Fragmente te perzgjedhura

Ne mundeshim...

Ne mund ta kishim gjetur një zgjidhje në mes lëmshit shpirtëror,
mund të ishim strukur veç për pak në krahët e njerit-tjetrit plot dashuri,
mund të mos i kishim vënë urrejtjes me krenari kurorë,
mund të kishim lejuar të duheshim pa mbajtur kurrë mëri.

Ne mundeshim të ishim shumë më ndryshe seç jemi sot,
Mundeshim të bënim më tepër për njeri-tjetrin...
Dhe para se të iknim me kokën mënjanë dhe sytë gjithë lot,
mundeshim të gjenim një zgjidhje se si të rrinim.

Por ja, ne u bëm si ata miliona të tjerë,
që në buzë të greminës duartë njeri tjetrit ia lëshojnë.
Që preferojnë të jetojnë një jetë me shpirt të vetmuar dhe të mjerë,
duke braktisur kur kanë shumë mundësi edhe të qëndrojnë.

Ne mundeshim dhe unë e di që po.
Të bashkonim duartë e të prisnim çdo stuhi.
Të ishim bashkë edhe kur gjithë bota na thoshte "jo".
Të zgjidhnim dashurinë në vend që të mbanim mëri.

Ne mudeshim edhe të ktheheshim kur ishim larguar,
të falnim çdo fjalë të thënë nga kryelartësia.
Ne thjesht sërish mund të ishim bashkuar...
...por ja që s'na mjaftoi veç dashuria!
 
Fyodor Dostoevsky, “Netë të bardha”
“Dashuria është një sëmundje nga më të rrezikshmet dhe më ngjitëset. Ne të sëmurëve nga dashuria, na dallon kushdo

(George Orwell)

“Ndoshta një njeri me të vërtetë vdes kur truri i tij ndalon, kur ai humbet fuqitë për të thithur ide të reja”.
 
  • Më pëlqen
Reactions: NGU
Nga i herë kam frike me çu kryt nelt , se kudo që të ndodhem, e di që je aty,nelt,n'dritare që më shikon dyshimshem,ashper,e më gjykon.Tash mâ gjithcka din prej mejet.Jeton një kat siper krytit tem,e mbështetun në shikimet e mija si ne nji ballkon,qysh kur isha femi e deri m'sot, s 'u kalbe kurre moj nafakë, thashethemaxhije e perjtshme dhe é mallkume që dhunon rregullisht intimitetin tem,e ushqehesh,si gopçe,me të gjitha puthjet që kam dhane,gjitha telashet e jetes teme, gjitha fitoret e mija të vogla e rrezimet shkateruese,me cdo lajm që më perket dhe që e perhap,pabesisht, gjithe kojshijve,gjithe vendit tem,e kater cepave te botës. Plake e mallkume!Ma hedh perfundimisht ne kry nji nga ato t'shemtumet vazot të tuja me mullaga,e me ço per rrush!Nuk mund te kete ,as t'vertete as jete me shikimin tand t'lugatshem, në komentet tuja te paperceptushme e helmuse, të murmurituna mbas xhamave è t' hedhuna poshte dritareve nga ku kam kalu , fajtor apo jo,me sy t'ulun nga tmerri për mos me të pa.

Nuk ke zile e je në tana shtëpitë,nuk ke telefon por shpërndan mallkimet tuja në çdo cep,nuk ke fëmi,nipa,farefis që kujdesen për ty,m'ke veç mu me më pergoju,mu qe as nji here nuk ta preka nji fije flokut,e me zgodhe ndër miljona njerëz per me shkatrru dite për dite,hap per hap,me vnerin tand të ith't,me dashaligsinë fanatike tanden,e mallkimin tand proverbial.

Me ke ba lodren e botës, moj morde e keqe. Ik, zhduku,ktheji majet nga thembrat.Me sot po liroj nga litari jot i zverdhun, jetën teme. E po s'ike, te paralajmroj qe do te gjuj me nji top 100 leksh qe kam rujt tesh sa mot e do te hedhi nga ajo dritarja e ndyte nga ku merresh me punet e tjerve.Plake e keqe.
 
DIkush ta fale zemren e vet, dikush ate ta vret

Dikush sheh me syte e tu, tjetri ti verberon

E, dikush dehet me dashuri, nuk e ka lehte

Harron edhe veten e tij, harron qe ekziston

1/18/2020
 
24d5d57763cdff31b553354f0976a5f7.jpg
 

Attachments

  • 24d5d57763cdff31b553354f0976a5f7.jpg
    24d5d57763cdff31b553354f0976a5f7.jpg
    61.5 KB · Shikime: 0
  • 24d5d57763cdff31b553354f0976a5f7.jpg
    24d5d57763cdff31b553354f0976a5f7.jpg
    61.5 KB · Shikime: 0
Sa herë të "rrëzoheni",

maxresdefault.jpg

Vetëbesimin mund ta humbni me kalimin e kohës nga përvojat negative të jetës.
Sidoqoftë, gjithmonë duhet të përpiqeni ta rifitoni atë, të jeni në gjendje të jetoni më mirë në këtë botë dhe veçanërisht me veten tuaj. Nëse jetoni gjithashtu në një fazë ku nuk keni siguri, jeni gjithmonë të pavendosur dhe jeni i pari që nuk besoni në aftësitë tuaja, këtu gjeni një shëmbëlltyrë që do t’ju mësojë diçka shumë të rëndësishme, që ta mbani gjithnjë në mendje në momente dobësie.
Një ditë, një plaku të mençur i erdhi për vizitë një djalë i ri i cili i tha atij se kishte shumë pak besim tek vetja dhe se ndihej vazhdimisht i shtypur nga presioni i të tjerëve.
“Ata më thonë se unë jam i pavlerë, se gjithçka që bëj gabim, që unë jam i ngathët dhe madje edhe i pamend për të përmirësuar situatën time…”.
I mençuri e ndërpreu duke i kushtuar pak vëmendje fjalëve të tij:
“Më vjen keq për ty, djalë, por tani jam i zënë dhe nuk mund të të dëgjoj. Madje, nëse shkon në treg në vendin tim, unë do të mund të kryej punë më shpejt dhe do të mund të merrem me problemin tënd”.
I riu u ndie sërish i përbuzur dhe i lënë pas dore, por prapë pranoi detyrën që i ngarkoi plaku i mençur.
“Shko në treg dhe përpiqu të shesësh këtë unazë. Pranoni çfarëdo oferte, për sa kohë që nuk është më e ulët se një monedhë ari“.
I RIU SHKOI NË TREG, I SIGURT QË DO T’IA SILLTE PLAKUT TË MENÇUR FITIMIN E TIJ.
Shumë njerëz u ndalën për të parë unazën e tij, por interesi i tyre pushonte kur mësonin për çmimin: “Djalosh, mund t’ju jepja disa monedha argjendi, por një monedhë ari është e ekzagjeruar!”.
Pasi e mbytën me tallje dhe fyerje, ai u kthye tek plaku, i dekurajuar.
“Mjeshtër, më vjen keq, por në treg askush nuk e besonte vlerën e unazës, ata madje më ofruan një tenxhere prej bakri”, – tha ai.
Plaku nuk u nervozua, madje i erdhi një ide:
“Djalosh, fjalët e tua më dhanë frymëzim. Shko sërish pasi duhet ta vlerësosh unazën nga një ekspert. Drejtohu menjëherë për te argjendari dhe dëgjo mendimin e tij”.
Djali doli nga argjendari i fshatit i cili, pas shqyrtimit të kujdesshëm të unazës, i tha:
“Nuk mund t’ju jap më shumë se 58 monedha. Nëse zotëria juaj nuk do të ishte me ngut, mund ta vlerësoja më mirë dhe do të arrinte në 70 monedha, por për momentin kaq.”
Djaloshi nuk po i besonte fjalët e argjendarit, kështu që vrapoi menjëherë drejt plakut të mençur që t’i tregonte gjithçka.
Plaku i dëgjoi fjalët e djaloshit, pastaj i tha:
“Djalosh i dashur, shpresoj të kesh mësuar diçka. Ti e ke zgjidhjen për problemin që të ka sjellë këtu.
Siç e pe, në treg askush nuk e kuptonte vlerën e unazës sepse Askush nuk ishte një ekspert, por unaza ka një vlerë dhe mundësisht një të lartë, kështu që nuk duhet t’i kushtosh vëmendje gjykimeve që njerëzit të japin.
Njerëzit nuk e dinë vlerën tënde, ashtu siç nuk dinin atë të unazës. Beso fillimisht në vlerat e tua dhe do të shohësh se do të jetë shumë e lehtë për ty të injorosh opinionet pa bazë të të tjerëve”.
Djaloshi u largua, më në fund i vetëdijshëm për vlerën e tij dhe të unazës që i dhuroi njeriu i mençur
 

Attachments

  • 1579982745040.png
    1579982745040.png
    116 bytes · Shikime: 64
Çdo individ që hyn në jetën tonë është unik. Ai lë diçka tek ne dhe merr diçka nga ne. Ka raste që merr shumë, por nuk ka asnjë rast, që dikush mos të ketë lënë diçka. Kjo është përgjegjësia më e madhe e jetës sonë dhe prova e pakundërshtueshme, që dy shpirtra nuk takohen kurrë rastësisht.

Jorge Louis Borges
 
ed85c6c10d9373968b90edf14b015636.jpg
 

Attachments

  • ed85c6c10d9373968b90edf14b015636.jpg
    ed85c6c10d9373968b90edf14b015636.jpg
    29.1 KB · Shikime: 0
  • ed85c6c10d9373968b90edf14b015636.jpg
    ed85c6c10d9373968b90edf14b015636.jpg
    29.1 KB · Shikime: 0
rumi-quotes-6.jpg
 

Attachments

  • rumi-quotes-6.jpg
    rumi-quotes-6.jpg
    74.9 KB · Shikime: 0
  • rumi-quotes-6.jpg
    rumi-quotes-6.jpg
    74.9 KB · Shikime: 0
Si të ndërtojmë një univers që të mos shkërmoqet pas dy ditësh

(Philip K. Dick Pjesë - përktheu Shkelqim Cela )

Gjithnjë kam shpresuar se duke shkruar romane e tregime, të cilët e përmbajnë pyetjen “Ç’është realiteti”, një ditë do e kisha një përgjigje. Dhe po kështu shpresonte shumica e lexuesve të mi. Kaluan vite. Shkrova mbi tridhjetë romane dhe njëqind tregime, dhe prapë nuk arrita të gjej se çfarë është realja. Një ditë një studente kolegji në Kanada më kërkoi t’i jepja një përkufizim të realitetit, pasi kjo i duhej për një temë që ajo po përgatiste në kursin e filozofisë në shkollë. Përkufizimin e desh me një fjali. U mendova dhe në fund i thashë se “Realiteti është çfarë nuk zhduket, edhe kur pushon së besuari në të”. Kaq munda të sajoja. Dhe kjo qe në 1972-shin. Çprej atëhere, nuk kam mundur ta përkufizoj realitetin më qartë se kaq.

Por ky është vërtet një problem, nuk është thjesht një lojë intelektuale. Sepse ne sot jetojmë në një shoqëri në të cilën realitetet e rreme fabrikohen nga mediat, qeveritë, korporatat e mëdha, grupet fetare, grupimet politike – dhe ekzistojnë edhe mjetet që t’i shpien këto botë të rreme drejt e në kokat e lexuesve, shikuesve, dëgjuesve. Ndonjëherë, teksa kundroj time bijë 11 vjeçare që sheh TV, dua të di se çfarë po i mësojnë asaj. Mbase gjëra jo të përshtatshme për moshën, ta zemë. Një program për të rritur që ndiqet nga një fëmijë - gjysma e gjërave që thuhen dhe bëhen atje keqkuptohen nga fëmija. Ose mbase edhe të gjitha. Dhe ta marrësh hollë-hollë, edhe sikur fëmija ta kuptonte siç duhet programin, sa i vërtetë është informacioni që jepet? Cila është marrëdhënia mes një komedie të rëndomtë televizive dhe realitetit? Po për show-t me policë? Makinat atje në vazhdimësi dalin jashtë kontrollit, përplasen, digjen. Policët janë gjithnjë të mirët dhe gjithnjë fitojnë. Mos e shpërfillni këtë pikë: Policia fiton gjithnjë. Ç’mësim na jepet me këtë? Që s’duhet të luftoni kundër autoritetit, dhe edhe nëse e bëni, prapëseprapë do humbni. Kumti: mos vepro! Dhe: bashkëpuno! Nëqoftëse oficer Baretta të kërkon të dhëna, jepja, sepse oficer Baretta është një njeri i mirë dhe i besueshëm. Ai të don, dhe ti duhet ta duash.

Kështu pra, shkrimet e mia e shtrojnë pyetjen, “Ç’është realja”? Sepse ne bombardohemi parreshtur me pseudo-realitete, të fabrikuara nga njerëz shumë të sofistikuar që përdorin mekanizma shumë të sofistikuara elektronike. Dhe unë s’është se s’kam besim në shtysat e tyre; unë s’i kam besë fuqisë së tyre. Dhe ata janë shumë të fuqishëm. Fuqia e tyre është e mahnitshme: me të ata krijojnë universe të tëra, universet e mendjeve. Mua më duhet ta di se si e qysh funksionon kjo. Unë bëj të njëjtën gjë. Është puna ime të krijoj universe, si baza e njërit roman apo një tjetri. Dhe ato universe më duhet t’i ndërtoj në mënyrë të tillë që të mos më shkërmoqen pas dy ditësh. Ose të paktën që kështu të shpresojë botuesi im. Sidoqoftë, po ju zbuloj një të fshehtë: mua më pëlqen të ndërtoj universe që shkërmoqen. Më pëlqen t’i shikoj se si u thahet mastiçi që u ngjit pjesët, më pëlqen t’i shoh personazhet në romane të përballen me këtë problem.

Kam një dashuri të fshehtë për kaosin. Duhet të ketë edhe më shumë kaos. Mos besoni – dhe e kam shumë seriozisht këtë – mos hamendni që rregulli dhe qëndrushmëria janë gjithnjë të mira në një shoqëri ose në një univers. Gjërat e vjetra, të kalcifikuara, duhet t’i lëshojnë vendin jetës së re dhe lindjes së gjërave të reja. Përpara se gjërat e reja të mund të lindin, të vjetrat duhet të zhduken. Dhe ky është një realizim i vështirë, sepse na dëften që me gjasë do na duhet të ndahemi me ç’e kishim të njohur e të afërt. Por kjo është pjesë e skriptit të jetës. Po të mos e bëjmë tonin psikologjikisht ndryshimin, ne zemë e vdesim vetë së brendshmi. Pra po them që sendet, zakonet, huqet, dhe mënyrat e jetesës duhet të zhduken në mënyrë që qenia autentike njerëzore të mund të jetojë. Dhe është shi kjo qenie autentike njerëzore, ky organizëm elastik e i gjallë që mund të mos e pranojë të renë, apo mund ta përthithë atë, apo që mund të japë e marrë me të, ajo çka vlen më shumë se çdo gjë tjetër.

Filozofi para-Sokratik grek Parmenidi na mëson se të vetmet gjëra të vërteta janë ato që nuk ndryshojnë… dhe filozofi para-Sokratik grek Herakliti na mëson se çdo gjë ndryshon. Po t’i mbivemë dy pikëpamjet e tyre, na del që: Asgjë nuk është e vërtetë. Kjo linjë mendimi pasohet nga një tjetër hap marramendës: Parmenidi nuk ka ekzistuar kurrë, sepse ai u plak, vdiq e u zhduk, pra sipas vetë filozofisë së tij, ai nuk ka ekzistuar. Por edhe Herakliti mund të ketë të drejtë – të mos harrojmë; kështu, nëqoftëse Herakliti kish të drejtë, atëhere Parmenidi ka ekzistuar, dhe ndaj, sipas Heraklitit, ndoshta Parmenidi ka të drejtë, përderisa Parmenidi përmbush kushtet e kriteret pas të cilave Harakliti i gjykonte gjërat si të vërteta.

Ua thashë këtë për të treguar se sapo fillojmë të shtrojmë pyetjen se ç’është në fund të fundit e vërtetë, fillojmë sakaq të flasim gjepura. Zeno provoi se lëvizja është e pamundur (në të vërtetë ai vetëm e përfytyroi vërtetimin; atij i mungonte ajo që quhet “teoria e kufijve”). David Hume, më i madhi skeptik, një herë vërejti se pas një tubimi të skeptikëve, të mbledhur për të shpallur vërtetësinë e skepticizmit si filozofi, të gjithë pjesëmarrësit sidoqoftë dolën nga dera e jo nga dritarja. Unë e kuptoj Hume-n. Ishin të gjitha llafe. Filozofët e rëndë nuk po i merrnin seriozisht ato ç’ka po thoshin.

Po, unë e quaj çështjen e përkufizimit se ç’është e vërtetë, një çështje serioze, madje jetësore. Dhe brenda në të, diku, është edhe çështja tjetër, përkufizimi i njeriut autentik. Sepse bombardimi i pseudorealiteteve fillon të prodhojë shumë shpejt njerëz jo autentikë, njerëz të rremë – po aq të rremë, sa dhe të dhënat që u ushtrojnë trysni nga të gjitha anët… realitetet kallpe prodhojnë njerëz kallpë. Ose, njerëz kallpë prodhojnë realitete kallpe dhe pastaj ua shesin njerzve të tjerë, duke i kthyer ata vetë, me gjasë, në njerëz fallso. Pra, ne përfundojmë njerëz të rremë që shpikin realitete të rreme, të cilat ua shesin njerzve të tjerë të rremë. Është thjesht një version i stërmadh i Disneyland-it.

Gjatë shkrimtarisë u përfshiva kaq shumë nga ideja e të rremes, saqë arrita tek koncepti i të rremave të rreme. Për shembull, në Disneyland ka zogj të rremë që punojnë me motor elektrik, të cilët lëshojnë zhurma e klithma kur u kalon pranë. Imagjinoni, një natë ne futemi fshehuraz në park dhe vemë zogj të vërtetë në vend të fallsove. Merrni me mend tmerrin e nëpunësve të Disneyt kur të zbulojnë mashtrimin e pamëshirshëm. Zogj të vërtetë! E më pas kushedi, edhe luanë apo hipopotamë të vërtetë. Ngrirje tmerri. Parku duke u shndërruar djallëzisht nga i pavërtetë në të vërtetë, nga forca të errëta. Për shembull, imagjinoni Matterhomi i kthyer në një mal të vërtetë mbuluar nga bora! Po sikur i gjithë parku, nga ndonjë mrekulli e fuqisë së Zotit, të kthehej në çast, sa hap e mbyll sytë, në diçka të pakorruptueshme? Atyre do t’u duhej ta mbyllnin parkun.

Në Timaeus-in e Platonit, Zoti nuk e krijon universin, siç bën Zoti kristian. Ai thjesht e gjen atë një ditë. Në një gjendje kaosi të përgjithshëm. Zoti i vihet punës për ta kthyer kaosin në rregull. Kjo ide më ngacmon, dhe e kam përshtatur për nevojat e mia intelektuale. Po sikur universi ynë të ketë filluar si jo krejt i vërtetë, një farë iluzioni, siç na mëson feja Hindu, dhe Zoti, nga dashuria dhe mirësia ndaj nesh, po e shndërron ngadalë dhe fshehtësisht në diçka të vërtetë?
 
FRIKA

Një mëngjes, indianët na dhuruan një lepur. E çuam në shtëpi, të mbyllur në një kafaz. Aty nga dreka, ia hapa derën e kafazit.
Në mbrëmje u ktheva dhe e gjeta siç e kisha lënë: brenda në kafaz, me trupin ngjitur te shufrat e hekurta, lepuri dridhej nga frika e lirisë.

EDUARDO GALEANO
 
VENDI IM

Emri yt ende nuk është shkruar.
Vazhdon ngjitjen tënde në drejtimin e kundërt të gravitacionit të dashnise
Në trajektoren e dhëmbshme të harreses.
E di se këtu kujtesa vret më tepër se Terrori
O Vendi im i braktisur nga gjuha.

Askush nuk na thotë vendin se ku jemi.

E prapë vazhdon të ngjitesh në malin mistik të teologjisë së dëshpërimit
Me formula të frikëshme honesh. Derisa arrijmë në atë piken mes Qiellit dhe Tokës,

Në vendin më të bukur të Dheut. Jo shumë lart, por jo dhe aq poshtë,
Në qoshkun e preferuar të engjëjve.
Vetë Engjëlli i Historisë të ka zënë pritë,
Me plagët e masakruara të Fatit;

Engjëlli i Historisë që nuk na thotë as vendin se ku jemi
O Vendi im !

Rudolf Marku
 
Ferri i të gjallëve nuk është diçka, që do të përjetohet në të ardhmen; gjithmonë nëse ka një ferr; ferri është ajo që përjetojmë çdo ditë, ajo që krijojmë teksa qëndrojmë bashkë.

Ka dy mënyra që të mos vuash brenda këtij ferri.

E para është ta pranosh këtë ferr dhe të hysh aq thellë brenda tij,sa të mos e vësh më re.

E dyta është mënyrë e rrezikshme dhe kërkon vëmendje dhe nxënie të vazhdueshme; të kërkosh dhe të njohësh, se cilët janë ata njerëz apo ato gjëra, që ndodhen brenda ferrit, por nuk janë ferr dhe dhe më pas t’u japësh kohë dhe hapësirë atyre njerëzve apo atyre gjërave, që nuk i përkasin ferrit.



Italo Calvino - Wikipedia
 
pavarsisht gjithçkaje dhe që, i zhgënjyer ose i trishtuar, i lodhur ose i sëmurë, vazhdon të gjurmojë rrugë, të lërojë tokën, duke luftuar kundër elementeve dhe madje duke krijuar vepra të bukura në mes të një bote barbare dhe armiqësore. Kjo duhet të na mjaftojë për të na dëshmuar se bota ka ndonjë kuptim misterioz dhe për të na bindur se, edhe pse të vdekshëm dhe të çoroditur, ne njerëzit mund të arrijmë në njëfarë mënyre madhështinë dhe përjetësinë. Dhe, nëse është e vërtetë se Satanai është zot i tokës, në ndonjë pjesë të qiellit, ose në ndonjë qoshe të qënies sonë, banon një Shpirt Hyjnor, që vazhdimisht lufton kundër tij, për të na ngritur përsëri dhe përsëri mbi baltën e dëshpërimit tonë.

Shkëputur nga - Njerëzit dhe ingranazhet- Ernesto Sabato
 
– Ç’është jeta për ty? – e pyeta.
– Flluska sapuni, – m’u përgjigj.
– Po vdekja?
– Shpërblimi i jetës!
– Ç’është bota?
– Një pikë helm në hapësirë!
– Ç’është me e kuptuar në Botë?
– Vdekja?
– Cila është kafsha më e egër?
– Njeriu!
– Po më e butë?
– Ajo që s’ka lindur!
– Cili njeri ju duket më i poshtër?
– Ai që ndryshon veten me një emër të huaj dhe ai që punon aq mizorisht sa që nuk kujton as vdekjen!
– Ç’është budallallëku?
– Të duash një gjë që s’e ke dhe të kujtosh se je ai që s’je!
– Po puna më e mençme?
– Te gëzosh të tanishmen!
– Ç’është më e afërme?
– Vdekja!
– Po më e largët?
– Zemra ime me tënden dhe fillimi e fundi i hiçit.
– Çfarë është e pavdekur?
– Hapësira!
– Çfarë është më e bukur?
– Fantazia!
– Po më e shëmtuar?
– Sëmundja!
– Më e hidhur?
– Jeta!
– Më e ëmbël?
– Hiçi!
– Ç’gjë e është më e madhe?
– Libri i Botës!
– Po më e rëndë?
– Fjala!
– Më e pamundur? – Këtu u mendua pak, sikur donte të çlodhej. më shikoi një copë herë në fytyrë si me habi e pastaj duke m’i shtrënguar të dy duart, më tha me butësi:
– Edhe në të pyetur duhet mjeshtëri! Çfarë pyetët tani?
– Çfarë gjë ju duket tani dhe do t’ju dukej mbas disa mijë vjetëve – sikur të jetonit – si e pamundur?
– Të ndryshosh veten dhe formën, dmth jam unë të bëhem ti, dhe jam njeri dhe të bëhem pëllumb!
– Kur shpërblehet njeriu?
– Kur e kujton veten të lumtur!
– Çfarë gjë ju duket më e mërzitur?
– Çdo send është më i mërzitur se njeri tjetër!
– Çfarë gjë ju duket më e vështirë?
– Të jesh njeri!
– Po më e lehtë?
– Të krijosh krijesë njerëzore!
– Cili është ngushëllimi i të pasurit?
– Pesha e qeses!
– Po i të vobektit?
– E ardhmja!
– Nuk ju kuptoj, – i thashë për së dyti.
– Vdekja! -mu përgjigj serioz
– Po ç’përmban jeta e njeriut?
– Vetëm dyshime!….


Pse - Sterjo Spasse
 
Ekzistojnë pesë a gjashtë sekonda, në të cilët, ti krejt papritur ndjen se ke arritur harmoninë e përjetshme. Nuk ka asgjë tokësore brenda tyre dhe me këtë nuk dua të them se janë sekonda parajse, por në gjendjen tokësore njeriu e ka të vështirë t’i durojë ato sekonda. Ose duhet të shndërrohesh fizikisht, ose duhet të vdesësh. Ndjesia është e kthjellët dhe e pakundërshtueshme. Të duket se krejt papritur e ndjen gjithë natyrën dhe thua: Po, kjo është e vërtetë..!


Zoti, kur krijoi botën, në fund të çdo dite thoshte: Po, kjo është e vërteta. Kjo është e mira.
Kjo nuk është zemërbutësi, ky është gëzim. Ti nuk fal asgjë sepse nuk ka asgjë për t’u falur. Ti nuk dashuron sepse gjithçka është më e lartë se dashuria.
E frikshmja është se gjithçka është kaq e kthjellët dhe ka kaq shumë gëzim. Po të zgjaste më shumë se pesë sekonda, shpirti nuk do ta duronte dhe do të zhdukej.
Në ata pesë sekonda, unë jetoj jetën time dhe do ta jepja gjithë jetën për ata pesë sekonda, sepse ia vlen ta japësh jetën për to.

Po të zgjaste dhjetë sekonda, njeriut do t’i duhej medoemos të shndërrohej fizikisht.


Fyodor Dostoevsky shkëputur nga “Djajtë”
 
Qoshku i jetës- Nga Agim Xhafka

VALENTINA-TRËNDAFILI IM...

Nëna ime quhej Valentina. Nesër ka ditën e emrit. Qe mbushur plot dashuri ndaj dhe 14 shkurti,Dita e të Dashuruarve,mban emrin e saj. E donte shumë jetën. Sigurisht që të gjithë e duam. Por ajo e shfaqte dukshëm. Dhe simbol kishte trëndafilin. Kushdo nuse që porosiste jorganin e nusërisë tek ajo, se ishte mjeshtre pajash,i thoshte:
-Të të bëj një trëndafil në mes?
Shumica binin dakord. Por kur ndonjëra donte forma bakllavaje nëna ia priste:
-Ti e do për krevatin martesor apo për mbulesë të tavolinës së ngrënies?!
Trëndafil donte në bluza,fustane,bile kerkonte të ishin të kuq kur u bë gjyshe.
Më vjen ndër mend që kur merrte lekët e ndonjë kuverte të sapombaruar kërcente dhe i thoshte babait:
-Shkojmë vallëzojmë tek Turizmi?
Babai nguronte pak se plot vrima ishte jeta jonë familjare,por kurrë nuk ia prishte. Kurrë.
Më ngushtoi një herë xhaketën me kuadrata të babait,por më talli kur e vesha me tutat bezhë.
-O fshatari im,kushedi sa janë tallur me ty!
Më pas më përqafoi dhe lekët që fitoi nga një punim jorgani nuk i harxhoi në kërcim. Më bleu pantallona blu.
-Tani do vdesin çupkat për djalkën e bukur!
Kështu më rri para syve. Punëtore dhe dashnore e jetës së gëzuar. Qeshte bukur,fliste bukur,gatuante bukur,na donte me pasion. Por...
Deri kur babai na la. Që atë ditë e ndërroi perëndia. I iku gazi,gjallëria,oreksi,muhabeti,gjithçka. Dhe ishte e re. Rreth 60 vjet. Mbetej tek varrezat e fliste veç për babanë. Bile në shtëpi dialogonte me të. Krijonte mizanskena sikur im atë ishte ende gjallë.
Ajo tregonte qartë se tani më shumë donte babain se jetën. E dukshme fare. E lëshoi veten drejt një ikjeje pa kthim. Dhe si qeni Açiko mendjen e kishte tek i zoti i saj. U zotua se do bashkohej me njeriun që u martua kur ishte 18 vjeç dhe tërë jetën e pati si dashnor të zjarrtë. Që nuk i shuajtën kurrë vështrimet pasionante.
Dhe...pas tetë muajsh u nis me dëshirë në takimin e dashurisë së përjetshme. Jeta mes jerëzve nuk e ngopte më. Zjarri i babait e thërriste. Sa kalojnë vitet më shumë kuptoj. Dashuria është një gjë konkrete. Nuk është hyjnore. Merr vlerë kur dikush të do më shumë se veten. Dhe babai ishte me fat. Jetoi me një grua që vetmohimin për burrin e quante normale. Nuk gaboj kur them që në se nuk do ishte shkruajtur "Romeo e Zhuljeta" do të botohej këto vite "Alajdini dhe Valentina." Patjetër. Një dashuri e madhe duhet rrëfyer. Se mësojmë e kënaqemi.
Gëzuar 14 shkurtin,ditën e emrit. Valentina ime...
 
Nje dite, ne kohen e drekes, mbi tavolinen e bukes vura nje krahe sane dhe kashte.
Cfare eshte kjo?! bertiti burri dhe femijet. Ke luajtur mendsh.
Jo! Ka vite qe gatuaj per ju, pa asnje falenderim, dhe thashe nese do vereni dallimin - ua ktheva.

Fisnikja e panjohur.
 
Gjithmone duhet me qene i dehur.
Ketu qendron ceshtja.Per te mos ndjere peshen e llahtarshme te kohes qe ua thyen shpatullat e ju perkul me fytyre nga toka,dehuni pa pushim.
Po me se ?Me vere ,me poezi,me virtyt sipas deshires,vec dehuni.

E nese ndonjehere ,ne shkallet e pallatit ,mbi barin e gjelber te hendekut,ne vetmine e murretyer te dhomes ,
ju zgjoheni e dehja nderkohe eshte tretur dhe avulluar,
pyeteni eren,dallgen ,yllin,zogun ,sahatin,gjithcka qe iken ,gjithcka qe gjemon,gjithcka qe rrotullohet,gjithcka qe kendon,gjithcka qe flet,pyeteni c'ore eshte,dhe era ,dallga ,ylli ,zogu,sahati do t'ju pergjigjen:"eshte ora te deheni!"

Per te mos qene sklleverit e martirizuar te kohes,dehuni pa pushim!Me poezi ,me vere ose me virtyt sipas deshires..

Sharl Bodeler
 
Jacques Prevèrt

"Per ty e dashur"

Isha ne tregun e zogjve
dhe bleva zogj
per ty
e dashur
Isha ne tregun e luleve
dhe bleva lule
per ty
e dashur
Isha ne pazarin e hekurit
zinxhire bleva
zinxhire te rende
per ty
e dashur
Dhe ne fund shkova ne tregun e sklleverve
duke te kerkuar ty
por nuk te gjeta
e dashur.
 
Nga: At Zef Pllumi

Nuk mund të përcaktoj moshën që kishm: dy ose tri vjeç. Në shtëpi ishem un i vetëm. Nana kishte shkue te kushrijt. Më kapi nevoja me dalë jashtë e u nisa me hi në pyllin që kishim mbas shtëpije, larg 20-30 m. Në fillim të pyllit nën disa shkoza më ra në sy nji furrik pulash me tri vezë në te. Un hina ma thellë në pyllen me qarra, por kur bana me kthye te shtëpija i mora në këmishë ato tri kokrra vezë. I lashë afër zjarrit e shkova e mora fulteren, sepse më pëlqenin pa masë vezët e fergueme kur mi jepte nana. Fulteres i qita ujë e se unë n’at kohë nuk e njifshem vojin, por e kishem pa nanën me fulteren që kishte nji lang. Zjarrmi ishte pothuaj i shkimun. Mandej theva vezët nji nga nji, njanen mbas tjetret, por ato shkriheshin n’ujë. Kishem ndigjue nanën që nganjiherë kur më fergote vezët thonjte: “duel e prishin” e largote. Kështu tri vezët duelen “të prishuna” e nuk i vuna në zjarr aspak por dola jashtë me gjithë fultere e i hodha përtej murit të arës, të cilin nuk mbërrijshem me e kalue; e i hodha bashkë vezët me gjithë lëvozhgat e bardha. Mbas nja nji gjysh ore po kthen nana prej kushrijve e fillon me ba rangët e shtëpisë. Kishte shkue me e pa furrikun por nuk kish gjetë asnjë vezë aty. Nuk më bani za.

Pak ma vonë erdh Ndou, djali i axhës e anmiku im ma i madh, i cili bashkë me baben tem ruente dhenët shterpa, të cilat i ndrynin në nji kasolle atje në ograje ndërsa delet plleja i binte baba në vathë, ngjitun me shtëpi ku ishet edhe nji kasolle për to.

Nana, e ndjeva se i tha Ndout:

– Kam pasë nji furrik këtu mbrapa shtëpije në të cilën ishin dy voe, por tash që ktheva nga kushrijet nuk pash asnjë kokerr aty. Kush do të mi hanë ato voe, ndonji gjarpën a por tjetër kush?

– Kush ishte ne shtëpi? – e pëveti Ndou.

– Vetëm Preka i vogël- i tha Nana.

– Preka i vogël asht sherr i madh e nuk len gja per së mbarit- i tha Ndoi.

– Jo, more s’ka se si; asht tepër i vogël e ka frigë me hi në pyllë!

– Kush ka frigë me hi në pyllë? Ai asht fëmij i tmerrshëm! – tha Ndou.

Mbas pak minutash Ndou thirri:

– Dadë, o dadë, hajde shif ku ka hjedhë lëvozhgat e voeve!

Dada shkoi e i pa. Mandej më kapi për dore e më çoi në vathë.

– Ti e ke marrë voet atje në furrik?

– Jo, jo!

– Kallxo të drejtën, kush i ka marrë?

– Nuk e dij, un jo!

Uh! Faqezi i vogël, po qysh tash don me u ba rrenacak i keq? Kallxo të drejtën o të mbyta!

– Nuk i kam marrë un, jo!

Atëherë ajo largoi nji krah kallamash kënete nën të cilat ishte nji vandak me thupra thanet që kishin fillue më i mledhë për tharkun e thiut që do të thurej, sepse ato ishin thuprat ma të fortat. Nxori nga ai vandak nji thuper, më uli brekët e filloi me i ra mbrapanicës seme disa herësh rreth tue më bërtitë.

– Mos rrej, faqezi!

Un bërtita me sa za kishem. Mbrapanica eme u ba tanë vraga të kuqe e më duekt se i ndiej edhe sot dhimbjet. Ndërkaq nana bërtiste:

– Faqezi, mos rrej por trego t’vërtetën!

Fati i em, në atë kohë erdh baba me dhenët plleja. Më pa tue kja në kupë të qiellës, erdh te dada e i tha:

– Hej ti, a e luejtë mendësh që don me mbytë djalin?

– Nuk due me e mbytë por due me e mësue që mos të rrejë kurr në jetë, sepse ky faqezi i vogël qysh tash ka fillue me rrejtë.

– Me rrejtë?! Po kur të rritet do të rrejë me doemos, se rrena asht hallat ose vegël pune; ai ke pa ustallarët që me çekiçin, ministrinë, danat e sharren aty në atë strajcë kanë edhe rrenën, përndryshej nuk gjejnë punë. E si mos të rrejë vogëlushi, shif sa e ke marrë thupren tri herë ma të gjatë!…

Baba Gjeto më hoq prej duerve të nanës e filloj me i lëmua vragat e kuqe të thuprës, ndërsa thonte:

– Ma parë shëndoshesh se martohesh – dhe filloi me më puthë në faqe.

Në të vërtetë un, si të gjithë fëmijët e botës, nuk kishem qejf të më puthin kush e sidomos burrat si baba i em, që u rruejshin krye dy javësh, e qymet e mjekes e faqeve të tynë më dukej si të më fërkojshin me lëkurë iriqit, por atë ditë ato të puthuna m’i pat qejfi e sidomos kur baba më bajti në hava e më tha t’i ndimojshem me mjelë delet se mandej do të më falte edhe nji kingj të bukur.

Ai u ul aty mbi nji gur e më mbajti afër vedit ndërsa delet kalojshin nji nga nji papara tij, bashkë me kingjat që lëviznin bishtin tue pritë për me thithë tamlin nga nana e vet. Ndërkaq un limojshem me dorën e vogël e ata vocrrakë përdridheshin.

Dikur erdh para babës nji dele që kishte nji kingj shum të bukur, lara-lara, bardh e zi. Em at më tha:

– Njeket kingj a don me ta falë?

– Po, – i thashë.

Edhe un e putha kingjin në krye, ndërsa ai tue lëvizë bishtin me shpejtësi, e ndeshi kryet e vet në timin.

Nana ishte ulë m’anë tjetër të portares së vathit e i tha babës:

– Po i banë dy laramanat bashkë, na qesin shtëpijet!

– Gjithkush don shokun e vet ! -tha baba.

Mbas pak të gjitha delet hynë në vathë me kingjat e tyne. Baba nuk e shprazi mjelcen në kazan të tamblit ku i kishte bashkue Ndou, djali i axhes, por ia dha nanës në dorë e i tha:

– Merre ktu at tamlin e deles që ka kingjin me lara e psheshja djalit, pse due që kingji e djali të thithin një cicë!

– O nieri – i u përgjegj nana – se çë bidate të reja po na qet!

Baba më muer ngrykë e më shtini në shtëpi. Kërkoi prej nanës nji post e më uli aty afër votrës, ndërsa ai vetë muer nji stol e ndej afër meje.

– Bania gadi përsheshët djalit me tamlin e asaj delje që ka kingjin e larmë!

Nana vuni në zjarm tamlin, mandej muer bluden (pjatë druri) e përsheshi aq sa mund të hajthem un. Kur vloi tamli e shprazi mbi përsheshët në bluden që ishte në police (sergjen) .

Un i hangra ata pshesh me shije të madhe e m’u duk se asnji tambël nuk ishte aq i mirë sa ai i deles që kishin kingjin e larmë.

– A të pelqei?- më pëveti baba- tash venu e flej se të merr baba e të çon te shtrati. Sonte flejmë bashkë sepse tjera herë ke fjetë me nanën. Mbas gjith atij vaji më kapi gjumi aty pranë zjarrit.
 
Vdes për gojën tënde, zërin tënd, flokët e tua.
I heshtur nëpër rrugë dhe i uritur endem.
S’më ngop buka, gjithë ditën menata më bën të vuaj
për lëngun e hapave tënde po rrekem.

Kam uri për të qeshurën tënde të ëndërrt
Për ngjyrën e duarve të tua, të një fruti të egër,
uri për gurët e thonjve të tu të zbehtë.
Dua të ta ha lëkurën, si një bajame e tërë.

Dua ta ha rrezen e diellit që të ndizet në të bukurin kurm,
të ha hundën, sovrane e fytyrës tënde hijerëndë,
Dua të ha hijen fluturake të qerpikëve tënd.

Dhe unë sillem përreth i uritur, duke nuhatur muzgun,
të gjuaj për ty, për zemrën tënde të nxehtë,
si një pumë në Quitratue-n shterpë.
Pablo Neruda
Në shqip: Riza Braholli
 
NDOC GJETJA: ËNDËRR…
Mjaft ndejtëm shtrirë këtu në bar!
Mjaft u puthëm e dhamë përkëdhelje!
Eja te hipim mbi atë re të bardhë
edhe të ikim nga kjo botë-lanete.
Do zbresim në planetin më të afërt
nuk prish punë pse je shtatzënë
atje do lindim dy binjakë
një djalë-yll e një vajzë-hënë.
Le të jetë planeti pa një frymor!
Të ketë veç ujëra, pyje, lëndina
Me puthjet tona do krijojmë
një popull të madh sa Kina.
 
HABILAJ: EJA EDHE SI DHIMBJE…
Ti mos u trishto që unë jam kështu,
S’mund të jem ndryshe dhe po të dua.
Kur dhimbjet e mia, i harroj diku,
Dhimbjet e botës strehohen tek mua.
Ti mos u trishto, kur të shikosh lot,
A nëse dhimbjet më kanë lodhur mjaft.
Mos më merr inat që nuk i ndala dot,
Kur me dhimbjen më hodhën dhe baltë.
Ti mos u trishto për buzëqeshjen tënde,
Se ndoshta mes lotëve, gjendet në pusi.
Po në shpirt për ty, i ruaj ca vende,
Ku askush troket, as nuk hynë njeri.
Ti mos u trishto, eja dhe si dhimbje,
Si do që të vish, unë të pres tek dera.
Nëse nuk sjellë gaz në zemrën time,
Eja zbukuromë gjithë dhimbjet e tjera.


 
Toka eshte toke gjithkund.
Mishi i njeriut eshte vdekes
ne gjithe universin.Lindim
per magi te natyres nga te njejtat
t'perbrendshme amesore.
E megjithate mbet
misteri absolut te dijme pse
gjuhe te ndryshme flet njerezimi,
qe ka te njejta gjeste e ndjenja:
dashurie e urrejtje,e gjithkund ne bote,
o bashkohemi o do te ndahemi
 
RROKULL SHQYPNIS

SHKODER. ---N’Shkoder punet si ‘ i here ‘ i here: rrena,pluhen e balte,kuaj e katana,muzike,peca e ...<<Rrnofte Shqypnia >> sa te duesh;por pune, pa te cillat ska si rrnon Shqypnia , pak e aspak.Gjindja jane ndeje hijeve pa pune, tuj prite me goje hapet, si zogj pllumash, palè shka po u bjen nana – vida Europe ;por...per nji here...prit, Zot,veç mizat ; pse,(me ç’andrra po shifen) vone e vone do t’u bin gja m’skjep.E prà atdhetaret e shkrete plasen, plasen, u shkuen germazash, tuj fole per Shqypni e tuj punue per vedi;por ç’dobi ! per Shqypni s’po ka pune e per atdhetaret spo ka pare.Pazari i Shkodres asht ba taman Club me pi kafe e me ça llafe...politiket.Oh po! Per politike mos pvet ! Ktu politike sa te duesh,pa pase xane gja politike,çdo kopuk do me dal Bismark:pa ia pase ndi emnin strategjise,çdo kulifickan i keq ,ba prej lingatet mos me u gjet qen puth me e hanger,flet, more djale per pune luftet si me kene nji Velington,nji Napoleon,nji Moltke,Tegetof a Togo,shi me ta ba kryet per voe.por,ele, me te qite rreziku me ndeje me ndonji asish,puth ka pa anderr se asht i dijshem, prejse, kur pat kene ne shkolle,ka pase shkye ndo’i kartel a thye ndo ‘i tabele,atehere,po, se nuk i din maje vedit,kaq dijen e Filizofin e politiken e madhe puth pshtyn prej gojet .T’a dan shekullin fele-fele, si me kene tuj da nji sherqi Stajket ;i ngatrron e i shkatrron Krajlat shoq me shoq, me te vojte mendja se atehere po kerset lufta e po bahet nami; por, kur fundi, veç n’ i kriste zorra ne bark ati prej se thatit, se kurrkush s ‘lot vendit.
E tuj kene puth ktu rregullohet politika jo mbas interesash se vendit, por mbas leverdise se sejcillit, çdo pune puth ndodhe, kaq dredhet e shperdredhet, e shtohet e voglohet e zbukurohet, sa mos me mujte ma me dijte se shka asht rrene, se shka asht e vertete.Prandej ksaj here s ‘po veme lajme Shkodret; pse druem se vehna ne rrezik me thane ndo ‘i rrene: shka kishte me kene kundra amtyres se Perskoheshmes s ‘one.

Gjerjg Fishta

(Nga <<Hylli i Drites>> 1913
 
E DASHTUN JETË!
Përpara se t’ia behte kjo flamë si qen i tërbuar rrugaç, unë siç ndoshta të gjithë ne, nuk të thosha shpesh se të dua, jo se nuk të desha apo të dua, por se koha rendte aq shpejt, sa nuk gjeja, qoftë dhe një minutë për të ta thënë.
Tani që njerëzimi kafazin e trupit po e ruan nga pështyma e kësaj vdekjeje tinëzare, nënvetëdija ka filluar të më pyesë: “Hë, çdo të bësh sot?”
“Hiç, i them, thjesht jam ngujuar e lutem! Sytë më janë skuqur nga lotët e ftohtë, ndrydhur për dëshirat e ndalume, i përsërit vetes, se ardhka një ditë dhe ti braktis gjithçka e të duhet të jetosh veç në dy metra katrorë vend të dhomës tënde…”
E dashtun kohë, që përdhunshëm po më jep leksione braktisjeje, çdo prej meje?
Sot ëndrrat i kam shumë të thjeshta: veç diell, ajër, ujë!
Bota e ndali ritmin e në heshtje po ndreq kaosin e dëshirave të vetes, mos ndoshta erdhe të thuash moj mortje, se makutëria njerzore është gropa jonë?!
-Moj, kohë e shthurur murtaje, boll më bëre orgji me vdekjen!
Ndal…nuk të ka ardhur radha mbi këtë rruzull! Ëndrrat do t’i drejtojmë ne!
E dashtun jetë, të dua marrisht, mrekullisht se ti je ma e shtrejta mrekulli!
Tani në kërcellin e jetës do ta ngul ma fort spirancën e kujdesit dhe dashurisë për ty, mrekullinë e mrekullive mbi këtë gjindje.
Anila Varfi
 
LINDU ÇDO DITË!
Era m’ulërin:
Moj Ti:
Harroji ditët e bukura!
Moj Ti:
Harroi stinët,
kur fluturat të qëndisnin kryet…
Harroi fjalët që ta përkëdhelin qenien,
Sepse, kur dimërat vijnë,
Gjithçka humbet ngricash e acaresh…
Në mundsh,
Harroi miqtë që të kafshuan pas krahëve!
Sepse buzëqeshjen do të ta vjedhin me dhunë.
Harenë e rinisë harroje,
Se do të të mbysë netëve,
Kur ti s’mundesh më,
Harroje edhe ndonjërën,
Që ditët plumb t’i bën me vrerin e vet!
Mos ruaj në kujtesë asgjë…
Lindu çdo ditë,
qaj dhe qesh foshnjërisht!
Harro!
A do të mundësh vallë?!
Anila Varfi
 
Si trendafil cel dashuri - Bërns

Si trëndafil çel dashuria,
Në mes të kopshtit tim,
Dhe si një këngë bukuria,
S’më ndahet në udhëtim.
Kjo bukuri mbi të gjitha mbetet,
Asgjë mbi dhe s’e tund,
Me mua ecën gjersa detet,
Të thahen gjer në fund.
Nuk thahen detet zemra ime,
Graniti nuk firon,
Nuk ndalet rëra në udhëtime,
Se rëra veç vrapon…
Mbeç me shëndet për ty ngre gotën,
Mos u mërzit o shpirt!
Sikur të bredh me këmbë botën,
Të gjej, por vetëm prit!
 

Konkursi Letërsisë

  • 1-Kur flet shpirti.

    Votat: 6 27.3%
  • 2-Buzëqeshje Maskuar.

    Votat: 12 54.5%
  • 3-Jam femër.

    Votat: 2 9.1%
  • 4-Je ti Nënë.

    Votat: 1 4.5%
  • 5-Ne duart e kohes.

    Votat: 1 4.5%
Back
Top