Gojëkëqijtë përgojojnë perlat e këngëve tona popullore

shaban cakolli

Anëtar i ri
GOJثKثQIJTث PثRGOJOJNث PERLAT E KثNGثVE TONA POPULLORE

Se përgojimet e disa qarqeve dhe mentaliteteve tona, janë bërë ushqim i shpirtit të përditshmërisë së disa gojëkëqijve , kjo nuk është risi tek ne !

Si duket gojëkëqijtë janë të lindur dhe të prirë për ta përgojuar çdo gjë dhe çdo vlerë kapitale që ka të bëjë me historinë, traditën dhe kulturën tonë kombëtare!

Të lindurit me prirje të tilla, nuk turpërohen fare as prej kombit e as prej Zotit, që të përgojojnë, të përqeshin e të njollosin madje edhe luftërat tona heroike e çlirimtare, duke mos i harruar pa i përgojuar edhe fytyrat më të lavdishme të historisë sonë kombëtare, që nga Skënderbeu, Nënë Tereza e deri tek Adem Jashari?!

Lidhur me këtë dukuri të shëmtuar , që frymon me shekuj nëpër trojet tona, pa u penguar , as ndëshkuar nga askush, një proverb popullor thotë:

“I përqeshuri - të përqeshë, ose , i përgojuari - të përgojon!”

Mirëpo, realiteti i përditshmërisë sonë publike e demanton këtë proverb, nga se në praktikë, na del e kundërta ! Gojëkëqijtë dhe përgojuesit e vlerave tona kombëtare, sikur stimulohen moralisht nga opinioni publik, duke i përkrahur ata, duke iu duartrokitur, duke u qeshur me marrëzirat e tyre që i bëjnë në dëm të kombit dhe duke ua miratuar tezat e tyre antimorale, antikombëtare dhe antinjerëzore!

Njerëzit e kategorive dhe mentaliteteve të këtilla, si duket nuk mund të bëjnë gjumë të rehatshëm, duke ëndërruar se kënd do ta përgojojnë, shpifin e njollosin ditën e nesërme, nga se vetëm me “specialitete” të tilla, të gatuara nëpër kuzhinat antishqiptare, do të arrijnë që të jenë në qendër të vëmendjes së opinionit publik!

“Talentët “ e këtyre kategorive, madje kanë arritur që të depërtojnë edhe në mediumet tona publike – elektronike, ku përmes shou- programeve të ndryshme, para kamerave dhe ekraneve televizive, iu servojnë “ushqime humoristike”, gjeneratave të reja, që janë konsumuesit më besnik të këtyre “specialiteteve”!

Kjo dukuri e shëmtuar e përgojimeve, shpifjeve dhe përqeshjeve të vlerave tona shpirtërore e kombëtare, nuk ka se si të shpjegohet ndryshe, pos skenar për t’ ua gërditur gjeneratave të reja, çdo gjë që është vlerë dhe kulturë kombëtare!

Me që , kjo temë është shumë e gjerë për t’ u shtruar në detaje, kësaj radhe dua të ndalëm vetëm tek përqeshjet dhe përgojimet që po i bëhen folklorit tonë muzikor, duke i goditur vlerat dhe perlat më të çmuara të kulturës sonë tradicionale kombëtare, të cilat janë ruajtur me xhelozi dhe me mundin më të madh gjatë shumë shekujve të historisë sonë.

Nuk janë të rralla përgojimet, përqeshjet dhe nënçmimet publike që iu bëhen pamëshirshëm dhe me pa të drejtë kostumografive tona kombëtare, duke filluar që nga bartja e plisit të bardhë e deri tek opingat e lëkurës së lopëve!

Nuk janë të rralla përgojimet, talljet , përqeshjet dhe nënçmimet që iu bëhen veglave tona tradicionale muzikore, për të cilat përdoren lloj-lloj zhargonesh të turpshme, për ta devalvuar imazhin dhe vlerat artistike që kanë në veti këto instrumente!

Po i marrim vetëm disa shembuj më eklatant të zhargoneve me të cilat mëtohet që t’iu ulet imazhi këtyre instrumenteve krenare dhe fisnike:

* Për çiftelinë thuhet se është instrument “primitiv”, të cilës është “haram” për t’ i rënë e kënduar me te, nga se :”اiftelisë i bien vetëm dreqërit pas darke dhe atë, ose tek rrota e mullirit, ose mbi tuba të plehut!” Bile, predikuesit e këtillë, nuk ia përmendin as emrin çifteli, por me ironi dhe përbuzje e quajnë “Cimilim”!? Madje, për çiftelinë, nuk janë të paktë ata, që thonë se e ka prejardhjen prej Turqisë?!
* Edhe për sharkinë, thonë se na e kanë sjellë turqit këtu?!
* Për fyellin , thonë se nuk bënë me i rënë, nga se “fyellit i bien vetëm shkijet”!?
* Për lahutën, thonë se “është instrument i malazezëve”!?
* Për llautën , thonë se “është instrument i grekëve dhe turqve”!?
* Për tupanin, defin, darabukun dhe surlen , thonë :”Nuk bënë me iu rënë se ato janë instrumente të magjupëve”!?
* Për gajden , thonë se “është instrument i maqedonëve”!?
* Vetëm për kavallin predikojnë se “është sevap me i rënë, nga se ai e ka prejardhjen prej vendeve arabo – myslimane”!?
* Për këngët tona tradicionale rapsodike, përgojuesit dhe gojëkëqijtë thonë:

”Ato këngë janë të kallamojta, të kohës së Ali Bungut dhe se ju ka dalë fala, sikur pushkëve të Italjes”!?

Përgojimi dhe përqeshja e perlave të këngëve tona popullore

Gojëkëqijtë dhe përgojuesit kujdestarë të përqeshjes së vlerave tona kulturore kombëtare, nuk ngopën vetëm me përgojimin dhe nënçmimin e veglave tona muzikore dhe të kostumografisë kombëtare, por ata tani shkojnë edhe më larg, duke i futur hundët nëpër perlat më të ndritshme të këngëve tradicionale popullore shqiptare!

Para se të kaloj tek shembulli konkret, për të cilin e kam fjalën, dua që të ju tregoj lexuesve të respektuar, se gjatë karrierës sime , si rapsod popullor , kam pas fatin dhe nderin që shumë herë të jam pjesëmarrës i disa festivaleve me karakter ndërkombëtar.

Në ato festivale, studiuesit e folklorit dhe adhuruesit e këngëve shqipe, të parën pyetje që ma kanë bërë, ishte ajo:

“A dini të na këndoni këngët:”اou Rexho, çou djalo” dhe “Ani krisi pushka në stom të Drinit?!”

Unë, si rapsod shqiptar, krenohesha dhe më bëhej zemra mal, nga gëzimi se bota po i ditka disa këngë nga perlat e muzikës sonë popullore dhe ua këndoja pa kurrfarë përtese!

Nga këto kërkesa të studiuesve të huaj të folklorit, kuptova se folklori muzikor tradicional shqiptar, po u identifikuaka me këto dy këngë të vjetra popullore dhe shumë të tjera si ato!

“اou Rexho, çou djalo”!

Njëra ndër elegjitë më të dhimbshme në thesarin e këngëve tona popullore dhe perlat e muzikës sonë tradicionale, pa dyshim, është edhe “Kënga e Rexhës”, që në popull më tepër njihet me titullin:”اou Rexho, çou djalo”!

Këtë këngë, brez pas brezi, gjeneratë pas gjenerate e kanë këndua me dhembje , përjetim e dashuri të gjithë ata që kanë ditur të këndojnë: gra, burra, pleq, plaka, nuse, vajza, djem e fëmijë në të gjitha trojet etnike shqiptare.

Nuk ishin të rrallë këngëtarët që e këndonin këtë këngë, duke e shoqëruar fillim e mbarim me lot për fytyre, por nuk kishte as dëgjues që i thotë vetit shqiptar e nuk e përcillte këtë këngë me mall e me lot të dhembjes shpirtërore!

Kjo këngë, që ka një melodi shumë të prekshme dhe tekst shumë poetik, në mënyrën më besnike e përshkruan një tragjedi të rëndë familjare – tragjedi kjo që nuk ishte e zakonshme ndër familjet shqiptare!

Kjo këngë i kushtohet një nëne të varfër shqiptare, të cilës që herët i ndahet burri nga jeta dhe ia lenë jetim të vetmin djalë që kishte – Rexhën dhe motrat e tij!

Nëna trimëreshë, malësore, ndonëse në vuajtje e varfëri të skajshme, e rritë krenare djalin e vet – Rexhën dhe vajzat e saj! Ajo e pret sikur rrezet e diellit, rritjen e djalit të saj, për ta martuar dhe për t’ iu bërë krah i fortë i shtëpisë së vetmuar!

Pas shumë vuajtjeve, mundimeve dhe viteve të pritjes, Rexha rritet dhe bëhet për martesë. Nëna e gëzuar, e fejon djalin dhe pas pak kohësh, ia cakton edhe ditën e Dasmës së Martesës.

Për Dasmën e Martesës së Rexhës, nëna e tij, thërret shumë miq, shokë e dashamirë nga të katër anët.

Në kohën kur ka ndodhë kjo dasmë dhe ngjarje, nuk kishte rrugë, as mjete komunikacioni për udhëtim. Andaj, krushqit, miqtë, shokët dhe dashamirët që ftoheshin në dasma, kryesisht shkonin me kuaj.

Tradita dhe bujaria shqiptare, nuk matej vetëm me sofrat dhe begatitë ushqimore ndaj dasmorëve, por edhe kujdesi për ushqimin dhe mbikëqyrjen e kuajve të dasmorëve.

Nuk ishte zakon, që kuajt t’i mbikëqyrin dhe ushqejnë vet dasmorët, por atë shërbim e bënin njerëzit e shtëpisë – mikpritësit.

Në këtë rast, Rexha – i vetmi djalë i nënës, nuk kishte as vëllezër, as babë për t’ u kujdesur për ushqimin e kuajve të dasmorëve. Nuk ishte e zakonshme që kuajt e mysafirëve – dasmorëve t’ i këqyrnin gratë, e aq më tepër në këtë rast, nëna e Rexhës, e cila kujdesej për gratë dasmore dhe përgatitjen e ushqimeve për dasmorët e të birit që po e martonte.

Sipas traditave dhe zakoneve shqiptare, ditën kur krushqit shkojnë për rrugë për ta sjellë nusen në shtëpinë e djalit që do të martohet, nuk ishte e lejuar që dhëndri (djali që martohet) të shkojë bashkë me krushqit për ta marrë nusen!

Krushqit nisen për rrugë dhe shkojnë për ta marrë nusen e Rexhës, kurse Rexha mbetet në shtëpi, për ta ruajtur shtëpinë dhe për t’ u kujdesur për kuajt e mysafirëve, të cilët nuk i kishin marrë për rrugë!

Në momentin, kur Rexha shkon në ahur të kuajve , për t’iu dhënë ujë dhe ushqim, papritmas njëri nga kuajt e mysafirëve , qet me shqelma , me ç’ rast e godet Rexhën fatalisht dhe e le të vdekur në vend!

Nëna e mjerë, sa po e heton tragjedinë , vrapon që ta nxjerr Rexhën e vdekur nga ahuri i kuajve !Në ato momente, dasmorët duken duke ardhur maleve së bashku me nusen e Rexhës, duke kënduar me sa zë që kishin!

Nëna e Rexhës, një malësore burrëreshë dhe trimëreshë e paepur, nuk dorëzohet para dasmorëve dhe iu del përpara për t’i pritur me bujari sipas zakonit dhe traditës.

Ajo, nuk iu tregon fare dasmorëve për tragjedinë e ndodhur në familje, por ju shtron darkë sikur të mos kishte ndodhur asgjë e keqe! Në momentin, kur dasmorët kërkojnë leje për t’u shpërndarë për në shtëpitë e tyre, Nëna e Rexhës, ju drejtohet dasmorëve me këto fjalë:

“Ju, more , krushqi, hani e pini –

Nesër , Rexhën, n’ dhe t’ ma shtini!”

Pra, krushqit e Rexhës u shndërruan në funeral të përmotshëm dhe asnjëri nuk shkoi në shtëpi, pa e varrosur Rexhën, i cili pas veti la nënën plakë - me duar në gji, motrat - pa të vetmin vëlla, nusen - nën duvak dhe shtëpinë - pa trashëgimtar!

Dhe tani, pas sa e sa vitesh, gojëkëqijtë dhe përgojuesit e pa cipë në sy, kanë zemër e moral, për t’ u tallur me një tragjedi të pa parë në familjet shqiptare, duke u tallur me moralin dhe dinjitetin e kësaj familje fatkeqe, në dëm të Rexhës, ku nuk ju vjen aspak keq, që ia lëkundin edhe eshtrat për së vdekuri!

Ja se si e përshkruajnë gojëkëqijtë dhe të pamoralshmit , këtë ngjarje fatale dhe kobzezë për familjen e Rexhës:

“Rexha e kishte pas dashnore të parë një pelë! Para se të vinte nusja në shtëpi, Rexha shkon në ahur , për t’ i kërkuar falje pelës dhe për t’ ia kërkuar hallallin!

Pela, në atë rast, ishte ndie e fyer dhe e tradhtuar nga dashuria e Rexhës, nga se ai, ia kishte marrë edhe virgjërinë! Prandaj, në shenj hakmarrje, pela qiti me dy shqelmat dhe ia mori jetën Rexhës!”

Propaganda të këtilla poshtëruese dhe çnjerëzore, po iu bëhen edhe shumë këngëve tjera, që janë perlat më të bukura të krijimtarisë sonë muzikore tradicionale!

Prandaj, të gjithë njerëzit me mendje të shëndoshë dhe me moral të fortë shqiptarë, duhet të iu kundërvihen këtyre maskarenjve , që njollosin kulturën tonë, duke i gjykuar dhe distancuar prej “humoreve” të tyre, e jo të solidarizohen, të qeshën e të ju duartrokasin atyre që më së pakut ia duan të mirën këngës, kulturës dhe traditave tona të lavdishme kombëtare!

Gjilan, më 20 Dhjetor 2008. Demir KRASNIQI
 

Attachments

  • ff5fbe23-dfb6-4b8a-b707-1eea413f06f3.jpg
    ff5fbe23-dfb6-4b8a-b707-1eea413f06f3.jpg
    48.7 KB · Shikime: 96

Konkursi Letërsisë

  • 1-Kur flet shpirti.

    Votat: 6 27.3%
  • 2-Buzëqeshje Maskuar.

    Votat: 12 54.5%
  • 3-Jam femër.

    Votat: 2 9.1%
  • 4-Je ti Nënë.

    Votat: 1 4.5%
  • 5-Ne duart e kohes.

    Votat: 1 4.5%
Back
Top