Historitë e grabitjeve më të mëdha të bankave në botë

Violetta

>> KS- AL. etnike <<
Historitë e grabitjeve më të mëdha të bankave në botë


Grabitës të dhunshëm, por edhe Robin Hudë fisnikë, plane të studiuara prej muajsh, ndoshta dhe prej vitesh, por edhe shkrepje mendimi spontan, histori të papërsëritshme dashurie, por dhe pranga të ftohta tradhtie. S’kishte si pjesa më e madhe e tyre t’u shpëtonte prej duarsh regjisorëve, të cilët skenarin për filmin e tyre e kishin gati. A nuk është e tillë historia e çiftit të famshëm Bonnie dhe Clyde, grabitësve të bankave e dyqaneve, të cilëve iu janë kushtuar libra e këngë? Apo e “Banditit të kartolinave”, australianit më të kërkuar në Australi në vitet 1989-1995, i cili iu dërgonte kartolina policëve që e ndiqnin. Po aq interesante është edhe historia e Attila Ambrus, ose ndryshe “Grabitësit ثhisky”, pasi para se të thyente një bankë, pinte një ëhisky dhe u dërgonte lule femrave që donte. Personazhi që së shpejti do ta interpretojë në një film Xhoni Dip ka thyer 27 të tilla. Por kjo nuk është aq interesante sa Jacques Mesrine, i cili kishte në stilin e tij të vidhte dy banka në ditë. Histori interesante dhe njëkohësisht subjekt filmi është edhe ajo e Andrea Stander, një polici, djalë i një gjenerali të njohur në Afrikën e Jugut, i cili vite të tëra ishte edhe grabitësi edhe polici i parë në vendngjarje. Ai u zbulua vetëm pasi kreu vjedhjen e bankës së 30-të. Gazeta “Tirana Observer” bazuar në shtypin e huaj, boton historitë më të famshme të vjedhjeve të bankave. Kush ishin grabitësit që shpeshherë u shpallën “armiku numër një” në vendet ku shtrinin veprimtaritë e tyre. Jeta e tyre personale dhe planet e detajuara për vjedhjen e bankave. Arratisjet nga burgjet dhe shumat spektakolare që rrallëherë u kthyen në depozitat bankare.



Shqiptari grabit në mënyrë spektakolare 1.4 milionë euro

Një shqiptar dhe dy shtetas grekë janë arrestuar dje prej policisë greke nën akuzën e grabitjes me armë të një banke. Sipas policisë greke, tre të arrestuarit akuzohen se kanë kryer një ndër grabitjet më spektakolare të kryera ndonjehere ne bankat greke dhe pikërisht bankën në Aeroportin e Athinës, ‘Elefterios Venizelos’, i cilësuar si vendi më i ruajtur në Greqi. Policia thotë se një dite përpara grabitjes, një femër, identiteti i së cilës mbetet i panjohur, njoftoi punonjësit e bankës për riparimin e bankomatit të vendosur jashtë bankës. Telefonuesja u dha punonjësve edhe emrat e teknikëve dhe orën e riparimit. Një ditë më vonë, shtetasi shqiptar i arrestuar tashmë, u paraqit në hyrje të bankës dhe pasi u tregoi punonjësve të bankës badge-n e kompanisë private që riparon bankomatet, hyri në ambientet e brendshme të bankës. Në vazhdim 32 vjeçari nxorri një pistoletë dhe pasi lidhi dy punonjësit dhe drejtorin e bankës, zbrazi me shpejtësi 1.430.000 euro cash, 31.000 dollarë dhe 18.000 paund britanik. Mbasi grabiti paratë, 32-vjeçari doli i qetë prej bankës dhe u largua nga aeroporti me një taksi, pa harruar më parë të pyesë policët e shumtë që gjendeshin në korridorin e aeroportit, se ku mund të gjente një taksi. Arrestimi i tre të dyshuarve u bë mbas informacioneve në rruge operative. Gjatë kontrollit të kryer në banesën e 32-vjeçarit dhe të dashurës së tij greke, në lagjen Eksarqia të Athines, u gjeten 750 mijë euro dhe një sasi dollarësh dhe paundësh britanike. Ngjarja i kushtoi vendin e punës gjithë drejtuesve të policisë së aeroportit ‘Elefterios Venizelos’.



Bonnie and Clyde

Ky çift ka qenë subjekt i shumë filmave e këngëve. Më e fundit është ajo e kënduar nga këngëtarja Beoynce me të fejuarin e saj Jay-z. Bonnie Parker (1910 – 1934) dhe Clyde Barrow (1909 – 1934) ishin grabitës bankash me nam, të cilët udhëtuan nëpër pjesën qendrore të Shteteve Bashkuara gjatë periudhës së Depresionit të Madh. Aktet e tyre ishin të njohura në mbarë vendin. Ata tërhoqën vëmendjen e shtypit amerikan dhe lexuesve gjatë asaj periudhe, e cila shpesh herë cilësohet si “era e armikut publik” ndërmjet vitit 1931-1935. Edhe pse ata mbahen mend si grabitës bankash, Bonnie dhe Clyde zakonisht preferonin të grabisnin dyqane të vegjël apo qendrat e karburantit të vendosura buzë rrugës. Ka shumë versione për njohjen e tyre, por mbi një pikë të gjithë bien dakord: ishte dashuri me shikim të parë. Bonnie dhe Clyde u vranë më 23 maj 1934, në një rrugë të shkretë, pranë Luizianas nga katër policë teksanë e dy nga Luiziana.



Albert Spaggiari

I thirrur nga shokët Berti, krimineli francez njihet si truri i grabitjes së bankës “Societet Generale” në Nisë, në vitin 1976. Megjithëse ai kishte krijuar një jetë komode, ajo i dukej e mërzitshme dhe prandaj i hyri rrugës së krimit. Me anë të një tuneli dhe të bashkëpunëtorëve të tij, në një fundjavë, kur Franca festonte “Ditën e Bastilles”, ai grabiti në “Societete Generale” 400 kuti depozite dhe vodhi rreth 60 milionë franga. Në disa kuti, Spaggiari dhe njerëzit e tij gjetën edhe fotografi nudo të VIP-ave të vendit, të cilat i ngjitën në muret e bankës, kështu kushdo që hynte mund t’i shihte. Ata lanë edhe një mesazh në muret e bankës: “Pa urrejtje, pa dhunë, pa armë”. Ky ishte mesazhi i Spaggiarit për botën, dhe ai e konsideronte veten më shumë se një hajdut ordiner. Pas arrestimit të një prej bashkëpunëtorëve të tij, policia arrin edhe tek Spaggiari. Atë e arrestojnë sapo kthehej nga Lindja e Largët, ku kishte shkuar si fotograf gjatë vizitës të kreut të bashkisë së Nisës. Më pas arratiset nga dritarja e gjykatës, ndërsa i kishte çuar gjykatësit një dokument të kodifikuar duke i tërhequr vëmendjen me të. Në vitin 1989, trupi i tij i dorëzohet së ëmës dhe vdekja e tij cilësohet në rrethana të mistershme.
1998, vjedhja e Bankës së Amerikës

Në vitin 1998, një gangster i quajtur Ralph Guriano vendosi të grabisë Qendrën Tregtare Botërore të Bankës së Amerikës. Ai kishte një person të brendshëm me të cilin bashkëpunoi, të quajtur Salvatore Calciano, i cili kishte punuar në këtë vend për 20 vjet. Kështu një kamion u parkua në garazhin e bankës, dy persona qëndruan në kamion, ndërsa të tjerët të armatosur dhe të maskuar sulmuan dy roje të sigurisë, të cilët ishin duke transportuar paratë e nga kati i 11-të i ndërtesës në parkingun e saj. Sulmi ndodhi në ashensor kur banditët arritën ta ndalonin atë dhe të futeshin brenda tij, duke i neutralizuar dy rojet. Pas kësaj grabitësit morën 10 çantat e mbushura me para dhe i ngarkuan në kamionin që ishte duke i pritur në garazhin e ndërtesës. Sasia e parave që ndodheshin brenda çantave ishte gati 3 milionë dollarë.



Valerio Viçei

Grabitësi italian hyri në historinë si autori i një prej vjedhjeve më të mëdha të bankave. Në 12 korrik 1987 ai është autori i grabitjes së depozitave bankare “Knightsbridge Security Deposit” në Londër, Angli. Ai arriti të grabisë gati 40 milionë stërlina angleze dhe 68 milionë dollarë, shumë që e barabartë me kursin e sotëm është gati 200 milionë dollarë. Vjedhjen ai e realizoi në sajë të bashkëpunimit me të fejuarën e drejtorit të bankës, të cilën ai kishte vetëm pak kohë që e kishte zënë të dashur. Valerio Viçei u arrestua vetëm një muaj pas grabitjes së tij, më 12 gusht 1987, pas një ndjekje spektakolare me makina midis tij dhe policisë angleze. Gjatë ndjekjes së policisë Valerio Viçei ishte nën drejtimin e një “Ferrari Testarossa”. Pas vendimit të gjykatës angleze, ai u ekstradua në Itali, ku më 18 prill të vitit 2000 ai vritet nga policia italiane gjatë një tentative tjetër të tij për të grabitur.



Tyrone Conn

Tyrone Conn grabiti bankën e parë në jetën e tij, në moshën 16-vjeçare. Po aq sa zgjati edhe “karriera” e tij kriminale, në të cilën u ballafaqua me të paktën 30 akuza dhe mori dënimin me 47 vite burg. Conni ishte 24 vjeç në ’91-shin, kur u arratis nga burgu në Kanada, pasi la shënimin në qelinë e tij “Kam shkuar për peshk”. Në maj të 1999-ës, i armatosur me një pistoletë Conni vodhi bankën “Colborne”, të njëjtën bankë që po vidhte pas arratisjes në ’91-shin. Por “fluturimi” i Connit nga drejtësia mbaroi dy javë pas arratisjes. Policia e rrethoi në shtëpinë e një mikut të tij të burgosur. Uniformat blu u përpoqën të negocionin me Connin për 90 minuta. Ndërkohë, ai përgjigjej se nuk do të dorëzohej për asnjë lloj arsye. Sipas policisë, Conni vrau veten për të mos u dorëzuar. Në atë moment ai ishte në telefon me gazetaren e CBC-së, Theresa Burke, me të cilën kishte një shoqëri prej 5 vitesh, që kur ajo i kishte bërë një intervistë në burg. Një dyshim tjetër mbi fundin e tij lidhet me mundësinë që arma t’i jetë shkrepur nga pakujdesia.



Banda Bonnot

“Banda e Bonnotit” ishte një grup kriminal francez që vepronin në Francë dhe në Belgjikë në vitet 1911-1912. E përbërë nga anëtarë, të cilët identifikoheshin si ilegalë, banda përdorte teknologji të fundit, përfshirë automobila dhe pushkë të avancuara, të cilat ende s’ishin futur në policinë franceze. Shtypi u referohej atyre thjesht si “Banditët e makinave”, por më pas banda u quajt “Banda e Bonnotit” pas një interviste që dha Jules Bonnot në zyrat e gazetës më popullore të përditshme “Petit Parisien”. Dominimi i Bonnotit brenda grupit, më vonë u riforcua nga vdekja e tij e bujshme gjatë një shkëmbimi zjarri me policinë. Grabitja e parë e bandës ishte në bankën “Societe Generale” në Paris, në dhjetor 1911. Ata i ikën policisë me një makinë që e kishin vjedhur 1 javë më parë. Grabitësit, Bonnot, Octave Garnier, Eugene Dieudonne, ndanë së bashku 5126 franga. Banda kishte “nderin” të ishte e para që përdorte makinë në skenën e krimit. Më pas vazhduan me të tjera vjedhje e krime. Shpërblimi i policisë për informata rreth tyre shkoi në 800 mijë franga. Historia e bandës u përshtat si film në kinema në vitin 1969.



Andre Stander, Afrika e Jugut

Historia e kapitenit të policisë dhe një prej hajdutëve më të mëdhenj të bankave, Andre Stander u shndërrua nga kinemaja amerikane në një film i cili u shfaq në vitin 2003. Andre Stander ishte një oficer i lartë policie dhe shërbente në departamentin e vrasjeve dhe të grabitjeve në Johannesburg, në vitet ‘70. djali i një prej gjeneralëve më të njohur të Afrikës së Jugut, Andre Stander filloi të grabiste banka në mesin e viteve ‘70. Grabitjet ai i kryente gjatë pushimit të drekës që ai kishte kur kryente shërbimin. Menjëherë pas grabitjes ai kthehej në skenën e krimit si oficer policie për të hetuar grabitjen. Ai u arrit të zbulohej për krimet e tij vetëm pasi kishte kryer 30 grabitje bankash. Por, megjithëse u arrestua dhe u dënua me 75 vjet burg në vitin 1980, ai arrin të arratiset nga burgu, duke u larguar më pas në SHBA. Në vitin 1984 ai vritet në Florida gjatë një shkëmbimi zjarri me policinë amerikane.



Andreas Bernd Baader

Ai ishte një nga liderët e parë të organizatës gjermane të Fraksionit të Ushtrisë së Kuqe. I lindur në Mynih Baader, i kishte lënë studimet dhe i ishte futur rrugës kriminale para se të përfshihej në organizatë. Ai ishte një nga të paktët anëtarë të lëvizjes terroriste, i cili nuk e kishte ndjekur universitetin. Ai përshkruhej si tip i dhunshëm dhe provokativ. Në ’68-ën, ai arrestohet së bashku me të dashurën e tij dhe dënohen për vendosjen e një bombe në një dyqan në Frankfurt. Pas dënimit, ai arratiset nga burgu, por kapet sërish në prill të vitit 1970. Baader bashkë me bandën e tij kaluan disa kohë në kampin e trajnimit në Jordani dhe më pas u kthyen në Gjermani. Ai merrej me vjedhje bankash dhe me vendosjen e bombave në ndërtesa në vitet 1970-1972. Më 1 korrik 1972 ai dhe shokët e tij u kapën pas një shkëmbimi zjarresh në Frankfurt. Pas një greve të gjatë në ’74-ën, ku njëri prej grevistëve vdiq, filozofi Zhan Pol Sartri e vizitoi Baader në Stammheim. Më vonë ai e përshkruante atë si një njeri “tmerrësisht budalla”. Në vitin 1977, sipas policisë lokale, Baader dhe dy bashkëpunëtorët e tij u vetëvranë. Në 2002-in, drejtori Christopher Roth bëri një film rreth Baaderit dhe i dha emrin e kriminelit famëkeq.



Attila Ambrus

Attila Ambrus njihet për një sërë vjedhjesh në Hungari. Vjedhjen e parë e kreu në një zyrë poste në vitin 1993. Pas këtij “suksesi”, Ambrus kreu 27 vjedhje bankash, zyrash postare, agjenci udhëtimi, të cilat u mbyllën me arrestimin e tij në vitin 1999. E shprehur në vlerë monetare, vjedhjet e tij arrinin vlerën e 1 milionë dollarëve amerikanë. Ai u bë i njohur me nofkën “Grabitësi Whiski”, sepse shpesh ai shfaqej duke pirë në një pab para se të kryente vjedhjen. Megjithëse më vonë ai mbante armë, Ambrus nuk e përdori atë asnjëherë gjatë grabitjeve. Ai ishte i famshëm për maskimin që bënte, për lulet që u dërgonte femrave para se të kryente vjedhjet dhe për shishet me verë që ua dërgonte policëve. I njohur gjerësisht në popull, në kohën e arrestimit të tij në 15 janar të vitit 1999, një flamur me stampën “Grabitësi Whiski” valëvitej në stadiume edhe disa vite më vonë. Ai u dënua me 17 vjet burg, por u arratis gjashtë muaj më pas me anë të çarçafëve, telave elektrikë dhe lidhëseve të këpucëve. Ai u kap sërish pas një vjedhjeje, ndërsa u kthye të merrte qenin. Historia e Ambrus është bërë subjekt i një libri dhe pritet të bëhet film, ku rolin e Ambrus do e luajë Xhoni Dip.



Banda Ioanid

Banda rumune, Ioanid, e ka marrë emrin nga dy prej anëtarëve të grupit, Alexandru dhe Paul Ioanid. Më 28 korrik 1959 ata kryen grabitjen më të madhe që kishte ndodhur ndonjëherë në një bankë të një vendi komunist. Një grup i armatosur prej gjashtë intelektualëve çifutë, rumunë dhe rekrutëve të Partisë Rumune Komuniste (Alexandru Ioanid, Paul Ioanid, Igor Sevianu, Monica Sevianu, Saşa Muşat and Haralambie Obedeanu). Ata arritën të vidhnin rreth 250 mijë dollarë amerikanë nga Banka Kombëtare e Rumanisë. اështja u mor nën hetim nga Sekuritia (shërbimet sekrete komuniste) dhe autorët e dyshuar të krimit u arrestuan brenda dy muajve. Ata u mblodhën të gjithë gjatë natës dhe u gjykuan brenda dyerve të mbyllura, ku, të gjithë, përveç njërit, u dënuan me vdekje. Ekzekutimet gjithashtu u kryen në mënyrë sekrete në vitin 1960. Monica Sevianu, e vetmja femër e bandës u dënua me burgim të përjetshëm për arsyen e vetme se kishte fëmijë.



Grabitja e Bankës Qendrore në Brazil

Cilësohet si një nga grabitjet më të mëdha në botë. Një bandë grabitësish, në fundjavën e 6-7 gushtit të vitit 2005, u futën me anë të një tuneli në Bankën Qendrore në Fortaleza të Brazilit. Ata morën 5 kontenierë me bankënota, me një vlerë prej 70 milionë dollarësh, ose 61 milionë eurosh. Grabitësit, tre muaj më parë ngjarjes, kishin marrë me qira një shtëpi boshe në qendër të qytetit dhe që atje hapën një tunel 78 metra të gjatë. Shtëpinë ata e kishin kthyer në një dyqan me lule natyrale dhe dheun që nxirrnin nga toka, e justifikonin me ndërrimin e plehut të luleve. Tuneli ishte ndërtuar mirë, 4 metra nën sipërfaqe të tokës. I veshur me materiale druri dhe plastike, ai ishte ndriçuar mirë dhe kishte sistem me ajër të kondicionuar. Pas futjes në bankë, grabitësit çaktivizuan gjithë sistemin e alarmit të brendshëm dhe sensorët. Gjatë fundjavës, ata patën kohën e duhur për të nxjerrë bankënotat, të cilat peshonin rreth 3.5 kuintal. Rreth 50 persona janë arrestuar në lidhje me ngjarjen, në mes tyre të afërm të rojeve të sigurisë, policë. Disa prej të dyshuarve janë gjetur të vrarë.



Brenden James Abbott

Australiani i njohur si “Banditi i kartolinave”, gjatë karrierës së tij kriminale mendohet se ka vjedhur 5 milionë dollarë australianë gjatë thyerjeve të disa bankave. Ai ka lindur në vitin 1962 në Melburn dhe aktualisht vuan dënimin prej 23 vjetësh burg në Qendrën e Korrigjimit “Arthur Gorrie”. Abott është arratisur disa herë nga burgu duke përdorur metoda të ndryshme. Në nëntor të vitit 1989 ai bëri uniforma të ngjashme me rojet e burgut dhe arriti të largohej. Në ’97-ën, ai u arratis bashkë me 4 kriminelë të rrezikshëm falë një bashkëpunëtori të jashtëm, dhe pasi preu katër gardhe hekurash që rrethonin burgun. Abott ka qenë njeriu më i kërkuar i Australisë në vitet 1989-1995. ثshtë quajtur “Banditi i kartolinave”, pasi media raportonte në vitet ’90 se Abott u dërgonte kartolina të udhëtimeve të tij policëve të cilët e ndiqnin atë. Por, sipas të dhënave, kjo ishte vetëm një shpikje e medias. “Banditi i Kartolinave” u bë film në vitin 2003 dhe është hedhur në DVD në vitin 2005-n.



Butch Cassidy

Butch Cassidy (1866-1908) është një prej grabitësve më të njohur të bankave e trenave në SHBA. I lindur me emrin Robert LeRoy Parker në Utah, ai u largua nga shtëpia që në vitet e adoleshencës për të punuar në një fermë bulmeti, ku dhe u njoh me mikun e tij, Mike Cassidy, një hajdut kuajsh. Ai më pas punoi në shumë ferma si kasap (butcher) nga ku dhe mori nofkën e tij “Butch”, e cila shumë shpejt u pasua nga mbiemri i mikut e mbrojtësit të tij “Cassidy”. Ai filloi që në moshën 14-vjeçare të kryente vjedhjet e para, të cilat me kohë u kthyen në grabitje dhe hyrje-dalje nga burgu. Në vitin 1905 ai kreu një grabitje, e cila cilësohet si më e madhja e kryer prej tij. Së bashku me dy persona të tjerë ai arriti të grabiste bankën “Trapaca y Argentino” në Rio Gallegos në Argjentinë, duke marrë prej aty 100 mijë dollarë. Pas kësaj, i lodhur nga jeta që bënte, Cassidy vendosi të hiqte dorë e të jetonte si një fermer i respektuar, megjithëse ai dyshohet edhe për disa grabitje të tjera bankash, por nuk u mor vesh asnjëherë.



Edward Ned Kelly

Edward Ned Kelly, është grabitësi i bankave i kthyer në legjendë në Australi. Ai jetoi në vitet 1855-1880 dhe përveçse një hero popullor për mosbindje ndaj autoriteteve koloniale, ai njihej si Robin Hudi i kohëve moderne. Altruist dhe kavalier, ai kishte fituar famën e Robin Hudit. Që fëmijë ai kishte probleme me ligjin. Në moshën 14-vjeçare u arrestua për herë të parë, pasi ofendoi një pronar ferme. Një vit më vonë u arrestua sërish, pasi u akuzua si bashkëpunëtor i një grabitësi bankash. Por këtë “talent” të tij ai e përdori më vonë bashkë me bandën e tij që quhej “Banda e Nedit” dhe që përbëhej nga vëllezërit e tij më të vegjël. Kështu në vitin 1878, ai bashkë me bandën e tij grabiti bankën “Euroa” me metodën e pengjeve. Një vit më pas, ata thyejnë bankën “Jerilderie”, një ngjarje e cila është cilësuar si më e guximshmja dhe me një plan shumë të zgjuar. Banda hyri në policinë e Sidenit dhe futi në qeli dy policë. Me veshjet e tyre, dy anëtarë të bandës, Nedi dhe Joe Byrne shkuan në bankë dhe vodhën 2 mijë paund. Ndërkohë, pjesa tjetër e grupit kishte tërhequr vëmendjen e policisë dhe të njerëzve, duke mbajtur disa pengje në një hotel. Në vitin 1880 Nedi kapet dhe dënohet me varje. Qelia e tij, sot është kthyer në muzeun “Ned Kelly”.



Edwin Alonzo Boyd

Edwin Alonzo Boyd ishte një kriminel kanadez dhe kryetar i “Bandës Boyd”. Ai lindi në Kanada në vitin 1914. Në fëmijëri babai i tij, polic, ishte përpjekur për ta bërë violinist, përveç shumë gjërave të tjera, por Edi, siç e thërrisnin për shkurt miqtë, u bë taksist. Por kjo jo për shumë kohë. Një ditë, pasi u mërzit, ai mori një pistoletë gjermane dhe me të vodhi një bankë. Boyd më pas u bashkua me një tjetër grabitës dhe bashkë me të thyen disa banka në Toronto. Ai shquhej për lëvizjet e shpejta dhe për mbajtjen e pistoletave. Partneri i tij, Howard Gauld u kap nga policia dhe i tregoi të gjitha. Të dy u burgosën në Toronto. Në të njëjtën kohë, atje u burgosën edhe dy grabitës të tjerë bankash: Lennie Jackson dhe Willie Jackson. Këta të fundit s’kishin asnjë lidhje mes tyre, po së shpejti do të bashkoheshin me Edin në një arratisje nga burgu. Bashkë me Valent Lesso, një tjetër grabitës bankash, ata do të bënin një bandë. Lesso ishte një muzikant i talentuar, i cili s’gjente punë. Ata bënë një seri vjedhjesh dhe u quajtën nga media “Banda e Boyd”, duke e cilësuar Edin si trurin e organizatës. Ata u arrestuan disa vite më vonë dhe prapë u takuan në të njëjtin burg. Organizuan një arratisje spektakolare dhe pas disa vitesh u burgosën sërish. Lennie Jackson dhe Valent Lesso u dënuan me vdekje, pasi kishin vrarë policë, ndërsa Willie Jackson dhe Edi Boyd u liruan në 1966-n. Boyd vdiq në vitin 2002 në moshën 88-vjeçare.



Emmett Dalton

Emmett Dalton ishte një prej grabitësve më të mëdhenj të bankave në Amerikë. Ai arriti që së bashku me bandën e tij, të quajtur Dalton Gang, të grabisë në vitin 1892 dy prej bankave më të mëdha në Kansas, SHBA. Sasia e parave të grabitur prej bandës ishte shumë e madhe, duke u quajtur në atë kohë si një prej grabitjeve më të mëdha. Banda e Daltonit vazhdoi të vepronte përsëri, por në një tentativë tjetër të tij për të grabitur një bankë në Teksas, ata u rrethuan nga policia dhe nga shkëmbimi i zjarrit vdiqën katër nga pjesëtarët e bandës. Emmett Dalton u plagos rëndë dhe u kap nga policia. Gjykata e dënoi Daltonin me 14 vjet burg. Pas përfundimit të dënimit ai u transferua në Kaliforni, ku u bë skenarist dhe aktor i disa prej filmave të realizuar nga Hollivudi. Në vitin 1931 ai botoi një biografi të tij. Emmett Dalton vdiq në vitin 1934 në moshën 66-vjeçare.



Grabitja më e madhe në historinë e SHBA

Grabitja e “Dunbar Armored” është më e madhja e kryer ndonjëherë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ka ndodhur në vitin 1997 në Los Anxhelos, Kaliforni. Grabitësit arritën të merrnin nga “Dunbar Armored” 18.9 milionë dollarë. Truri i kësaj grabitjeje gjigande ishte Allen Pace, i cili punonte në Dunbar si inspektor rajonal i sigurisë. Gjatë kohës së shërbimit ai kishte mundësi që të fotografonte dhe ekzaminonte depon e blinduar të makinave të kompanisë. Ai rekrutoi pesë prej shokëve të tij të fëmijërisë dhe më 13 shtator 1997 Pace përdori çelësat e tij për të hyrë në ndërtesë. Ai i kishte kronometruar kamerat e sigurisë dhe kishte përcaktuar se si duheshin shmangur. Sapo hynë brenda grabitësit pritën në barin e stafit duke sulmuar rojet një nga një. Pace e dinte që të premteve në darkë kasaforta depoja kryesore ishte e hapur për shkak të shumave të mëdha të parave që zhvendoseshin. Ai dinte saktësisht se cilat çanta duhej të merreshin. Policia e kuptoi menjëherë se kjo ishte një grabitje e kryer nga persona të brenshëm dhe ekzaminuan Pace-in por s’mundën t’i gjenin asgjë. Por një prej anëtarëve të bandës Lamar Hill gaboi kur i dha një personi një shumë parash të mbështjella akoma me shiritin e kompanisë. Personi në fjalë shkoi menjëherë në polici dhe Hill u arrestua. Ai shumë shpejt rrëfeu emrat e bashkëpunëtorëve të tij dhe Allen Pace u dënua me 24 vite burg. Por një pjesë e parave prej 14 milionë dollarësh akoma nuk janë gjendur.



Grabitja në Norrmalmstorg

Grabitja në Norrmalmstorg njihet gjithashtu edhe si origjina e termit “Sindroma e Stokholmit”. ثshtë rasti kur një prej pengjeve u afeksionua me grabitësin e saj. Kjo grabitje ka ndodhur në Stokholm në vitin 1973. Jan Erik Janne Olsson, i cili sapo kishte dalë nga burgu, drejtohet drejt bankës “Kreditbanken” në Norrmalmstorg, në qendër të Stokholmit. Policia, e cila u lajmërua menjëherë, shkoi në vendngjarje, por tashmë Olsson ndodhej aty dhe kishte hapur zjarr, duke plagosur një polic. Më pas ai urdhëroi një polic tjetër që të ulej në karrige dhe të këndonte një këngë. Ai filloi të këndonte këngën “Lonesome Cowboy”. Më pas Olsson mori katër persona peng dhe kërkoi që aty të mbërrinte miku i tij, Clark Olofsson së bashku me 730 mijë dollarë, dy armë, jelekë antiplumb, helmeta dhe një makinë të shpejtë. Kjo zgjati për disa ditë deri sa më në fund policia arriti të çlironte pengjet e të kapte dy personat përgjegjës.



Great Brinks

Vjedhja me armë e Great Brinks, në gradacielën “Brinks” në Boston, Massachusetts, më 7 janar 1950, është cilësuar si një nga krimet e shekullit në SHBA. Grabitësit arritën të vidhnin rreth 1.2 milionë dollarë në kesh dhe gati 1.5-milionë dollarë të tjera në formë çeqesh. Banda e përbërë nga gashtë persona studioi për gati dy vjet nga një ndërtesë fqinj të gjitha lëvizjet e punonjësve në depot e gradacielës ku mbaheshin paratë. Ata arritën të vidhnin kopjet e çelësave të kasafortave si dhe sistemet e alarmit të depove. Pas dy vjetësh, më 7 janar 1950, banda vendosi të veprojë. Të veshur me uniformat e punonjësve të sigurisë së ndërtesës grabitësit u futën në ndërtesë në orën 6.50 të mëngjesit dhe pasi eliminuan disa punonjës të sigurimit, hapën kasafortat dhe morën andej të gjitha sasitë e parave. Policia amerikane arriti të zbulojë disa anëtarë të bandës grabitëse vetëm disa vjet më vonë.



Hans Gruyters

Hans Gruyters është një grabitës holandez, që ka jetuar në vitet 1925-1980. Pseudonimi i tij ishte “Kalorësi i Zi” për arsye se në një rast ai u shfaq në një festë i veshur tërësisht me të zeza. Ai ka kryer disa grabitje bankash rresht njëra pas tjetrës. Fillimisht Gruyters ishte shitës makinash me profesion. Por nga mesi i viteve 50’ ai filloi aktivitetet e tij të jashtëligjshëm. Në vitin 1954 ai qëlloi fillimisht një oficer policie. Më pas më 16 nëntor ai grabiti një bankë dhe me 31 dhjetor ai grabiti edhe shtëpinë e famullitarit në Vokel. Ndërsa po largohej nga skena e grabitjes së fundit, ai përplasi me makinë një burrë që po udhëtonte me biçikletë, duke shkaktuar vdekjen e tij. Në atë kohë policia kishte rënë në gjurmët e tij, por kjo s’e parandaloi atë që të përpiqej të vidhte një bankë tjetër në Oss disa ditë më vonë. Ai u arrestua më 5 janar 1955 dhe u dënua me 15 vite burg. Ai u arratis pas një viti, por policia arriti ta kapte e ta kthente sërish në qeli nga doli në vitin 1966.



Banka Qendrore e Irakut

Afërsisht 1 miliard dollarë janë vjedhur më 18 mars të vitit 2003, vetëm disa orë pas fillimit të bombardimeve amerikane në Bagdad. Kjo vjedhje është cilësuar nga CNN si vjedhja më e madhe e bankave në histori. Rreth 650 milionë dollarë u gjetën nga trupat amerikane të fshehura në muret e pallatit të Sadam Huseinit. Në mars 2003, një urdhër me shkrim i firmosur nga Sadami, i kalonte 920 milionë djalit të tij, Qusay. Sipas zyrtarëve të bankës, Qusay dhe një tjetër njeri i paidentifikuar kanë ngarkuar për pesë orë në kamion kutitë me prerjet 100 dollarëshe. Qusay më vonë u vra nga trupat amerikane.



Jaba Ioseliani

Jaba Ioseliani nuk ishte një grabitës bankash ordiner. Ai ishte gjithashtu një politikan gjeorgjian dhe lider i organizatës paramilitare “MKhedironi”. I lindur në Khashuri në vitin 1926, Ioseliani studioi në Universitetin e Leningradit, por nuk u diplomua. Ai vuri në skenë vjedhjen e një banke në Leningrad në vitin 1948, për të cilën u dënua me 17 vjet burg. I liruar në vitin ’65, ai u dënua sërish për vrasje pa paramendim. Më pas u kthye në Gjeorgji dhe u diplomua në Institutin Gjeorgjian të Artit të Teatrit, ku u bë profesor dhe shkruajti një numër të konsiderueshëm pjesë teatrale. Dominimi i tij u rrit si lider i organizatës paramilitare, të cilën e themeloi në vitin 1989. Dy vjet më vonë, organizata e tij u shpall e jashtëligjshme. Ai u burgos, por më vonë u arratis dhe u bashkua me forcat rebele, të cilat synonin një grusht shteti ndaj presidentit të asaj kohe, gjë që u realizua me sukses nga guerilët. Ioseliani u bë një nga tre liderët kryesorë të “Këshillit Ushtarak”, që qeverisi Gjeorgjinë nga janari në mars të vitit ’92. Kudo që shkonte rrethohej nga mbështetësit e tij të armatosur. Ioseliani u akuzua për një sërë vrasjesh si dhe një tentative për vrasjen e një politikani. Ai u dënua me 11 vjet burg për terrorizëm dhe komplote, por vdiq në vitin 2003 nga një atak në zemër.



Jacques Mesrine

Jacques Mesrine ishte një kriminel francez, i cili pati aktivitet të shkurtër edhe në SHBA e Kanada. Për herë të parë Mesrine u arrestua në vitin 1962 me tre bashkëpunëtorë para një tentative për të vjedhur një bankë. Ndërkohë ai ishte bërë kriminel profesionist prej disa vitesh. U dënua me 18 vjet burg dhe u lirua në vitin 1963. U arrestua sërish për pengmarrje, dhe pas arratisjes, Mesrine filloi të vidhte banka në Montreal të Kanadasë. Stili i tij ishte vjedhja e dy bankave në të njëjtën ditë. Në fund të ’72-it, Mesrine u kthye në Francë dhe merrej vetëm me vjedhje bankash. U arrestua, por arriti të largohet nga gjykata pasi mori peng një gjykatës. U arrestua më pas, ku dhe shkruajti “Instikti i vdekjes”. Në ’78-ën ai u arratis me tre të dënuar të tjerë, e cila u bë skandal në Francë. Mesrine vazhdoi të vidhte dyqane argjendarie, banka, të kryente pengmarrje etj. Në total kreu 39 vrasje dhe ngaqë maskohej shumë mori nofkën “Njeriu i 100 fytyrave”. Në ’79-ën, Mesrine mori peng milionerin Herni Lelievre, të cilit i caktoi gjobën 6 milionë franga. Ai u bë “Armiku numër 1 i Francës”. Mesrine u vra po në këtë vit pas rrethimit nga policia.



John Dillinger

Kur Xhon Dillinger u qëllua nga agjentët federalë në vitin 1934, ai ishte cilësuar nga Departamenti i Drejtësisë “Armiku Nr. 1”. I lindur në vitin 1903, në Indianopolis, Indiana, ai është legjendë e vjedhjes së bankave në Shtetet e Bashkuara. Në maj të vitit 1933, Dillinger u lirua me kusht nga burgu i shtetit Indiana, ku kishte kaluar mbi 8 vjet në qeli i dënuar për grabitje bankash. Në shtator, ai ishte sërish në burg, duke pritur gjykimin për vjedhje bankash. Në tetor të ’33-shit, ai arratiset nga burgu dhe me bandën e tij vazhduan thyerjet e bankave në Indiana dhe më pas u largua për në Florida dhe Arizona. Pas kapjes në këtë të fundit, u depërtua për në Indiana, ku përsëri arriti të arratisej. U drejtua për në اikago, duke tërhequr vëmendjen e investigatorëve federalë (një sektor që më pas u quajt FBI). Me reputacionin që gëzonte, tashmë ai e kishte fituar statusin e një heroi popullor. Me një informacion të Ana Cumpanas, të quajtur nga media “Lady in red”, për shkak të veshjes së saj, agjentët federalë i zunë pritë Dillinger jashtë Teatrit në اikago, ku ai sapo kishte parë “Melodramën e Manhatanit”. Pas shkëmbimit të zjarrit, Dillinger u vra.



Kenneth Noye

Një prej grabitjeve më të mëdha në botë është edhe ajo e vjedhjes së 10 tonë shufrave ari dhe 3 milionë stërlinash në aeroportin “Heathrow Airport” në Londër, më 26 nëntor 1983. Ideatori dhe organizatori i kësaj grabitje është anglezi Kenneth Noye, i cili së bashku me gjashtë bashkëpunëtorë të tjerë arriti të hapë magazinën sekrete në aeroport, duke realizuar kështu një nga grabitjet më spektakolare. Policia angleze arriti të zbulojë autorët e kësaj grabitje dhe të arrestojë bashkëpunëtorët e Kenneth Noye. Ky i fundit arriti të fshihej, dhe vetëm në vitin 1986 policia arriti ta arrestojë atë. Ai u dënua me 14 vite burg, nga të cilët kreu vetëm tetë. Aktualisht Kenneth Noye është duke vuajtur dënimin me burgim të përjetshëm që gjykata angleze i dha në vitin 1998 për vrasjen e një të riu.



Lufthansa Heist

Një nga grabitjet më të mëdha që është bërë në Amerikë është edhe ajo e depozitave të kompanisë ajrore gjermane “Lufthansa” në aeroportin “Kenedi” në Nju Jork. Grabitja u krye nga familja mafioze Lukeze, e cila vepronte në Amerikë dhe ishte një nga pesë familjet më të mëdha mafioze. Më 11 dhjetor të 1978, në orën 15.00, të armatosur deri në dhëmbë banda mafioze me ndihmën e një punonjësi të sigurisë të aeroportit arriti të futet në depozitat e aeroportit. Me ndihmën e bashkëpunëtorit të tyre ata arritën të hapin depozitat e sigurisë dhe te merrnin 6 milionë dollarë. Por megjithëse grabitja u realizua me sukses, pjesëtarëve të bandës grabitëse telashet u erdhën më vonë. Shumë prej anëtarëve të saj u vranë nga pjesëtarë të tjerë familjes mafioze. Historia e grabitjes u bë skenari i filmit “Djemtë e mirë”, me aktorë kryesorë Robert De Niro dhe Joe Pesci .



Monica Proietti

Monica Proietti, grabitëse bankash në Montreal, njihet me pseudonimin “Vajza e mitralozit”. Ajo lindi në 25 shkurt të vitit 1940 dhe vdiq në shtator të vitit 1967. Monika vinte nga një familje e varfër në Montreal, anëtarët e të cilës kishin probleme me krimin. Gjyshja e saj ishte arrestuar disa herë për vjedhje dhe ishte kthyer në një shkollë krimi për fëmijët e lagjes. Në vitin 1956, në moshën 17 vjeçare, Monika u martua me një gangster skocez, që ishte 33 vjeç. Pas deportimit nga Kanadaja të bashkëshortit të saj, më vonë ajo u lidh me Viateur Tessier, i cili u burgos në vitin 1966 për vjedhje me armë. Monika dhe bashkëpunëtorët e saj grabitën më shumë se 20 banka, duke vjedhur mbi 100 mijë dollarë. Në shtator të vitit 1967, Monika u vra gjatë një shkëmbimi zjarri me policinë. Filmi i vitit 2004 “Monika, vajza e mitralozit”, është bazuar në jetën e saj. Filmi u përshtat nga libri “Kujtimet e Monikës” të autorit Georges-Hebert Germain.



Naomi Betts

Vetëm tetë muaj zgjati liria e grabitëses së bankës “Fifth Third Bank” në Indianapolis, SHBA. Megjithëse ishte vetëm 22 vjeç, Naomi Betts nuk nguroi që me një pistoletë në dorë dhe pa asnjë lloj maske në fytyrë të grabiste në mes të ditës, më 9 tetor 2003, një prej bankave më të mëdha të Amerikës. Ajo arriti të grabisë atje një shumë të madhe dollarësh dhe pastaj u largua nga banka me një makinë që kishte parkuar para saj. Por vajza grabitëse nuk u shpëtoi dot kamerave të sigurisë, të cilat filmuan çdo veprim të saj. Por më 27 maj të vitit 2004 policia amerikane arriti të arrestojë Naomi Bettsin, në qytetin e Misurit. Për kapjen e saj policia amerikane kishte vënë një shumë prej 500 mijë dollarësh. Kjo bëri që kapja e saj të hynte tek policia amerikane si arrestimi më i kushtueshëm në historinë e saj.



Norsk Kontantservice

Norsk Kontantservise (NOKAS) është një kompani norvegjeze që ofron zgjidhje për menaxhimin, kontrollin dhe shpërndarjen e parave në bankat norvegjeze. Qendra NOKAS e vendosur në Stavanger u grabit në 5 prill 2004. Shuma e parave që u grabit arrinte në 9.5 milionë dollarë, duke e bërë atë grabitjen më të madhe në historinë e Norvegjisë. Gjithashtu ishte hera e parë në shumë vite që një polic norvegjez në shërbim humbet jetën. Të trembëdhjetë personat e përfshirë në grabitjen e NOKAS u gjykuan dhe morën një dënim total prej 181 vitesh burgim, më 10 mars 2006. Lideri i bandës, David Toska mori dënimin më të lartë, dhënë bandës, 19 vite. Në gjyqin final që u zhvillua më 19 janar 2007 juria shpalli fajtorë dymbëdhjetë anëtarë të bandës, përveç njërit prej tyre. Por gjykatësit nuk e morën parasysh këtë vendim të jurisë dhe kërkuan një gjykim të ri.



Roger Caron

Roger Caron, i quajtur ndryshe “Qeni i zemëruar”, është një grabitës bankash kanadez dhe autori i librit “Kujtimet e një jete pas hekurave”. Ai ishte vetëm 40 vjeç kur shkroi librin, dhe 23 vjet të jetës së tij i kishte kaluar në burg. I rritur nën dhunën e vazhdueshme të të atit alkoolist, fërkimet e para me ligjin të Caron-it filluan që në moshën 12-vjeçare, kur bashkë me një bandë të rinjsh vodhën një vagon. Në moshën 15-vjeçare, lista e bëmave të tij ishte bërë mjaft e gjatë dhe kryesohej nga vjedhja e depos së zjarrfikësve dhe tre fuçive të barotit. Në librin e tij jepen detaje të jetës së Caron, i cili më shumë është rritur burgjeve dhe instituteve të shëndetit mendor. “Karriera” e tij në burg rritej vazhdimisht pas gjykimeve si dhe zemërimit që shpesh Caron shfaqte pa u përmbajtur dot. Caron është arratisur nga 30 burgje apo institute riedukimi, duke mbajtur rekordin e arratisjeve në historinë kanadeze.



Securitas depot

Vetëm një vit më parë qyteza Tonbridge, në Angli, u trondit nga ajo që u quajt si grabitja më e madhe që kishte ndodhur në Britaninë e Madhe. Mëngjesin e 22 shkurtit 2006, një bandë e armatosur arriti të grabisë më shumë se 53 milionë paund nga një depozitë sigurie në Kent. Hajdutët e maskuar si policë rrëmbyen menaxherin e depozitës së sigurisë në Tonbridge së bashku me familjen e tij. Pas rrëmbimit të menaxherit grabitësit e kanë marrë me vete dhe e kanë detyruar të hapë depozitën në Vale Road, madje ata e kanë detyruar drejtuesin e bankës edhe t’i ndihmojë ata në ngarkimin e parave në kamionin që ata kishin marrë për të transportuar sasinë e madhe të paundëve. Por grabitësit nuk kishin llogaritur mirë edhe kamerat e sigurisë që, megjithëse në mënyrë të dobët, kishin arritur të filmonin të gjitha veprimet e grabitësve. Për të zbuluar grabitësit policia angleze ofroi 2 milionë paund. Brenda një kohe të shkurtër policia arriti të arrestojë pjesën më të madhe të anëtarëve të bandës, ku në të cilën bënte pjesë edhe shqiptari Jetmir Buçpapa.


T.O
 

Konkursi Letërsisë

  • 1-Bëju.

    Votat: 11 40.7%
  • 2-Ankth mesnate.

    Votat: 3 11.1%
  • 3-Të dua ty.

    Votat: 8 29.6%
  • 4-Nje kujtim.

    Votat: 5 18.5%
Back
Top