Pe: Edhe britanikët kundër perçeve e ferexheve
A është nikabi farz apo sunet?
Pyetje: Selam alejkum hoxhe i nderuar. A eshte nikabi apo mbulesa e fytyres farz apo sunet apo wagjib apo nje gje qe nuk eshte e nevojshme te grate dhe mosbartja e saj a meriton denim nga Allahu i madheruar?
Përgjigje:
Falenderimi i takon Allahut (azzevexhel), ndërsa salavatet dhe selamet qofshin mbi të Dërguarin tonë, Muhamedin (salallahualejhiveselem), mbi familjen dhe mbi shokët e tij.
Vëlla i dashur, sa i përket nikabit (mbulimit të fytyrës) dijetarët janë ndarë në dy mendime, nëse koha nuk është kohë e fitneve. Disa prej tyre janë të mendimit se nikabi është vaxhib pa marrë parasyshë kohën dhe fitnet, e disa të tjerë janë të mendimit se në kohë të fitneve është obligim, e në kohë që nuk ka fitneh është sunet. Kështuqë nëse është kohë e fitneve, të gjithë dijetarët janë në pajtim se femra muslimane duhet të mbulojë gjithë trupin e saj, duke përfshirë edhe fytyrën dhe duart. E pa dyshim se umeti nuk ka parë fitneh me të mëdha, se sa fitnet që po i përjeton në këtë kohë.
Gjithashtu, argumentet që vërtetojnë se muslimanja duhet të mbulojë gjithë trupin e saj janë të shumta, dhe nuk kanë mundësi të përfshihen të gjitha brenda një përgjigjeje të shkurtër, por megjithatë do të përmend disa prej tyre:
-Ka thënë Allahu (azzevexhel): “O ti Pejgamber, thuaju grave tua, bijave tua, dhe grave të besimtarëve të vëjnë shamitë (mbulojat) e veta mbi trupin e tyre, sepse kjo është më afër që ato të njihen (se nuk janë rrugaçe) e të mos ofendohen. Allahu falë gabimet e kaluara, Ai është Mëshirues”. (Ahzab – 59)
Thotë Ibn Sirini: E kam pyetur Abidete Selmanij në lidhje me kuptimin e ajetit: “të vëjnë shamitë (mbulojat) e veta mbi trupin e tyre”, e ai m’u përgjigj duke marrë teshën e tij, dhe duke e mbuluar kokën dhe fytyrën e tij, dhe duke lënë të zbuluar vetëm njërin sy (sa për të parë rrugën).
Ndërsa Abidete Selmanij është prej tabi’inëve të mëdhenj, i cili e ka pranuar Islamin në kohën e çlirimit të Mekës duke qenë në Jemen, e pastaj ka marrur mësim prej Aliut dhe Ibn Mes’udit (radijallahuanhuma), e pastaj është shpërngulur në Medine dhe ka jetuar në të në kohën e Omerit (radijallahuanhu). Kështuqë nënkuptohet se fjala e tij është thënë duke e parë ai gjendjen e grave të sahabëve, dhe duke e kuptuar ajetin në bazë të kuptimit të tyre.
Thotë Ebu Bekër El-Xhesas (dijetar i medhhebit hanefij): Në këtë ajet (ajetin e lartpërmendur) ka argument se gruaja e re është e urdhëruar të mbulojë fytyrën e saj nga njerëzit e huaj. (Ahkamul Kur’an 3/371)
Thotë Ebu Abdullah El-Kurtubij (dijetar i medhhebit malikij): Fjala e Allahut: “..shamitë (mbulojat) e veta..”, e vërteta është se është fjala për atë teshë e cila mbulon gjithë trupin. (El-Xhami’ li ahkamil Kur’an 14/243)
Thotë Kadij ibn Umer El-Bejdavij (dijetar i medhhebit shafiij): Ajeti: “të vëjnë shamitë (mbulojat) e veta mbi trupin e tyre”, nënkupton të mbulojnë fytyrën dhe trupin e tyre. (Envaru Tenzil 2/280)
Thotë Imam Es-Sujutij: Ky ajet flet për të gjitha gratë, dhe në të ka argument për obligueshmërinë e kokës dhe fytyrës. (Aunul Ma’bud 4/106)
Thotë Imam Esh-Shenkitij: Dhe prej argumenteve Kur’anore për mbulimin e femrës, mbulimin e trupit dhe fytyrës së saj, është fjala e Allahut: “O ti Pejgamber, thuaju grave tua, bijave tua, dhe grave të besimtarëve të vëjnë shamitë (mbulojat) e veta mbi trupin e tyre”. Dhe kanë thënë më shumë se një prej dijetarëve se kuptimi i ajetit: “të vëjnë shamitë (mbulojat) e veta mbi trupin e tyre” nënkupton mbulimin e tërë trupit dhe fytyrës, dhe moszbulimin e asnjë pjese të trupit përveç njërit sy për të parë me të, dhe prej atyre që kanë thënë kështu janë: Ibn Mes’udi, Ibn Abasi, Abidete Selamnij dhe të tjerë. (Edvaul Bejan 6/586)
Thotë Ebu Bekër El-Xhezairij: Ky ajet kërkon nga muslimanet që nëse dalin prej shtëpive të tyre për shkak të ndonjë nevoje, të mbulojnë fytyrën dhe bukurinë e tyre... E thirrësit e zbulimit (të fytyrës) thonë se ky ajet nuk urdhëron për mbulimin e fytyrës, por vetëm për mbulimin e kokës, e ky është kuptim i pavlerë (i ajetit). (Faslul Hitab fil Mer’eti vel Hixhab 38/39)
-Gjithashtu Allahu (azzevexhel) në një ajet tjetër thotë: “E kur kërkoni prej tyre (grave të Pejgamberit) ndonjë gjë, kërkonie atë pas perdes. Kjo është më e pastër për zemrat tuaja dhe të tyre”. (Ahzab – 53)
Thotë Imam Taberiu (shejhu i mufesirinëve, në komentin e këtij ajeti): Kur të kërkoni ndonjë gjë prej grave të Pejgamberit (salallahualejhiveselem) dhe grave të muslimanëve, të cilat nuk janë gra të juaja, “kërkonie atë pas perdes”, dmth: Duke pasur perde ndërmjet jush dhe atyre. (Xhamiul Bejan 22/3)
Thotë Ebu Bekër El-Xhesas (në komentin e ajetit të lartpërmendur): Ky vendim i Islamit edhe nëse ka zbritur veçanërisht për gratë e Pejgamberit (salallahualejhiveselem), kuptimi i tij është i përgjithshëm për to dhe për gratë tjera.
Thotë Imam El-Kurtubij: Dhe në kuptimin e këtij ajeti, hyjnë të gjitha gratë. (El-Xhami’ li Ahkamil Kur’an 14/227)
Thotë Imam Esh-Shenkitij: Pjesa e ajetit: “Kjo është më e pastër për zemrat tuaja dhe të tyre” është një shenjë e qartë e cila tregon se ky vendim i përfshin të gjitha (gratë), pasiqë askush prej muslimanëve nuk mund të thotë se përveç grave të Pejgamberit (salallahualejhiveselem), gratë tjera nuk kanë nevojë për pastrim të zemrës.. (Edvaul Bejan 6/584)
-Gjithashtu Allahu (azzevexhel) thotë: “Le të mos kërcasin me këmbët e tyre, për të zbuluar fshehtësinë nga stolitë e tyre”. (Nur – 31)
Thotë Shejh Ibn Uthejmin: Nëse është e ndaluar për femrën që të kërcasë me këmbë nga frika se bën fitneh për mashkullin, duke dëgjuar zërin e shtikllave të saj, çka mbetet atëherë me zbulimin e fytyrës? Cila është fitneh më e madhe, të dëgjon mashkulli zërin e shtikllave të femrës, duke mos e ditur se kush është ajo dhe çfarë bukurie ka, duke mos e ditur se është e re apo e vjetër, dhe duke mos e ditur se është është e shëmtuar apo e bukur, cila është fitneh më e madhe, kjo apo shikimi i fytyrës së bukur të femrave të reja.. Pa dyshim se secili njeri që e kupton fitnen e femrave, e kupton se cila fitneh është më e madhe, dhe cila ka përparësi më shumë të mbulohet. (Risaletul Hixhab 9/10)
Dhe ajete tjera të cilët argumentojnë obligueshmërinë e mbulimit të fytyrës, e që përgjigjja nuk premton prezentimin e të gjitha argumenteve. Dhe para se të përfundoj, do të përmend edhe disa hadithe, të cilët argumentojnë vendimin e Islamit në lidhje me këtë çështje.
-Thotë Aisheja (radijallahuanha) në hadithin e shpifjes (ndaj nderit të saj): “... Dhe u afrua ai (Safvani radijallahuanhu) dhe më njohu kur më pa, ngase më kishte parë para (obligueshmërisë së) mbulesës. Atëherë u zgjova me të shpejtë, dhe e mbulova fytyrën time me mbulojën time. (Transmeton Buhariu dhe Muslimi)
-Gjithashtu thotë Aisheja (radijallahuanha): Allahu i mëshiroftë gratë e para muhaxhire, të cilat kur zbriti ajeti: “Le të vejnë mbulojën e tyre mbi krahrorin e tyre”, e grisën mbulojën e tyre “Fahtemerne biha”. (Transmeton Buhariu)
Thotë Hafidh Ibn Haxheri: Fjala: “Fahtemerne” nënkupton: Mbuluan fytyrat e tyre. (Fet’hul Bari 8/490)
-Thotë Esma’ bija e Ebu Bekrit: I kemi mbuluar fytyrat tona prej burrave. (Transmeton Hakimi, dhe thotë hadithi është i vërtetë, dhe me këtë pajtohet dhe Imam Dhehebiu)
Thotë Hafidh Ibn Haxheri: Ka vazhduar si vepër e lejuar dalja e grave në xhami dhe në treg, duke qenë të mbuluara me nikab, për të mos i parë ato burrat e huaj. (Fet’hul Bari 9/337)
Dhe thotë Imam Gazaliu: ثshtë duke vazhduar gjithë këtë kohë dalja e burrave me fytyrë të zbuluar, dhe dalja e grave të mbuluara me nikab. (Ihja’ 4/729)
-Thotë Pejgamberi (salallahualejhiveselem): “Nëse dikush don që të fejojë një femër, nëse ka mundësi të shikon atë që e dërgon deri në nikahun e saj, le ta bën.” Thotë Xhabiri (radijallahuanhu): Deshta të fejoj një femër, dhe fshehesha për të, derisa pashë prej saj aq sa më dërgoi deri në nikahun e saj, dhe e martova atë. (Transmeton Hakimi dhe thotë se zinxhiri i hadithit është i vërtetë, dhe më këtë pajtohet edhe Imam Dhehebiu)
Thotë Shejh Ebu Hisham El-Ensarij: Nga ky hadith argumentimi nxjerret në dy aspekte:
1-Nga fjala e Pejgamberit (salallahualejhiveselem): “Nëse ka mundësi ta shikon atë..”, që nënkupton se shikimi i grave nuk ka qenë i lehtë, por është dashur mund dhe hile (fshehje), e sikur të kishin dalur me fytyra të zbuluara, atëherë fjala “Nëse ka mundësi” nuk do të kishte ndonjë kuptim.
2-Atë që e veproi Xhabiri, duke u fshehur, nënkupton se gratë nuk e kanë lënë hixhabin (nuk e kanë zbuluar fytyrën), përveç nëse kanë qenë të sigurta nga shikimi i meshkujve.
Duke mos e zgjatur më shumë, themi se nikabi (mbulimi i fytyrës) është vaxhib – obligim (apo farz, pasiqë farzi dhe vaxhibi nuk kanë dallim), dhe zbulimi i fytyrës para njerëzve të huaj është mëkat, dhe meriton dënim tek Allahu (azzevexhel).
Dhe kjo është mbulesa e plotë e motrës muslimane, e trashëguar prej grave të Pejgamberit (salallahualejhiveselem), grave të sahabëve, dhe grave të ndershme muslimane brez pas brezi, deri në kohën e shfaqjes së mëkateve haptas, dhe kohën e ndryshimit të natyrshmërisë së pastër, ku mbulesa llogaritet prapambeturi, ekstremizëm dhe terrorizëm, e lakuriqësia llogaritet përparim, liri dhe tolerancë.
Allahu e di më së miri.
Omer Bajrami
05.10.2010