Pe: Fk Vllaznia Shkoder
Plani B i merkatos së Vllaznisë: Boadu dhe Ambouret
Nëse dështojnë tratativat me tre lojtarët e Tiranës, drejtuesit shkodranë kanë në plan dy lojtarë afrikanë që njihen në vendin tonë
Drejtuesit e Vllaznisë e kanë marrë seriozisht punën e merkatos së janarit. Ata përveçse janë vënë në ndjekje të tre futbollistëve të Tiranës, Likës, Balës dhe Dushkut, nuk po rrinë duarkryq, duke menduar edhe për një refuzim të këtyre lojtarëve, ose në pamundësi për t’u shkëputur nga bardheblutë. Për këtë arsye, mësohet se drejtuesit kuqeblu kanë gati planin B të merkatos. Që do të thotë se mund të vijnë dy afrikanët Boadu dhe Ambouret.
Me këta dy lojtarë ende nuk ka asnjë kontakt, megjithatë, ekziston si ide. Dy lojtarët që kanë luajtur edhe më parë në kampionatin shqiptar, i pari me Vllazninë dhe i dyti me Dinamon, janë dy futbollistë që i kanë treguar vlerat e tyre. Boadu, para tri sezonesh, ka qenë i shkëlqyer në radhët e kuqebluve, teksa erdhi në formë huazimi nga turqit e Gençlerbirligisë.
Ai luajti mjaft mirë, duke qenë një nga lojtarët më të rëndësishëm në sezonin që Vllaznia ishte shumë pranë titullit kampion. U largua nga Shkodra se pagesa e tij ishte shumë e lartë, megjithatë, tifozët kuqeblu e kanë dashur gjithmonë ta kenë në skuadër. Ndoshta tani ekziston mundësia për ta rikthyer. Tjetri ka luajtur me Dinamon si mbrojtës i majtë dhe ka lënë shije të mirë në futbollin shqiptar.
Edhe ish-presidenti Fushaj e pati lakmuar këtë lojtar, që në fakt iu vetafrua Vllaznisë në ditët e fundit të muajit gusht, por në ato momentet trajneri Josa vendosi të mos e marrë në ekip, ngaqë nuk e dinte formën e tij sportive. Në janar mund të jetë ndryshe, sepse mund të ketë edhe një periudhë në dispozicion për t’u stërvitur dhe për t’u ingranuar me skuadrën.
Lika-Bala-Dushku Vllaznia, para se të vendosë për marrjen e këtyre dy lojtarëve, është e përqendruar tek oferta që u ka bërë tre futbollistë të Tiranës. Si Lika, ashtu edhe Bala me Dushkun, e kanë pranuar që oferta shkodrane i josh, por mbeten në pritje të zgjidhjes së problemeve financiare që ka klubi i Tiranës.
Nëse ato nuk zgjidhen, atëherë ata mund të merren, por kjo nuk ka shumë garanci, sepse drejtuesit bardheblu do bëjnë çmos t’i mbajnë këta lojtarë. Duke qenë para një dileme të tillë, shkodranët nuk kanë dashur të qëndrojnë në vend. Ata prandaj dhe kanë në mendje planin B me Boadunë dhe Ambourenë. I pari luan si mesfushor sulmues, ndërsa i dyti mbrojtës i majtë dhe së bashku mund t’i japin më shumë forcë dhe garanci skuadrës.
Gjatë këtyre ditëve edhe mund të ketë ndonjë kontakt me këta lojtarë, por kjo nuk dihet ende. Ndoshta ata do presin edhe pak ditë, derisa të shikohet si do shkojë çështja e tre bardhebluve. E rëndësishme është që Vllaznia nuk po qëndron duarkryq për merkaton. Drejtuesit e saj nuk duan të gjenden të papërgatitur në janar, sepse plotësimi i skuadrës me lojtarë të tjerë është më se i domosdoshëm. Gjërat janë të qarta. Bashkia Shkodër ka ndër mend të investojë seriozisht tek ekipi dhe nuk do t’i kursejë paratë.
Elis Legata, trajneri i ri i portierëve
Zyrtarisht ende nuk është emëruar, por duket se ka mbetur vetëm firmosja e kontratës. Elis Legata do jetë trajneri i ri i portierëve të Vllaznisë. Ajo që flitej, po bëhet realitet. Legata dje ka qenë në pankinën e Vllaznisë në ndeshjen e kupës me Kamzën. I pyetur në lidhje me këtë gjë, ai është shprehur:
“Kanë mbetur edhe disa detaje për t’u sqaruar, prandaj nuk mund të them plotësisht se jam emëruar në këtë detyrë”. Ai ka ruajtur rezerva, por vetë fakti që ka qenë dje në pankinë dhe pas ndeshjes ka pasur një bisedë edhe me n/kryetarin e bashkisë, Troshani, që ka qenë i pranishëm aty, e vërteton më së miri këtë gjë.
---------- Post added at 13:08 ---------- Previous post was at 13:03 ----------
Vllaznia fiton ndeshjen e “të rinjve” me Dinamon
Grupi D
Vllaznia 7 pikë 7-2
Bylis 7 pikë 6-2
Elbasani 3 pikë 5-9
Dinamo 0 pikë 2-7
Takimi i kupës i zhvilluar në kompleksin e Kamzës është fituar 3-0 nga shkodranët, që janë shumë pranë kualifikimit
Dinamo – Vllaznia 0-3
Shënues: Gjini 53’, Shaba 70’, Markolaj 78’
Dinamo: Dauti, Shehu, Luzha, Misiri, اeliku (Keta 65’), Sulollari (Lala 72’), Dida, Kulli, Moçka (Bajaziti 51’), Mjekaj, Guzja. Trajner: A. Mergjyshi.
Vllaznia: Rexhepi, Lekaj (Jubani 46’), Balaj, Hasani, Dema, Shaba, Belisha, Guri (Gjini 52’), Nimani (Markolaj 62’), Danaj, Erkoçeviç. Trajner: R.Vata
Kartonë të verdhë: Shehu, Luzha, Hasani
Gjyqtarë: A. Koçi, F. Lamaj, F. Elezi (Durrës)
Vllaznia, ndonëse luajti me të rinjtë, arriti të marrë një fitore të pastër 3-0 ndaj Dinamos dhe me këtë tripikësh shkodranët janë shumë pranë objektivit, kalimit në turin tjetër të Kupës së Shqipërisë. Takimi mes Dinamos dhe Vllaznisë më shumë i ngjante një përballjeje të kampionatit të moshave U-19, kjo për vetë përbërjen që kishin të dy skuadrat, por edhe fushën ku u luajt. Zakonisht, në qendrën stërvitore të ekipeve kombëtare në Kamzë luajnë skuadrat pa fushë, si dhe moshat.
Kështu që kjo përballje kupe mes bluve dhe shkodranëve ishte gjetja e organizatorëve. Dinamovitët u paraqitën në këtë takim thjesht sa për të përmbushur pjesëmarrjen, pasi në fushë nuk u pa asnjë lojtar që aktivizohet me ekipin e parë. Pjesa e parë ishte e vakët, ku loja u përqendrua më shumë në mesfushë dhe faza sulmuese iu la rastësisë.
Të dy ekipet u munduan të rrezikonin, por dukej qartë se dinamovitët nuk kishin forcën e duhur për ta bërë këtë gjë, ndërsa për shkodranët u evidentuan minuta e 15-të me Gurin, por gjuajtia e tij pritet nga portieri Dauti. Në minutën e 22-të kuqeblutë rrezikojnë me Shabën, që godet traversën dhe në minutën e 32-të goditja e dënimit e ekzekutuar nga Belisha pritet lehtësisht nga portieri dinamovit.
Pjesa e parë mbyllet 0-0, ndërsa e dyta është më e bukur, më me ritëm, ku shkodranët arritën të shënojnë tre gola. Pa dyshim katalizator i kësaj fitoreje ishte aktivizimi i sulmuesit Gjini, i cili një minutë pasi hyri në fushë, pikërisht në 53-ën, shënon golin e parë për Vllazninë. Gjini bëhet rreziku numër një për Dinamon. Në minutën e 70-të Shaba shënon golin e dytë dhe të sigurisë për kuqeblutë. Në minutën e 78-të Gjini kombinon me Markolajn, i cili hyn në zonë dhe fuqishëm gjuan dhe shënon golin e tretë. I gjithë takimi përfundon me fitoren 3-0 të Vllaznisë.
Deklaruan…
Artan Mergjyshi, trajner i Dinamos: “Nuk kam çfarë të them për këtë takim, pasi dihet se kupa nuk është në objektivat tona. Sot (dje) aktivizuam të rinjtë, ku patëm mundësi të krijojmë një imazh më të qartë rreth tyre. Dihet që vëmendja jonë është e përqendruar në kampionat, ku kërkojmë të dalim nga situata ku jemi.”
Rudi Vata, trajner i Vllaznisë: “Vllaznia mori tri pikë shumë të rëndësishme dhe ky takim vlejti për besimin e gjithë këtyre futbollistëve, që u paraqitën në fushën e lojës. Situata tani në kupë është disi më e qetë dhe e sigurt për të kaluar grupin. Patëm ca momente shumë të mira të disa lojtarëve, që vlejnë për të rritur edhe anën morale e fizike të tyre. Fitorja ishe e bukur, rezultati është i pastër. Mendoj se është një fitore që do t’i vlejë shumë grupit.”
Të veçanta
-Në momentin e shënimit të golit të dytë nga Stivi Shaba, që është djali i administratorit Kujtim Shaba, stafi teknik që qëndronte në pankinë ka shpërthyer në brohoritje: Bravo, Kujtim!
- Pas fitores me Apoloninë, trajneri Vata i ka dhuruar një orë portierit Vujadinoviç për formën e mirë që tregoi. Pas ndeshjes së djeshme me Dinamon pyetjes se kujt do t’ia dhuronte sot një orë, trajneri Rudi Vata i është përgjigjur: “Pse, çfarë më dini mua, Behxhet Pacolli, që të dhuroj orë në çdo ndeshje?”
- Këtë takim e ka ndjekur edhe një përfaqësues i akademisë së Arsenalit , me qendër në Greqi. Lakis Papajanis ishte i shoqëruar nga Indrit Fortuzi dhe misioni i tij ishte për të pikasur ndonjë të ri, që mund të merret në provë në Greqi. Realisht Papajanis ka zgjedhur elementë nga Vllaznia.