Gjuhëtarja amerikane që shkruan për shqipen…

Love

βeℓℓe â๓e
Libri Përzgjedhje midis alternativave në standardizimin e gjuhës. Rasti i shqipes, botuar në origjinal në vitin 1976, sjell argumente që tregojnë se përse “toskërishtja përbën bërthamën fillestare të gjuhës standarde shqipe”.
Janet Byron argumenton se kjo përzgjedhje është rezultat i faktorëve kryesisht jashtëgjuhësorë, por edhe brendagjuhësorë

marjana-ymeri-150x150.jpg


Pse menduat ta sillnit këtë libër në shqip?

Libri është botuar fillimisht më 1976, në Hagë, nga një shtëpi botuese me profil të lartë për kërkimin gjuhësor. Studimi i Janet Byron u ribotua më 2010 nga De Gruyter Mouton, që merret me botime akademike, çka tregon që ky hulumtim vijon të ngjallë interes. E ka sjellë hera që çështjet e diskutuara aty, historia, kriteret e përzgjedhjes së variantit standard midis alternativave gjuhësore, pra çështja e shqipes standarde dhe e bazës së saj dialektore, të jenë sërish aktuale për gjuhën tonë dhe, për më tepër, vështrimi i autores i ka qëndruar kohës.

Për këtë studiuese kisha lexuar herët gjatë punës sime, e cila sillet pikërisht në lëmin e sociolinguistikës. Byron citohej në literaturën gjuhësore, por para viteve ’90 si një studiuese perëndimore me qëndrime tendencioze, jo objektive, ndaj gjuhës letrare shqipe (termi i kohës) dhe historisë së formimit të saj. Më vonë u përmend nga gjuhëtarë të tjerë, në një dritë ndryshe, por kur e kërkova librin për ta konsultuar, më rezultoi që nuk gjendej, dhe përgjithësisht citohej sipas citimesh. Prof. Emil Lafe më solli fotokopjen e materialit. ثshtë në edukatën e tij të punës, që sapo lexon diçka që mendon se i intereson kolegut, ia ofron menjëherë. Meqë Shtëpia Botuese DITURIA ka një kolanë shumë të mirë për gjuhësinë, një studim për gjuhën shqipe dhe planifikimin gjuhësor në Shqipëri ku ndërmerren pak studime të mirëfillta sociolinguistike, ishte i përshtatshëm për të dhe lexuesin e saj. Veç kësaj, ky libër qëndron mjaft mirë si midis titujve të gjuhësisë së përgjithshme që ka botuar DITURIA, si Hyrje në gjuhësinë teorike, vepër e Lyons, Kurs i gjuhësisë së përgjithshme, e Saussure, Elemente të gjuhësisë së përgjithshme, e Martinet, Historia e gjuhësisë e Robins, Sintaksa, e Graffit, Struktura sintaksore e اomskit etj., edhe sidomos mes atyre që lidhen drejtpërdrejt me shqipen, si Dialektet e shqipes, nga B. Beci, Fonetika historike e gjuhës shqipe, e K. Topallit etj.

اfarë ka të veçantë ky libër dhe cilit lexues i drejtohet?

Në këtë studim bëhet një shqyrtim, i mbështetur në korniza teorike e me një njohje të gjerë të literaturës, shqipe dhe të huaj, i procesit të standardizimit të shqipes, i kritereve, vendimeve e parimeve që patën parasysh planifikuesit gjuhësorë. Ky shqyrtim është ndërmarrë nga një studiuese e huaj, në kuadrin e mbrojtjes së doktoraturës. Por J. Byron është marrë edhe më pas, disa herë me shqipen. Pyetjes se cili prej dialekteve është zgjedhur si bazë e variantit standard, ajo i përgjigjet pa mëdyshje, por sidomos duke sjellë argumente të mbështetura se “toskërishtja përbën bërthamën fillestare të gjuhës standarde shqipe” dhe që kjo përzgjedhje është rezultat i faktorëve kryesisht jashtëgjuhësorë, siç ndodh rëndom, por edhe brendagjuhësorë. Si një studiuese e thelluar e planifikimit gjuhësor në shqipe, ajo nuk ngurron të polemizojë ashpër me studiuesit e kohës, të cilët shpesh, duke qenë realistë në analizat e tyre gjuhësore, -thotë ajo, – arrijnë në deduksione jorealiste, të ndikuara nga politikat gjuhësore të kohës. Nga vetë argumenti që zhvillon ky studim, i përcakton lexuesit: studentët, studiuesit e gjuhës, por çështjet e gjuhës kombëtare, i kanë për zemër të gjithë, jo vetëm specialistët.

Ishte një opinion shkencor i ri ky, për kohën? Sa është njohur dhe sa ndikoi në atë kohë?

Ishte një opinion ndryshe nga ai zyrtari, dhe e vlerësonte procesin në një këndvështrim më objektiv nga ai i planifikuesve gjuhësorë të vendit. Sipas mendimit zyrtar të kohës (jemi menjëherë pas Kongresit të Drejtshkrimit), gjuha standarde shqipe ishte një gjuhë e përzier, në të cilën nuk mbizotëronte asnjëri nga dialektet. Bashkëveprimi, shkrirja e tyre kishte si rezultante gjuhën standarde. Janet Byron e njihte mirë procesin e evolucionit gjuhësor, tezat e ndryshme që ishin rrahur e diskutuar para vitit 1944, kontekstin letrar dhe politik të shoqërisë shqiptare dhe përpjekjet “parasocialiste” për të zgjidhur probleme të ndryshme të gjuhës.

Nuk e di sa është lexuar studimi i saj në kohën kur u botua. Por në rrugë të ndryshme hulumtuesit e gjuhës kishin dijeni për tezat e saj. Byron e ka mësuar e studiuar shqipen në Kosovë, ajo është takuar me shumë hulumtues të shqipes atje, të cilët i ka intervistuar dhe ka shkruar për gjuhën standarde në Kosovë, duke bërë analiza historike-shoqërore të zhvillimit të procesit aty, të veçorive të shqipes në kushtet e ekzistencës si një gjuhë e pakicës. Për këtë arsye, në këtë libër krahas studimit themelor, janë përfshirë edhe dy shkrime: Planifikimi gjuhësor në Shqipëri dhe te shqipfolësit në Jugosllavi dhe Një vëzhgim për arritjet e planifikimit gjuhësor te shqiptarët e Jugosllavisë. Përgjithësisht në Kosovë atëherë hynte më lehtë literatura e huaj. Mendoj që këto analiza të saj sjellin një pamje reale të zhvillimit të këtij procesi në Kosovë dhe është mirë të konsultohen tani, kur jo pak herë diskutohet problemi i standardit.

Po çfarë është planifikimi gjuhësor? A duhet t’i trembemi, a është ai një proces që e fut gjuhën në korniza?

Planifikimi dhe politikat gjuhësore, si pjesë e tij, janë një realitet për gjuhët e kultivuara. Planifikimi gjuhësor është edhe studimi i proceseve gjuhësore në lidhje me ato sociale, por përfshin edhe veprimet gjuhësore, politike dhe legjislative që ndërmerren për përdorimin ose jo të një gjuhe, dialekti apo segmenteve të tij. Në këtë libër, planifikimi gjuhësor si proces shpjegohet përmes vështrimit të pesë studiuesve të shquar të kohës. Byron përshkruan procedurat për krijimin e një standardi të ri nga një grup dialektesh të afërta, f.v., procedurën statistikore (sipas së cilës pranohen ato forma që kanë përhapje më të madhe) si një akt të qëllimshëm; përdorimi i shumicës kthehet në normë përmes planifikimit të vetëdijshëm gjuhësor. Duke u nisur nga një analizë e koncepteve teorike që qëndrojnë në bazë të planifikimit gjuhësor, ajo jep disa modele standardesh dhe kriteresh për përzgjedhje, f.v., ajo i referohet një studiuesi, Haugen, në gjurmët e A. Meillet, që i karakterizon normat e gjuhëve tradicionale europiane, “të shkruara nga dhe për elitat”, si ‘të vetëpërzgjedhura’.

Le të ndalemi pak në këtë pikë. Në një nga kapitujt e librit jepet lista e personave që kanë qenë në krye të shtetit dhe të Partisë-shtet të asaj kohe. Për ç’qëllim?

Autorja bën një renditje jorastësore sipas përkatësisë krahinore të individëve me poste kyç në qeveri apo Partinë e Punës…dhe lexuesi shikon pra përkatësitë sipas krahinave nga vijnë, ku janë arsimuar etj., etj….Sipas Byron, toskërishtja është përzgjedhur edhe për faktin që drejtuesit e vendit kanë qenë kryesisht toskë dhe prandaj kanë diktuar dialektin e tyre. Në të vërtetë edhe disa nga veprimtarët e Rilindjes, ishin toskë. Por nga ana tjetër, siç shprehet ajo vetë, ky nuk është i vetmi motiv: shumë kritere në planifikim kanë implikime që lidhen edhe me faktorë gjuhësorë. Sipas saj, shqipja tregon se, në të vërtetë, të dy normat janë përfshirë në gjuhën standarde. Sa herë që përdorimi është i përbashkët për të dy normat, ai është kategorik për sa i përket gjuhës standarde. “Nga ana tjetër, aty ku përdorimi është i ndryshëm, normat standarde krijohen në dy mënyra: disa vetëpërzgjidhen, d.m.th., pasqyrojnë dialektin e udhëheqjes politike, ndërsa të tjerat krijohen mbi baza të ndryshme gjuhësore dhe jogjuhësore, pa pasur asgjë të përbashkët me përdorimin e tyre nga elita.” Megjithëse përdorimi i gjuhës nga elita ka përcaktuar bazën kryesore të standardit, “roli i këtij përdorimi është zbehur gjatë ecurisë së planifikimit të gjuhës”, sipas opinionit të saj. Bindja e saj është se situata e shqipes, në të cilën format e përbashkëta dhe jo të përbashkëta janë përfshirë në standard, është një situatë tipike e të gjitha gjuhëve standarde ose që po standardizohen. Po kështu është bindja e saj që tri parime kryesore të vlerësimit, të cilat Taul-i i trajton deri në hollësitë më të vogla: qartësia, karakteri ekonomik dhe bukuria, estetika, nuk janë pasur parasysh gjatë kodifikimit të shqipes.

Byron flet edhe për purizmin. Ekzistonte një prirje e atëhershme për të pastruar gjuhën shqipe nga fjalët e huaja?

Ishte një drejtim i politikës gjuhësore. Por nuk ishte diçka e re. Kishte filluar që në Rilindje kur konsiderohej si detyrë patriotike ruajtja e gjuhës (kujtoni neologjizmat e N. Frashërit, qiellshkronja (> astronomi), njeritregonja (> anatomi), e më pas me Nolin e deri në vitet tona dhe kishte të bënte me atë që shqipja duhet dhe ishte e vetëmjaftueshme në materialin e saj leksikor. Autorja merret me studimin e procesit të standardizimit të shqipes dhe e sheh atë si një varg operacionesh të lidhur me njëri-tjetrin dhe jo një tërësi ngjarjesh të pavarura. Huazimi është një veçori e gjallë në standardizimin e një gjuhe dhe është detyrë e studiuesit të përcaktojë sesi huazimi vepron mbi sistemin që përzgjidhet si bazë e një gjuhe standarde dhe cilat janë rrjedhimet e këtij procesi huazimi në gjuhën përkatëse, në rastin tonë në shqipen standarde. Dialektet, gjuha e përkthimit, huazimet konsiderohen si burim pasurimi për gjuhën. Ndërkaq purizmi diskutohet si një tendencë e kundërt me huazimin.

Ju keni përkthyer disa tituj, të cilët sipas informacionit që kam, janë të suksesshëm. Përkthimi është një hobi për ju? اfarë lloj librash ju pëlqen të përktheni?

ثshtë një punë që më jep kënaqësi. Sigurisht, te DITURIA kam edhe mundësi të zgjedh. Edhe të propozoj, doemos. Tituj të suksesshëm? Më vjen mirë ta dëgjoj këtë. Sepse bëhet fjalë për libra kryesisht studimorë. Librat e “suksesshëm” pushtojnë vitrinat apo ekranet. Do të doja të mendoja që janë të tillë, për lexuesin e tyre, edhe prej përkthimit tim. Por jam e bindur që, në radhë të parë janë të suksesshëm sepse janë të tillë në origjinë, për shkak të temave kah sillen, për autorët që kanë. Pa dyshim, që përkthimi i librit Të thuash gati të njëjtën gjë, i Umberto Eco-s, ka qenë një shkollë për mua. Me librat e tij edhe mëson, edhe argëtohesh, edhe kuriozohesh në çdo çast, edhe ndihesh ngushte, sepse e di fjalën, por ja që autori ka bërë disa ushtrime stilistike aty, dhe mund të biesh në kurthin e tij pa e ndier fare. Iu futa atij rreziku, pasi kisha përkthyer Hudson-in, Sociolinguistika, një libër midis tekstit shkollor dhe studimit të mirëfilltë. Më ka bërë përshtypje të veçantë edhe një libër tjetër, Fjalët e Ajshtajnit, që pak veta ma kanë përmendur, ndoshta e kanë perceptuar si një temë të specializuar apo kanë dyshuar se mos lidhet me ndonjë teori relativiteti! Jo, është një libër që flet për terminologjinë shkencore, një lëmë shumë i studiuar në botë dhe për të cilën besoj se duhet të përbëjë një nga drejtimet e studimit të gjuhësisë shqiptare sot. Ajo që më bën të ndjehem mirë, është edhe fakti që për kolanën e gjuhësisë DITURIA ka përzgjedhur emra të njohur të gjuhësisë shqiptare si Ethem Likaj, Rexhep Smajli, Genc Lafe, Tefë Topalli etj., që kanë punuar me përkushtim, duke e pasuruar bibliotekën shqiptare të gjuhësisë me tituj të mirë. Përgjithësisht, duke mos qenë as nga larg përkthyese profesioniste, jam përpjekur të zgjedh fushën ku ndihem edhe më rehat, gjuhësinë. Duket që kam bërë një zgjedhje të mirë.
Burimi: Mapo
 

Konkursi Letërsisë

  • 1-Bëju.

    Votat: 11 40.7%
  • 2-Ankth mesnate.

    Votat: 3 11.1%
  • 3-Të dua ty.

    Votat: 8 29.6%
  • 4-Nje kujtim.

    Votat: 5 18.5%
Back
Top