Pastaj, një pasanik tha: Folna për Dhurimin.
Dhe ai foli, e tha:
Pak jeni duke dhënë, në qoftë se nga pasjet tuaja jepni.
Kur veten tuaj jepni, atëherë po, jepni me të vërtetë.
Ç’janë pasjet tuaja, përveçse sende që i mbani dhe i ruani, nga frika se nesër mund t’ju nevojiten?
Po nesër, çka do t’i sjellë e nesërmja qenit të kujdesshëm që kockën nën dhé mbulon, ndërsa pas pelegrinëve shkon për në qytetin e shenjtë?
Dhe çka është frika për nevojën, në mos vetë nevoja?
Dhe frika nga etja, kur plot e ke pusin, a nuk është një etje që kurrë s’mund të shuhet?
Ata që japin vetëm pak nga e shumta që kanë, sa për sy e faqe japin, me dëshirën për t’u dukur dhe kjo dëshirë e fshehtë dhuratën e tyre e prish.
Janë ata që pak kanë dhe të gjithën e japin.Këta janë besimtarët e jetës dhe bujarisë së saj dhe kurrë e zbrazët s’mbetet kuleta e tyre.
Janë ata që me gëzim japin dhe ky gëzim shpërblim është për ta.
Janë ata që me dhembje japin dhe kjo dhembje pagëzimi i tyre është.Janë ata që japin e dhembje s’njohin kur dhurojnë, as gëzim ndiejnë dhe as dhurojnë me maturinë e virtytit;Ata falin ashtu si lulet në lëndinë, që në ajër erëmirin e tyre lëshojnë.Nga duart e tyre Zoti është që flet, prej syve të tyre Ai tokës i buzëqesh.
Mirë është të dhurosh kur të kërkojnë; por edhe më mirë është të kuptosh që duhet dhënë edhe pa të kërkuar;
Për dorëhapurin kërkesa e të varfrit është një gëzim edhe më i madh sesa të dhënët.
Përse të mos jepni?Do të jepni gjithë ç’keni një ditë;Prandaj, jepni tani, që stina e të dhënit të jetë juaja dhe jo e trashëgimtarëve tuaj.
Ju shpesh thoni: “Do të jepja edhe unë, por vetëm atyre që e meritojnë”. Pemët në kopshtin tuaj nuk thonë kështu, as kopeja në kullotën tuaj. Ato japin që të mund të jetojnë, sepse po të mbanin, fundi i tyre do të ishte.Dijeni, ai që është i denjë të marrë ditët e netët e tij, është i denjë të marrë edhe prej jush. Dhe ai që prej oqeanit të jetës meriton të pijë, meriton ta mbushë kupën e tij nga rrëkeja juaj e vockël.
A ka më të madhe shkretëtirë, se ajo ku më kot pret mirëbesimi dhe guximi, a ndoshta dhe mëshira e të marrit? Po ti, cili je, që njerëzit të të hapin zemrën dhe krenarinë e vet, që ti lakuriq të shohësh vlerën e tyre dhe krenarinë e cenuar?
Kujdesu që ti vetë ta meritosh të jesh dhurues, e një mjet dhënieje.
Sepse në të vërtetë, është jeta që i jep jetës, ndërsa ti, që veten për dhurues e mban, nuk je veçse dëshmitar.
Edhe ju që merrni, ju të gjithë merrni, mos lini mirënjohjen t’ju shtypë, e cila zgjedh të mos jetë si për ju, si për atë që jep.
Sepse, në të rëndon shumë borxhi, mendoj se dyshon në bujarinë e atij që jep.
Më mirë, mbi dhuratat lartësohuni si mbi flatra, bashkë me dhuruesin.
Edhe ju anetare tani, pasi lexuat Gibranin mbi dhurimin: Folna dicka se c'eshte per ju kjo gje?