Bota që kemi humbur prej teknologjisë
Klementin MilePër të kuptuar çfarë rrezikojmë të humbasim sa herë që përdorim telefonin celular, kompjuterin, internetin, bankomatin, televizorin e kështu me radhë, nuk mjafton të lexojmë ndonjë libër apo të shohim ndonjë dokumentar ku flitet për teknologjinë dhe efektet e saj në botën e sotme. Libra dhe dokumentarë të tillë priren të jenë sipërfaqësorë, pa arritur te thelbi i çështjes. Rreziku i teknologjisë mund të kuptohet vetëm nëse kuptohet esenca e saj.
Askush tjetër më shumë dhe më mirë se filozofi gjerman Heidegger nuk ka arritur ta qartësojë atë esencë. Esenca e teknologjisë është se ajo nuk mund të kontrollohet. Heidegger zbuloi katër tipare të kësaj esence:
Së pari, esenca e teknologjisë nuk është diçka e bërë prej nesh; ajo është një mënyrë të qënuri, ose zbulese. Kjo do të thotë që gjërat teknologjike kanë llojin e tyre të ri të pranisë, rezistencës dhe lidhjeve ndërmjet pjesëve dhe tërësive. Ato kanë mënyrën e tyre të paraqitjes së vetes dhe të botës ku operojnë. Për Heideggerin esenca e teknologjisë nuk është instanca më e mirë apo më karakteristike e teknologjisë, as nuk është një përgjithësim i mjegullt, dhe nuk është as formë as ide. Përkundër këtyre alternativave, ta konsiderosh teknologjinë esencialisht do të thotë ta shohësh si një ngjarje së cilës ne i përkasim: strukturimit dhe renditjes së gjithçkaje rreth nesh dhe të neve vetë. Teknologjia e zëvendëson lidhjen familjare të pjesëve me tërësitë; gjithçka është vetëm një pjesë e këmbyeshme. Për shembull, ndërsa një ari apo pemë mund të qëndrojë më vete dhe të ketë praninë e vet, një celular nuk mundet: celulari sfidohet të prodhojë një pasojë, e cila gjithashtu pritet të sjellë pasoja të tjera në rrjetin e teknologjisë. Ky zinxhir nuk lëviz drejt ndonjë gjëje që ka praninë e vet, por vetëm hyn në rrjet duke rregulluar dhe siguruar burimet natyrore dhe energjitë pambarimisht. Makineritë dhe pjesët e tjera të inventarit teknologjik nuk janë pjesë të tërësive që rrinë më vete, por vijnë vetëm pjesë-pjesë. Këto pjesë janë të izoluara, uniforme dhe të këmbyeshme. Ne mund ta zëvendësojmë një pjesë teknologjike me një tjetër. Përkundër kësaj, dora ime nuk është pjesë e imja. Unë jam tërësisht vetja në secilin gjest të dorës çdo herë.
Së dyti, teknologjia sundon edhe mbi entitete që normalisht nuk i mendojmë si teknologjike, bie fjala perënditë dhe historia. Esenca e teknologjisë sulmon gjithçka që është: natyrën dhe historinë, njerëzit dhe perënditë. Kur teologët ndodh të përmendin bukurinë e fizikës atomike ose hollësitë e mekanikës kuantike si evidencë për ekzistencën e Zotit, Heidegger thotë se ata e kanë vendosur Zotin në domenin e së renditshmes. Në këtë mënyrë Zoti teknologjizohet.
Së treti, esenca e teknologjisë është parësisht një çështje e teknologjisë moderne dhe industriale. Esenca e teknologjisë shfaqet në fabrika dhe procese industriale, jo në parmenda e çekiçë. Gjithçka që na paraqitet teknologjikisht shfrytëzohet për ndonjë përdorim teknik. Nocioni i ‘sfidimit’ është i rëndësishëm për të kuptuar pse Heidegger e sheh esencën e teknologjisë te teknologjia moderne dhe industriale. Kështu, edhe pse njerëzit që ecin mbi lumin Rin në Gjermani duke përdorur një urë të thjeshtë duket sikur po e përdorin urën për ta sfiduar lumin e për ta reduktuar atë në një pjesë të një zinxhiri të pafund përdorimi, ky argument nuk qëndron. Heidegger thotë se ura, në fakt, e lejon lumin të jetë vetvetja, të qëndrojë brenda rrjedhës dhe shtratit të vet. Përkundër kësaj, një hidrocentral e transformon lumin në thjesht dhe vetëm një element të një sekuence për prodhimin e energjisë.
Së katërti, për Heideggerin teknologjia nuk është thjesht aplikimi praktik i shkencës natyrore. Përkundrazi, shkenca natyrore moderne mund ta kuptojë natyrën në mënyrë tipikisht shkencore vetëm ngaqë natyra, paraprakisht, është shfaqur si një koleksion forcash të llogaritshme dhe të renditshme – pra, teknologjikisht. Në fakt esenca e teknologjisë nuk e ka origjinën te Revolucioni Industrial i shekullit XVIII; ajo ishte aty para rritjes së mekanizimit. Gjithashtu esenca e teknologjisë nuk e fillon mbretërimin e saj as në shekullin XVII kur lindi shkenca natyrore moderne. Marrëdhënia e shkencës me teknologjinë është e kundërta e asaj që mendojmë. Forcat natyrore dhe materialet i përkasin teknologjisë dhe jo e anasjella. Ishte mendimi teknologjik që e kuptoi fillimisht natyrën në atë mënyrë që ajo mund të sfidohej të çlironte forcat dhe energjinë e saj. Sfidimi i parapriu çlirimit; andaj esenca e teknologjisë është para shkencës natyrore. Teknologjia moderne nuk është shkencë natyrore e aplikuar, shumë më tepër është shkenca natyrore moderne aplikimi i esencës së teknologjisë.
Nisur nga ky këndvështrim i teknologjisë rrjedh që çdo shpjegim shkencor e errëson qenien esenciale të gjërave, përfshirë këtu edhe afërsinë e tyre. Pra kur Heidegger diskuton teknologjinë dhe afërsinë, ai na siguron se nuk është duke përsëritur klishenë që teknologjia e bën botën më të vogël. Ajo që është vendimtare, shkruan ai, nuk është që distancat po shkurtohen me ndihmën e teknologjisë, por që afërsia mbetet e jashtëzakonshme. Për ta përjetuar afërsinë ne duhet t’i ndeshim gjërat në vërtetësinë e tyre. Dhe pavarësisht sa shumë besojmë se shkenca do të na mundësojë të ndeshim aktualen në aktualitetin e vet, ajo në fakt na ofron vetëm përfaqësime të gjërave. Gjërat në vërtetësinë e tyre nuk mund të ndeshen kurrë prej shkencës. Shkenca ndesh vetëm atë, mënyra e përfaqësimit e së cilës e ka pranuar paraprakisht si objekt të mundshëm për vetveten.
Heidegger jep një shembull për të ilustruar këtë ide. Po të flasim shkencërisht, distanca ndërmjet një shtëpie dhe një peme para saj mund të matet në mënyrë neutrale: ajo është 10 metra. Por në jetët tona të përditshme ajo distancë nuk është aq neutrale dhe as aq abstrakte. Përkundrazi, distanca është një aspekt i kujdesit tonë për pemën dhe shtëpinë: përvoja e ecjes, e të parit të trajtës së pemës të rritet ndërsa i afrohemi, dhe i ndarjes së rritur prej shtëpisë ndërsa i largohemi kësaj të fundit. Në shpjegimin shkencor distanca shfaqet sikur realizohet së pari nga kundërtia midis shikuesit dhe objektit. Duke u bërë indiferentë ndaj kujdesit (apo shqetësimit) tonë për gjërat, duke e përfaqësuar edhe distancën edhe objektin si entitete matematike të thjeshta por të dobishme, ose si ide filozofike – ne e humbasim përvojën e vërtetë të afërsisë dhe distancës. Esenca e teknologjisë nuk na pengon vetëm të ndeshim realitetin e botës, por teknologjia tashmë është bërë bota. Teknologjia mbretëron dhe ne e harrojmë tërësisht qenien dhe lirinë tonë esenciale – ne as që e kuptojmë më botën që kemi humbur. /Mapo/
b.telegrafi