Histori në vendin e Shën Gjergjit

sweetzzinna

Dum spiro, spero くる
Një tra laraman dhe një gjysmëpolic - a më saktë me thënë, një roje i pyjores - ndajnë dy rrugë. Majtas shkon për te pika e njohur turistike e Dajtit, djathtas drejt një zone historike, drejt Shëngjergjit. Na kishte zënë ca frika se rruga do të ishte si mos më keq. Miq e të njohur në Tiranë na kishin thënë të ruheshim nga gropat, por nuk e prisnim që një nga rrugët më të frekuentuara në krejt vendin, sidomos në fundjavë, të ishte katandisur në këtë gjendje. Sido që të jetë deri më tani jemi ankuar më kot, sepse gropa edhe më të thella do të na presin.

Pasi kalojmë traun dhe "gjysmëpolicin", që pret biletat ecim, vetëm për pak minuta në një rrugë të asfaltuar fare mirë. Makina i gëzohet asfaltit, si një fëmijë i vogël që mezi ka pritur të ushqehet. Por kjo zgjat fare pak. Pastaj zhytemi në një re tymi që ngrihet nga një gurore e madhe. Tani kemi nisur të hyjmë pas Dajtit. Në këto anë malin kanë nisur ta hanë njësoj sikur të ishte një kremkaramel. Këtu kuptohet fare kollaj se njeriu është shumë herë më i fortë se mali "që s‘bëzan". Kalojmë me radhë disa fshatra që shtrihen poshtë në luginë. Më e para është Shkalla, një fshat i rrëpirët që mundohet ende ta justifikojë emrin që mban, ndonëse shumica e banorëve kanë kohë që kanë zbritur poshtë, në Tiranë. Pastaj vjen Qafë-Molla, e fshehur në gjelbërimin e saj që ende nuk ka vendosur t‘i dorëzohet vjeshtës së dytë. Disa reparte ushtarake kanë mbetur në këto anë që nga koha e Enverit. Këto skuta, që nuk i rreh dielli, duket se kanë qenë një vend fort i mirë për t‘i shpëtuar syrit të kuriozëve. Më 1997 vendi u bë për ca kohë i famshëm, sepse këtu u arrit të vidheshin edhe ato raketat që parakalonin krenare në çdo përvjetor të PPSH-së apo të çlirimit. Guximtarët më pas u penduan dhe i dorëzuan vetë raketat që nuk dinin as vetë se ku t‘i çonin.

Rruga e mundimshme drejt njohjes

Krejt mbi Qafë-Mollë, mbi një breg të ngushtë ndalojnë furgonat. Këtu dikur ishin zyrat e pyjores. Tani, prej vitesh, është një lokal ku udhëtarët që shkojnë drejt Tiranës hanë një pilaf dhe një tasqebap. Rrugës nuk i dihet kurrë. Më mirë ta kesh barkun plot. Pas kësaj qafe nis krahina që mban, që prej kohësh nuk mbahen mend, emrin e Shën Gjergjit, shenjtorit që lehtësoi njerëzinë duke vrarë kuçedrën e pështirë. Në këto anë ende i përdorin disa emra fort të vjetër. Zonës së Shëngjergjit i thonë ende Tomadheja, ndërsa pjesës që shkon drejt Krujës i thonë Bena.

Ne e dinim se distanca që ndan Shëngjergjin nga Tirana ishte diku te 52 kilometrat. Por neve na duket shumë herë më e gjatë. Makina kolovitet në një rrugë, tek e cila kanë vënë dorë deri më tani vetëm ngrica, shiu dhe makinat e rënda. Makina jonë e lehtë, e pamenduar për këto punë, kolovitet ngadalë nëpër rrugën fort të keqe, por përmes një peizazhi të mrekullueshëm malor. Hija e Dajtit na shoqëron ngado. Dajti i parë nga mbrapa është një tjetër gjë. Nuk është ai i largëti, krenari, disi i paarritshmi që jemi mësuar të shohim ne në Tiranë. Eshtë një tjetër mal, më i afërt, më miqësor, njësoj si një mbulesë që të rri afër, vetëm e vetëm që të të mbrojë.

Pas afër tri orë kolovitjesh shohim shtëpitë e para. Më në fund marrim frymë të lehtësuar. Vallë i jemi afruar objektivit tonë? Shpresat na i zgjon edhe më tepër një fshatar që po mbush disa gropa në anë të rrugës. Nuk e dimë nëse këtë po e bën për "hall t‘vet", apo është i mirëmbajtjes së rrugëve. Por, sidoqoftë, përshëndetja e tij buzagaz dhe e plotë, na e heq atë ndjenjën e kotësisë së lopatës së tij në një rrugë që mund të jetë rekordi i gropave anë e kënd vendit.

Nga Shën Mëria tek Osman Mema

Mbërrijmë në lagjen Lupaj, e para e fshatit Shën Mëri, i njohur për burimet e tij ujore. Këtu sundon heshtja. Për fat shohim derën e një lokali të thjeshtë të hapur. Kështu miqësohemi me Lul Kullakun, të zotin e lokalit të heshtur. "Paskeni pasë fat që erdhët në këto momente - na thotë Luli - sa po e mbyllja. Tani njerëzit janë nëpër punë dhe unë e hap një herë në mëngjes dhe një herë në darkë". Luli është nga ata shëngjergjas që nuk pranojnë të zbresin poshtë, në Tiranë. "Këtu kanë qenë më përpara 300 shtëpi. Tani kanë mbetur vetëm 100. Na hëngri qyteti. Nuk është se atje bëjnë ndonjë jetë më të mirë. Ju e dini vetë. Porse këtu largësia shtohet edhe nga rruga, që nuk po vë dorë njeri. Ne kemi prodhime shumë të mira, bujqësore, blegtorale. Njerëzit në këto anë dallohen si punëtorë, të qetë, të zgjuar të kulturuar, porse distanca me Tiranën dhe rruga e keqe na i shton shumë hallet. Unë për vete e kam vendosur, do të jetoj këtu. Nuk e duroj dot rrëmujën e qytetit të madh. Shkoj shpesh atje, sepse kam dy vajza të martuara, porse nuk mund të jetoj dot gjatë".

Njëlloj si ne, Luli qëllon i pasionuar pas historive të vjetra. "Histori? - pyet ai - po a e dini se këtu ku jemi ka qenë kisha më e madhe e fshatit, ajo e Shën Mërisë, nga e cila ka marrë edhe emrin?". Bashkë me Lulin shkojmë në gardhin e vjetër të shtëpisë. Ai na tregon disa gurë të mëdhenj, të skalitur themelesh që kanë mbetur që nga kohë që nuk mbahen mend. "Tomadheja, krahina jonë - na thotë - ka qenë e gjitha katolike. Eshtë kthyer në myslimanizëm nga të fundit". Pastaj bisedat vazhdojnë më tej. "Unë do t‘ju them historitë që kam dëgjuar nga më të vjetrit nëse ju bëjnë punë", na thotë Luli. "Gjatë luftës së fundit, këtu dy kanë qenë burrat më në zë - nis të thotë - njëri ishte Ali Shtëpani, i cili u lidh me Enver Hoxhën dhe tjetri ishte Osman Mema, pasanik dhe burrë në zë dhe me nder. Ky u lidh me Ballin Kombëtar. Të dy kanë qenë të shquar, sipas mënyrës së tyre, të dy kanë lënë nam të mirë në krahinë, sepse nuk e dëmtuan Tomadhenë dhe burrat e saj, përkundrazi u munduan ta kalonin luftën me sa më pak humbje. Pleqtë më tregonin se gjatë luftës gjermani, për reprezalje, mblodhi 150 burra nga krahina dhe i çoi në Shmil, në malësinë e Elbasanit, gati për t‘i pushkatuar. Shefqet bej Vërlaci, asokohe Kryeministër, ishte mik i afërt me Osman Memën dhe i çon fjalë: Hajde shpëto njerëzit e tu. A e dini si ishte përgjigjja e Osmanit? O vriti të gjithë, o shpëtoi të gjithë, qofshin këta edhe me komunistët! Kështu burrash ishin asokohe".

Xhafa, i biri i Osmanit

Na kujtohet se emrin e Osman Memës e kemi ndeshur ndër libra, kështu që shfletojmë ato shënime që kemi nxjerrë një natë më parë.

Në datën 19 shkurt 1951, në orën 17.47 një gjëmim i shurdhët i frikësoi tiranasit. Që nga koha e luftës nuk kishin dëgjuar zhurma të frikshme. Ishte një sasi dinamiti që plasi në oborrin e Ambasadës Sovjetike, pikërisht atje ku sot është Ministria e Arsimit. Një sasi e vogël eksplozivi kishte thyer vetëm disa xhame dhe kishte frikësuar kalimtarët. Dëmi fizik ishte i vogël, por, megjithatë, kjo ngjarje do të shkaktonte një përgjakje të padëgjuar. Vetëm një natë më vonë nisën arrestimet. Më 26 shkurt u pushkatuan pa gjyq 22 vetë, shumica intelektualë dhe njerëz të qetë që shihnin punën dhe familjen e tyre. Askush prej viktimave nuk kishte lidhje dhe dijeni me dinamitin që plasi atë natë fatale.

Si ishte e vërteta? Në fakt, bomba ishte përgatitur e hedhur vërtet nga dy antikomunistë: Hysen Llulla dhe Qazim Laçi. I pari ishte i papunë, i dyti një oficer në lirim, ish-zogist e ish-partizan, i pakënaqur nga mënyra se si e kishin trajtuar. Të dy kishin bërë pjesë më parë në Frontin e Rezistencës, një organizatë në dukje antikomuniste, por që ishte, që prej themelimit të saj më 1949, nën kontrollin e Sigurimit të Shtetit dhe që përdorej si karrem për të kapur eksponentët kryesorë antikomunistë. Në këtë histori përzihet Xhaferr Mema, djali i Osmanit të famshëm, që nuk pranoi t‘i përulej pushtetit të ri, por vdiq në burg. I biri, Xhaferri, u kap nga Sigurimi dhe pranoi të bashkëpunojë me të. I arratisur ndër malet e veta që më 1945, ai pranoi të bëhej njeri i Sigurimit. Kontribuoi në kapjen e figurave të tilla si Alush Lleshanaku dhe Hamit Matjani, megjithatë vazhdonte të jetonte në male si kundërshtar i regjimit. Kjo ishte loja.

Osman Mema, kreu i Shën Gjergjit, kishte qenë mik i gushtë me Myftar Zhegun në Tiranë. Djemtë e tyre nuk kishin si të bënin ndryshe. Xhaferri, tashmë i Sigurimit, kishte shumë miqësi me Pol Zhegun, emri i vërtetë i të cilit ishte Mahmut. Poli ishte një figurë shumë e njohur në Tiranën e atyre viteve. Ishte banakier në "Internacional" dhe njeri që bënte ndere pa fund. Fati e desh që, në lokalin ku ai punonte, të vijnë një natë edhe njerëzit që ai i kishte takuar si të arratisur në male, së bashku me Xhaferrin. Ata kishin veshur të tërë uniforma të oficerëve të Sigurimit. Tradhtia doli sheshit. Djali i Osmanit kishte tradhtuar miqtë e tij. Poli lajmëroi shokët e tjerë, mes të cilëve edhe Hysen Llullën dhe Qazim Laçin, të cilët kishin kohë që dyshonin për Xhafën. Mbas dy takimesh, në dimrin e 1950 u vendos që të krijohej një tjetër organizatë e quajtur "Bashkimi Kombëtar". Pikërisht kjo vendosi hedhjen e bombës fatale në oborrin e Ambasadës Sovjetike.

Pol Zhegu u arrestua në nëntor të 1950. Nuk dihet se si, mbase i ndihur nga miqtë e tij të shumtë, arriti të arratiset pas pak ditësh nga qelitë e hetuesisë, që asokohe ishin te vendi që sot tiranasit e quajnë "Te Selvia". U end nëpër malet mes Dajtit dhe Shëngjergjit deri në 30 prill të 1951, kur e rrethuan dhe e vranë në Lanabregas, atje ku është ai hidrocentrali i vogël që dikur mbante emrin "Lenin". Fshatarët na thonë se Xhaferri, ish-shoku i tij, njeriu që futi shumë vetë në burg, paska vdekur i qetë në pleqëri të thellë në Elbasan. Kush e di nëse në momentet e fundit do ta ketë kujtuar Polin që dha jetën dhe sakrifikoi familjen për të shpëtuar shokët nga tradhtia.

Xhaja dhe bulevardi

Në Lupaj, në lagjen e Shën Mërisë ku ndodhemi ende, është ngritur një xhami e re. Përballë disa zyrave rrënojë, që na kujtojnë kohën e kooperativës, xhamia me minarenë, që sheh nga qielli, na duket si një gjë e fort e paqtë. Në oborrin e saj takojmë Rexhep Muçën. I mban ende mustaqet e spërdredhura si burrat e qëmotit, me qostek në jelekun e vjetër dhe me qeleshen tradicionale që ka nisur të humbasë në krahinë. "Jam 90 vjeç me letra dhe mbi 90 mbas asaj që më ka thanë nana dikur", na thotë Xhajë Xhepi duke i picërruar sytë fort pas syzeve të tij të trasha.

Biseda shkon te vetitë e shëngjergjasve dhe te historitë e vjetra. "Po ne kemi hapë shkollën e parë shqipe në këtë zonë, që para se me u hap n‘Tiranë. Pastaj ju e dini edhe vetë ma, ne dallohemi, për punë, për veshje, dhe për mençuri. Po ata burrat për të cilët keni bisedu ju ma përpara kanë qenë vërtet ashtu. Ali Shtëpani dhe Osman Mema kanë qenë burra që veshin krahinën para vetes. Të dy kanë qenë burra të mirë, tjetër punë se historia i mori ndryshe. Të dy kanë pasë ndër mend, në radhë të parë me shpëtu krahinën me sa ma pak dame nga lufta. Se lufta ka qenë e frikshme. Unë vetë i mbaj mend edhe italiant edhe gjermant. Të parët e kishin mendjen vetëm te femnat, por ishin të butë e nuk bashin qedere. Të dytët, i ulshin sytë përtokë kur kaloshin femnat, por nuk leshin gja pa marrë, miell patate, pula, tlynë, ça tu zete dora. Masanej, po t‘i kishte ra njeri në qafë, baheshin shumë të egër. Te shtëpitë e mija kanë ndejtë disa gjermanë 17 ditë. Nuk e di se pse u acarun dhe deshën me ma djegë shtëpinë. Kam shku e kam thërritë një mik që dinte pak austriakçe që nga Lufta e Parë dhe ai arriti me ia mushë mendjen që të mos e bashin atë punë. Ishin të rreptë fort".

Xhaja e shkëput për do kohë mendjen nga historitë e vjetra. Në fshat porsa ka mbërritur numri i ri i gazetës "Shëngjergji i Tiranës" dhe një mik ia lexon varg më varg se "ça kanë shkruar çunat".

Katër kilometra më tej, në këmbë të Malit me Gropa, është Shën Gjergji vetë, qendra e krahinës dikur, tashmë e komunës. Këtu ndihemi disi më qetë. Shkolla e re, nxënësit e veshur bukur, zyrat e komunës, flamujt e partive që valojnë mbi zyrat përkatëse, sikur e bëjnë këtë fshat-qytezë edhe më miqësor. Një rul ka nisur të sheshojë një rrugë të gjerë në qendër të fshatit, të cilin ne sakaq e pagëzojmë "bulevardi". Në krahasim me gropat që na kanë shkundur për tri orë, kjo pjesë rruge prej pak metrash sikur na e qetëson jo vetëm shpirtin, por edhe shtatin. Megjithatë, pasi e kemi hequr mendjen nga historitë e vjetra, vazhdojmë të pyesim veten: E ç‘kuptim ka një "bulevard" sa kohë që gropat e thella i ndajnë ende këta njerëz nga pjesa tjetër e vendit?


1943, në male në kërkim të luftës dhe paqes

Gjenerali britanik Dejvis njihej me pseudonimin "Trocki". Nga të gjithë oficerët anglezë që erdhën në Shqipëri gjatë Luftës së Dytë Botërore ai ishte më i madhi në moshë, vetëm 43 vjeç. Dejvis kishte misionin e drejtimit të të gjitha grupeve të anglezëve të përhapur nga pak kudo në zonat e lira të vendit. U parashutua në Bizë të Martaneshit në vjeshtën e 1943, por u kap nga kolaboracionistët shqiptarë në dimrin e 1944 dhe iu dorëzua gjermanëve. Vuajti në kampet e përqendrimit në Jugosllavi dhe Austri dhe u lirua vetëm në përfundim të luftës. Më 1952 botoi kujtimet për "aventurën" e tij shqiptare. Më poshtë është një pjesë e shkëputur prej tyre.

"…Pas ngrënies së mëngjesit nga fshati Shëngjergj më lajmëruan se po më priste Abaz Kupi. U hipëm kuajve dhe morëm me vete edhe një mushkë për valixhet tona. Ngrica dhe tagjia gjermane e pengonin shumë mushkën që hidhte shkelma, duke shpërndarë çantat tona rreth e qark, kështu që u nisëm më vonë se ç‘duhej. I ngamë kuajt nëpër një tatëpjetë të bukur dhe arritëm vetëm vonë në mbrëmje. Perëndimi i diellit ishte madhështor dhe drita ndër male e përkryer…

…Nikollsi dhe unë u nisëm edhe një herë për në Shëngjergj, por morëm kësaj radhe edhe rreshterin اizholm dhe daktilografistin e tij. Do të zhvillonim një mbledhje të rëndësishme, ku mund të arrinim një marrëveshje të shkruar. Ndërsa zbrisnim filloi një stuhi e madhe breshëri dhe shiu saqë kuajt dhe mushkat s‘ecnin dot dhe ndalën, duke ngulur këmbët përpara dhe duke u dridhur në përroin e shtegut. Një grup i çuditshëm na kaloi përpara i shtyrë nga stuhia. Një turk, me një fes të kuq në kokë, po çapitej përpara, dukej burrë i pasur, ndërsa tri gra vinin kaluar. Ishte e pazakontë të shihje burrin të ecte në këmbë, ndërsa gratë me perçe kaluar. Kujtova se ishin gjermanë të maskuar, ishte e vështirë ta besoje se mund ta bënin këtë. Por shtegu nëpër të cilin po kalonim të nxirrte në fshatin e Shëngjergjit, kështu që ata duhej të ishin vendas. Megjithatë, nëpër atë breshër, erë dhe vetëtima s‘ia vlente të merreshe me ta. Ishim bërë qull bashkë me çantat në mushkë.

Furtuna kaloi dhe ne rrëshqitëm poshtë kodrës deri në fshat, ku takuam Mithat Frashërin, Vasil Andonin, Halil Maçin, Abaz Kupin dhe Osman Memën me një turmë pasuesish. Ishim lagur kaq shumë saqë u futëm shpejt në shtëpi për t‘u ndërruar dhe tharë para një zjarri të madh me dru. Ky këshill ishte më i aftë se rrethi i Enverit, ndonëse s‘ishte e sigurt nëse mund të ishte kaq efektiv. Ata ishin të përpunuar, por s‘ishin drejtues. Ata nuk i kishin kaluar vështirësitë e maleve me forcat e tyre, ndryshe nga partizanët. Ata ishin më të këndshëm në bisedime. Të gjithë e flisnin mirë anglishten ose frëngjishten. Sërish përkthente Nikollsi. Rreshteri اizholm mbante shënime në qoshe.

Presidenti i partisë, Mithat Frashëri, bëri një hyrje të historisë së Ballit Kombëtar. Osman Mema qëndronte në kënd pranë meje, duke rënkuar nga ethet. I dhashë një aspirinë. Mithati ecte tutje tëhu, kujtuam se nuk do të ndalonte kurrë. E dinim se ishte 70 vjeç dhe fliste si plak. Më në fund heshti. Fjalia e tij e fundit ishte një lutje për mua që të mos përzihesha në politikë, ajo i shkatërron jetën njeriut dhe nuk duhej që t‘i lejoja as fëmijët e mi që të merreshin me politikë. E pyeta se si mund t‘i shmangeshe kësaj në Ballkan. Gjithsesi ne e vlerësonim më tepër se sa shërbimin ushtarak. Pastaj i rrëfyem atyre takimin me këshillin e LNا dhe se Enver Hoxha premtoi të ndalojë luftën civile nëse Balli do të nënshkruajë një marrëveshje për t‘i luftuar sinqerisht gjermanët.

Kjo shkaktoi një zhurmë të madhe dhe një atmosferë tepër armiqësore. Folën të gjithë përnjëherë. Osman Mema i harroi ethet e tij dhe u bashkua me ta. Sytë e Abaz Kupit flakëritën dhe ai u bë tepër luftarak. Biseda shkoi zvarrë-zvarrë deri në orën 8. Rreshteri اizholm merrte pjesë për herë të parë në bisedime me shqiptarët prandaj u shastis. Arritëm kështu në një pikë të vdekur. S‘kishte gjë që ta shtynte Mithatin që të pranonte të punonte me LNا. Unë u dorëzova. Enver Hoxha kishte të drejtë. Balli Kombëtar refuzoi të nënshkruante një marrëveshje për t‘i luftuar gjermanët.

Darka kaloi në një atmosferë të gëzuar dhe miqësore. Biseda ishte shumë interesante. Ata ishin mësuar që ta kthenin dhomën e tensionuar të konferencës në një tryezë ngrënieje. U tmerrova kur i zoti i shtëpisë solli një kokë të tërë dashi, që mi kishte ngulur sytë dhe me copat e dejeve ngjitur pas kafkës. Këtë s‘mund ta duroja dot. Kërkova që koka të ndahej në kuzhinë dhe të më sillnin vetëm trutë. Si u krye kjo, unë shpëtova pa i gëlltitur dy sytë e dashit.

Shtretërit i rregulluam mirë, duke vendosur sipër dyshekëve valixhet që të mos na hanin morrat. Gjatë natës ra një shi i madh, pastaj ra dëbora e parë dimërore. Në orën 8 të mëngjesit Vasil Andoni dhe Halil Maçi hynë në dhomë për të më thënë se natën kishin biseduar gjerë e gjatë dhe më në fund kishin vendosur t‘i luftonin gjermanët me të gjitha forcat. Ata gjithashtu jepnin fjalën se do ndalonin luftën kundër LNا. A mund t‘ua linim për ndihmë daktilografistin për të shtypur deklaratën? Ajo ishte hartuar në shqip dhe në frëngjisht. Arturi dhe unë ishim tepër të kënaqur. Tashmë gjithçka do të shkonte mirë, ne do të bashkërendonim përpjekjet e përbashkëta, gjermanët do të bllokoheshin dhe do të kërkonin përforcime dhe ne do të realizonim misionin tonë". G SHQIP
 

Konkursi Letërsisë

  • 1-Bëju.

    Votat: 11 40.7%
  • 2-Ankth mesnate.

    Votat: 3 11.1%
  • 3-Të dua ty.

    Votat: 8 29.6%
  • 4-Nje kujtim.

    Votat: 5 18.5%
Back
Top