Demagogjia e krahasimit

WxP

Staf në FV.AL
Rexhep Meidani

Në vend të analizës së detajuar të një situate, të vënies në lëvizje të forcës së argumentit konkret, shumë shpesh politika shqiptare përdor “metodën e krahasimit”, madje për fat të keq, thjesht “demagogjinë e krahasimit”. Kështu, më parë kur u prodhua “minidushku” në vitin 2001 apo, 4 vjet më vonë, kur në vitin 2005 ndodhi përçudnimi i “megadushkut”, “demagogjia e krahasimit” u vu plotësisht në “lëvizje”. Madje, shfrytëzohej çdo rast për të deklaruar publikisht se: “ky është edhe sistemi elektoral që shfrytëzohet në Gjermani”. Por, duke harruar apo bërë sikur kishin harruar që atje, dinjiteti i politikanit dhe pjekuria demokratike e elektoratit janë fare tjetër, që procesi i votimit dhe i numërimit bëhen nga njerëz me integritet moral dhe respekt të plotë ndaj ligjit dhe procedurave të miratuara, nga “fanatikë” të votës, të vullnetit të popullit të shprehur nëpërmjet saj dhe vetë të vërtetës. Atje, brendia e kutisë shpreh votën e lirë të qytetarit, por dhe proces-verbalet e firmosura dhe rezultatet zyrtare të deklaruara konvergojnë plotësisht me këtë votë. Ndërsa, në jo pak raste kjo kuti, në Shqipëri, shpreh një deformim partiak të kësaj vote, madje dhe “formularët paszgjedhorë”, jo rrallë manifestojnë një “urdhër” partiak dhe jo vullnetin qytetar. Mund të lexohet Buletini Zyrtar i KQZ-së dhe mund të ndjehet qartësisht një deformim i tillë “alla partiak”, pale të na rihapen kutitë e votimit dhe të kontrollohen, një e nga një, të gjitha proces-verbalet e komisioneve, duke filluar nga qendrat e votimit!...

***
Ky ishte dhe reflektimi im, sa i vjetër, po aq dhe i ri, kur dëgjova dhe lexova, ditët e fundit, krahas “shakave pa kripë”, dhe disa deklarata “krahasimore” nga zëdhënësi-kryetar i mazhorancës! Kështu, p.sh., në shtypin e ditës nënvizohej se “sipas kryeministrit, vënia në diskutim e sistemit elektronik të votimit nga ana e pozitës, do të thotë të vësh në diskutim një sistem, i cili është vendosur nga Kongresi Amerikan. Sistemi elektronik i votimit, i kontestuar fuqishëm nga opozita, dhe që përdoret nga deputetët shqiptarë, është sekretuar nga të njëjtët persona, që kanë instaluar një sistem të ngjashëm në kongresin e vendit, që mbahet si tempulli i demokracisë...”. Por, fatkeqësisht, ky person dëshiron “demagogjikisht” të harrojë se po nga ky sistem elektronik, iu zhduk apo i “ishte ngrënë” dhe vota e tij, apo se në procesin e këtij votimi elektronik morën pjesë dhe deputetë që nuk ishin fare në sallën e Kuvendit! Kaq mjafton për të vënë në dyshim çdo deklaratë. Pyetja më e thjeshtë në këtë rast është: çfarë do të ndodhte në Kongresin Amerikan po të konstatohej një ngjarje e tillë? Të jetë i sigurt ai dhe kushdo politikan tjetër shqiptar, se do të shpërthente një skandal-eksplozion i vërtetë, në politikë dhe media, njëfarë “Watergate” i radhës që do të detyronte dorëheqjen e menjëhershme të shumë individëve përgjegjës ose “frymëzues” të tij.
Duke lexuar në shtypin e ditës se për më tepër kryeministri Berisha i paska kërkuar “zonjës Topalli dhe zotit Topi, që të kërkojnë ekspertët që kanë instaluar rrjetin, dhe të konstatojnë është apo nuk është i fshehtë, që këta zotërinj (deputetët e opozitës) e vënë në diskutim”, nuk mund të mos vijë “për të qarë dhe për të qeshur”, me këtë shpalosje “pa asnjë ndrojtje” të një demagogjie ekstreme. Por dhe sikur, ky është problemi! Në fakt, një gjë e tillë është sesi të “fshihet” vetë thelbi i problemit! Sepse po të ndjekësh me kujdes shtypin e ditës, legale ose jo, e drejtë apo e padrejtë, jo vetëm shtypja e butonave të votimit të deputetëve është dyshimisht e fshehtë (!), por dhe mesazhet apo adresat e celularëve të tyre në seancë parlamentare, në jo pak raste, janë riprodhuar lehtësisht!...
Por kjo është njëra anë e medaljes, ana tjetër e saj, është dhe personaliteti i deputetit, i cili ende aktualisht ka një “ngjyrë urdhërore” partiake, madje ka një varësi të theksuar, deri në teprim, nga njëshi i partisë kryesore. Për shumë arsye...
Në fund të fundit, a mund të krahasohet, në mesatare, individualiteti i një deputeti shqiptar me atë të një kongresmeni amerikan? As që mund të shtrohet kjo pyetje, as nuk duhet të “guxohet” të bëhet ky krahasim, sepse aty dhe një iniciativë ligjore individuale, e mbrojtur dhe e miratuar më vonë, mban emrin, deri “vulën” e personalitetit të kongresmenit përkatës, pavarësisht origjinës së tij partiake. Natyrisht, duke arritur deri këtu, nuk mund të mohohet dhe prania e disa individualiteteve me përvojë parlamentare, me të vërtetë seriozë në sjellje, gjykim e analizë apo të pavarur nga urdhri politik, edhe në gjirin e Kuvendit aktual. Realisht në mesatare, jemi shumë larg një situate krahasimi, prandaj dhe aplikimi i një “ teknologjie të hapur demagogjike” të bazuar thjesht në këtë krahasim, edhe në këtë rast konkret, nuk është as bindës, as me vlerë, por është thjesht një “shaka” dhe “manovrim” i radhës...
 

Konkursi Letërsisë

  • 1-Nje veshtrim, nje dashuri.

    Votat: 1 10.0%
  • 2-Agim shpërthyes

    Votat: 2 20.0%
  • 3-Për të voglën

    Votat: 1 10.0%
  • 4-Qiriu pa fjalë

    Votat: 3 30.0%
  • 5-Për të satën herë ….

    Votat: 1 10.0%
  • 6-Tik tak.

    Votat: 0 0.0%
  • 7-Nuk je më vetëm.

    Votat: 2 20.0%
Back
Top