Krejt e veçantë është tradita e trashëguar e dasmës, në fshatin shqiptar Karakurt të Ukrainës. Zgjedhja e dhëndrit dhe nuses, në traditë, është punë e prindërve dhe jo e të rinjve. Merrej parasysh pasuria, prika, sasia e tokës, ekonomia. Ndodhte që të rinjtë të mos e njihnin njëri-tjetrin deri në ditën e dasmës. Në rast se bihej dakord mes krushqve, caktonin ditën e "rurit", ditën kur prindërit e nuses bëjnë një mbrëmje përpara dasmës. Në këtë mbrëmje janë krushq e kumbarë, të cilët hanë, pinë e argëtohen gjatë gjithë natës. Në mëngjes, krushqit me gjërat e pajës shëtisin nëpër fshat. Në rast se nusja është e pasur, dy krushq; nëse ajo ka pak pajë, një krushk. Të gjithë pajën (peshqirë, çarçafë, këmisha, pëlhurë etj.), i mban në sup krushku, ndërsa në kokë mban jastëkun. Një javë pas saj, detyrimisht të shtunën, është fejesa. Në shtëpinë e nuses mblidhen prindërit e dy të rinjve, dhëndri e nusja, ku shohin dhe njëri-tjetrin. Nuk ulen në tavolinë derisa nusja të puthë duart e të gjithëve, përfshi dhe dhëndrin. Bie dakord për ditën e dasmës. Nusja rri në shtëpi deri ditën e dasmës. Ceremonia fillon të enjten, si në shtëpinë e dhëndrit, ashtu dhe të nuses. Të premten është dita e ftesave për dasmë për krushqit e të afërmit, ftohen dhe të rinj. Ata zgjedhin "kryetarin" i cili mbanë në duar "gillgillin", një katruve druri me verë. I japin, së pari, një gllënjkë verë të zotit të shtëpisë. Më pas, rinia nga ana e dhëndrit shkon në shtëpinë e nuses, ndërsa ajo nga ana e nuses, në atë të dhëndrit, ku argëtohen e më pas shpërndahen. Në dasmën e nuses, të shtunën në mbrëmje shkon dhëndri me shokët e tij. Kërcejnë e argëtohen të gjithë, me përjashtim të dhëndrit e të nuses, që rrinë mënjanë. Dasma tek dhëndri bëhet të dielën. Të dy anët kanë të ftuarit e tyre. Në rast se është verë a vjeshtë, zgjedhin një karrocë me kuaj dhe shkojnë të marrin kumbarin, në rast se është dimër, atëherë shkojnë me slita. Tani, në ceremoninë e dasmës, në plan të parë del kumbari. Pasi atë e kanë marrë nga shtëpia, shkojnë tek nusja. Krushqit ulen në një tavolinë bashkë me kumbarin. Kumbari me nënkumbarët, hyn në dhomën ku rri nusja me shoqet e saj. Kumbari e vesh nusen me kostumin (fustanin) e nusërisë, e një nga nënkumbarët këndon këngë. Kënga është melankolike, që e bën nusen të qajë, se ajo po ikën nga shtëpia e prindërve. Pasi është veshur nusja, sjellin dhëndrin, dhe në dhomë rrinë të rinjtë, bashkë me prindërit e nuses. Dhëndri e nusja rrinë në gjunjë, e puthin duart e gjunjët e prindërve. Hyjnë ndërkohë miqtë e dhëndrit dhe i japin paratë sa për pajën e nuses. Kumbari me kumbarën marrin përdore çiftin, për të kërcyer së bashku. Pastaj çifti hyn në dhomë dhe ndahet me shtëpinë e nuses. Tani, babai ose vëllai i nuses e nxjerrin përdore. Dhëndri e nusja mbajnë në duar qirinj të ndezur. Para se çifti të kalojë pragun e të dalë në rrugë, nëna e nuses i bekon ata, duke u hedhur kokrra gruri, monedha e karamele. Kjo do të thotë, që jeta e tyre të jetë përherë e ëmbël, të kenë para e buka të mos u mungojë ndonjëherë në tavolinë. Para çiftit vendosin një shufër hekuri dhe e lagin me ujë. Kjo do të thotë që do të kapërcejnë së bashku të gjitha pengesat e vështirësitë. Tek porta, para se nusja të hipë në karrocë, shoqet e saj kërkojnë paratë për nusen dhe i marrin ato. Nga këtu, çifti shkon në kishë, e nga aty në shtëpinë e dhëndrit. Tek dera, nëna dhe babai i dhëndrit takojnë çiftin dhe u japin dhurata, që t'i shohin të gjithë. Hyjnë në shtëpi, rinia çon kumbarët në shtëpinë e tyre dhe të afërmit shtrojnë tavolinat. Kur të gjithë të ftuarit janë mbledhur, shkohet e rimerret kumbara. Vjen ai, e të gjithë ulen në tavolina. Nusja me dhëndrin janë në një dhomë tjetër, me shokët e shoqet e tyre. Prindërit e dhëndrit i dhurojnë kumbarit dhuratat, ndërkohë që çifti qëndron para kumbarës me qirinj në duar. Nga mesnata, dilet në rrugë e kërcehet valle. Dhëndri e nusja, përmbysin dy kova të mbushura me ujë. Ai që e përmbys i pari do ta marrë dhe do të hyjë i pari në këtë shtëpi, e do të jetë kryetari i shtëpisë. Argëtimi vazhdon deri në mëngjes. Të hënën në mëngjes çojnë kumbarën në shtëpi, e festojnë atje deri në drekë. Kthehen në shtëpinë e nuses, këndojnë e kërcejnë, e pastaj shkojnë tek dhëndri. Të martën (para-prapa), kushërinjtë më të afërt të dhëndrit, së bashku me dhëndrin e nusen ecin më këmbë nëpër fshat me muzikë, deri në shtëpinë e nuses, ku i presin të afërmit e saj. Dhe pritësit u japin dhurata çiftit. Nusja këtë ditë është pa vello, me veshjen e dasmës, duke treguar se tashmë është grua e martuar. Rikthehet festa pastaj në shtëpinë e dhëndrit, ku çifti u ndan ëmbëlsira e japin dhurata. Këtu mbaron dasma. Më vonë, gjatë një muaj, nusja çdo mbrëmje duhet t'i lajë këmbët vjehrrit e vjehrrës, duke treguar se i respekton njerëzit e burrit. Dhe nëse dikush vjen në shtëpi, nusja e re duhet t'i puthë duart në respekt për të moshuarit.
Nga Kujtim Boriçi
Nga Kujtim Boriçi