Operacionet plastike
Koha në të cilën jetojmë na shtyn që të përballemi me një dinamikë të risive, që bartin me vete një numër të madh ndryshimesh në etikë dhe në mënyrën e jetesës. Shumë zbulime që njerëzit i konsideronin si të pamundura, para se të zbuloheshin, sot janë kthyer pjesë e rutinës së përditshme për secilin. Dinamika e ndryshimeve vërehet në të gjitha fushat; shkenca bashkëkohore zhvillohet dhe hedh hapa gjigante. Andaj dhe dilemat para nesh janë të shumta, tejet serioze, të thella dhe kanë nevojë për qasje të matur dhe të përgjegjshme nga lëmi i Jurisprudencës Islame (fikhu). Ndërhyrjet kirurgjikale, që njihen me termin “Operacione plastike” apo “Kirurgji plastike” është një fushë e mjekësisë që sot është duke arritur një zhvillim të paparashikueshëm. Prandaj, në këtë shkrim do të rrahim të përcjellim disa njohuri të përgjithshme rreth kësaj fushe dhe qëndrimin që duhet të mbajë myslimani në lidhje me aplikimin e tyre në rast nevoje apo edhe gjatë jetës së përditshme.
اfarë nënkuptojmë me operacione plastike?
Me operacione plastike nënkuptojmë ndërhyrjet kirurgjike përmes të cilave bëhet rregullimi i defekteve të lëkurës dhe të pjesëve të trupit, apo të funksioneve të tyre, qofshin të meta të lindura apo të shkaktuara më vonë në rrethana të ndryshme, siç mund të jenë dëmtimet e marra në një aksident automobilistik, në një rast fatkeqësie me lëndë shpërthyese (zjarr, gaz etj.). Realizimi i operacioneve plastike mund të jetë edhe për qëllime estetike, e thënë me fjalë të tjera, mund të priren nga synimi për të zbukuruar pjesë të caktuara të trupit. Dega kozmetike e operacioneve plastike është e lidhur me zbukurimin e organeve të trupit, e cila bëhet kryesisht në sipërfaqen e lëkurës, ose në dukjen e ndonjë organi të trupit. Shembuj të këtyre ndërhyrjeve janë edhe operacionet në lëkurën e fytyrës, rregullimet e hundës (rinoplastikë), ndërhyrjet kirurgjikale në vesh (otoplastikë), largimi i rrudhave nga pjesa e syve (blefaroplastikë), ndërhyrjet në gjoks (mastoplastikë) etj.
Ndarja e operacioneve plastike
Nga ajo që u përmend më lart mund të themi se kemi lloje të shumta të ndërhyrjeve kirurgjikale, por që, në formë të përgjithësuar, klasifikohen në dy kategori: Operacionet plastike të domosdoshme dhe estetizuese.
1. Operacionet plastike të domosdoshme
Janë ato ndërhyrje që kanë për qëllim largimin e të metave, qofshin defekte, dëmtime apo deformime të ndryshme trupore. Në këto raste, ndërhyrja kirurgjikale mund të jetë e domosdoshme, e lidhur me shëndetin e pacientit, me fjalë të tjera, kërkohet nga mjeku të kryejë operacionin për shkak të shërimit të pacientit. Mirëpo, në disa raste tjera, ndërhyrja mund të mos jetë e domosdoshme, dhe se operimi bëhet për të mënjanuar disa dëmtime që nuk cenojnë shëndetin e pacientit edhe nëse lihen ashtu.
a. Të metat apo dëmtimet që shërohen me operacione plastike të domosdoshme janë dy lloje:
Lloji i parë: Deformimet ose defektet që janë shkaktuar jo nga rrethanat e jashtme, por të metat me të cilat lind njeriu dhe ato të meta që shkaktohen për shkak të sëmundjeve të ndryshme me të cilat goditet njeriu gjatë jetës. Me fjalë tjera kjo ndërhyrje mund të bëhet për dy raste: - Të metat e lindura të njeriut, si p.sh: lindja me gishtërinj të ngjitur ose me gjashtë gishtërinj në duar dhe këmbë, lindja me nofull të lartë të çarë etj. - Të metat që shkaktohen nga sëmundjet dhe infeksionet e ndryshme me të cilat goditet njeriu, si p.sh: Tumoret e ndryshme, që shkaktojnë rënien e mishit nga pjesët e trupit, defektet që i shkakton sëmundja e tuberkulozit dhe lebrës (sëmundje e rëndë ngjitëse, që shfaqet në lëkurë me puçrra e me leskra dhe që dalëngadalë e kalb mishin dhe bën që të bjerë) dhe infeksionet e ndryshme.
Lloji i dytë: Të metat që janë fituar aksidentalisht nga rrethanat e jashtme gjatë ndeshjeve, zjarreve apo rasteve tjera. Si p.sh.: Deformimet që shkaktohen në fytyrë nga ndeshjet në komunikacion, djegia e lëkurës nga zjarri, gjymtimet që shkaktohen nga aksidentet e ndryshme dhe bëhet e nevojshme ndërhyrja plastike etj.
b.Dispozita sheriatike rreth operacioneve plastike të domosdoshme
Gjatë rasteve kur të metat dhe deformimet janë të dukshme, pa marrë parasysh nëse janë shkaktuar nga rrethanat e brendshme apo të jashtme, atëherë ndërhyrja kirurgjikale është e lejuar. Arsyeja se përse në këto raste lejohet ndërhyrja kirurgjikale lidhet me sa parashtruam më sipër për të meta dhe deformime që nuk janë normale dhe evitimi i këtyre të metave nënkupton edhe shërimin e pacientit. Këto të meta janë të dëmshme për personin, për aq sa ndikojnë qoftë konkretisht, qoftë edhe shpirtërisht, prandaj lejimi i kirurgjisë plastike për këta persona është i lejuar, madje, në shumë raste është edhe i domosdoshëm, nëse ka të bëjë me rrezikimin e shëndetit, sikurse rastet e djegies etj. Një sehabi që quhet Usame b. Sherik tregon se me një rast disa njerëz e pyetën Muhamedin, salAllahu alejhi ue selem: “O i Dërguar i Allahut, a të shërohemi kur të sëmuremi? Ai u përgjigj: “Po, robër të Allahut, kërkoni shërim.” E më pas shtoi: “Allahu nuk ka dërguar asnjë sëmundje të pashërueshme.” (Shënon Tirmidhiu dhe thotë se hadithi është hasen sahih). Ebu Davudi tregon në sunenin e tij se njëri nga sahabët, gjatë një beteje humbi hundën dhe Muhamedi, salAllahu alejhi ve selem, e lejoi ta zëvendësojë me një hundë ari. Ky hadith është argument i qartë në lejimin e operacioneve plastike në rastet e pësimit të aksidenteve të ndryshme.
2. Operacione plastike estetizuese
Janë ato ndërhyrje kirurgjikale me të cilat zbukurojmë dukjen e pjesëve të caktuara të trupit. اka do të thotë se këto operacione nuk kanë për qëllim mënjanimin e ndonjë të mete apo defekti në trup, por janë me qëllim të përmirësimit të dukjes, shtimit të bukurisë, estetikës dhe perfeksionit të trupit.
a. Llojet e operacioneve plastike estetizuese
Edhe operacionet plastike estetizuese janë dy llojesh:
Lloji i parë: Ndërhyrjet në ndryshimin e formës së pjesëve të caktuara të trupit në të gjitha moshat, si: zbukurimi i hundës duke e zvogëluar apo ndryshuar formën; zbukurimi i nofullës së poshtme, duke e zvogëluar ashtin apo zmadhuar me vënien e mjekrës artificiale; zbukurimi i gjoksit te femrat, qoftë me ndryshimin e formës së tyre, duke vënë në brendësi silikon, ose me rritjen e tyre me disa lloje të injeksioneve; zbukurimi i veshëve, duke i kthyer ato mbrapa nëse janë të daltë; zbukurimi i barkut duke tërhequr lëkurën dhe duke mënjanuar një pjesë të saj etj.
Lloji i dytë: Ndërhyrjet te personat më të moshuar me qëllim të largimit të shenjave të plakjes, si: mënjanimi i rrudhave në fytyrë duke bërë tërheqjen e lëkurës; ngritja e vetullave, pasi gjatë viteve ato bien poshtë; zbukurimi i pjesës së prapme të trupit, duke mënjanuar dhjamin; zbukurimi i duarve, duke bërë tërheqjen e rrudhave që janë të pranishme te të moshuarit, etj.
Rreziqet gjatë kryerjes së këtyre operacioneve
Para se të sqarojmë qëndrimin e Islamit rreth këtyre llojeve të operacioneve, është e nevojshme të bëjmë disa sqarime të rëndësishme, çka na ndih ta kuptojmë më mirë dispozitën sheriatike përkatëse në lidhje me këto praktika mjaft të përhapura në kohët tona.
Përdorimi i kirurgjisë plastike në zbukurimin e pamjes së organeve të ndryshme të trupit përbën një dukuri mjaft të përhapur te njerëzit, madje, te një pjesë e madhe është bërë edhe mani. ثshtë i rrallë rasti të dëgjojmë për ndonjë artist e këngëtar të njohur që nuk i është nënshtruar operacionit plastik për të zbukuruar ndonjë pjesë të trupit. Vetëm në vitin 2004, në Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë bërë 11.9 milionë operacione kozmetike.
Obsesioni për një trup më perfekt i detyron shumë njerëz që t‘i hyjnë jo pak rreziqeve, të cilat mund të përfundojnë edhe me vdekje. Edhe pse në revistat shkencore nuk publikojnë shumë studime rreth kundër indikacioneve dhe rreziqeve gjatë operacioneve plastike kozmetike, le të marrim si shembull ndërhyrjen në “liposuction” (ndërhyrja plastike në pjesën e prapme të njeriut). Në një studim të një grupi hulumtuesish të një universiteti amerikan në lidhje me operacionet plastike thuhet se në 5 mijë ndërhyrje të praktikuara në “liposuction” nga kirurgë plastikë të specializuar, një rast përfundon me vdekjeje. Nëse ky fakt është i vërtetë, në Spanjë vetëm në vitin 2003 janë bërë 60 mijë ndërhyrje “liposuction”, çka do të thotë që çdo muaj kemi një rast vdekjeje vetëm për ndërhyrjen e “liposuction”.
Dështimi dhe përsëritja e këtyre operacioneve është shumë e shpeshtë. “Revista Britanike e Operacionit Plastik” (British Journal of Plactic Surgery), në vitin 1995 vinte në dukje se 37,6% e femrave të operuara një herë në mastoplastikë (kirurgjia e gjirit) duhej të operoheshin sërish. Kjo është kështu për shkak se indet në kontakt me protezat reagojnë duke formuar një kapsulë indesh fibroze, që me kalimin e kohës tkurren duke deformuar gjoksin, i cili bëhet asimetrik, pra, një femër ka gjinj të përmasave të ndryshme. Këto raste u përkasin operacioneve të dështuara. Në një shtet të Evropës Perëndimore, mesatarisht gjatë një viti kryhen operacione gjiri gjatë të cilave vendosen 25 mijë proteza për të mbushur gjoksin. Sipas një kirurgu, në 50 operacione të bëra, 38 janë persona të operuar më parë (keq) nga kirurgë të tjerë.
Kirurgjia plastike nuk të lejon të kryesh ndërhyrje nën moshën 18 vjeç. Kjo vjen për faktin se defektet e korrigjuara mund të përsëriten, pasi kockat deri në këtë moshë kanë predispozitën më të madhe për t’u rritur. Sipas doktorit, ka shumë raste kur adoleshentët kanë probleme të dallueshme të hundës, por nuk mund të kryejmë kurrsesi ndërhyrje. ثshtë shumë e rëndësishme që kockat të rriten në mënyrë normale.
Duke i pasur parasysh rreziqet e mundshme dhe kundër indikacionet që mund të shkaktohen, ekspertët e kësaj fushe u sugjerojnë atyre që kanë vendosur pa nevojë që, para se t‘i nënshtrohen briskut të kirurgut, të kontaktojnë me shoqatën e kirurgëve për operacionet plastike (pothuajse në çdo vend të zhvilluar gjendet një e tillë). Këshilla e vlefshme që japin vetë mjekët është: “Kirurgjia plastike mund t’ju bëjë të ndiheni bukur për pak kohë, por mos rrezikoni jetën tuaj për një aventurë të momentit”.
c. Dispozita sheriatike rreth operacioneve plastike estetizuese
Allahu i Lartësuar e krijoi njeriu në formën më të përsosur, në Kur’an thuhet: “Allahu është Ai që ua bëri tokën vendbanim e qiellin kulm, dhe ju formësoi, e formën tuaj e bëri më të mirë dhe ju pajisi me të mira. Ky është Allahu, Zoti juaj, i lartë, pra është Allahu, Zot i botëve!” (Gafir, 64)
Zbukurimi dhe dukja e mirë në Islam konsiderohet nga gjërat e lejuara dhe të preferuara. Për këtë kemi argumente të shumta; ndër to urdhri i Allahut të Lartësuar që të dukemi mirë gjatë shkuarjes në xhami, thënia e Muhamedit salAllahu alejhi ve selem: “Vërtet Allahu është i bukur dhe e do të bukurën”, pastaj përdorimi i parfumit dhe erërave të mira etj.
Mirëpo çdo gjë ka kufirin e vet dhe, sikurse në thelb është e lejuar të ushqehemi, pastaj ndalohemi që të ushqehemi me gjëra të dëmshme për organizmin tonë (si mishi i derrit dhe alkooli), ashtu kemi edhe kufij me mënyrën dhe gjërat të cilat lejohet të zbukurohemi.
Ndërhyrjet kirurgjike për të perfeksionuar dukjen e pjesëve të trupit nuk janë të domosdoshme dhe as të nevojshme, por qëllimi është ndryshimi i dukjes që e ka krijuar Allahu i Lartësuar, duke luajtur kot sipas pasioneve dhe epsheve të njerëzve. Me këto operacione rrezikohet jeta dhe shëndeti i individëve të shëndoshë, meshkuj, femra dhe tani gjithnjë e më shpesh edhe të mitur. Për këtë ky veprim është i ndaluar. Ndërsa në rastin e lejimit kemi etikën dhe shëndetin, në rastin e dytë kemi trallisje të momentit.
Argumentet që ndalojnë aplikimin e kirurgjisë plastike estetizuese janë:
Argumenti i parë: Allahu i Lartësuar tregon se si shejtani do të tentojë t’i devijojë njerëzit me mënyra të shumta, ndër to: “...do t’i urdhëroj dhe ata do të ndryshojnë (shëmtojnë) krijesat e Allahut. E kush bën mik djallin, e jo Allahun, ai ka dështuar sheshazi.” (Nisa, 119) Nga ky ajet kuptojmë se nga gjërat me të cilat shejtani do t’i nxisë njerëzit të mëkatojnë dhe ta pasojnë atë është ndryshimi i pamjes së krijesave të Allahut. Kirurgjia plastike bën pjesë në veprime me të cilat bëhet ndryshimi i pamjes së njerëzve. Ndërhyrja në raste të mënjanimit të të metave dhe defekteve a konsiderohet ndryshim i krijesës së Allahut? Ndërhyrjet kirurgjikale, si mënjanimi i gishtit të gjashtë nga duart dhe këmbët apo për shkak të mënjanimit të të metave dhe defekteve të ndryshme në trup nuk konsiderohet ndryshim i krijesës së Allahut, pasi kjo e metë në trup është e dëmshme sikurse sëmundja dhe ndërhyrja bëhet për të mënjanuar këtë defekt, e në qoftë me këtë rast ndodh zbukurimi dhe përmirësimi i dukjes, atëherë kjo nuk është esenciale. Kjo vlen edhe në rastet e shërimit të lëkurës së djegur, nëse bëhet me operacion plastik dhe me këtë largohen shenjat e dëmtimeve ose bëhet dukja e mirë dhe zbukurohet atëherë ky zbukurim është i lejuar. Imam Neveviu thotë: “Për sa i përket thënies së Muhamedit, salAllahu alejhi ue selem: “...ato që zbukurojnë dhëmbët që t’u duken më të bukur...” fjala është për syresh që e bëjnë këtë për t’u zbukuruar. Nga kjo kuptojmë se e ndaluar është nëse bëhet për estetizëm, ndërkohë që, nëse rregullimi (i dhëmbëve) është i nevojshëm për shkak të defektit në dhëmbë apo diçka të ngjashme, atëherë kjo është e lejuar”.
Argumenti i dytë: Buhariu dhe Muslimi shënojnë një hadith në të cilin Abdullah b. Mesudi thotë: “E kam dëgjuar të Dërguarin, salAllahu alejhi ue selem, duke e mallkuar atë që bënë tatuazh, heqësen e qimeve, si dhe ato që zbukurojnë dhëmbët që t’u duken më të bukur dhe ndryshojnë pamjen e krijesave të Allahut”. Në hadith është bashkuar në mes të dukjes së bukur dhe ndryshimit të pamjes dhe këto dy gjëra janë evidente gjatë kirurgjisë plastike për qëllime estetizmi.
Argumenti i tretë: Në shumicën e rasteve këto ndërhyrje përmbajnë mashtrim dhe tradhti, sikurse rikthimi i pamjes së rinuar te të moshuarit. Mashtrimi dhe gënjeshtra është e ndaluar në Islam dhe kjo mund të përdoret në raste të martesave, ku partneri mund të mashtrohet me pamjen e jashtme të personit me të cilin mund të lidhë martesë, duke fshehur moshën e saktë.
Argumenti i katërt: Gjatë kryerjes së operacionit, njeriu i nënshtrohet disa ndalesave dhe harameve, si: përzierja me burra, respektivisht me gra të huaja, humbja e vetëdijes me anestezi, pasi anestezia është e lejuar vetëm kur është e nevojshme dhe, në këtë rast, ndërhyrja është e panevojshme, prandaj edhe shkelja e këtyre ndalesave me qëllime që i shkojnë pas pasioneve dhe epsheve të njeriut është e ndaluar.
Argumenti i pestë: Kryerja e këtyre operimeve mund të shkaktojë rreziqe të ndryshme, përmasat e të cilave mund të sjellin deri edhe vdekje. Më lart pamë rreziqet e mundshme që u nënshtrohet njeriu në mënyrë të panevojshme gjatë operacioneve të kirurgjisë plastike për arsye estetizmi.
Rezyme e temës
Duke qenë se në këtë temë trajtuam dhe sqaruam disa problematika nevralgjike për kohën në të cilën jetojmë, për të qenë më e kapshme për lexuesin, në përfundim po sjellim thelbin e çështjeve, duke përmendur dispozitën përkatëse në lidhje me të:
Operacionet plastike klasifikohen në dy kategori:
1. Operacione plastike me qëllim mënjanimin e të metave të lindura të njeriut apo të dëmtimeve që mund të jenë shkaktuar nga aksidentet dhe sëmundjet gjatë jetës. Ky lloj është i lejuar dhe në të nuk ka asnjë pengesë. Argument për këtë kemi rastin kur Resulullahu, salallahu alejhi ue selem, i lejoi një sahabi që e kishte humbur hundën në luftë ta zëvendësojë atë me hundë ari. (Shënojnë: Ebu Davudi, Nesaiu, Ahmedi, Tirmidhiu).
2. Operacion plastik me qëllim të shtimit të zbukurimit dhe estetikës, pra nuk është për të mënjanuar të metat, por për të shtuar bukurinë edhe më shumë, si: ndërhyrja me operacion në fytyrë me qëllim të zbukurimit, bërja operacion e gjoksit për të shtuar estetikën, ndryshimin e ngjyrës së lëkurës etj.
Ky lloj është i ndaluar, pasi Profeti, bekimi dhe paqja qofshin mbi të, i ka mallkuar ato që shkulin vetullat, vendosin në flokë të tyre flokë artificialë (si paruke) dhe ato që bëjnë në trupin e tyre tatuazhe (tatu). (Shënon Muslimi).
Ky lloj i zbukurimit është luks dhe në të nuk ka mënjanim të të metës, prandaj edhe është e ndaluar.
Allahu e di më së miri.
Referencat:
(1) “Ahkamul Xhiraheti Tibije”, dr. Muhamed Muhtar Shinkiti.
(2) “اështje Juridike Bashkëkohore Islame”, Universiteti “El-Az‘har”.
(3) “Ed-devabit esh-Sherije lil Amelijat et- Texhmilije”, dr.Hani Abdullah Xhebër.
(4) “Ed-devabit esh-Sherije li Amelijat Tahsin el Kavam” dr. Abdulaziz Fevzan.
(5) “Xhirahat et- Texhmil”, Fajize Turabije.