E dashura franceze, dëshmitare në atentatin e Esat Pashës

Love

βeℓℓe â๓e
Nga: Blendi Fevziu

Fevziu boton historinë e Shqipërisë, nga Pavarësia deri sot.
“Ishte tejet i mediatizuar nga shtypi, një shtëpi mode pati krijuar një parfum që e quante ‘Esat Pasha’”


libri-fevziut-205x300.jpg


Ekskursioni 100-vjeçar i Blendi Fevziut, në politikën shqiptare ndalet në ngjarjet më kulmore që e kanë shenjuar atë. Duke dalë nga radhët e gazetarisë, Fevziu fokusohet edhe në elementë, të cilët i bëjnë edhe më tërheqëse këto histori, të cilat ndonjëherë duket si të përsëritura. Një ndër to është edhe atentati i famshëm i Avni Rustemit ndaj Esat Pashë Toptanit.
Në librin e tij më të fundit “100 vjet (1912 – 2012)- Një ekskursion 100 vjeçar në politikën shqiptare”, botim i UET Press dhe Klan, na e risjell në vëmendje këtë moment. Ku ishte, me kë ishte shoqëruar, mediatizimi i figurës së Esat Pashës, etj. Një tjetër moment kua i ndalet janë edhe marrëdhëniet mes mbretit Zog dhe kundërshtarit të tij politik, Fan Nolit. Si u përmirësuan ato, takimi i Nolit me princeshat, motrat e Zogut dhe pagesa që ky i fundit bëri për kurimin e tij. Ndër të tjera Fevziu na bën të njohur me faktin se Noli ka qenë i ndjekur nga Sigurimi i Shtetit në vitet ’50.

280px-Essad_Pasha_Toptani.jpg


Problemi më i madh në Paris mbetej prania e Esat Pashë Toptanit, që njihej ende si kryetar i qeverisë shqiptare. Esat Pasha kishte mbërritur në kryeqytetin francez në janar 1919 dhe qe vendosur së bashku me qeverinë dhe ndihmësit e tij në hotel “Kontinental”, një ndër më të njohurit e qytetit në rrugën “Kastilione”. Ai mbante gradën e gjeneralit, kishte qenë aleat me komandantin francez Sarrail në Selanik dhe tani pretendonte se përfaqësonte shtetin shqiptar. Ishte tejet i mediatizuar nga shtypi, madje një shtëpi mode, duke përfituar nga fama e tij ekzotike, pati krijuar edhe një parfum që e quante “Esat Pasha”.
Me këtë famë dhe me kartëvizitën e luftëtarit në anën e aleatëve, ai kishte arritur të siguronte një takim prej 45 minutash me presidentin amerikan Uillson në prill 1920 në Paris. Në takim Esat Pasha kishte folur për problemet e Shqipërisë, por vetë Uillson duhet të ketë pasur dyshime, pasi i ka kërkuar Departamentit të Shtetit të dhëna për të dhe ndikimin që kishte në Shqipëri.
Esat Pasha në vetvete ishte një problem i madh jo vetëm për dërgatën shqiptare në Paris, jo vetëm për qeverinë e Tiranës, por me sa duket edhe për vetë shtetin francez. Raportet që vinin nga Shqipëria, sqaronin se popullata atje nuk e donte dhe se mbështetësit e tij po synonin të minonin sukseset e qeverisë së Tiranës dhe vetë ekzistencën e saj.
Në fakt, të njëjtat të dhëna i dinte edhe kryeministri dhe ministri i Brendshëm në Tiranë. Ata e dinin se esadistët e Shqipërisë së Mesme qenë organizuar nën komandën e Osman Balit dhe në 15 prill kishin kërcënuar kryeqytetin provizor. Për të mos hapur luftë në disa drejtime, qeveria e Tiranës u kish kërkuar atyre një armëpushim disajavor, derisa, një delegacion i saj, i përbërë nga Fuat bej Toptani, Peshkop Kolezi, major Bajram Fevziu dhe Ymer Deliallisi, të takohej me pashain në Paris. Delegacioni mbërriti vërtet në Paris, por veç një lloj qetësimi të përkohshëm psikologjik, nuk arriti ndonjë përfundim tjetër në bisedimet me të.
I informuar telegrafikisht për dështimin e bisedimeve, ndërsa delegacioni nuk ish kthyer ende, ministri i Brendshëm Ahmet Zogu ngarkoi Bajram Currin të drejtonte operacionin për shpartallimin e esadistëve. Sulmi i xhandarmërisë shqiptare qe i befasishëm dhe esadistët u tërhoqën. Ata tentuan të organizoheshin për të sulmuar sërish, por tashmë nuk mundën më.

Në 13 qershor 1920, Esat Pasha i shoqëruar nga nipi i tij Xhemil bej Vlora dhe një balerinë me të cilën bashkëjetonte prej disa muajsh, Dyfour Elise, 22-vjeçare, po dilte nga hotel “Kontinental” për të ngrënë drekë në një restorant në Aveny Montenjë. Ai i kërkoi portierit që të njoftonte shoferin e tij dhe i kërkoi të dashurës dhe nipit që të hipnin përpara sa të thyente në sportel disa franga. Xhemil Vlora që kishte ardhur nga Nica për të parë dajën atë mëngjes dhe e dashura e Esat Pashës kishin hipur në makinë, me derën hapur, kur dëgjuan 2 krisma. Sipas gazetës “Excelsior”, krismat kishin ngjallur panik te kalimtarët në një ndër rrugët më të famshme të Parisit.
Xhemil Vlora kish dalë të shihte, kur kish dëgjuar njerëzit që thërrisnin: kanë vrarë Pashanë! Ai e gjeti Esat Pashën të shtrirë në tokë, me sytë të hapur tej mase dhe të vdekur në vend. Një i ri shqiptar, i ardhur nga Vlora, Avni Rustemi, e kish qëlluar me dy plumba nga mbrapa. Sipas Policisë franceze, arma kish 6 plumba, por 4 prej tyre kishin ngecur. Avni Rustemi qe ndaluar pa bërë rezistencë dhe qe goditur nga rojet e hotelit.

Avni Rustemi ishte nisur nga Shqipëria me idenë për të vrarë Esat Pashën. Një dëshmitar i kohës, Sejfi Vllamasi, rrëfen:
“Avni Rustemi vazhdonte studimet në Romë. Një ditë shkon në shtëpinë e Tefik Mborjes, inspektori i studentëve shqiptarë në Romë dhe i thotë se kish vendosur të vriste Esatin për të shpëtuar Shqipërinë, por i duheshin të holla për shpenzimet e Parisit. Tefik Mbroja takon Bajram Fevziun, i cili ishte me një delegacion të qeverisë që po shkonte në Paris dhe i kallëzon vendimin e Avniut për Esatin. Bajram Fevziu i jep një letër për Xhavit Leskovikun në Tiranë. Avniu zbret në Durrës më 5 maj 1920 me letrën e Bajram Fevziut për Leskovikun dhe të Mborjes për Qazim Kokoshin. I furnizuar më mjetet e nevojshme dhe i përcjellë nga Tefik Mbroja, Avniu niset për Paris”.

Avni Rustemi qëndroi në Paris disa ditë në hotel “Prince Albert” dhe më pas në hotel “Tuilerries”. U stërvit në një shkollë qitjeje për të qëlluar me pistolete, një model amerikan, dhe ndoqi me vëmendje lëvizjet e Pashait. Përmes sekretarit të tij Gjergj Goga kërkoi madje edhe takim me të. Më 13 qershor 1920, vendosi ta qëllojë. Atë ditë, Avni Rustemi u ngrit nga dreka 45 minuta më parë, që ta ndeshte pashain në shkallët e hotelit kur dilte për drekë me të dashurën e tij.
Në një gjyq që tërhoqi vëmendjen e madhe të mediave, Avni Rustemi e pranoi vrasjen, shtoi se e kish bërë atë për atdheun e tij, por se nuk kishte qenë një vrasje e paramenduar.
Në dëshminë para gjyqit ai u shpreh se kish shkuar aty të takonte sekretarin e Esat Pashës, Gjergj Gogon, që e kishte mik:
“Unë shkova e ardha dy herë përpara portës së rrugës ‘Kastilione’, kur pashë që doli Esat Pasha të cilin e njihja mirë në të parë. Esat Pasha ecte ngadalë e me fodullëk. Me të parë atë, e gjithë historia e Shqipërisë përshkoi mendjen time dhe më mbushi me një turbullim të madh. Kapa në xhep të djathtë të rrobave të mia revolverin e mbushur me 6 fishekë që mbaja me vete dhe qëllova disa herë mbi Esat Pashën, që ishte dy hapa larg meje. Esat Pasha u rrëzua gati menjëherë e unë e hodha shpejt në tokë revolverin. Them të drejtën se akti im ka qenë krejt i rastësishëm e se nuk ka qenë i paramenduar”.

Gjyqi ndaj Avni Rustemit zgjati deri më 1 dhjetor 1924, kur ai mori pafajësinë. Deri atë ditë me mijëra telegrame nga Shqipëria, por edhe shqiptarët jashtë atdheut iu dërguan Gjykatës së Parisit për të mos e dënuar atë. Akti i tij quhej një akt patriotik dhe që i shërbente Shqipërisë më shumë se çdo gjë tjetër. Afro 900 dollarë, një shumë marramendëse për kohën, u dhurua nga Shqiptarët e Amerikës për shpenzimet e avokatëve. Më 24 dhjetor 1920, Avni Rustemi mbërriti në Vlorë ku u prit si hero.
Pak minuta pas atentatit, trupi i Esat Pashës u vendos në dhomën numër 179 të Hotelit, aty ku banonte në 18 muajt e fundit. Shtypi francez i kushtoi vrasjes së tij titujt kryesorë me titullin: “Presidenti i qeverisë shqiptare u vra dje në Paris”! Ai u varros në Tie të Parisit. 41 vjet më pas, për një rastësi të pabesueshme, pak metra larg tij, në një tjetër parcelë që mban shenjat e flamurit mbretëror shqiptar, u varros edhe Ahmet Zogu, “nipi” i tij. Thuajse fati i kish bashkuar këta armiq në gjallje, mijëra kilometra larg Shqipërisë. Sepse siç dëshmon Eqrem Bej Vlora, në gjallje e kishin vështirë që të qëndronin të dy bashkë. Ai kujton një takim mes Esat Pashës dhe Ahmet Zogut në prill 1914, në Durrësin e drejtuar nga Princ Vidi.

Natën vonë, kujton Eqrem Vlora, kur i riu 19-vjeçar doli nga shtëpia e Pashës, ky më tha:
“A e vure re mirë këtë djalosh? Do të vijë një ditë kur ai do të shkojë shumë larg dhe do të na mënjanojë të gjithëve, po të jetë se ne nuk ia shkurtojmë këmbët në kohën e duhur”.
Më 13 qershor 1920 në mbrëmje, kur telegrami që njoftonte vrasjen e Esat Pashës mbërriti mbi tavolinën e ministrit të Brendshëm, pa dyshim që ai u ndje i lehtësuar. Lëvizja esadiste që kërcënonte qeverinë nuk ekzistonte më dhe djaloshi që s’kish mbushur ende 25 vjeç, ishte pa dyshim njeriu më i fuqishëm politik në vend.
***

Bishop_Noli.jpg


“Organizimi i sulmeve diversive të fuqive të Zogut në Shqipëri i kushtonte qeverisë jugosllave afro 30.000 napolona ari”.
Më 9 dhjetor paradite, Ahmet Zogu dhe shpura e tij doli nga hotel “Moska” dhe u nis drejt Dibrës. Ai kishte me vete edhe 60 rusë të bardhë me dy bateri topash “Skoda”.
Operacioni për rikthimin e qeverisë legale, ose “Triumfi i legalitetit”, siç u njoh për shumë kohë, nisi në datën 20 dhjetor 1914. Trupat e Ahmet Zogut hynë nga 7 drejtime në Shqipëri. Më kërcënuese qenë trupat që hynë të komanduara nga vetë Zogu në Dibër dhe kolona e Myfit Libohovës nga Greqia, në Kakavijë. Nga Kapshtica ndërkohë sulmoi Koço Kota, ndërsa vetë Vrioni hyri nga Italia. E paralajmëruar për lëvizjet, qeveria e Nolit nuk bëri asnjë reagim. Pak forca ushtarake që u dolën para u shpartalluan në fare pak orë nga Zogu, ndërsa ministri i Mbrojtjes, Kasëm Qafëzezi, nuk gjendej gjithë ditën në detyrë.
Për shumë vite, në kujtime është hapur një legjendë sipas së cilës, kur shkuan t’i thonë se Zogu po vinte, kryeministrin Noli e gjetën duke i rënë flautit apo violinës. Nuk dihet sa reale është kjo histori. Me gjasë është pjesë e thashethemeve denigruese që hapen sa herë dikush bie nga pushteti. E sigurt është se Noli nuk ia doli dot as ta ndalte dhe as t’i bënte rezistencë Ahmet Zogut. Ai, qeveria e tij dhe rreth 350 veta u larguan për në Itali me anije. Gjesti i fundit i qeverisë ishte një shkresë që urdhëronte të paguheshin rrogat e ministrave dhe deputetëve në avancë.

Të ikurit mbërritën në Brindisi, ku zhvilluan një mbledhje në hotel “International”. Njëri prej ikanakëve, Sejfi Vllamasi, e kujton kështu atë takim:
“Në atë mbledhje historike, Noli, ndër të tjera, duke iu drejtuar Gurakuqit, tha: Gurakuq, ne kemi bërë shumë gabime… Me gjithë të metat e tij, Noli pati guximin e me plot sinqeritet pranoi gabimin e bërë…”
Sërish sipas Vllamasit:
“Noli rrojti mustaqet dhe mjekrën e tij madhështore, duke thënë: “Këtë borxh që ia pata Shqipërisë, po ia laj dhe nuk ia vlen barra qiranë për përpjekjet për një popull njëmilionësh…”

Në një farë mënyrë, kjo mbledhje ishte angazhimi i fundit i Nolit në politikë. Për disa vite ai u bë themelues i një organizate antizogiste, majtiste të quajtur “KONARE”, udhëtoi për në Moskë, u vendos në Amerikë, ku ndërkohë, miku i tij më i afërt, Faik Konica, ishte bërë ambasador i Shqipërisë, i emëruar personalisht nga Ahmet Zogu. Marrëdhëniet mes Zogut dhe peshkop Nolit mbetën problematike, por mëria mes tyre filloi të zbehet. Në mes të viteve ’30 Zogu i dërgoi atij 890 USD sipas një kërkese që i kish bërë për të paguar shpenzimet e mjekimit.
Më pas, ata vendosën një raport normal, siç dëshmon edhe ky reportazh i një prej gazetave më prestigjioze amerikane gjatë vizitës së motrave të Zogut në SHBA, në mars 1938:

“New York Post”, 14 mars 1938
Pas qetësimit të konfliktit ndërmjet Mbretit Zog dhe Nolit
Boston, 14 mars. Mesa duket, pas qetësimit të një konflikti të gjatë midis vëllait të tyre, Mbretit Zog të Shqiptarve dhe peshkopit Fan Noli, dikur Kryeministër i vëndit dhe tani kryetar i Kishës Amerikane të Shqiptarve të krishterë, tre motrat princesha të Mbretit dolën sot në publik.
Princeshat Shqiptare Ruhije, Myzejen dhe Maxhide morën pjesë në Meshën e së Dielës në Kishën Ortodokse Shqiptare të Shën Jorgos. Duke qëndruar të heshtura përpara Altarit, princeshat – myslymane si vëllai i tyre – dëgjuan lutjen e Peshkopit Noli për monarkun e mbretërisë ballkanase, ai që e detyroi për t’u larguar nga vëndi.
Më pas Peshkopi vizitoi Princeshat në suitën e tyre në hotel dhe i përshkroi ato si “shumë tërheqëse”.
Faik Konica, Ministri Shqiptar në SHBA dhe shoqëruesi i princeshave tha se Peshkopi ka shprehur dëshirën e tij për t’u rikthyer në atdhe, për të hapur një kolegj për edukimin e popullit.”

Pas shpërthimit të luftës, edhe Zogu u largua në emigracion. Mes tyre pati një komunikim normal. Një ndër figurat më të rëndësishme të kulturës shqiptare në historinë e saj, përkthyes brilant dhe poet fshikullues, Fan Noli vdiq në vitin 1965 në Forida, në shtëpinë e pushimit të dhuruar nga shqiptarët e Amerikës. Ai refuzoi të kthehej në Shqipëri si kryetar i Asamblesë Kushtetuese që rrëzoi Mbretin Zog në vitin 1946.
Dukej se zhgënjimi i Fan Nolit me Shqipërinë ishte i madh.
Në një takim të fundit me Eqrem bej Vlorën, siç dëshmon ky i fundit, ai i tha:
“Ky vend i çuditshëm nuk ka shok në botë. Këtu shpesh bej mund të jetë një fshatar, fshatari një patric, të gjithëve nën ato gunat e lypësit u duket vetja kalorës, i barabartë dhe madhështor sa edhe tjetri. Këtu ndryshimi midis të pasurit dhe të varfrit; midis të madhit dhe të voglit; midis të fortit dhe të dobëtit, fshihet, nga ndjesia e dinjitetit të barabartë apo edhe e përshtatjes. Këtu është sinori midis mënyrës Evropiane dhe asaj aziatike të jetesës, midis koncepteve sociale gjermane dhe latine, midis etikës së krishterë dhe asaj myslimane. Këtu është paleta ku ngërthehen të gjitha ngjyrat dhe dritëhijet, të gjitha reflekset e së kaluarës dhe së tashmes”.

Zyrtarisht, Noli pati raporte të mira me regjimin e Tiranës, por ai nuk e mësoi kurrë, derisa vdiq, se edhe në SHBA ai kish qenë nën vëzhgimin e Sigurimit të Shtetit, siç dëshmon ky dokument:
“3 nëntor 1957
Unë punëtori operativ i Drejtorisë së Zbulimit Politik kap.II, Kleanthi Gjini, mbasi shqyrtova materialet e Fan S. Nolit nga Korça me banim të përhershëm në SHBA me arsim të lartë, fetar, rrjedh nga një shtresë e mesme qytetare, ish-kryeministër në qeverinë demokratike shqiptare në qershor te vitit 1924, gjeta:
Fan Stilian Noli, mbasi Zogu me anën e forcës dhe të ndihmës së jashtme erdhi në fuqi, u largua në mërgim dhe u vendos në SHBA. Këtu me anën e shoqërisë “Vatra” ka luftuar kundra qeverisë së Zogut. Mbas çlirimit të Shqipërisë, shkruante mirë për pushtetin tonë popullor, ndërsa qëndrimi kohët e fundit ka qenë i lëkundur dhe është mbështetës kryesor i agjentit të zbulimit amerikan, Qerim Panariti, i cili nën udhëzimet e amerikanëve ka shfrytëzuar dhe shfrytëzon gazetën “Dielli” duke shkruar artikuj me përmbajtje reaksionare dhe shpif kundra qeverisë dhe regjimit të demokracisë popullore në vendin tonë. Duke marrë parasysh qëndrimet e tij të kohëve të fundit, vendosa të çel këtë dosje formular për të ndjekur përpunimin e tij të rregullt”.
 

Konkursi Letërsisë

  • 1-Kur flet shpirti.

    Votat: 6 27.3%
  • 2-Buzëqeshje Maskuar.

    Votat: 12 54.5%
  • 3-Jam femër.

    Votat: 2 9.1%
  • 4-Je ti Nënë.

    Votat: 1 4.5%
  • 5-Ne duart e kohes.

    Votat: 1 4.5%
Back
Top