Këtë të premte pritet të shfaqet Hëna e Plotë Blu, që sipas astrologëve, këtë herë do të jetë nën shenjën e Ujorit. Termi Hëna Blu përdoret kur brenda një muaji, Hëna shfaqet dy herë e plotë. Për herë të parë, këtë vit kjo Hënë u shfaq më 1 korrik, nën shenjën e Bricjapit.
Astrologët thonë se, këtë dukuri do të mund ta shijojmë edhe në vitin 2018. Ata e konsiderojnë shfaqjen e Hënës Blu si “moment të zbulimit dhe të zgjidhjes së shumë problemeve. Kështu, - shtojnë astrologët, - ata që kanë dyshime bashkëshortore apo në lidhjet dashurore, tani mund të vendosin t’u japin fund, ndërsa beqarët dhe beqaret mund të presin të fillojnë lidhje të re.
Megjithatë, ka disa gjëra që nuk i dimë rreth Hënës së Plotë:
-Ndodh vetëm gjatë Hënës së plotë, që ana e errët e saj - hemisfera në anën e kundërt të Diellit, - të errësohet plotësisht;
-Eklipsi i Hënës, i shkaktuar nga kalimi i hijes së Tokës përmes hemisferës së ndriçuar, ndodh vetëm gjatë Hënës së plotë;
-Faza e Hënës së Plotë ndodh atëherë kur ajo është në anë të kundërt me Tokën nga Dielli, si dhe kur të tre planetët vendosen në një vijë të drejtë. E parë nga Toka, ana më e afërt e Hënës ndriçohet plotësisht nga Dielli, duke i dhënë pamjen e saj rrethore;
-Sipas një studimi, mundësia për t‘u kafshuar nga ndonjë qen, gjatë Hënës së plotë, është dy herë më e madhe. Sipas të njëjtit studim, janë regjistruar 1621 raste të kafshimit nga qeni midis viteve 1997 dhe 1999. Por një tjetër studim gjeti se nuk kishte lidhje mes gjendjes së Hënës dhe kafshimit të qenve;
-Procesi i dytë i Hënës së Plotë, që ndodh në një muaj kalendarik, quhet Hëna Blu. Rasti i fundit është parë më 31 maj 2007. Kjo dukuri e veçantë ndodh mesatarisht një herë në 3 vjet;
-ثshtë i njohur fakti se cikli menstrual femëror ka lidhje me procesin e Hënës së Plotë. Sipas një teorie, meshkujt parahistorikë shkonin në gjueti, gjatë periudhës që gratë ishin me cikël, për shkak të tabuve që lidheshin me gjakun. Koha më dobishme për të shkuar në gjueti ishte gjatë Hënës së plotë dhe mënyra më e mirë për të bindur mashkullin të kthehej me ushqim, ishte shpresa për seks;
-Sipas supersticioneve, fëmija që ngjizet kur Hëna është e plotë, ka shumë mundësi të jetë i gjinisë mashkullore;
-Shkalla e baticave në botë është në maksimum gjatë Hënës së Plotë, atëherë kur Dielli, Toka dhe Hëna janë në një vijë. Marinarët e njohin efektin si baticat pranverore;
-Muaji i vetëm, gjatë të cilit nuk ndodh procesi i Hënës së Plotë është shkurti;
-Hëna e Plotë konsiderohet si shenjë e keqe, nëse ndodh të dielën, por nëse ndodh të hënën konsiderohet si shenjë fati;
-Sonata e Hënës, kompozuar mjeshtërisht nga Ludwig von Beethoven, është një nga kryeveprat klasike më të bukura që ka lidhje me Hënën e Plotë. Titulli i melodisë nuk vjen nga kompozitori, por nga një kritik, i cili krahasoi pjesët dhe efektin e dritës së Hënës në liqenin e Luçernës;
-“Blue Moon” (Hëna Blu), e shkruar nga Richard Rodgers dhe Lorenz Hart në vitin 1934, u kthye në baladë, e cila u këndua më vonë nga këngëtarë si Frank Sinatra dhe Bob Dylan. Versioni më i famshëm është regjistruar nga banda “Marcels” në vitin 1961, duke shitur më shumë se një milion kopje;
-Mbjellja e drurëve është e ndaluar gjatë Hënës së Plotë në Amerikën e Jugut dhe në Azinë Juglindore, sepse shkakton tharje;
-Hëna e Plotë mund të duket e rrumbullakët, por në fakt ka formën e një veze;
-Hëna e Plotë është objekti më i shndritshëm në qiellin e mbrëmjes;
-Wesak, festivali më i rëndësishëm budist është festuar në maj, kur ka qenë Hënë e Plotë . Në këtë kohë, festohet ditëlindja e Budës, ndërsa për disa budistë të tjerë shënohet lindja dhe vdekja e tij;
-Një vizatim i Hënës së Plotë parë nga teleskopi është realizuar nga matematicieni anglez, Thomas Harriot, në fillim të gushtit të vitit 1609. Ky është regjistrimi i parë, që i paraprin fizikanit italian Galileo, në studimet e tij të mëvonshme;
-Gjatë sezonit dimëror, Hëna e Plotë është në lartësinë më të madhe nga Toka;
-Disa njerëz që vuajnë nga pagjumësia tregojnë se flenë shumë keq kur Hëna është e plotë, por ka edhe nga ata që thonë se flenë shumë rëndë;
-Kalendari i vjetër i Hënës, i cili tregon kohën se kur shfaqet ajo e plotë, është zbuluar në shpellat në Lascaux në Francë. Kalendari daton para 15000 vitesh dhe tregon fazat e Hënës me një sërë pikash, që përshkruajnë ditët e ciklit;
-Kalendari Gregorian daton Pashkën si e diela e parë, pas Hënës së plotë kishtare;
-Shoqëria e Hënës, që përfshinte Erasmus Darwin, James Watt dhe Josiah Wedgewood, e mori emrin nga praktika e mbajtjes së takimeve muaj për muaj, ditën e hënë pranë procesit të Hënës së Plotë. Anëtarët e shoqërisë e quanin veten si njerëzit e Hënës;
-Në 2001, loja e parë mes Sri Lanka dhe Zimbabve u shty. Ajo u caktua të luhej një ditë më vonë, në bazë të rregullit të ri të nxjerrë nga qeveria vendase, e cila ndalonte çdo lloj sporti kur Hëna është e plotë.
/ Top Channel