Jeta e re e këpucë-hedhësit të Bushit

sweetzzinna

Dum spiro, spero くる
Flet Muntazar Al Zaidi, gazetari irakian që vitin e shkuar u bë protagonist i goditjes spektakolare me këpucë ndaj Presidentit amerikan, Bush, në vizitën e tij të fundit në këtë vend. Nga fondacioni për të drejtat njerëzore, akuzat e torturës e deri ofert...Kësaj here këpucët që mban veshur kanë ngjyrë të zezë. Janë nga ato të lehtat, me një gërshetim përpara, që edhe po të godasësh në kokë, nuk shkaktojnë ndonjë dëm të madh. Muntazar Al Zaidi është mësuar me faktin se njerëzit i fiksojnë mirë këpucët që ai vesh. "Made in Iraq", thotë me një buzëqeshje, e cila i tregon hapur dhëmbin që i mungon në gojë, që ashtu siç tregon, e ka kujtim nga nëntë muajt e kaluar në një burg në Bagdad.

Al Zaidi është njeriu që më 14 dhjetor të vitit 2008, gjatë një konference për shtyp, goditi me këpucë Presidentin amerikan të asaj kohe, George W. Bush, në vizitën e tij të fundit në Bagdad. Kanë kaluar dhjetë muaj që nga ajo ditë, nëntë nga të cilët Al Zaidi i ka kaluar në burg. Muntazari e fitoi lirinë vetëm në mes të shtatorit. Me një pritje prej heroi në vendin e tij, arriti të merrte dhjetëra propozime nga qindra gra, oferta pune dhe lekësh dhe të shihte mundësinë e një udhëtimi për në Gjenevë. Pikërisht nga ky qytet i qetë, që nuk ngjan asgjëkund me Bagdadin, ka rinisur jeta për Muntazarin.

"Nuk mendoja se do të mbijetoja. Kisha idenë se do të më qëllonin menjëherë, që në sallë. Për këtë arsye i dhashë unazën time një prej kameramanëve, duke ju lutur që t‘ia dorëzonte vëllait", tregon ai. Ndryshe nga sa kishte menduar, atë unazë sot e mban në gisht. Nuk kuptohet pse e prek vazhdimisht, ndoshta për të kujtuar historinë e asaj ditë dhjetori, që sot i dha mundësinë të ishte në hollin e këtij hoteli të madh zviceran. E artë, me një gur të errët, unaza shkon në mënyrë perfekte me orën e madhe që ka në dorë dhe kostumin që mban veshur. Më shumë se një gazetar, Al Zaidi duket si një biznesmen i fuqishëm që ka ardhur me ndonjë mision të rëndësishëm. E ndoshta e vërteta nuk është edhe aq larg. "Po nis një jetë të re. Jam këtu për të filluar aktivitetet e fondacionit tim. Që tani e tutje do të kujdesem për vejushat, jetimët dhe handikapët irakianë.

Dua t‘u krijoj vende pune dhe t‘u ofroj shërbim shëndetësor. Shpresoj që europianët të më mbështesin në këtë iniciativë që kam ndërmend të marr", tregon. Muntazar nuk e thotë menjëherë, por ka ardhur në Zvicër edhe për një sërë vizitash mjekësore: "Kam nevojë për kontrolle të imtësishme. Në burg më kanë torturuar. Hundën e kam shumë të dëmtuar. Jam goditur vazhdimisht në kokë me një gur dhe më kanë thyer gishtat e këmbëve. Më kanë hedhur ujë në trup dhe torturuar me elektroshok", shpjegon ai. "Për të mos folur për këto", thotë duke treguar vrimat mes dhëmbëve të thyer.

Një gjendje e rënduar fizike, por pavarësisht kësaj, gazetari guximtar nuk ndien fare keqardhje. "Në këto vite kam parë njerëz të vrarë, të pafajshëm, që janë arrestuar pa asnjë arsye, gra të poshtëruara dhe fëmijë të mbetur jetimë. Doja që bota ta merrte vesh që Iraku nuk i ishte mirënjohës Bushit, se nuk po e priste me lule në dorë. Ato këpucë ishin mesazhi im. Në fund të fundit, më mirë që nuk u godit. Mënyra se si u detyrua të përulej, vlen më shumë se ndonjë xhungë". Muntazar flet pa reshtur, por nga goja e tij nuk del asnjë buzëqeshje: është inati dhe zemërimi i vërtetë që e mbajnë peng.

Pikërisht ky zemërim e shtyn të thotë se, nëse do të mundej sot, do të gjuante me këpucë edhe ndaj Barak Obamës: "Të gjithë presidentët amerikanë janë njëlloj. Nuk do të trajtoja asnjë prej tyre në ndonjë mënyrë ndryshe. Kushdo që pushton vendin tim dhe vret njerëzit e tij, është një kriminel. Nuk ka rëndësi ngjyra apo politika e tij. Obama ende nuk ka tërhequr trupat amerikane nga vendi, nuk ka mbyllur akoma Guantanamon dhe nuk ka shpenzuar asnjë qindarkë për të ndihmuar irakianët që kanë nevojë. Nuk mjaftojnë vetëm fjalët". Gazetari tregon sikur po përgatit ndonjë kronikë për ditën që i ndryshoi jetën në muajt që pasuan: arrestimi, izolimi, tortura dhe spektakli, për më tepër edhe abuzimet mbi të burgosurit e tjerë që ai i pa me sytë e tij. Pastaj një ditë të bukur portat e burgut janë hapur. "Kishte shumë presion. Për këtë arsye më lanë që të ikja.

Por shokët e mi të qelisë janë ende aty. Sot unë flas edhe në emër të tyre". Jashtë gjeti gjithë botën që e priste e që ishte në krah të tij. "Më pritën dhe trajtuan si hero. Unë nuk e quaj veten të tillë. Bëra atë që mijëra të tjerë mendonin. Nuk dua lavdi. Nuk i preka fare paratë që më kishin dërguar. Vendosa t‘i përdor për fondacionin tim. Të njëjtën gjë u thashë edhe atyre që donin të më ofronin një punë, apo grave që më propozuan për martesë. U kërkova të gjithëve të më ndihmonin në atë çka unë kam ndërmend të bëj. U thashë që unë jam i martuar me Irakun, me vendin tim". Muntazar Al Zaidi ka projekte shumë të qarta në kokë. Por, nga gjithë kjo histori vetëm një gjë i ka mbetur peng: "Dua këpucët e mia.

Ua kam kërkuar shumë herë, por nuk kam marrë asnjë përgjigje. Jam i sigurt se i ka dikush në qeveri. Unë i dua për t‘i shitur. Më kanë kërkuar 12 milionë dollarë për to". Pas goditjes së Bushit me këpucë, një ngjarje që mori përmasa të jashtëzakonshme, shumë vende të tjera si Turqia, Bangladeshi, Nepali, Jordania nisën të mburreshin se këpucët se ishin "pronë" e tyre. Por nga vinin vërtet ato këpucë? Muntazar buzëqesh dhe tregon: "I kam blerë në Irak. Ato përcollën një mesazh të njerëzve të Irakut për Bushin. Vetëm kjo ka rëndësi". Nga Palestina në Marok, gazetari që në dhjetorin e shkuar goditi me këpucë Presidentin Bush, në konferencën e fundit në Irak është kthyer në një simbol në botën arabe dhe në "imazhin" e imperializmit.

Në Turqi e kanë vendosur në lojërat për fëmijë, në Egjipt e kanë stampuar nëpër bluza. Drejtori i "Al Baghdadiya", televizioni privat për të cilin Muntazar punonte si reporter që prej vitit 2005, tregoi: "Një irakian që jeton në Rabat ka marrë në telefon dhe është treguar i gatshëm për t‘i ofruar vajzën e tij për grua. Një saudit ishte gati të paguante 10 milionë dollarë për këpucët e tij. Një maroken i ka ofruar një kalë me shalë të artë. Nga Palestina kanë telefonuar shumë gra që donin të martoheshin me Muntazar". Bush ka dalë nga skena dhe njeriu që e goditi me këpucë Presidentin ka dalë nga burgu e tani ka plot plane për jetën dhe vendin e tij.



Gazeta Shqip
 
Back
Top