! - !
Once upon a time...
Nga Edmond Tupja
Kushdo nga ju, lexuese dhe lexues të nderuar të kësaj rubrike të përjavshme, që kalon rastësisht në qendër të Tiranës, nuk ka si të mos i vërë re njollat e vogla mjerane, në një të bardhë të dyshimtë, të cilat ndotin asfaltin gri që shtrihet përzishëm midis gungësheshit mjeran me emrin e lavdishëm Skënderbe, nga njëra anë, dhe ministrive, nga ana tjetër. Kur i vura re për herë të parë, pata përshtypjen se bëhej fjalë për çamçakëzë të përtypur deri në rraskapitje nga kalimtarët dhe, për pasojë, të flakur e të shtypur deri në atë pikë sa ishin bërë pjesë përbërëse të përjetshme të asfaltit në fjalë!
Sot, këta çamçakëzë të neveritshëm kanë pushtuar pa u ndier e, ndoshta, pa rënë fort në sy, pra urtë e but – si një zgjebe tinzare, krejtësisht e papërballueshme – edhe një pjesë të shëtitores “Zogu Irë”, pikërisht atje ku rruga e Fortuzit takohet me këtë shëtitore. Krupa që më ngjallin këta çamçakëzë të Lali Erit apo të Lalka Erkës (siç thonë me dashuri qesëndisëse apo me qesëndi dashurore disa korçarë që janë vendosur kohët e fundit në kryeqytet), kjo krupë, pra, duhet, gjithsesi, relativizuar – e thënë ndryshe – duhet zhdramatizuar!
Po, po, duhet zhdramatizuar, sepse, po t’i referohemi psikologjisë së thellësive të nënvetëdijes njerëzore, çamçakëzët në fjalë mund t’i çojnë kalimtarët të bien viktima të pafajshme të një imazhi subliminal, çka do të thotë që, në mënyrë tërësisht të pavetëdijshme, ata të nisin të mbllaçitin pareshtur çamçakëzë dhe, për pasojë, të rritin, pa e bërë qëllimisht, sasinë e çamçakëzëve të importuar, çka detyrimisht do ta shtynte Bashkinë e Tiranës të hapte një tender (tenderly yours, të dashura lexuese, ju që kujdeseni veçanërisht për aromën joshëse të gojës dhe bardhësinë tunduese të dhëmbëve tuaj), të cilin tender do ta fitonte me siguri të plotë ndonjë kanakar i Lali Erit, ndoshta ai që ka ia ka marrë dorën e këmbën kësaj pune!
Po, po, duhet zhdramatizuar, sepse mund të ndodhte edhe më keq. “Edhe më keq?”. Patjetër, edhe më keq, sepse e keqja s’paska fund, sidomos në Shqipërinë tonë të shterpëzuar këto vitet e fundit! Kështu, për shembull, po qe se, i neveritur nga shtypja e përtypja me këmbë e çamçakëzëve të tij prej kalimtarëve të pavëmendshëm, Lali Eri vendoste që, tash e tutje, ta mbillte asfaltin me bishta cigaresh apo tapa shishesh të të gjitha ngjyrave e zgjyrave, kjo dukuri do t’i nxiste kalimtarët që, nga soditës, të ktheheshin në konsumatorë të këtij dekori të ri estetikisht në linjën dhe në shijen e pikturave të vetë Shefit apo Bosit të Lali Erit, pra, të Edi Ramës, ende kryekëput kryeministër i Republikës sonë të gangrenizuar dhe me shpirt në dhëmbë e brekë nëpër këmbë (U kërkoj ndjesë për këtë shprehje disi të vrazhdë, por kuptimplote, zonjave dhe zonjushave me gojë e dhëmbë magjepsës!).
Po, po, duhet zhdramatizuar, sepse një ditë të bukur e fatlume, pasi sytë dhe këmbët e publikut kryeqytetas të jenë ngopur e tejngopur me çamçakëzë, bishta cigaresh apo tapa shishesh, mendja gjeniale (fjalë kjo pa “h” midis shkronjave “i” dhe “a”) e të njëjtit kanakar karizmatik e karnavalesk të Lali Erit, mund t’i sugjerojë këtij të fundit të hapë një tender (tenderly yours etj., etj.) për rinovimin absolut e të gjitha rrugëve dhe shesheve të Tiranës heroike me synim artistik (kjo fjalë pa ndonjë shkronjë drithëruese para “a”-së) një tender, pra, për zëvendësimin e çamçakëzëve, bishtave të cigareve apo tapave të shisheve, me… me… prezervativë…, po po, prezervativë, në mënyrë që Tirana jonë të jetë jo vetëm heroike, por kryesisht, veçanërisht dhe absolutisht erotike! Falë këtij tenderi (tenderly yours etj., etj.), Republika jonë e gangrenizuar –me shpirt në dhëmbë e brekë nëpër këmbë – do të ketë mundësi t’i flakë tutje përfundimisht brekët që e pengojnë të zhvillohet sidomos moralisht dhe t’i jepet, nën udhëheqjen ulëritëse të Edi Ramës, ende kryekëput kryeministër, atyre që do ta kurvërojnë përfundimisht!
Së fundi, Edi Rama, pasi të jetë velur nga pushteti, do t’ia kalojë atë me mirënjohje të thellë Lali Erit, gjithsesi kur ky të jetë bërë i denjë për këtë nder të pandershëm, veçse me një kusht: Të mos nxitohet, sepse, siç e saktëson një proverb i lashtë nga anët e mia, “Kush ngutet, përmutet”!
panorama.al