Ja profesionet më të paguara dhe më të kërkuara në Shqipëri

AnGeLiC

VIP
V.I.P
wages-comparison-compare-income-salaries-salary-pay-wage-finance-money-EHN2A3-678x381.jpg

Jeni financierë, specialistë IT, zhvillues programesh, inxhinierë ndërtimi, atëherë është koha juaj. Këto janë ndër profesionet më të kërkuara sot për sot në tregun shqiptar të punës, por edhe më të mirëpaguarat. Femrat, gjithnjë e më shumë po bëhen të kërkuara për pozicione të larta drejtimi dhe hendeku i pagave sa vjen e po ngushtohet.

Stanjacion. Kjo është fjala që përdoret për lëvizjet në pozicionet më të larta menaxheriale, në ‘gjuetinë e kokave’, siç njihet. Ndërsa ujërat lëvizin më shpesh kur vjen puna te niveli i mesëm i menaxherëve, sidomos te sektori i shërbimeve. Agjencitë kryesore të rekrutimit thonë se mungesa e investimeve të huaja ka ndikuar në kërkesën më të ulët për menaxherë të nivelit të lartë. Ndërsa po vihet re edhe tendenca e kompanive, veçanërisht ato të mëdha për të ulur kostot, për të mbingarkuar stafin ekzistues, por edhe për të nxitur lëvizjet e brendshme në hierarki. Një sjellje e tillë bën që të ketë më pak rekrutime ‘kokash’ nga jashtë.
Pranvera Papamihali, menaxhere për Shqipërinë e agjencisë së rekrutimeve “Pedersen & Partners”, thotë se gjatë vitit që lamë pas është vënë re tendenca për të zëvendësuar menaxherët e huaj me shqiptarë. E kjo ka dy argumentime, për shkak të reduktimit të kostove (të huajt paguhen dy deri në tre herë më shumë se vendasit), por edhe për të promovuar drejtuesit vendas.
Një sjellje interesante e tregut është edhe shtimi i kërkesës për të pasur në pozicionet e larta drejtuese femra.
“Pedersen & Partners”, thotë znj. Papahimali, ka si standard që gjatë prezantimit të listës së kandidatëve te kompania e cila merr shërbimet e rekrutimit, të ketë minimalisht dy emra grash drejtuese. E kjo vlerësohet si një sjellje tejet pozitive, gjë që çon në reduktimin e hendekut gjinor në tregun e punës.
“Kërkesa e lartë, thotë znj. Papamihali, tregon për një tendencë për barazi në përfaqësimin e majës së hierarkisë”.
Por, cilat do të jenë profesionet më të kërkuara të këtij viti? Cilët sektorë do të dominojnë tregun e punës?
Rekrutuesit thonë se krahas profesioneve klasike, për të cilat tregu do të vazhdojë të ketë nevojë, ka edhe tendenca të reja që lidhen me botën dixhitale, dizenjimin, mektronikën apo edhe industrinë kimike.
Sa i përket ecurisë gjatë vitit 2017, drejtuesit e agjencive të rekrutimit thonë se lëvizjet më të ndjeshme mund të vihen re në infrastrukturë, ndërsa sektori privat, kryesisht kompanitë e mëdha, do të jenë në gjendje pritjeje. Kjo tendencë mund të reflektohet deri në përfundimin e zgjedhjeve, por edhe pak më tej në shpalljen e fituesit të tyre.



Më thuaj profesionin të të them sa paguhesh

Përpara krizës financiare, tregu i punës në Shqipëri ishte në kulmin e lulëzimit. Kërkesa për ekzekutivë të lartë ishte në majë, qofshin të huaj apo vendas.
Teksa ritmet e ekonomisë u ulën, edhe rekrutimet ndoqën të njëjtin trend.
Që të dallohesh nga ‘gjahtarët’ duhet të kesh aftësi, t’i kesh vënë në përdorim ato, të kesh arkivuar sukses.
Rekrutuesit, thotë znj. Papamihali, për postet e larta drejtuese janë në kërkim të individëve që kanë përvojë, minimalisht dy apo tre vite në fushën respektive. Mosha e kërkuar është mbi 30 vjeç dhe kjo ka të bëjë me përshtatshmërinë që duhet të ketë një person. E individi që e ka këtë moshë është i prirë ta bëjë. Nga ana tjetër, nuk duhet të jetë shumë i ri, pasi do të kishte tendencë që të ndryshonte shpesh vende pune për të krijuar përvoja.
Një element i rëndësishëm që rekrutuesit vënë në pah është edhe fakti se shqiptarët (e kjo edhe për shkak të sistemit arsimor të dobët) nuk kanë shumë aftësi analitike, ose nuk tentojnë të thellohen duke i kushtuar më shumë rëndësi sipërfaqes.
Por, kjo në një të ardhme të afërt (në mos është duke ndodhur) mund të kthehet në dizavantazh. Së fundmi po vihet re kërkesë në rritje për shërbimet offshore dixhitale (BPO), kryesisht nga tregjet gjermane. Ata janë në kërkim të të rinjve që nuk kanë thjesht aftësi gjuhësore, por edhe në fusha të tjera si në teknologjinë e informacionit, zhvillim programesh, etj.
Po cilat janë profesionet më të kërkuara.
Menaxherja e “Pedersen & Partners” thotë se në krye të klasifikimit gjenden financierët/ekonomistët. Kërkesa për ta do të vazhdojë të jetë e lartë e këtu ka ndikuar edhe nxitja për të formalizuar më shumë.
Më pas, në klasifikim vjen marketimi, por këtu përfshihen edhe aspekte të tjera që kanë të bëjnë me menaxhimin e mediave sociale, organizimin e eventeve etj.
Zhvilluesit e programeve janë gjithashtu shumë të kërkuar, madje mjaft mirë të paguar. Sipërmarrjet që janë të lidhura ngushtësisht me teknologjinë tentojnë që të realizojnë investime që flasin me gjuhën e kësaj shkence dhe që rrisin produktivitetin dhe ulin kostot.
Dizajni është një tjetër profesion i kërkuar sot për sot. Këtu nuk bëhet fjalë vetëm për ata që i përkasin medias, por edhe botës së modës e fashion-it. Kjo e fundit është nxitur nga sektori i fasonit që është zhvilluar ndjeshëm vitet e fundit e që po tenton të mbyllë gjithë ciklin brenda në vend. Ndaj dizajnerët mbeten të kërkuar (mungesa e profileve në Shqipëri ka bërë që shpesh këto profesione të mbulohen edhe nga përtej Adriatikut, nga Italia).
Fillimi i një investimi gjigant, siç është ai i gazsjellësit Trans Adriatic Pipeline, ka diktuar gjithashtu nevojën për më shumë inxhinierë ndërtimi, mekanikë apo edhe specialistë të lartë zbatimi. Një pjesë të konsiderueshme të forcës së specializuar të punës TAP e ka tërhequr përmes rekrutimeve.
Të punuarit për këtë projekt shihet si një avantazh për CV-në, jo vetëm të individëve, por edhe të biznesit.
Profilet që ata kërkojnë janë shumë specifike. Një shembull është edhe fakti që për të kryer punime në zonën e اorovodës, mbi lartësinë 1,8000 metra mbi nivelin e detit, ku është edhe pika më e lartë e projektit, TAP ka zgjedhur specialistë nga Meksika, të njohur për aftësitë e tyre në operimin në lartësi. Sikundër njihen edhe italianët, për përvojën e tyre për të krijuar lidhje nënujore të tubacioneve, gjë e cila mund të shfrytëzohet edhe në rastin e tubacioneve që do të vihen nën ujë në zonën e Semanit.
Po, me rëndësi vlerësohet nga rekrutuesit edhe mektatronika. Ajo është bërë çelësi për shumë prodhime dhe shërbime. Integron fushat klasike të inxhinierisë mekanike, inxhinierisë elektrike, inxhinierisë kompjuterike dhe teknologjinë informative për të realizuar principet bazë të metodologjisë bashkëkohore të dizenjimit.
Sipas znj. Papamihali për këto profile, preferohen më shumë meshkujt, ndërsa për ekonomi/financë, marketing, kimi preferohen femrat.
Tregtia me pakicë nuk parashikohet të ketë ndonjë tendencë për të bërë rekrutime të mëdha edhe pse nga drejtuesit e këtij sektori është folur për investime.
As nga energjia nuk priten zhvillime domethënëse, duke qenë se Statkrafti, një ndër kompanitë më të mëdha, nuk parashikon të bëjë rekrutime.

Të mirëpaguarit

Pagat mesatare të ekzekutivëve në Shqipëri ndryshojnë në varësi të kompanisë, vendndodhjes dhe industrisë. Kompanitë ndërkombëtare i paguajnë ekzekutivët në nivele më të larta krahasuar me ato lokale.
Por, së fundmi është konfirmuar tendenca për të zëvendësuar drejtuesit e lartë të huaj me ata vendas, kjo edhe në përgjigje të reduktimit të shpenzimeve.
Gjatë viteve të fundit, paga mesatare vjetore për një ekzekutiv të nivelit të lartë në një kompani ndërkombëtare, duke përfshirë bonuset, ka variuar nga 39,000 deri në 52,000 euro, ndërsa në kompanitë lokale, të njëjtat pozicione paguhen me 24,000 deri në 36,000 euro.
Në anën tjetër, ekziston një ndryshim i madh ndërmjet pagave të ekzekutivëve të lartë që punojnë në Tiranë dhe atyre në qytete të tjera të Shqipërisë, të cilët paguhen në nivele shumë më të ulëta.
Por, rekrutuesit thonë se filozofia e nivelit të pagave nuk ka ndryshuar shumë dhe gjatë 2016-s mund të flitet për një nivel të pandryshueshëm në krahasim me një vit më parë.
Në nivel profesionistësh më të mirëpaguarit mbeten shefat e departamenteve të financës, ku pagesat variojnë nga 3,000 – 4,000 euro. Specialistët e financave paguhen nga 800-1,000 euro.
Drejtuesit e burimeve njerëzore nga 1,500-2,000 euro, por kjo në varësi të kompanisë, pasi ka sipërmarrje që nuk e kanë në organikë këtë vend pune dhe ato detyra i realizon shefi i financës.
Pagesat e drejtuesve në sistemin bankar (ata shqiptarë) variojnë në 6,000-7,000 euro në muaj, duke përfshirë edhe shpërblimet.
Pagesat në nivelet drejtuese në telekomunikacione luhaten në nivele të ngjashme me bankat, 5,000-7,000 euro në muaj.
Të mirëpaguar janë edhe inxhinierët e IT-së, të cilët marrin deri në 2,000 euro në muaj. Ndërsa më pak paguhen inxhinierët e ndërtimit dhe ata të mekatronikës.
Kompanitë kryesisht po tentojnë që të shkojnë drejt një sistemi vlerash dhe të reduktojnë hendekun gjinor në pagesa. Ndaj, thotë znj. Papamihali, në rastin e profesionisteve femra kanë më shumë rëndësi rezultatet sesa përkatësia gjinore.



“اelësi” që të hap dyert e punës

Flet Elton Ilirjani, themelues i The HeadHunter GroupCili profesion ka qenë më i kërkuari gjatë vitit 2016?

Kanë qenë disa profesione në fakt, për të cilat ka mjaft kërkesë. Qoftë nga ato për të cilat kërkohet një kualifikim i lartë, ashtu edhe për ato ku kërkohet kualifikim i mesëm apo i ulët. Nuk janë të shumtë punëkërkuesit që kërkojnë në sektorin privat që të punësohen si inxhinierë, mekanikë, hidraulikë, apo marangozë. Këto lloj profesionesh, duke qenë se janë bërë të rralla, kush i ka është i vetëpunësuar ose përballet me një fluks kërkesash, kështu që nuk e ka të nevojshme që t’i drejtohet tregut për të gjetur punë. Kërkesa të larta nga vetë punëkërkuesit ka për punë në profile si juristë, specialistë burimesh njerëzore, por edhe për shoferë, kuzhinierë dhe sidomos te të rinjtë për call center-a, të cilat edhe pse janë të shumta, gjithnjë janë pjesë e punësimeve të reja. Përballemi gjithashtu me kërkesat e shumta të studentëve të profilit të shkencave juridike apo sociale, të cilët nuk e kanë të qartë profilin e tyre dhe se çfarë pune duhet të kërkojnë. Sivjet mjaft vajza shprehën interes për t’u punësuar jashtë Shqipërisë si stjuardesa. Ne rekrutuam 20 prej tyre vetëm muajin e kaluar dhe do të rekrutojmë po aq apo edhe më shumë në muajin shkurt.

Cili profesion ofrohet më shumë?

Sektori i marketingut, financës, bankave ka gjithnjë diçka për të ofruar. Pra ata që kanë profil kontabiliteti, financë, apo janë njohës të mirë të marketingut, kanë një probabilitet më të lartë që të punësohet. Sikurse është shprehur së fundmi edhe Bill Gates, “Top three skills” të 5 viteve të ardhshme do të jenë ato që kanë njohuri bazë të informatikës, matematikës dhe ekonomisë. Pra, jo domosdoshmërisht duhet të jesh krijues softesh apo sistemesh, por që të kuptosh pak nga të tria këto fusha, do të jetë çelësi që do të hapë gjithnjë e më shumë dyer punësimi në të ardhmen. Por nuk duhen lënë pas dore as punët e zanatit, sepse të jesh hidraulik, marangoz, apo elektricist sot është gjithashtu një kartë e mirë për t’u punësuar.

Cilat profesione kanë pagesat më të larta?

Ato me kualifikim dhe përvojë të lartë sigurisht që kanë edhe një trajtim më të mirë ekonomik. Kompani prestigjioze ndërkombëtare, të cilët janë klientët ose partnerët tanë, ofrojnë paga më të larta në krahasim me tregun dhe me atë që ofrojnë kompani shqiptare, qoftë edhe të të njëjtit profil.

Si e parashikoni tregun e punës për vitin që do të vijë?

Viti i ardhshëm do të jetë padyshim më i begatë për tregun e punës. Kompania jonë synon që të trajnojë nëpërmjet projektit tashmë të nisur “People First”, me financim të USAID dhe të qeverisë suedeze, 2 mijë të rinj dhe gra, me fokus sektorin e turizmit. Hotelet, restorantet dhe baret turistike ku ata do të trajnohen nga ekspertët, do të jenë në radhë të parë të interesuara që t’i punësojnë këta të rinj. Ne do të bëjmë ndërmjetësimin dhe do të shtyjmë me synim punësimin maksimal të të gjithë të trajnuarve. Turizmi është padyshim e ardhmja e qëndrueshmërisë ekonomike të Shqipërisë dhe ne jemi në këtë binar.

Profesionet më të kërkuara në Shqipëri për nivelet e larta dhe të mesme

1. Ekonomi/ Financë
2. Teknologji e Informacionit
3. Marketing
4. Zhvillim programesh
5. Digital
6. Inxhinieria
7. Mekatronika
8. Prodhim/Industria kimike
9. Dizenjim
10. Shërbime
(Shënim: Kjo është një listë e krijuar sipas orientimeve të kompanive të rekrutimit dhe jo mbi një studim të mirëfilltë tregu)

Pagat mesatare (mujore) për disa profesione

Shef finance – 3,000 – 4,000 euro
Specialist finance 800 – 1,0000 euro
Drejtues i burimeve njerëzore 1,500 – 2,000 euro
Inxhinierë IT 1,000 – 2,000 euro
Inxhinerë ndërtimi – 1,0000 euro
Mekatronik – 1,000 euro
Shef kuzhine 800 – 1,000 euro/ /monitor
 
Back
Top