Flitini të sapolindurit për të garantuar zhvillimin e tij

NeVertiti

~Kohe & Stine~
Staf në FV.AL
Themelues
Nëse dëshironi që fëmija juaj të ketë aftësi të mira gjuhësore, atëherë duhet të flisni sa më shumë në praninë e tij, me gjuhë të pastër dhe rrjedhëse
Studimi


timthumb.php


Në kohën kur fëmijët fillojnë shkollën, ekzistojnë ndryshime mes aftësive linguistike tek shumë prej tyre. Këto diferenca të hershme mund të bëjnë një ndryshim domethënës në performancën e tyre në shkollë, sepse mësuesit i japin mësimet nëpërmjet të folurit.

Nga vijnë ndryshimet në të folur?

Një grup provash sugjerojnë se një ndikim i madh në zhvillimin e hershëm gjuhësor është numri i fjalëve që fëmijët dëgjojnë kur janë të porsalindur apo një ose dy vjeç.

Sa më shumë t’u flasin prindërit fëmijëve apo sa më shumë të shprehen në prani të tyre, aq më mirë ndikon kjo tek ta duke i bërë t’i kuptojnë më shumë fjalët dhe t’i mësojnë ato.

Kjo çështje është eksploruar edhe në punë të mëparshme në një studim që ka krahasuar fëmijët e rritur në familje me status të ulët ekonomik dhe ata me status të lartë.

Në numrin e nëntorit të revistës Psychological Science, dy studiuese Adriana Ueisleder dhe Eni Fernald e ekzaminuan këtë pyetje duke sjellë një shembull të thjeshtë të familjeve me ekonomi të ulët spanjolle që jetojnë në SHBA.

Studiueset pajisën disa foshnja 19-muajshe me një regjistrues zëri për të paktën një ditë të tërë. Disa të tjerë e mbajtën regjistruesin për ditë me radhë. Dita e regjistrimit më të gjatë u zgjodh për t’u studiuar.

Duke përdorur softuerë, regjistrimet u analizuan në mënyrë që të identifikoheshin të gjitha fjalët e folura në praninë e fëmijëve gjatë ditës.

Për më tepër, studiueset i klasifikuan të folurat në dy kategori, ato që u drejtoheshin fëmijëve dhe ato që fliteshin në prani të tyre.

Kërkueset matën efikasitetin e fjalëve të dëgjuara prej fëmijëve kur ishin 19-muajsh dhe gjithashtu më vonë kur ishin 24 muajsh, që të kuptonin sesa ishin përmirësuar aftësitë e kuptimit të fjalëve.

Në këto teste, fëmijët 19-muajsh u ulën përpara një ekrani. Atyre iu treguan disa foto që shfaqnin objekte të zakonshme si një top apo një qen.

Fëmijët thanë fjalën korresponduese për secilën nga fotot dhe kërkuesit nga ana e tyre matën kohën që iu desh atyre për të parë foton dhe për t’u përgjigjur.

Te fëmijët 24-muajsh, prindërit përdorën një listë për të vlerësuar horizontin gramatikor të fëmijës së tyre. Sipas këtij shembulli, ekzistonte një ndryshim i madh midis numrit të fjalëve që fëmijët dëgjonin.

Disa dëgjonin më pak se 2000 fjalë në ditë, ndërsa të tjerë deri në 15.000. Po ashtu ekzistonte edhe një ndryshim i madh në fjalët që u drejtoheshin fëmijëve në mënyrë direkte. Disa familje u flisnin të vegjëlve të tyre deri në 1000 fjalë në ditë, të tjera familje u drejtoheshin fëmijëve me më shumë se 10.000 fjalë çdo ditë.

Numri i fjalëve që fliste një fëmijë 19-muajsh, ishte një parashikues domethënës për gramatikën e tij kur të mbushte moshën 2 vjeç.

Për më tepër, numri i fjalëve që i fliteshin fëmijës, parashikonte sesa shpejt dhe sesa me efikasitet ai do të shihte fotot dhe do të thoshte fjalën e duhur që i përkonte asaj.

Analizat statistikore treguan se lehtësia e identifikimit të fjalëve në fjali ishte një arsye e rëndësishme përse fëmijët që kishin dëgjuar më shumë fjalë, kishin më tepër aftësi të mira gramatike kur ishin 24-muajsh, krahasuar me ata që kishin dëgjuar më pak që prej fillimit.

Kjo përvojë e hershme gjuhësore te fëmija, perfeksionohet me kalimin e kohës. Fëmijët që dëgjojnë shumë të flitet në moshë të vogël, jo vetëm që arrijnë ta kuptojnë më mirë gjuhën dhe fjalët, por kanë më shumë gjasa të fillojnë të flasin më shpejt.

Kur fëmijët flasin shumë, të rriturit i kthejnë edhe më shumë përgjigje. Ndaj aftësia e të folurit herët është një avantazh gjuhësor që sa vjen e rritet me kalimin e kohës.

Ky kërkim tregon rëndësinë e një mjedisi të pasur për fëmijët e vegjël. Truri i tyre po zhvillohet shpejt dhe ky ndikohet shumë prej gjërave që ndodhin rreth fëmijëve.

Sa më shumë të ekspozohen fëmijët në një mjedis gjuhësor të pasur, aq më shumë do të zhvillohet oratoria dhe logjika e tyre. Për më tepër, zhvillimi i hershëm gjuhësor u jep atyre një avantazh të madh kur fillojnë për herë të parë shkollën.

G.shqip
 
Back
Top