Impakti i krizës në universitetet europiane

Legally_Sweet

Ain’t no sunshine when she’s gone
V.I.P
Efektet negative të krizës ekonomike globale po bëhen gjithnjë e më të prekshme, duke mos u ndalur vetëm në aspektin ekonomik por dhe më gjerë. Një prej sektorëve më të ndikuar nga kjo krizë është edhe sektori i arsimit të lartë. Sipas një raporti të publikuar nga Shoqata Europiane e Universiteteve (EUA), në vitin 2011, shkalla në të cilën kriza ekonomike globale ka prekur universitetet publike në vende të ndryshme të Europës është deri diku në proporcion me shkallën në të cilën kjo krizë ka prekur ekonominë kombëtare të secilit vend. Sipas raportit në fjalë, ndikimi i krizës është i dukshëm në pjesën e buxhetit që shtetet e ndryshme kanë vënë në dispozicion të arsimit të lartë, duke patur impakt të drejtpërdrejtë në: cilësinë e mësimdhënies dhe: në kërkimin shkencor.

Sa i përket ndikimit të krizës në buxhetin për arsimin e lartë në përgjithësi, shkurtimet më të mëdha në këtë buxhet u përjetuan në Lituani, me mbi 48%, Greqi 30%, Itali 20% etj. Në Angli gjithashtu pritet një shkurtim i buxhetit për arsimin e lartë deri në 40%, deri në vitin 2014-2015. Shkurtime mesatare nga 5-10% ka aplikuar Irlanda, Estonia, Rumania, Kroacia, Serbia, Maqedonia etj. Ndërkohë, vendet nordike, si Norvegjia, Suedia, Danimarka dhe Finlanda, apo edhe të tjera, si Zvicra, Holanda etj., nuk kanë aplikuar shkurtime të drejtpërdrejta të buxhetit të shtetit për arsimin e lartë, ose shkurtimet e tyre kanë qenë minimale (më pak se 2%). Por ka pasur edhe raste kur qeveria, pavarësisht krizës, ka shtuar buxhetin për arsimin e lartë, duke e konsideruar atë si një prej prioriteteve qeveritare. Një shembull i tillë është Franca me “Grand Emprut” (kredinë kombëtare) dhe me 11 miliardë euro të vëna në shërbim të rritjes së cilësisë së arsimit të lartë, si dhe Gjermania me 2.7 miliardë euro të vëna në dispozicion të Iniciativës Gjermane të Ekselencës.

Aspekti i parë në arsimin e lartë, në të cilin ndihet ndikimi negativ i krizës, ka të bëjë me cilësinë e mësimdhënies. Rritja e numrit të të papunëve ka nxitur një numër të madh individësh të kthejnë sytë nga arsimimi, në mënyrë që të rrisin aftësitë e tyre konkurruese në tregun e punës. Por një rritje e menjëhershme e numrit të studentëve nëpër universitete bie ndesh me tendencën e shumë shteteve për të zvogëluar buxhetin e shtetit për sektorin e arsimit të lartë. Një kontradiksion i tillë ka ndikuar në mënyrë të drejtpërdrejtë në cilësinë e mësimdhënies. Shumë universitete europiane, si për shembull në Spanjë, janë detyruar të mbyllin disa programe studimi të cilat i ofronin më parë, ose janë detyruar të reduktojnë numrin e stafit akademik dhe administrativ, rasti konkret Anglia, vetëm për shkak të pamundësisë për t’i mbuluar ato financiarisht. Së dyti, kriza ka ndikuar dhe vazhdon të ndikojë edhe në kërkimin shkencor, në disa prej universiteteve të rëndësishme të Europës, si në Holandë, Austri, Spanjë etj. Reduktimi nuk lidhet vetëm me zvogëlim të fondeve për kërkim shkencor dhe inovacion, por edhe me reduktim të numrit të aktiviteteve me natyrë shkencore.

Identifikimi më interesant i raportit të Shoqatës Europiane të Universiteteve lidhet me faktin se, sipas këtij raporti, sa më i lartë të jetë niveli i autonomisë institucionale dhe sidomos asaj financiare të universiteteve, aq më të afta do të jenë ato të përballojnë me sukses këtë krizë. Për këtë arsye, universitete private, deri tani, kanë arritur ta përballojnë më me sukses situatën e krizës, duke ruajtur mbi të gjitha një qëndrueshmëri financiare. Megjithatë, tendenca e disa qeverive për të evituar impaktin e krizës në universitete publike përmes rritjes së tarifës (fee-së) së shkollimit, ka hasur në nivele të larta rezistence nga ana e studentëve. Një rezistencë e tillë ka qenë e dukshme jo vetëm në vende të tilla si Anglia, por edhe në vendet nordike si Suedia apo Finlanda.

Masat e marra nga shtetet dhe universitetet e ndryshme, si kundërpërgjigje ndaj kësaj situate krize kanë qenë të ndryshme. Pjesë e këtyre masave kanë qenë rritja e tarifës së universiteteve, sidomos për student e huaj, kontraktimet e ndryshme me sektorin privat, përdorimi multifunksional i infrastrukturës dhe hapësirave fizike të universiteteve, duke i dhënë kështu gjithnjë e më tepër prioritet autonomisë së universiteteve publike. Për shembull, Universiteti i Warwick-it në Britaninë e Madhe, e cila ka edhe përvojën më të gjatë në gjetjen e burimeve alternative të financimit të universiteteve, operon me aktivitete të ndryshme komerciale, në formën e bizneseve të vogla të shërbimit (rreth 17 të tilla), të cilat sigurojnë të ardhura vjetore në një shifër prej afër 80 milionë paund (shifër e cila pjesërisht shkon drejtpërdrejt në buxhetin e universitetit).

Po t’i referohemi situatës në vendin tonë, pjesa e buxhetit të shtetit për arsimin publik ka një trend të përgjithshëm pozitiv. Që prej vitit 1995 e deri tani, buxheti i shtetit për arsimin ka ardhur gjithnjë në rritje. Megjithatë, pesha që zë buxheti për arsimin publik në Shqipëri, ndaj PBB-së, ka ardhur gjithnjë duke u ulur, nga 5% në vitin 1991 në 2.8% në vitin 2011. Pavarësisht shkallës në të cilën preket vendi ynë nga kriza globale, tre-fishimi i numrit të studentëve në universitete publike gjatë këtyre dy-tre viteve të fundit, në një kohë kur pjesa e buxhetit të shtetit për arsimin është rritur me jo më shumë se 3%, mund të provokojë probleme serioze edhe në universitet publike në Shqipëri, si në cilësinë e mësimdhënies, ashtu edhe në kërkimin shkencor dhe inovacionin.

Pikërisht për këtë arsye, skema e re e financimit të universiteteve në vendin tonë përbën një domosdoshmëri. Të gjitha karakteristikat e kësaj reforme flasin qartë për burime alternative financimi për arsimin e lartë, burime të cilat do të përbëjnë një rëndësi të veçantë sidomos për shkak të situatës së vështirë financiarë që po kalojnë pothuajse të gjitha universitetet e Europës. Skema e re e financimit me bazë studentët, do të ndikojë pozitivisht jo vetëm në hapjen e universiteteve, rritjen e konkurrencës dhe cilësisë ndërmjet tyre, por edhe motivimin e këtyre universiteteve për të gjeneruar burime alternative financimi, në mënyrë që të investojnë në arsimin e lartë dhe të mund të konkurrojnë lirshëm për përfitimin e fondeve publike.

/Mapo/
 

Konkursi Letërsisë

  • 1-Nje veshtrim, nje dashuri.

    Votat: 4 25.0%
  • 2-Agim shpërthyes

    Votat: 2 12.5%
  • 3-Për të voglën

    Votat: 1 6.3%
  • 4-Qiriu pa fjalë

    Votat: 3 18.8%
  • 5-Për të satën herë ….

    Votat: 2 12.5%
  • 6-Tik tak.

    Votat: 0 0.0%
  • 7-Nuk je më vetëm.

    Votat: 4 25.0%
Back
Top