Dokumente të panjohura mbi historinë e së Drejtës Shqiptare

ida angel

:)
V.I.P
Dokumente të panjohura mbi historinë e së Drejtës Shqiptare

shkruar nga Dr. Irakli Koçollari. Dekan i Fakulktetit Juridik, Universitetit – “Luarasi”


Njeri njih vetveten!” – është ky një nga mesazhet profetike më të rëndësishme që vjen prej brumit të shkollave filozofike të antikitetit për t’i thënë botës moderne se identiteti i çdo individi apo shoqërie merr vlerën dhe vendin që i takon, kur ata vetë në radhë të parë, dinë mirë se kush janë, njohin profilin e tyre etnohistorik, njohin vlerat e tyre, njohin prurjet, kontributet, dimensionet, kufizimet dhe limitet e vërteta, që kanë mbartur dhe mbartin nëpër histori. Vetëm me këto standarte të identifikuara vërtetësisht, seriozisht, mund të qëndrosh si një partner serioz dhe i denjë në shkallaret e teatrit të madh të historisë, politikës, diplomacisë, drejtësisë, shkencës europiane dhe më gjerë, asaj botërore. Vetëm me këtë prezencë dhe saktësi shkencore mund dhe duhet të promovosh dhe provosh të vërtetat e “identitetit” tënd përpara dimensionit të kësaj bote që na rrethon, e cila pretendon dhe kundërshton, jo rrallë akuzon dhe kërcënon, por edhe pranon, bindet apo të paktën hesht kur vetënjohja dhe njohja jote është bindëse, pra e pakontestueshme. Vetëm në këto rrethana mund të pranohesh si partner serioz dhe konkurrues. Vetëm me këto standarte mund të përballesh denjësisht me rryma, tendenca dhe prirje pseudoshkencore, romantike apo më keq akoma shovinisto-ekspansioniste.

Asgjë nuk mund të pretendohet, aq më pak arrihet me thirrje patetike, dëshira voluntariste, me urdhra apo diletantizma. “Lënda, dija dhe provat bëjnë botën, historinë e vërtetë të saj!”

314588_10150376463975255_306983555254_10445817_748157765_n.jpg




Gjithçka relative

Por, në këtë përpjekje për “njohjen e vetvetes” jo gjithçka arrihet menjëherë dhe përfundimisht. Aq më pak, askush nuk mund të pretendojë se mban në duart e tij aftësitë dhe monopolin e dijeve ekskluzive, kjo edhe për një fakt të thjeshtë, se në sofrën e dijes historia nuk i shtron të gjitha njëherë e përfundimisht. Kjo është dhimbja, por edhe mundi dhe e bukura e enigmës të historisë njerëzore. Ajo zbulon, por edhe “fsheh” vlera pa fund, të cilat ende nuk i njohim, por që me siguri nesër ato do të shfaqen për të ridimensionuar profilet e shumë fushave dhe lëmejve, përpjekjeve, individëve, për të cilat më parë kanë derdhur mundin e tyre mjaft studiues të tjerë. Ata janë përpjekur të ofrojnë dhe sjellin përpara nesh aq sa historia ka zbuluar nga enigmat e saj deri ato kohë.

Sot po zbulohen qytetërime të reja, të pa njohur më parë, popuj, vende dhe kultura të çuditshme, që kanë jetuar dhe kontribuar dikur, të tjera do të zbulohen në të ardhmen. Historia pasurohet dhe duhet të pasurohet në përshtatje dhe në varësi të këtyre gjetjeve.

E tillë është edhe Historia e vendit tonë e pa gjithëarritur përfundimisht, e parrokur tërësisht, e pa gjetur në tërë fundmet, dimensionin, thellësinë, shtrirjen dhe disiplinat e saj, me gjithë përpjekjet e admirueshme të bëra nga breza të tërë, të shuar apo ende gjallë në këtë botë. Secili është përpjekur të qëmtojë, të gjejë, të hulumtojë, të analizojë, të deduktojë dhe të sjellë tek ne pjesëza apo pjesë, me pak apo me shumë vlera, që të gjitha së bashku kanë shtuar dhe shtojnë për të plotësuar sa më shumë – të tërën – dimensionin e vetnjohjes tonë. Të tillë qenë së pari rilindasit tanë, brezi i Frashërllinjve, mandej gjenerata tjetër e اabejt, Budës, Xhuvanit, Frashërit, Kostallarit, Pollos apo më pas akoma Putos, Omarit, etj.

Sistemet e së drejtës fytyra e natyrës qeverisëse

E njëjta gjë ka ndodhur dhe duhet të ndodhë me përpjekjet për njohjen dhe identifikimin e Historisë të së Drejtës në vendin tonë.

Sistemet dhe korpuset e ligjeve që kanë dominuar nga një kohë në tjetrën vendet dhe popujt, kanë qënë dhe mbeten treguesit ashtorë të vetë natyrës politike, ekonomike dhe morale të një qeverisjeje. Të bësh historinë e një populli do të duhej me patjetër të njihje mirë sistemet e së drejtës që kanë dominiar dhe administruar atë. Nëse do të mungonte ky orientim është vështirë të reflektosh saktësisht dhe të ndërtosh historinë e vërtetë dhe shkencore të tij thellësisht dhe në mënyrë racionale.

Sistemet e së drejtës, të ligjeve që janë hartuar dhe kanë administruar jetën e një populli, janë burimi fondamental për të gjetur, zbuluar dhe përcaktuar:

- llojin e sistemit politik që ka dominuar një popull dhe një vend në një kohë të caktuar; për të interpretuar lëvizje, ngjarje apo fakte të caktuara politike;

- autoritetin dhe pushtetin absolute, të pakufizuar apo atë të kontrolluar dhe limituar,

- të drejtat e ligjëruara të mbrojtura apo ato të mohuara, të kufizuara, shkelura apo nëpërkëmbura të qytetarit;

- të drejtat, detyrimet apo shtrëngesat ekonomike, taksat, tatimet, etj;

- normat e së drejtës penale lloji dhe sanksionet e tyre, që përcaktojnë tolerancën apo intolerancën humane, në thelb natyrën dhe karakterin vetë shtetit.

- normat e së drejtës publike që përcaktojnë dhe pasqyrojnë organizimin dhe shkallën e qytetërimit të një shoqërie civile apo klanore, dhe shumë të tjera.

---------- Post added at 13:52 ---------- Previous post was at 13:49 ----------

Historia e sistemeve të së drejtës shqiptare

Për këto dhe shumë arsye të tjera, në radhën e disiplinave që formatojnë Historinë e vendit tone, një vend padyshim të rëndësishëm zë dhe duhet të zërë edhe – Historia e së Drejtës shqiptare, subjekt ky, i cili ka vlera shumëplanëshe.

Për tekstin e fundit të kësaj Historie është punuar me përkushtim, me një ndjenjë përgjegjësie dhe sinqeriteti shkencor nga një grup autorësh, emra të njohur dhe të nderuar, të fushave të së drejtës dhe historisë si A. Puto, K. Krisafi, Z. Ballanca. A. Luarasi, I. Elezi, G. Gjika, e shumë të tjerë.

Por, nga koha e fundme e përpunimit dhe botimit të këtij teksti kanë kaluar vite dhe prej asaj kohe e gjer më tani në fondin e pasurive që formojnë “biografinë shqiptare” janë shtuar dhe po shtohen dokumente dhe materiale autentike arkivore të panjohura më parë. Shumë prej tyre mbështesin lëndën e deritanishme të Historisë, por ka mjaft dokumente të tjera me vlerë të veçantë dhe krejt të panjohura që shtojnë, pasurojnë por edhe kundërshtojnë çështje të caktuara, të njohura dhe pohuara gjer më sot. Përballë tyre askush nuk mund të qëndrojë indiferent, në të kundërt është në nderin dhe në fatin tonë që të reflektojmë mbi këto gjetje, vlera dhe pasuri që “begatojnë” Historinë tonë.



Gjetje me vlera të pallogaritshme rreth historisë së drejtës shqiptare

Nuk është mëkat të mos kesh, përkundrazi mëkat është të kesh dhe të mos e përdorësh lëndën, apo të mos dish ta vësh në përdorim atë. Kur flasim për gjetjet në këtë fushë do të përmendim materialet me vlerë historiko-juridike të publikuara së fundmi apo të tjera ende të panjohura, që do të shpallen së afërmi, të cilat duam apo s’duam duhen marrë urgjent në konsideratë dhe publikuar. Në radhën e këtyre dokumenteme me vlerë do të përmëndim:

“Statuti i Shkodrës”

Gjer në kohën e botimit të fundit të “Historisë së Shtetit dhe të Drejtës në Shqipëri” nuk njihej ende dokumenti i rrallë historiko-juridik, “Statuti i Shkodrës”, për rrjedhim ai nuk gjen pasqyrim në këtë tekst. Por, ky korpus ligjesh ka vepruar dhe administruar ligjërisht “civitanë” e këtij vendi për të paktën dy shekuj (të paktën prej shekullit të XIII gjer në fundin e shekullit të XV) dhe natyrisht ai ka dhe duhet të ketë një vend të caktuar në historinë e së drejtës shqiptare. Ai ka sjellë në këto anë vlera juridike të një bote të civilizuar perëndimore, por vlerat e këtyre prurjeve janë pasuruar edhe nga tradita e botës juridike vendase. Në këtë “Statut” gjejmë konkretisht dispozita autentike që lidhen me Shkodrën por dhe moralin, traditat zakonore vendase të asaj kohe, që nuk gjenden në “Statutet” simotra venedikase e më gjërë.

“Kanoniku i Drishtit”

Para pak kohësh është publikuar “Kanoniku i Drishtit”, një tjetër vepër e panjohur me vlera juridiko-kristiano-historike, me vlera të veçanta dhe autentike në shumë plane dhe lëmej, korpus ligjor i cili ka vepruar për administrimin e popullsisë dhe jetës kristiane, të katedrales së këtij qyteti të rëndësishëm mesjetar shqiptar dhe të zonave përreth, për gati dy shekuj a më shumë(mendohet prej shekullit të XII dhe gjer në fund të shekullit të XV). Por, as ky dokument dhe monument juridik që veproi dhe shtriu influencën juridike të tij për kaq kohë në trevat dhe popullsinë shqiptare të veriut nuk gjen pasqyrim në historinë e së Drejtës Shqiptare.

“Statuti i Durrësit”

Fatkeqësisht, nga ky “Statut” me rëndësi për trojet Arbërore, kanë mbërritur tek ne vetëm një pjesë e dispozitave të tij, jo korpusi i plotë. Pra, dokumenti i dëmtuar është fragmentar. Megjithatë, edhe nga aq sa kemi në duar, përmes neneve të tij mësojmë se ato në lëndën, objektin dhe gjer në sanksionet e parashikuara në dispozita ka afëri në konceptet, objektin, subjektet e trajtuara në dispozitat e “Statutit të Shkodrës”, çka le të nënkuptojë lehtësisht se ato duhet të datojnë afërsisht në të njëjtën periudhë kohore (fundi i shekullit të XIII fillimi i shekullit të XV) dhe të formuluara dhe përshtatura për qytete apo territore me zhvillime të avancuara dhe të përafërta urbane. Të po kësaj kohe dhe përafërsisht me të njëjtën përmbajtje lëndore janë edhe “Statutet” e qyteteve simotra perëndimore sikundër Venediku, Trieste, Ankona, Dubrovniku, etj. Këto dhe shumë argumente të tjera çojnë në përfundimet se këto qytete mesjetare shqiptare janë administruar nga aktet juridike më të avancuara të qytetërimit europian të kohës, të paktën për dy apo tre shekuj. E megjithatë edhe ky dokument nuk gjen pasqyrim në Historinë e së Drejtës.

“Ligji agrar

i Bizantit”

Perandoria Bizantine, – perandoria më jetëgjatë në historinë e shoqërisë njerëzore, përfshiu nën juridiksionin e saj pjesën më të madhe të territoreve të Ilirisë antike dhe më pas tërësisht ato arbërore. Nën këtë perandori, territoret dhe popullsia arbërore iu nënshtrua organizimeve politike, ekonomike, administrative dhe ligjore të diktuara prej këtij autoriteti – bizantin. Pra, për nëntë shekuj mbi këto anë dominoi legjislacioni perandorak.

“Agrotikos Nomos” (“Ligji Agrar”, nga shekulli i VIII gjer në shekullin e XIV) është një nga ligjet fondamentalë ku mbështeti veprimtarinë e tij Perandoria e Bizantit për një kohë shumë të gjatë. Në pamje të parë ai duket se përmban norma që merren me bujqësinë, në fakt ai nuk është i tillë. Ai është një ligj që rregullon tërë veprimtarinë administrative, financiare, fiskale, penale, etj, të territoreve dhe popullsive që përfshiheshin në kufijtë e Bizantit dhe mes tyre edhe ato arbërore. Në të parashikohen ndëshkime ekstreme, barbare, prerje gjymtyrësh dhe gjer ekzekutime fatale. Ai është një pasqyrë e vërtetë e sistemeve mesjetarë të kohës. Në të gjen norma të së drejtës romake, të trashëguara nga ajo kohë, por edhe norma të huazuara prej traditave të popujve që përfshiheshin nën këtë Perandori. Një studim prej specialistëve dhe analistëve i këtij ligji perandorak do të dallonte dhe gjente fare mirë ngjashmëri me normat e Kanuneve tona. Dhe është e natyrshme që “Agrotikos Nomos” të ketë marrë prej traditave juridike vendase por edhe “Kanunet” të kenë marrë prej tij, përderisa bashkëjetesa ka qënë e gjatë, gati nëntë shekullore.

Por, edhe ky Ligj, i cili tashmë është përkthyer në gjuhën tonë, që ka administruar territoret dhe popullsine arbërore kaq gjatë, nuk gjen pasqyrim të plotë në Historinë e së Drejtës.

“KANUNNAMEJA”, ligji osman 5-shekullor mbi trojet shqiptare

“Kanunnameja e Përgjithëshme” – “Ligji themelor i Përgjithshëm, ai Organizativ, i Hierarkisë, etj”; Kanunametë e Sanxhaqeve dhe Vilajeteve të – Shkodrës, Vlorës, Ohrit, Prizrenit, Vuçiternës, Korçës, Gjirokastrës, etj., janë një korpus i tërë ligjesh që i kanë munguar dhe vazhdojnë t’i mungojnë fondit të dokumentacionit juridik, që përbën dhe plotëson Historinë e së Drejtës shqiptare për shekujt e mesjetës.

I tërë ky dokumentacion, me vlera të pallogaritshme juridiko-historike, do të plotësojë një boshllëk kohor të Historisë të së Drejtës, por do të sqarojë gjithashtu shumë çështje dhe të panjohura rreth sistemit të së drejtës osmane të aplikuar në teritoret arbërore, të sitemit fiskal, ndëshkimit penal, të drejtës tregëtare, sistemit dhe hierarkisë administrative osmane të aplikuara përgjatë një harku kohor gati pesë shekullor (nga shekulli i XV gjer fillimet e shekullit të XX). Ai ofron gjithashtu informacione me vlera të pakontestueshme për shumë çështje të debatueshme gjer më tani, si probleme demografike, etnike, ekonomike, etj.

Studiuesi pasionant dhe i palodhur, Prof. As. Dr. Dritan Egro, i cili ka përktyer në shqip gjithë këtë material voluminoz, ka bërë dhe vazhdon të bëjë një punë të rrallë dhe të admirueshme shkencore. Me këtë prurje jo vetëm që do të marrin përgjigje mjaft të panjohura apo dilema, por do të mbushet një boshllëk pesë shekullor rreth sistemit të drejtës osmane dhe ligjeve perandorake të aplikuar në territoret tona. Do të sqarohen dhe interpretohen saktësisht se ku e kanë pasur bazën ligjore shumë akte të shkëputura dhe sporadike tregtare, shitblerjeje, taksash, tatimesh, shumë vendime ndëshkimi penal apo administrativ, sanksione apo ristriksione ekonomike e finanaciare. etj. Ky dokument i rrallë, i cili pret dritën e botimit së afërmi, prej Prof. As. Dr. Dritan Egro, me siguri që do të jetë objekt studimesh, analizash dhe vlerësimesh të shumta nga studiues të historisë, por sigurisht edhe nga komuniteti i juristëve. Megjithatë, për të do të kemi rastin të flasim më hollësisht një herë tjetër.

“Zakoniku i

Stefan Dushanit”

Ekspansioni serb i Car Stefan Dushanit i mesit të shekullit të XIV, i cili u shtri pothuaj në të gjitha trojet e Ballkanit qendror dhe jugor, Arbëri, Greqi, Bullgari, Maqedoni, dominoi këto anë për gati gjysëm shekulli. Despotët serbë, për të konsoliduar pushtimet dhe hegjemoninë e tyre, hartuan dhe aplikuan një ligj që njihet me emrin “Zakoniku i Stefan Dushanit”, të cilin e imponuan dhe ushtruan edhe ndër territoret e vendit tonë, Kosovë, Mal të Zi, Shkodër dhe deri në Janinë e më tej.

Megjithse dominanca e tyre u shtri për një kohe relativisht të shkurtër, rreth gjysëm shekulli, për hir të respektit dhe korrektësisë shkencore edhe ky dokument dhe efektet e veprimtarisë së tij duhet të gjejnë pasqyrim në Historinë e së Drejtës tonë, gjer tani të munguar në të.

“Arkivi i Ali Pashës”

اuditërisht, në radhën e “Kanunnameve” osmane të Sanxhaqeve dhe Vilajeteve, të gjetura dhe në procesin e përpunimit të tyre, rezulton që Janina të mos ketë patur një të tillë, sikundër ka patur Shkodra, Vlora, Prizreni, Gjirokastra, apo qytetet e tjera shqiptare! Por, kjo nuk do të thotë se ky territor nuk u është nënshtrua dhe nuk u administrua nga ligje.

Dhe pikërisht, atë që nuk e gjejmë në radhën e Ligjeve të përgjithëshme “Kanunnameve” osmane, duket se na e ofron një korpus i jashtëzakonshëm dokumentesh me vlera të veçanta, siç është “Arkivi i Ali Pashës”. Në këtë fond të bollshëm materialesh arkivore gjendet një thesar i tërë aktesh dhe dokumentesh juridike, të panjohura gjer më tani, si “Marrëveshje paqeje dhe bashkëpunimi”- mes krahinave apo krerëve të krahinave në konflikte, “Kontrata qirajeje”- për territore, kullota, “Kontrata huaje”, “Vendime dënimi” – për akte dhe krime të ndryshme, “Projekt Marrëveshje për Aleanca ndërkombëtare”, “Akte ligjore shitblerjeje”, “Sistemi dhe llojet e taksave”, “Urdhra administrativë”, “Vendime mbi dënime penale”, etj.

Të gjitha këto dokumente të marra dhe studiuara së bashku ofrojnë një pasqyrë të Sistemit të së Drejtës dhe të ushtrimit të saj për gati gjysëm shekulli prej pashait Tepelenas, nëpër territoret e pashallëkut më të madh në Ballkan, atij të Janinës. Natyrisht, tërë këto akte ligjore janë ende të panjohura për fondin e Historisë dhe së Drejtës Shqiptare, ndaj gjykojmë që duhet të zënë vendin e merituar në harkun kohor historik dhe territorial shqiptar, ç’ka mungon gjer më sot.

“Kanuni i Bendës” dhe ligjet zakonore si pjesë e trashëgimisë juridike shqiptare

Fatmirësisht, populli ynë trashëgon edhe një numër të madh dhe të pasur dokumentesh ligjorë, të fondit të trashëgimisë zakonore vendase, që padyshim gjejnë pasqyrim në kapitujt e së Drejtës Shqiptare. Por, sigurisht, ka vend që ky thesar i përndritur të reflektojë edhe më tej këtë pasuri juridike.

U nxita të shtoj edhe këto rreshta nisur nga një botim tjetër me vlera, në radhën e botimeve interesante dhe me tharm kombëtar që ka bërë shtëpia botuese “”Ombra GVG”, e cili ka ditur të qëmtojë me ndjesi respekti të veçantë këto thesare të identitetit tonë historik, juridik dhe nacional.

Para pak kohësh pashë një punë të tillë, me vlera shkencore dhe historike, siç është “Kanuni i Bendës”, i cili duhet të rreshtohet krahas botimeve serioze dhe fondit të trashëgimisë tonë juridike. Edhe ky dokument duhet të studiohet nga specialistët dhe të zerë atë vend që i takon brenda fondit të Historisë të së Drejtës Shqiptare.

* * *

Për këto dhe shumë prurje të tjera, që ka ofruar koha, kam parashtruar në mënyrë të natyrshme idenë e riformulimit të nevojshëm të Historisë të së Drejtës Shqiptare me kënaqësinë e madhe se gjetjet dhe prurjet dokumentare dhe arkivore të panjohura gjer me tash, fatmirësisht janë shumë të mëdha dhe si të tilla ato do të pasurojnë së tepërmi këtë disiplinë me rëndësi juridike, historike dhe nacionale dhe do t’i përqasen të vërtetës dhe dimensionit të saj real.

(A.ç)-------mar nga Shqipe,horizonti yt /FB/
 

Konkursi Letërsisë

  • 1-Kur flet shpirti.

    Votat: 6 27.3%
  • 2-Buzëqeshje Maskuar.

    Votat: 12 54.5%
  • 3-Jam femër.

    Votat: 2 9.1%
  • 4-Je ti Nënë.

    Votat: 1 4.5%
  • 5-Ne duart e kohes.

    Votat: 1 4.5%
Back
Top