesante dhe e komplikuar njëkohësisht. Nga njëra anë, kanë nevojë për prindërit dhe, nga ana tjetër, i refuzojnë me forcën më të madhe, duke u mbyllur plotësisht në vetvete. Nga kjo moshë mund të kuptosh shumë, edhe nga një foto. Më pëlqen të pasqyroj shndërrimin e menjëhershëm nga fëmijë në grua. Por ende e kam vetëm ide”.
Kur tregon për punën e saj, duket se i lindin edhe njëqind ide të reja. Sheh kalimtarë në rrugë dhe nga përvoja disavjeçare si fotografe di t’u dallojë edhe mendimet. “Ja, e sheh atë burrin që po kalon... Duket që është i mërzitur. Fytyra e tij e tregon qartë. Nga përvojat me portretet, di t’i dalloj menjëherë gjendjet shpirtërore, sidomos kur bëhet fjalë për shqiptarët. Sepse e shprehin shumë atë që kanë brenda. Madje, një tjetër fakt i lezetshëm është edhe mënyra se si ecin shqiptarët. Ja, e sheh atë vajzën që po largohet nga bari? Ecën si të ishte modele. Mendon vërtet të jetë modele? Edhe zonjat e moshës sime, kur ecin në rrugë, ngjajnë sikur të ishin duke ecur mbi pasarelë. Mbajnë qëndrim krenar sikur duan të thonë: “Na shihni!”. Me to mund të realizosh foto të bukura dhe të shprehësh shumë”.
Ndërsa i risheh fotot dhe tregon se ç’ka arritur të mbërthejë me një shkrepje të vetme, i del natyrshëm të rrëfejë edhe një nga ëndrrat më të mëdha si artiste. “Kam dashur gjithmonë të realizoj një film. I adhuroj regjisorët e vjetër, si Federico Fellini. Por duke qenë se tashmë nuk kam mundësi, dëshiroj të realizoj filmin tim me fotografi. Nuk më pëlqen ta kem përgatitur më parë skenarin dhe t’u tregoj modelëve të mi se si duhet të qëndrojnë, se çfarë emocioni duhet të më japin. Më pëlqen ta gjej aty, ta zbuloj hap pas hapi dhe kështu të krijoj filmin tim. Për këtë arsye unë nuk përdor dritë artificiale, nuk shkrep blice mbi fytyrat e njerëzve, nuk u kërkoj të pozojnë. Gjithmonë u them: qëndroni ashtu si jeni me të vërtetë, pa u kompleksuar nga aparati fotografik. Sepse pikërisht këtë dua të fotografoj: vërtetësinë”.
Ndërsa ajo flet për 1001 ide të reja, tregon për të gjitha punët që ka realizuar deri tani e t’i tregon se si i ka arkivuar në kompjuterin e saj personal, duket sikur humbet në një labirint portretesh, rrugësh, vendesh të harruara, emocionesh reale, subjektesh që përngjajnë me irealen, dimensionesh të reja. Ndoshta nuk do të mundet t’i përmbledhë në një libër të vetëm me fotografi, ashtu siç bëri vite më parë me albumin “Bukuri e rëndë”. Deri tani rrëfen se ende është duke punuar. Gjithmonë në kërkim të subjekteve të reja, gjithmonë e hapur për metamorfoza, me anë të të cilave mund ta shprehë më së miri artin e saj, por pa e tradhtuar asnjëherë aspektin e saj social...


Box
“Sapo dëgjova për Shqipërinë, u dashurova menjëherë me këtë vend. Thashë: ky është vendi im. Por nuk di ta shpjegoj si ndodhi. Thjesht e ndjeva”. Kështu rrëfen fotografja gjermane Jutta Benzenberg Klosi, 17 vjet pasi ka shkelur për herë të parë në vendin e shqiponjave. I mjaftoi vetëm një kronikë e një gazetareje gjermane mbi shqiptarët, që ajo të dashurohej njëherë e përgjithmonë me vendin që më vonë do t’i bëhej shtëpi e dytë.
Nuk u mendua dy herë për të marrë udhën drejt Shqipërisë, ndërsa shkrimtarit Martin Camaj i kishte kërkuar me ngulm dikë që të mund ta përkthente dhe ta shoqëronte në rrugëtimin e saj drejt vendit të panjohur. Ishte viti 1991 kur Jutta Benzenberg Klosi nisi të shkrepte fotografitë e para, që më vonë do të përmblidheshin në librin “Bukuri e rëndë ”. Ajo realizoi foto nga zona të ndryshme të Shqipërisë, duke shpalosur jo vetëm traditat shqiptare, por dhe gjendjen e mjerueshme të njerëzve që banojnë në zonat më të harruara, kushtet e këqija të qendrave spitalore, shkollave, rrugëve etj.
Tetë vite më vonë pas 1991-it, bashkë me bashkëshortin e saj Ardian Klosi dhe dy vajzat e tyre, Hana dhe Katarina, vendosën të jetojnë përgjithmonë në Shqipëri, duke mos e braktisur për asnjë çast punën dhe pasionin e saj si fotografe.

Sommario
Ajo kërkon të tregojë një histori, të shprehë një gjendje shpirtërore edhe nga një subjekt si moda, ku të paktë janë ata që e kanë menduar më parë

Si artiste, ajo është në kërkim të subjekteve të reja me të cilat të mund të shprehë botën e saj dhe në të njëjtën kohë të përkojnë me aktualitetin

Edhe pse kohëve të fundit është parë gjithnjë e më shumë duke fotografuar evenimente mode, Jutta vazhdon ende të punojë për projektet e UNICEF-it dhe agjencive të tjera me subjekte sociale



Revista One
 

Konkursi Letërsisë

  • 1-Nje veshtrim, nje dashuri.

    Votat: 5 21.7%
  • 2-Agim shpërthyes

    Votat: 2 8.7%
  • 3-Për të voglën

    Votat: 1 4.3%
  • 4-Qiriu pa fjalë

    Votat: 4 17.4%
  • 5-Për të satën herë ….

    Votat: 2 8.7%
  • 6-Tik tak.

    Votat: 3 13.0%
  • 7-Nuk je më vetëm.

    Votat: 6 26.1%
Back
Top