Ekspertët dhe përfaqësuesit e NATO-s në takim për tensionet dhe pasigurinë paszgjedho

Зngjεll

___________
Ekspertët dhe përfaqësuesit e NATO-s në takim për tensionet dhe pasigurinë paszgjedhore

Atashetë ushtarakë të vendeve anëtare të Aleancës diskutojnë për reformat. Merr pjesë Brus Xhorxh dhe zëvendësambasadori amerikan, Kristina

Shqipëria duhet të respektojë jo vetëm standardet e sigurisë, por edhe ato politike si një vend anëtar i NATO-s. Ky mesazh është dhënë pas zhvillimit të zgjedhjeve më 28 qershor, në një takim informal të nivelit jo të lartë të përfaqësuesve të Aleancës Euroatlantike. Menjëherë pas kritikave të ashpra që drejtoi përfaqësuesi i Asamblesë Parlamentare të NATO-s në misionin vëzhgues të OSBE/ODIHR-it, Brus Xhorxh, një tjetër mesazh ka ardhur për autoritetet dhe partitë politike shqiptare. Përgjatë dy ditëve është zhvilluar në hotel “Rogner” në Tiranë takimi i atasheve ushtarakë të vendeve anëtare të Aleancës që janë të akredituar në Tiranë, ku ishte i pranishëm edhe zoti Xhorxh, i cili ka bërë një paraqitje të mënyrës se si i zhvilluan zgjedhjet ditën e diel në Shqipëri dhe problemet që po shfaqen gjatë procesit të numërimit. Në takimin informal që përfundoi dje ka qenë i pranishëm edhe zëvendësambasadori amerikan, zoti Stiven Kristina. Burime jozyrtare bëjnë të ditur se përfaqësuesit ushtarakë të vendeve të Aleancës pranë ambasadave të tyre në Shqipëri kanë paraqitur disa ankesa që kanë të bëjnë me zhvillimet e fundit politike, rendin publik dhe sigurinë, por edhe aspekte të tjera.

Takimi

Një tjetër mesazh vjen nga Aleanca Euroatlantike për përfundimin në kohë dhe me standarde të procesit zgjedhor. Atashetë ushtarakë të NATO-s, përfshirë edhe zotin Brus Xhorxh dhe zëvendësambasadori amerikan, Stiven Kristina, kanë diskutuar gjatë një takimi informal dyditor të zhvilluar në Tiranë për përmbushjen e kushteve dhe standardeve nga Shqipëria, të kërkuara nga Aleanca. Njëri prej tyre ka qenë edhe zhvillimi i zgjedhjeve në mbështetje me angazhimet ndërkombëtare. Përfaqësuesi i Asamblesë Parlamentare të NATO-s në misionin vëzhgues të zgjedhjeve, zoti Xhorxh, dha mendimet e tij për procesin, ku ka përsëritur kritikat për mënyrën se si po zhvillohen zgjedhjet dhe po bëhet numërimi i votave. Ai pritet të përgatisë një raport, të cilin do ta paraqesë takimin e radhës së Asamblesë që do të mbahet në muajin nëntor.

Përfaqësuesit e tjerë kanë diskutuar për situatën paszgjedhore, konfliktet mes partive politike dhe tensionet e krijuara gjatë këtyre ditëve. Po ashtu, atasheu ushtarak i Greqisë në Tiranë ka kërkuar nga autoritetet shqiptare që të marrin masat e duhura për sigurimin e kufijve. E njëjta gjë është kërkuar edhe për garantimin e vijës kufitare bregdetare apo edhe garantimin e rendit dhe qetësisë publike në të gjithë vendin, sipas kërkesave që kërkon një vend anëtar i Aleancës. Në takimin informal të përfaqësuesve të Aleancës u theksuan edhe një herë angazhimet që duhet të përfundojë Shqipëria në kuadër të anëtarësimit në NATO si rritja e buxhetit për ushtrinë, investimi në strukturat dhe logjistikën e sigurisë, reforma në shërbimin ushtarak etj.

Kushtet

Përveç kushteve teknike për çështjet e sigurisë dhe ato ushtarake, një ndër pikat për të cilat është angazhuar Shqipëria është edhe zhvillimi i zgjedhjeve sipas standardeve të NATO-s. Drejtuesit e saj e kanë kritikuar vazhdimisht Shqipërinë për realizimin e proceseve zgjedhore me të meta. Edhe kësaj radhe përfaqësuesit e Aleancës Euroatlantike, përmes zotit Xhorxh, thanë se zgjedhjet nuk ishin sipas standardeve. Në konferencën e përbashkët të misionit ndërkombëtar të vëzhgimit të zgjedhjeve, Brus Xhorxh lëshoi akuzat më të ashpra. Ai tha se ka pasur parregullsi në votime, shkelje nga komisionerët etj. Ai ka kritikuar edhe periudhën gjatë fushatës dhe presionet që ka bërë qeveria. Zoti Xhorxh i tha “Albania”-s se në Shqipëri ka ende probleme me luftën ndaj korrupsionit dhe krimit të organizuar, si dhe reformat në fushën e Drejtësisë. Gjithsesi, tashmë është bërë e qartë se këto zgjedhje nuk ishin dinjitoze për një vend anëtar të Aleancës. Shqipëria u anëtarësua në Aleancë më 2 prill, në Samitin e Strasburg/Këlnit. Ky proces u realizua me mbështetjen e veçantë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe veçanërisht të administratës “Bush”.

NATO dhe OSBE/ODIHR-i, qëndrime të ndryshme për zgjedhjet

Standardet në zhvillimin e zgjedhjeve të 28 qershorit kanë shkaktuar divergjenca mes përfaqësuesve të organizatave të përfshira në misionin e OSBE/ODIHR-it, ku kritikat më të ashpra kanë ardhur nga i deleguari i Asamblesë Parlamentare të NATO-s. Brus Xhorxh ka adresuar kritika të ashpra për procesin, për standardet deri te politizimet e tejskajshme të anëtarësimit të Shqipërisë në strukturën euroatlantike. “Nëse NATO do të ishte parti, pa dyshim që do të fitonte zgjedhjet”, - tha Brus Xhorxh, duke iu referuar edhe flamujve që vareshin nëpër institucione, apo që u përdorën në mitingjet elektorale. Kur nuk është mbyllur ende procesi i votimeve, përfaqësuesit e katër institucioneve kanë bërë të ditur parregullsitë e konstatuara dhe kanë pohuar se do të vazhdojë të qëndrojë në Shqipëri edhe misioni i vëzhguesve afatshkurtër, derisa të mbyllet procesi. Misioni ndërkombëtar i vëzhgimit të zgjedhjeve përbëhet nga katër organizata: OSBE/ODIHR, Asambleja Parlamentare e Këshillit të Europës, Asambleja Parlamentare e OSBE-së dhe Asambleja Parlamentare e NATO-s, e cila ishte më kritike në lidhje me procesin zgjedhor që pritet të përfundojë 5 ditë pas ditës së votimeve.


DEKLARATAT
DASH

“SHBA-të e kanë të qartë se qeveria e Shqipërisë është në përfundim të numërimit të votimeve, përpilimit të listës së rezultateve dhe presin që ky proces të zhvillohet në të njëjtën mënyrë të rregullt”

Kongresisti amerikan, Hastings:
"Zgjedhjet parlamentare të 28 qershorit ishin një përmirësim i qartë i atyre të viteve të kaluara. Sigurisht, procesi është duke vazhduar, por transparenca dhe serioziteti i numërimit do të përcaktojnë suksesin e zgjedhjeve”

RAPORTI i OSBE/ODIHR-it
“Vlerësimi përfundimtar i zgjedhjeve do të varet, në mënyrë të ndjeshme, nga ecuria e fazave të fundit të procesit zgjedhor, në mënyrë të veçantë nga numërimi i votave, mbledhja e rezultateve, si edhe puna për i ankesave të mundshme pas ditës së zgjedhjeve”./G.Albania/
 

Konkursi Letërsisë

  • 1-Bëju.

    Votat: 11 40.7%
  • 2-Ankth mesnate.

    Votat: 3 11.1%
  • 3-Të dua ty.

    Votat: 8 29.6%
  • 4-Nje kujtim.

    Votat: 5 18.5%
Back
Top