Byrek Shtëpie me Patate

Hera

Έτερος εγώ
Byrek Shtëpie me Patate – Shije Nga Tradita Shqiptare


byreku-me-patate-750x500.jpg
Një shije fantastike e kombinimit të petëve krokante nga pjekja dhe mbushjes së butë nga brenda me patate, qumësht e vezë. Foto: Flickr

Amvisat shqiptare janë vërtetë duararta. Ato mbledhin gjithë shtëpinë rreth tryezës me gatimet fantastike e të shijshme të përgatitura plot dashuri, delikatesë e kujdes.
Një nga këto gatime padyshim, në krye të listës së recetave më tipike e më të shijshme shqiptare janë byrekët.
Të përgatitur me kombinime të ndryshme nga mbushjet me djathë apo gjizë, qumësht me vezë, kungull apo qepë e domate, lakra të egra, hithra apo spinaq, nëse ka një shije që nuk të lodh kurrë e që të bën ta kërkosh përherë në tryezë ai është byreku i amvisave shqiptare.
AgroWeb.org u sugjeron më poshtë përgatitjen e një prej këtyre recetave fantastike, byrekun e shtëpisë me patate e qumësht.
Një shije fantastike e kombinimit të petëve krokante nga pjekja dhe mbushjes së butë nga brenda me patate, qumësht e vezë.
Ky byrek është ideal për një vakt të shijshëm dreke, AgroWeb.org u sugjeron ta shoqëroni atë me sallata apo edhe supa të ndryshme të lehtë, por qoftë edhe më një gotë dhallë e djathë të bardhë ose kaçkavall.

Receta e Përgatitjes për Byrek me Patate
Përbërësit:

500 gr Miell
250 ml Ujë
Kripë
Vaj Ulliri
Pak gjalpë fshati
Sodë buke
800 gr patate
Një gotë qumësht
Dy kokrra vezë
Një kokërr qepë
Piper i kuq
Përgatitja e brumit
Përgatisim brumin, duke hedhur në një tas të madh miellin.
Pasi bëjmë një gropë në mesin e miellit hedhim kripën, sodën dhe i përzjejmë me dorë ndërsa nisim të shtojmë ujë të vakët derisa brumi të krijohet në një masë të butë dhe të përshtatshme për t’u hapur në formën e petës.
Brumin e përftuar e mbulojmë me një pecetë të pastër dhe e lëmë përreth gjysmë ore që të fryhet ndërsa nisim përgatitjen e mbushjes me patate.
Përgatitja e Patateve
Si fillim patatet siç i kemi i pastrojmë me ujë të bollshëm dhe i vendosim në një tenxhere me ujë duke i lënë të zjejnë për 15 minuta nga koha që uji nis të valojë.
Më pas, patatet i lëmë të ftohen dhe i grijmë në rende.
Në një tigan hedhim një lugë gjelle gjalpë.
Pasi të ketë shkrirë gjalpi hedhim qepën e grirë hollë dhe e kavërdisim derisa qepa të zverdhet e të marrë ngjyrë të artë.
Më pas hedhim patatet, të cilat më parë i kemi grirë në rende. Vijojmë t’i kavërdisim me një lugë druri për 10 minuta.
I heqim nga zjarri, u hedhim kripë dhe pak piper.
Në një tas rrahim dy kokrrat e vezës, hedhim pak vaj ulliri dhe qumështin, i rrahim dhe i bashkojmë me patatet duke i trazuar derisa të krijohet një masë homogjene.
Provojmë nëse masa është kripur sa duhet.
Përgatitja e Byrekut
Pasi e përgatisim mbushjen me patate, e lëmë të ftohet. Gjatë kësaj kohe brumi është gati për t’u punuar. Brumin e ndajmë në 10 kuleçë të vegjël dhe nisim hapjen e petave.
Në tepsinë e lyer me vaj ulliri, shtrojmë tre petat e para duke u hedhur secilës nga disa pika vaj ulliri.
Më pas shtrojmë pjesën e parë të mbushjes me patate. (Masën me patate e planifikojme të ndarë për tre shtresa)
Vijojmë me shtrimin e dy petave të tjera dhe më pas hedhim sërish një pjesë të mbushjes së patateve.
Pas kësaj, sërish shtrojmë dy peta të tjera duke i spërkatur gjithmonë me disa pika vaj ulliri.
Hedhim dhe pjesën tjetër të mbushjes dhe vijojmë shtrimin e dy petave të tjera.
Hedhim edhe pjesën tjetër të mbushjes me patate dhe më pas shtrojmë tre petat e fundit duke u sërish disa pika vaj ulliri.
Byrekun e pjekim në furrë në 180 gradë për 20-30 minuta deri sa të marrë pjekjen e duhur.
Në fund të përgatitjes, pasi byreku është pjekur e nxjerrim nga furra dhe e lyejmë me një lugë çaji gjalpë fshati./Agroweb.org
 

Attachments

  • byreku-me-patate-750x500.jpg
    byreku-me-patate-750x500.jpg
    73.7 KB · Shikime: 0
  • byreku-me-patate-750x500.jpg
    byreku-me-patate-750x500.jpg
    73.7 KB · Shikime: 0

Konkursi Letërsisë

  • 1-Bëju.

    Votat: 11 40.7%
  • 2-Ankth mesnate.

    Votat: 3 11.1%
  • 3-Të dua ty.

    Votat: 8 29.6%
  • 4-Nje kujtim.

    Votat: 5 18.5%
Back
Top