Dhjetë mistere antike ende të pazgjidhura.
Historia e lashtë është e mbushur me mistere të pazgjidhura, disa prej të cilave, nga vend-varrimet tek qytetet e fundosura, kanë ndikuar shumë tek imagjinata e publikut për shekuj me radhë. Ja cilët janë 10 prej tyre:
1. Vijat Nazca
Afro 2000 vjet më parë, një qytetërim para-inkas gdhendi një sërë vizatimesh gjigante në rrafshnaltën e thatë të Perusë. Të njohur si Vijat Nazca, këto gjeoglife mbetën të panjohura derisa avionët filluan të fluturonin mbi zonë në vitet 1930. Deri më sot, janë zbuluar mbi 1000 modele. Shumica janë vija të drejta, që shtrihen deri në 48 km, ose forma gjeometrike, nga trapezoidët tek spirale.
Ndërkohë të tjerat paraqesin kafshë dhe bimë, përfshirë një merimangë, një koliber, një majmun, një balenë, një gjarpër me dy koka, një qen dhe një figurë humanoide me nofkën “Astronauti”. Në vitin 2022, u zbuluan 168 gjeoglife, por studiuesit nuk e kuptojnë ende qëllimin e tyre. Një hipotezë i lidh ato me ritualet e ujit, megjithëse ka shumë supozime.
2. Thonis-Heracleion
Një qytet port egjiptian në Detin Mesdhe, Thonis-Heracleion shërbeu si një qendër kryesore tregtare përpara themelimit të Aleksandrisë aty pranë rreth vitit 331 Para Erës Sonë. Heroi i mitologjisë Herakliu (Herkuli) dhe Helena e Trojës supozohet se kaluan disa kohë atje. Megjithatë, rreth shekullit II Para Krishtit, qendra e qytetit u shemb për shkak të lëngëzimit të tokës, ndoshta e shkaktuar nga tërmetet, cunami ose përmbytjet.
Në fund i gjithë Thonis-Heracleion u fundos nën ujë, ku mbeti i humbur derisa u ri-zbulua në fillim të viteve 2000 nga arkeologët detarë. Statuja të mëdha, sarkofagë kafshësh, rrënoja tempujsh, copat e qeramikës, bizhu, monedhat, madje edhe shporta me fruta 2400-vjeçare janë nxjerrë nga dallgët, duke hedhur kështu një dritë të re mbi këtë Atlantidë reale.
3. Rrafshnalta e Kavanozëve
Mijëra kavanoza prej guri të Epokës së Hekurit, disa afro 3 metra të lartë dhe që peshojnë disa ton, mbulojnë peizazhin malor të Laosit verior. Të gdhendura kryesisht nga gurë ranorë dhe të gjetur në grupe që variojnë nga vetëm 1 deri në 400, legjenda thotë se gjigantët i përdornin ato si gota vere.
Por shumë arkeologë besojnë se ato shërbyen si krematoriume për djegien e trupave të të vdekurve. Por ka ende shumë gjëra të panjohura për qëllimin e tyre, mbi mënyrën se si u zhvendosën deri atje dhe për qytetërimin që i prodhoi ato. Studimet e fundit kanë zbuluar se disa prej kavanozëve prej guri datojnë që në vitin 1240 Para Krishtit, pra shumë më të vjetra se skeletet njerëzore të varrosura aty pranë. Problemi është se shumë prej kavanozëve gjenden në fushat e municioneve të pashpërthyera, mbetjet Luftës së Vietnamit, ndaj nuk mund të studiohen në mënyrë të sigurt.
4. Gjiri Guanabara
Duke vepruar sipas një informacioni të marrë nga vendasit, eksploruesi i anijeve të mbytura, Robert Marx, pretendoi në vitin 1982 se kishte zbuluar një numër vazosh romake me dy doreza, të njohura si amfora, në Gjirin Guanabara të Brazilit. Sipas tij, amforat siguruan prova se romakët ishin evropianët e parë që zbarkuar në Brazil, ose 1 mijë vite më herët se portugezët.
Megjithatë, ai nuk ishte në gjendje ta eksploronte plotësisht vendin, pasi qeveria braziliane e ndaloi për shkak të një plaçkitje të dyshuar të sitit. Marx akuzoi Marinën e Brazilit për hedhjen e sedimenteve mbi amfora në mënyrë që të pengohej rishkrimi i historisë. Deri më sot, një prani romake në brigjet e Brazilit mbetet ende e paprovuar.
5. Paracas Candelabra
Në veriperëndim të Vijave Nazca, të gdhendura në një kodër me pamje nga Gjiri Pisko në Peru, shtrihet Candelabra Paracas, një tjetër gjeoglif masiv me një shtrirje prej rreth 183 metrash nga lart poshtë. Ndonëse qeramika e gjetur në vend daton rreth vitit 200 Para Krishtit, askush nuk e di moshën e vetë figurës në formën e një shandani. Edhe arsyeja e saj e ekzistencës mbetet po aq e paqartë. Një teori thotë se ai shërbeu si një mjet orientimi për marinarët, ndërsa një tjetër pretendon se përshkruante treshen e Zotit krijues.
6. Sacsayhuamán
Diku tjetër në Peru, në periferi të Cuzco, ndodhen mbetjet e kështjellës Sacsayhuamán, e cila u ndërtua me kujdes nga inkasit në vitet 1400. Ashtu si në Machu Pichu, punëtorët inkas lëvizën gurë të mëdhenj – disa prej të cilëve peshonin 125 tonë ose më shumë – përpara se muratorët t’i prisnin në copa më të vogla, duke përdorur vetëm vegla bronzi dhe guri dhe t’i vendosnin mbi njëri-tjetrin pa llaç. Ndonëse kolonizatorët spanjollë çmontuan pjesën më të madhe të kështjellës për t’i përdorur si materiale ndërtimi, Sacsayhuamán ka mbetur strukturalisht e fortë për t’i bërë ballë tërmeteve të mëdha dhe shkatërrimeve të tjera të kohës.
7. Varri i Kleopatrës
Si një sundimtare e lashtë, për Kleopatrën VII, ose të ashtuquajturën mbretëresha e fundit e Egjiptit, dihet shumë. Ajo u bashkua me Jul Çezarin dhe Mark Antonin dhe më vonë kreu vetëvrasje në vitin 30 Para Erës Sonë pas humbjes së Antonit dhe të saj në Betejën e Aktiumit përballë Oktavianit.
Por vendndodhja e Antonit dhe varrit të saj – supozohet se çifti u varros së bashku – mbetet një mister. Disa studiues besojnë se ai ndodhej në Aleksandri, kryeqyteti i saj dhe qendra dikur kulturore e botës mesdhetare, dhe humbi kur një cunami përmbyti qytetin në vitin 365 Pas Krishtit. Të tjerë dyshojnë se ndodhet diku tjetër në deltën e Nilit, ndoshta në një tempull kushtuar Isis dhe Osiris, perënditë me të cilat u lidhën përkatësisht Kleopatra dhe Antoni.
8. Dorëshkrimi i Voynich
Në vitin 1912, tregtari i librave të rrallë, Wilfrid Voynich, shtiu në dorë një dorëshkrim mesjetar që ai pretendonte se ishte vendosur në “një kështjellë të lashtë në Evropën Jugore”. E shkruar në një gjuhë ose kod të zhdukur, askush nuk mund ta njihte origjinën. Ai ishte mbushur me ilustrime të çuditshme të bimëve fiktive dhe grave të zhveshura.
Kriptografi britanik Alan Turing dhe FBI-ja amerikane u përpoqën ta zgjidhnin misterin por dështuan. Disa dyshojnë se ky dorëshkrim është një mashtrim i sofistikuar. Dorëshkrimi i Voynich ndodhet sot në Universitetin e Yale, i disponueshëm për publikun dhe cilindo që është i interesuar të përpiqet ta zgjidhë një herë e përgjithmonë këtë enigmë.
9. Monumenti Yonaguni
Në brigjet e ishullit Yonaguni të Japonisë shtrihet një strukturë shkëmbore nënujore, të paktën 50 metra e gjatë dhe 20 metra gjerë, që i ngjan një piramide të ndërtuar nga njeriu. I zbuluar në vitet 1980 dhe i njohur tani si Monumenti Yonaguni, disa studiues besojnë se ato janë rrënojat e një qytetërimi të lashtë. Megjithatë, shumë studiues të tjerë pretendojnë se “Atlantida e Japonisë” nuk është gjë tjetër veçse një fenomen natyror i formuar nga ngritja tektonike dhe rrymat e oqeanit.
10. Stonehenge
Stonehenge, një nga monumentet prehistorike më të famshme në botë, filloi rreth 5000 vjet më parë, përpara se Anglia të hynte në Epokën e Bronzit. I studiuar mirë për shekuj me radhë, shumica e studiuesve e pranojnë se funksiononte si një vend varrimi, dhe tani dihet se nga erdhën gurët e mëdhenj. Megjithatë, sekretet e tjera të Stonehenge mbeten mister, përfshirë rëndësinë e tij të mundshme fetare, ceremoniale, astronomike dhe terapeutike. / history.com – bota.al