Kresha
A pretty face can never trick me
Me 19 Janar 1919, qeveria italiane niset për në Konferencën e Paqes në Paris me përfaqësuesin e saj, kryeminstrin Orlando. Ndërsa, Ismail Qemaili, si perfaqsues i Shqiperise shfaqi dëshirën të takohej me autoritetet italiane. Por në Peruxhia e njoftuan se delegacioni Italian ishte nisur për në Paris duke mos ia respektuar kërkesën. Prezenca shqiptare me Ismail Qemalin në krye, cënonte interest vetiake të Italisë.
“Ismail Qemali, duke e kuptuar pabesinë, pësoi një goditje apopletike, dhe tha: “Më hëngrën në besë”. Me 24 Janar 1919 Ismail Qemalit iu provokua një konferencë shtypi para gazetarëve. Para se të fliste, i ofruan për të ngrënë. Sipas Ethemit, djalit të Ismailit, sapo hyri në sallë, Ismaili filloi të belbëzoi me një çehre të verdhë. Pas shkumës nga goja dhe të vjellët, zemra e tij pushoi së rrahuri.” Gazeta Dielli .
Vdekja dhe varrimet e Ismail Qemalit
Vdekja
Kur mbaroi Lufta e Parë Botërore, më 11 nëntor 1918, Ismail Qemali ndodhej jashtë Shqipërisë. Ai ishte larguar nga Atdheu fill pasi më 22 janar 1913 dha dorëheqjen si kryetar i qeverisë së përkohshme shqiptare të krijuar nga Kuvendi Kombëtar i Vlorës më 28 Nëntor 1912. Ai qëndroi në mërgim edhe gjatë viteve të Luftës së Parë Botërore, për arsye se Shqipëria qe pushtuar prej fuqive ndërluftuese. Në mërgim ai qëndroi në vendet perëndimore. Gjatë luftës mbajti anën e Antantës. Megjithatë, në mbarim të luftës, ai u zemërua nga fuqitë e Antantës. Kjo, për arsye se më 1918-n, pa mbaruar ende lufta, u mor vesh se anëtaret e saj - Anglia, Franca, Rusia dhe Italia - kishin nënshkruar më 26 prill 1915 Traktatin e fshehtë të Londrës. Dihet se me këtë traktat ato merrnin përsipër se po ta fitonin luftën do ta copëtonin Shqipërinë duke e kënaqur Serbinë dhe Malin e Zi me një pjesë të viseve veriore, Greqinë me një pjesë të viseve jugore dhe juglindore, Italinë me qytetin e Vlorës së bashku me rrethinën e saj. Me pjesën që do të mbetej në Shqipërinë Qendrore do të formohej një principatë e vogël myslimane nën protektoratin e Italisë. Vetëkuptohet se me zbatimin e këtij traktati, vepra kryesore e Ismail Qemalit, Shqipëria e Pavarur, fshihej nga historia. Ismail Qemali.
Nga fuqitë që fituan luftën, vetëm Shtetet e Bashkuara të Amerikës nuk e kishin nënshkruar Traktatin e Londrës, pra nuk ishin të detyruara për zbatimin e tij. Veç kësaj, nga nënshkruesit e traktatit Rusia, tani pas fitores së Revolucionit të Tetorit, kishte hequr dorë nga Traktati i Londrës. Kështu, çështja shqiptare tani varej kryesisht nga vullneti i Anglisë, Francës, Italisë, sidomos nga kjo e fundit, e cila përfitonte prej tij.
Në kohën kur Traktati i Londrës mbahej ende i fshehtë, Roma, me oreksin e saj për ta gllabëruar krejt Shqipërinë, kishte shpallur në Gjirokastër më 3 qershor 1917 një proklamatë me të cilën deklaronte se ajo do ta ruante pavarësinë dhe tërësinë tokësore të Shqipërisë, por nën protektoratin e Italisë. Me këtë projekt, Roma shpresonte të gjente mbështetjen e shqiptarëve, të cilët, sipas saj, përballë copëtimit të thellë të Atdheut, copëtim i barabartë me zhdukjen, do të mbështetnin protektoratin e Italisë.
Sapo në verën e vitit 1918 ranë në dijeni të Traktatit të fshehtë të Londrës, qarqet patriotike shqiptare u vunë në lëvizje. Në atë kohë, Ismail Qemali ndodhej në Spanjë. Aty kishte zënë miqësi të ngushtë me ambasadorin e ShBA-së. Në themel të miqësisë ishte simpatia që po tregonte ambasadori amerikan në Madrid për çështjen shqiptare. Meqenëse qarqet politike shqiptare, brenda dhe jashtë Shqipërisë po përgatiteshin të dërgonin delegacione në Paris, ku do të mblidhej Konferenca e Paqes edhe Ismail Qemali u vu në lëvizje. Për të siguruar një mandat përfaqësimi, Ismail Qemali u lidh me shoqërinë patriotike "Partia politike" e emigrantëve shqiptarë, e cila vepronte në ShBA, me qendër në Worcester, Massachussets dhe kishte për kryetar Kristo Dakon. Ajo nxirrte organin periodik "Koha", me drejtor Mihal Gramenon. "Partia politike" kishte ngritur një organizëm të veçantë me emrin "Komiteti për shpëtimin e Shqipërisë". Komiteti kryesohej nga Sevasti Qiriaz Dako, themeluesja e Shkollës Shqipe të vashave në Korçë, më 1892. Ajo ishte një intelektuale e rrallë nga radhët e gruas shqiptare, publiciste dhe aktiviste e palodhur e çështjes kombëtare. Gjatë luftës ajo drejtonte revistën patriotike kulturore "Ylli i mëngjesit".
Sapo u nënshkrua, më 11 nëntor 1918, armëpushimi, Ismail Qemali u nis për në Paris, ku do të mblidhej së afërmi Konferenca e Paqes. Por, qeveria franceze, e cila në atë kohë përkrahte qeverinë fantazmë të Esat Pashë Toptanit, përveçse e pengoi Ismail Qemalin të zhvillonte korrespondencë me "Partinë politike" në Amerikë, e detyroi atë të largohej nga Franca. Për më tepër, edhe ambasadori i ShBA-së në Paris nuk pranoi që korrespondencën midis tij dhe Sevasti Dakos në ShBA ta kalonte nëpërmjet postës së ambasadës amerikane. Atëherë, Ismail Qemali vrapoi në Madrid. Atje, korrespondenca midis Ismail Qemalit dhe Sevasti Dakos u zhvillua nëpërmjet mikut të tij, ambasadorit të ShBA-së. Midis akteve që Plaku i Vlorës i drejtoi zonjës Dako është dhe programi që Ismail Qemali do të mbronte në Konferencën e Paqes, në favor të çështjes shqiptare.
Thelbi i saj parashihte pavarësinë e plotë të Shqipërisë. Synimi për pavarësinë e plotë të Shqipërisë binte në kundërshtim të plotë me programin që kishte përpunuar qeveria italiane, e cila sikurse u tha, përmbajtjen e Traktatit të Londrës përpiqej ta zëvendësonte me formulën e shpallur në Gjirokastër më 3 qershor 1917. Madje, qeveria e Romës kishte siguruar përkrahjen në favor të platformës së shpallur në Gjirokastër, të disa personaliteteve shqiptare, si Mehmet Konica, Myfit Libohova, Medi Frashëri, Feizi Alizoti, Mustafa Kruja e të tjerë. Madje, ata po përgatiteshin të krijonin një organ politik në Shqipëri, i cili të miratonte platformën e Romës - Shqipëri autonome nën mandatin italian, pa Vlorën dhe krahinën e saj.
Ismail Qemali ishte kategorikisht kundër synimeve italiane, të cilat binin në kundërshtim me veprën që ai kishte shpallur vetë më 28 Nëntor 1912, pavarësinë e plotë të Shqipërisë. Me pëlqimin e "Partisë politike", Ismail Qemali vendosi të ndërmerrte një udhëtim për në Romë. Qëllimin e udhëtimit na e thotë shkoqur drejtori i gazetës "Koha", Mihal Grameno, i cili shkruante më 12 dhjetor 1918: udhëtimi i Ismail Qemalit në Romë na gëzon shumë, pasi atje ai do të ketë mundësi t‘i parashtrojë qeverisë italiane dëshirat e kombit shqiptar dhe ta largojë synimin e Romës për një protektorat italian mbi Shqipërinë dhe ta bindë që Italia të përkrahë të drejtat e shqiptarëve duke e siguruar atë se kombi shqiptar do t‘i jetë asaj mirënjohës përjetë. Sikurse del nga përmbajtja e artikullit, luftëtari rilindës Mihal Grameno kishte besim vetëm tek Ismail Qemali, tek aftësitë e tij diplomatike, mbasi nga të tjerët, theksonte ai, deri atëherë kishin dëgjuar vetëm gjepura (Artikulli "ا‘thotë Plaku i Shqipërisë", në "Koha", Boston, Mass., 12 dhjetor 1918).
Në Romë, Ismail Qemali nuk arriti kurrë. Kur hyri në Itali, Roma e njoftoi të qëndronte në qytetin Peruxha e të priste atje përgjigjen e kërkesës së tij. Ai bujti në hotelin "Brufani".
Ndërsa priste përgjigjen nga Roma, kundërshtarët e platformës së Ismail Qemalit, pra përkrahësit shqiptarë të platformës së Romës, e kritikuan ashpër misionin e tij. Me këtë rast, Mihal Grameno njoftonte, më 15 janar 1919, se Ismail Qemali në një letër që u kishte drejtuar krerëve të "Partisë politike", u thoshte ndër të tjera: "Lërini të tjerët me ëndrrat e tyre që të punojnë ashtu siç u pëlqen, për mbrojtjen e Shqipërisë dhe patriotët e vërtetë duhet sot që të mos humbasin asnjë sekondë për shpëtimin e së dashurës Shqipëri se koha është shumë kritike" ("Koha", Boston, Mass., 15 janar 1919).
Qartësia diplomatike e Ismail Qemalit detyroi krerët e federatës "Vatra" të hiqnin dorë nga kritikat e ashpra që kishin zhvilluar deri atëherë kundër Plakut të Vlorës dhe të pranonin se vetëm ai po ua "rrokulliste planet e bukura" miqve të Italisë.