Titulli: Ekipet Shqiptare ne Kupat e Europes
Skënderbeu historik, fitore në Europa League
Skënderbeu ka shkruar historinë duke regjistruar fitoren e parë të një klubi shqiptar ndonjëherë në fazën grupore të Europa League. Korçarët mundën Sporting Lisbonën me rezultat 3-0.
Shkatërrimi ndaj top skuadrës portugeze filloi nga minuta e parë, ku vendasit ishin më dominantë me Bernard Berishën i cili shkëlqeu.
Kështu vendasit kanë kaluar në epërsi në Elbasan Arena me anë të Lilajt (15'), i cili realizoi nga afërsia.
Vetëm dy minuta pas golit të Sabien Lilajt ishte Rui Patricio, portieri i skuadrës portugeze, që mori karton të kuq për t'u përjashtuar nga takimi.
Dhe nga pika e bardhë në minutën e 18-të ishte sërish Lilaj që në mënyrë elegante shënoi për 2-0.
Duke pasur një lojtar më pak në terren, në pjesën e dytë Sportingu bëri presion, por Skënderbeu u tregua vendimtar duke shënuar golin e nokautit.
Bakary Nimaga në minutën e 56-të shënoi një gol të bukur nga largësia për 3-0.
Deri në fund të takimit nuk ndodhi ndonjë befasi dhe Skënderbeu e fitoi bindshëm takimin kundër të gjitha parashikimeve.
Tash Skënderbeu kthehet në lojë për t'u kualifikuar në xhiron tjetër.
Grupin H e kryeson Lokomotiv Moska me 8 pikë, kurse Besiktasi ka 6 pikë në vendin e dytë. Skënderbeu është në vendin e katërt me 3 pikë, një pikë më pak se Sportingu në vendin e tretë.
Në këtë grup janë edhe dy ndeshje për t'u zhvilluar dhe një kualifikim i Skënderbeut do të ishte absolutisht historik, edhe pse i vështirë në këtë moment me këtë situatë tabelare. /Telegrafi/