Historia e historisë

fcbesia

Anëtar i Respektuar
Albin Kurti

Secili nga ju që filluat ta lexoni këtë shkrim jeni më të moshuar se UNMIK-u. UNMIK-u është vetëm 9 vjeç. Pra, si një kalama aty diku nga klasa e tretë e shkollës fillore. Analogjia përfundon këtu. UNMIK-u nuk sundon si një kalama. Neve të sunduarve prej tij UNMIK-u na konsideron kalamaj. Kështu ai i ka hapur të dy krahët e portës për sundim jodemokratik mbi ne. Krahu i djathtë i portës: duke na trajtuar si të mitur ai s’na e lejon vetëqeverisjen e vërtetë; të miturit nuk janë të zotët e vetes së tyre andaj të rriturit marrin vendime për ta. Krahu i majtë: duke na trajtuar si të mitur ai na e mohon të kaluarën tonë të gjatë; të miturit nuk kanë histori dhe e vërteta e tyre mbetet të definohet. Megjithatë, kalamajtë rriten, apo jo? Le të presim edhe pak,koha e bën të veten, së shpejti do të bëhemi të rritur edhe ne. Vitet kalojnë dhe sakaq bëhemi të moshës madhore! Nuk është bash kështu. I kemi politikanët në krye të institucioneve dhe partive kryesore që kujdesen për trajtimin tonë prej kalamajsh. Nga këta dy krahë të hapur që e mundësojnë dhe përligjin sundimin e huaj, sidomos ky i majti, është më i dhimbshëm dhe më i dëmshëm. Simptomë e theksuar e kësaj është hapja e dilemës se kush jemi në kohën kur gjithnjë e më pak kemi. Në kohën kur s’kemi integritet territorial,sovranitet dhe as kontroll të resurseve natyrore, në kohën kur kemi rritje të varfërisë, papunësisë dhe të çmimeve, përkundër pavarësisë së shpallur e të njohur, lulëzojnë debatet mbi atë se kush është shqiptar e kush kosovar, se kush është rom, egjiptas apo ashkali, se kush është mysliman i vërtetë e kush edhe më i vërtetë se aq, se a jemi kështu apo ashtu etj. etj.Mohimi i historisë kolektive i zmbraps njerëzit në introspeksion identitar. Pakënaqësia e tyre politike, sociale dhe ekonomike pëson zhvendosje drejt çështjeve kulturore, etnike dhe fetare. Hiperbolizohen diferencat dhe promovohet diversiteti për ta mbytur universalen dhe për ta zhbërë solidaritetin. Nëse historia megjithatë nxjerr nganjëherë krye si një ‘rikthim i së ndrydhurës’ atëherë sillet në skenë diskursi i të qenit politikisht korrekt, me ç’rast ndërkombëtarët e UNMIK-
ut kërkojnë version të balancuar të historisë që i përfshin “perspektivat e të gjitha palëve”. Vetja historike lejohet të shfaqet vetëm në suazat e shumësisë së rrëfimeve që ushqejnë dallime dhe kriza identitetesh. Ndërkombëtarët, si zakonisht,vetes ia ndajnë arbitrarisht rolin e ndërmjetësuesit që është veçse një eufemizëm më i durueshëm moralisht për sundimin e vazhdueshëm të tyre mbi neve. Duke e shpërfillur të kaluarën tonë na mbajnë të bllokuar në të tashmen, para një të ardhme siguria e së cilësqëndron në proporcion të zhdrejtë me dobësinë tonë. Madje, njerëzit dekurajohen për të trajtuar e diskutuar historinë, duke e paragjykuar atë si diçka të mërzitshme dhe të shkuar, kur dihet se pikërisht studimi dhe analiza e historisë ndërgjegjëson njerëzit për interesat gjeostrategjike të fuqive të mëdha e të vogla nëpër epoka të ndryshme, dhe i ndihmon ata në definimin dhe angazhimin për interesin e tyre në të tashmen dhe të ardhmen. Në çdo aspekt dhe ndërmarrje të tyren, ndërkombëtarët që qeverisin me Kosovën, aludojnë dhe sugjerojnë të mos përfillet historia, duke u kujdesur kësisoj që populli i Kosovës të mos bëhet asnjëherë një “Ne” subjektive, por gjithnjë të mbetet vetëm një “Neve” e objektifikuar.Për ta kuptuar se si krerët e institucioneve të Kosovës janë agjentë të mohimit të historisë më së miri shihet në tekstin e Deklaratës së Pavarësisë dhe në atë të Kushtetutës së Kosovës. Dy historianë, Hashim Thaçi dhe Jakup Krasniqi, e shporrin historinë e Kosovës, kurse juristi Fatmir Sejdiu e legalizon këtë duke i dhënë formën e duhur juridike. Në Deklaratën e Pavarësisë fjala histori figuron dy herë dhe atë kur flitet për të ardhmen: së pari, kur flitet për të ardhmen tonë në familjen
europiane; dhe, së dyti, kur flitet për marrëdhëniet historike me Serbinë “të cilat synohet që të zhvillohen edhe më tej në të ardhmen” (gjithsesi papërmendur këtu se si në këto ma rrëdhënie Serbia ka marrur toka e Kosova ka dhënë njerëz). Në Preambulën e Kushtetutës së Kosovës fjala ‘histori’ nuk përmendet fare, kurse në pjesën e mëtejme vetëm një herë te Neni 122(Përdorimi i Pasurisë dhe Burimeve Natyrore), në një vend që praktikisht i hap rrugë ligjit të ‘eksterritorialitetit’. Se Deklarata e Pavarësisë së Kosovës e ka përjashtuar historinë e këtij vendi kemi mundur ta kuptojmë vetëm duke shikuar seancën e Kuvendit të 17 shkurtit në televizor pa e dëgjuar fareHashim Thaçin tek e lexonte atë. Nënshkrimi i Deklaratës së Pavarësisë u bë në një copë letër të trashë e të zhubrosur që i ngjante papirusit dhe asisoj dukej e lashtë, dukej që disi i takonte historisë pikërisht pasi që ajo ishtepërjashtuar.Atë ditë, thjesht, nuk u honeps historia e një populli për hir të një së tashme televizive shumë të ngushtë, që i zinte vetëm disa veta. Nëse i pyet ndokush për tërë këtë gjë, atëherë sigurisht që dy historianët dhe juristi nuk e pranojnë se e kanë përjashtuar historinë atë ditë ose ndonjë tjetër.Skizma “gjuhë e folur” – “gjuhë e shkruar” përputhet me ndarjen publike-zyrtare të tyre. Ata një gjë u thonë gazetarëve publikisht e krejtësisht tjetër gjë shkruajnë e nënshkruajnë në dokumentet zyrtare që përcaktojnë jetërat e njerëzve pastaj.Nëse dikur determinizmi historik i socializmit bënte që të flitej për përmbushje të historisë dhe jo për bërje të saj (me ç’rast historia i bënte politikanët dhe jo anasjelltas), sot kemi perversionin e kundërt: flitet për bërje të përditshme të historisë nga ana e politikanëve (datë, vizitë a takim historik!), por të cilët s’arrijnë të përmbushin as premtimet më të thjeshta dhënë qytetarëve para zgjedhjeve. Të preokupuar me lavdinë e dëshmorëve të rënë që këta duan ta kalojnë duke mbetur gjallë sigurisht, dy historianët dhe juristi e përmendin aq shumë këtë predikatin “historike” kudo që ata marrin pjesë. Po këta politikanë gjatë negociatave me Serbinë për Kosovën,çështjen e Kosovës e patën shkëputur plotësisht nga historia e popullit të saj. Për pasojë, rreth Kosovës as sot e kësaj dite nuk diskutohet me gjuhën e drejtësisë dhe parimeve, por vijon pazari ku flitet për oferta dhe kërkesa. Në vend se pavarësia (e Kosovës) të jetë rezultat i vetëvendosjes (së popullit të saj) në zemër të së cilës ndodhet dekolonizimi, pra korrigjimi i historisë së agresionit, okupimit dhe shtypjes,pavarësia – në një të ardhme pas jo shumë vitesh kur e tashmja
do jetë histori e afërt – rrezikon të cilësohet veçse si produkt i raporteve të caktuara momentale të faktorëve e organizatave të fuqishme ndërkombëtare. Gjithmonë shqiptarët e Kosovës, por edhe shumica e opinionit publik botëror, kanë gjykuar me të drejtë se e drejta është në anën e popullit të Kosovës pikërisht për shkak të historisë, kurse mundësitë dhe fuqia janë në anën e Serbisë. Sot, me këtë mohim të historisë sonë (e vetmja gjë që mbase mund të ketë përmasa historike në krejt këtë situatë), jemi vetëm gjysmë hapi larg që pavarësia e Kosovës të nis të gjykohet si rezultat i fuqisë sonë (ndërkohë
që ne realisht s’jemi të fuqishëm), kurse historia, dhe me këtë edhe e drejta, t’i dhurohen Serbisë. ثshtë gabim fatal të besohet se me Serbinë kemi mbaruar punë – më parë punët me Serbinë vetëm sa vijnë duke u ndërlikuar. Pavarësia e Kosovës urgjentisht do duhej bazuar para së gjithash në historinë
dhe të drejtën tonë dhe kurrsesi vetëm në miqtë aktualë ndërkombëtarë.Thjesht, për hir të së ardhmes sonë të
afërt e të largët, duhet ndërprerë sa më parë kjo histori e çuditshme që po përjeton historia jonë.
 

Konkursi Letërsisë

  • 1-Nje veshtrim, nje dashuri.

    Votat: 1 10.0%
  • 2-Agim shpërthyes

    Votat: 2 20.0%
  • 3-Për të voglën

    Votat: 1 10.0%
  • 4-Qiriu pa fjalë

    Votat: 3 30.0%
  • 5-Për të satën herë ….

    Votat: 1 10.0%
  • 6-Tik tak.

    Votat: 0 0.0%
  • 7-Nuk je më vetëm.

    Votat: 2 20.0%
Back
Top