Besnik Hasi Ofroj energji të pashtershme për Shqipërinë

Smirnoff

Anëtar i Nderuar
Ish-futbollisti i kombëtares del hapur: Do të jetë një detyrë e vështirë, por e di se çfarë do publiku shqiptar



Besnik Hasi pret thjesht zyrtarizimin nga presidenti Duka për të nisur aventurën në krye të kombëtares shqiptare. 40-vjeçari, ndihmëstrajner tek Anderlehti, në një prononcim për televizionin “Klan” ka shprehur qartë strategjinë që do të ndjekë nëse merr “bekimin” e Dukës. Ai ka vlerësuar punën e trajnerëve të huaj, por ia ka hedhur fajin institucionit të futbollit që nuk ka punuar me një strategji afatgjatë.

Trajnerët e huaj Pavarësisht se në venat e Besnikut, siç thonë mediat, rrjedh gjak belg, për 6 vjet ai ka qenë me kombëtaren shqiptare: “Natyrisht, flamuri kuqezi është edhe zemra ime dhe kombëtarja shqiptare është shpirti im. Prej shumë kohësh në kombëtaren shqiptare janë ulur trajnerë të huaj, por rezultati i tyre ka qenë jo ai që pritej. Jo se ata kanë qenë të këqinj, përkundrazi, ata kanë qenë shumë të mirë dhe unë e kam të vështirë të dalloj ndonjërin prej tyre.

Kam punuar me Dosenën, Brigelin, Bariçin dhe Hanin, të gjithë emra të mëdhej, të cilët kanë dhënë mesazhe pozitive për kombëtaren shqiptare, por strategjia ka qenë jo e saktë. Nuk mund të punohet me një strategji afatshkurtër, pra dyvjeçare. Strategjia duhet të jetë afatgjatë, minimumi 4-vjeçare, në mënyrë që më pas të vijnë rezultatet. Mund të qëllojë të fitosh 2 ndeshjet e para dhe entuziazmi të jetë në qiell, por mund të vijne dy humbje rresht dhe ai bie përtokë. Futbolli ky është. Pra, duhet një strategji afatgjatë. Kjo është arsyeja pse trajnerët e huaj nuk kanë pasur atë sukses që pritej.”

Strategjia e Hasit Por çfarë do të bënte Hasi më shumë se paraardhësit e tij në krye të Shqipërisë? “Strategjia ime do të mbështetet te talentet e reja. Pra, një strategji e cila do të përfshijë të gjitha ekipet e moshave, duke nisur nga ekipet U-15 e deri tek U-21. Një strategji e cila aplikohet në të gjitha vendet e botës. Por, nëse mendohet të zbatohet në dy vjet, nuk do të ketë rezultatin e dëshiruar. Pra, duhet një strategji afatgjatë.”

Energji të reja “Do të kërkojmë një trajner të ri, që t’i sjellë Shqipërisë energji të reja,” – do të shprehej Duka pas takimit përfundimtar me Josip Kuzhen. Dhe këto energji të reja dhe të pashtershme i premton vetë Hasi: “Nëse do të bëhem trajner i kombëtares shqiptare, gjë e cila do të ishte diçka vërtet e mrekullueshme dhe natyrisht një nder për mua, një gjë e garantoj: Do të ofroj energji të pashtershme dhe gjithçka të mirë nga ana ime.

E di se do të jetë një detyrë shumë e vështirë, një sfidë mbase nga më të vështirat, sepse e di fare mirë që publiku shqiptar kërkon dhe pret shumë nga kombëtarja e tij. Pikërisht për këtë arsye, nëse do të përzgjidhem trajner i kombëtares, unë do të jem gjithmonë aty, në shërbim te saj.”
 
Pe: Besnik Hasi Ofroj energji të pashtershme për Shqipërinë

Duka-Hasi, luftë nervash për vendin e trajnerit


Besnik Hasi është i indinjuar nga gjithçka thuhet për pozicionin e tij. Ai nuk e konsideron vetën trajner “për një copë bukë”

Besnik Hasi mbetet kandidatura e vetme serioze për të marrë vendin e trajnerit të Shqipërisë, fakt ky i pranuar edhe nga drejtuesit e FSHF-së, megjithatë zyrtarizimi i tij po vonon. Zëvendëstrajneri i Anderlehtit nuk ka folur fare për mediat për ofertën që i ka bërë presidenti i FSHF-së, Armand Duka, por burime pranë tij thonë se ai është mjaft i mërzitur nga fakti që emërimi i mundshëm i tij trajner i Shqipërisë është hedhur në treg “i sigurt” nga FSHF, ndonëse jo në mënyrë zyrtare, kur në të vërtetë ekzistojnë “hendeqe” (të kapërcyeshme) në lidhje me kushtet e kontratës.

Oferta i është bërë, por Hasi ka kushtet e tij. Ai nuk mund të sakrifikojë të ardhmen tek Anderlehti, duke pranuar një ofertë shumë të ulët (si zëvendëstrajner i Anderlehtit paguhet mbi 10 mijë euro në muaj) dhe me një afat të shkurtër kohor (një edicion).

Nënvlerësimi i shqiptarëve “Për fat të keq apo të mirë, dua të paguaj sa më pak, qoftë për trajnerin.” Kjo deklaratë e presidentit Duka, gjatë konferencës për shtyp të dy ditëve më parë, është shumë domethënëse për situatën konkrete. Kthimi i vëmendjes te trajnerët shqiptarë bazohet edhe në shifrat e kontratave, jo fort të papërballueshme nga FSHF, për trajnerët e huaj.

A është ky një nënvlerësim për trajnerët shqiptarë? ثshtë pikërisht ky qëndrim i zotit Duka, që e ka irrituar jo pak Besnik Hasin, i cili ka kushtet e tij të panegociueshme për të qenë në krye të kuqezinjve.

“Nuk mund ta hedh poshtë të ardhmen time tek Anderlehti (Hasi pretendon se mund të bëhet shumë shpejt trajner i parë) për një kontratë 2-vjeçare dhe për një shumë që është me e vogël se ajo që fitoj në Belgjikë. Kontrata me Shqipërinë duhet të jetë të paktën 4-vjeçare dhe rroga ime jo më pak sesa e kam aktualisht,” – mësohet të jetë shprehur Hasi me miqtë e tij më të afërt.

Dyshimi i FSHF-së Presidenti Duka, qysh në momentin që ka marrë drejtimin e federatës, ka nënshkruar kontrata 2-vjeçare apo më të shkurtra me trajnerët e huaj. Arsyeja? Për të mos rrezikuar financiarisht në rast zhgënjimi të trajnerëve. Edhe tani që i ka kthyer sytë nga Besnik Hasi, Duka thuhet se parapëlqen kontratë dyvjeçare, me të drejtën e rinovimit nëse palët bien dakord.

“Hasi është zëvendëstrajner i Anderlehtit dhe nuk është provuar asnjëherë si trajner i parë. Nuk është kaq e lehtë të rrezikosh, kur nuk e di se si mund të rezultojë puna e tij në krye të Shqipërisë,” – deklarojnë burime pranë kreut të FSHF-së.

Luftë nervash Cili do të lëshojë pe, Armand Duka apo Besnik Hasi? Shtyrja e zyrtarizimit nënkupton një luftë nervash mes dy personazheve të futbollit, ku secili kërkon të përfitojë sa më shumë në termat e kontratës. Besnik Hasi nga rroga mujore që shkon gati sa e Kuzhes (mbi 12 mijë euro në muaj) dhe nga kohëzgjatja e kontratës të paktën 4 vjet, ndërsa Duka dëshiron të paguajë dhe të rrezikojë sa më pak.

Cili do të përfitojë më shumë nga kjo “luftë e ftohtë”? Duka premtoi që brenda javës do të zyrtarizojë trajnerin e ri, por mund ta shtyjë vendimin, nëse nuk bie dakord me Hasin. Ai ka në dorë kartën “Mustedanagiç”, zëvendësin e ish-trajnerit të Shqipërisë, Josip Kuzhe, për dy miqësoret me Azerbajxhanin dhe Maqedoninë. Në këtë mënyrë do të fitonte kohën e duhur për të gjetur një tjetër kandidaturë tjetër në rast se nuk arrin marrëveshjen me ish-futbollistin e kombëtares.
 
Pe: Besnik Hasi Ofroj energji të pashtershme për Shqipërinë

Hasi i thotë “Jo” kombëtares, Duka me dhembje koke


Kandidati për trajner, ish-futbollisti kuqezi Besnik Hasi, shprehet se kontrata me klubin belg të Anderlehtit u bë pengesë për të mos pranuar ofertën për të drejtuar kombëtaren shqiptare. Ndërkohë, në FSHF për këtë çështje të gjithë heshtin

Përfundon “telenovela” Hasi. Madje pa filluar mirë, ndonëse gjatë këtyre ditëve ajo ka qenë temë e ditës. Të martën në mbrëmjen e vonë, ish-futbollisti kuqezi Besnik Hasi, ka konfirmuar se ka përfunduar pa sukses bisedimet me FSHF-në, që ky i fundit të marrë drejtimin e kombëtares shqiptare të futbollit. Ndonëse ka pasur një dëshirë të dyanshme, që çdo gjë të përfundojë me nënshkrimin e kontratës “martesë“, e cila sipas të gjitha gjasave do të zyrtarizohet nga presidenti Duka këtë javë, kjo nuk ka ndodhur.

“Më duhet të mbetem me Anderlehtin, ekipi im nuk ka shprehur gatishmëri të prishë kontratën që kam me këtë ekip. Ky është një vendim i vështirë, por përfundimtar diçka që është jashtë vullnetit tim”, – është shprehur Hasi, nëpërmjet një sms-je nga Brukseli. Këtu mbyllet edhe “telenovela” Hasi, përfundim, i cili sigurisht nuk është aspak i pëlqyeshëm dhe duhet ta ketë bërë disi me dhembje koke presidentin Duka.

Besnik Hasi ka qenë i pëlqyeri i presidentit të FSHF-së, Armand Duka, i cili ka pasur një përkrahje të opinionit lidhur më këtë zgjedhje, pasi parimisht është vlerësuar se ka ardhur koha që kuqezinjve t’u prijë një trajner shqiptar. 40-vjeçari nga Gjakova ka zhvilluar 47 ndeshje për kombëtaren shqiptare dhe gëzon respekt të madh për atë që ka treguar në radhët e kuqezinjve.

Ai më 2007 ka përfunduar karrierën e futbollistit dhe prej atëherë punon si ndihmëstrajner i parë te skuadra mbretërore Anderleht e Belgjikës, që drejtohet nga tekniku i njohur belg, Ariel Jakobs. Shqiptari Hasi ka mbrojtur licencën për trajner UEFA-Prof në Belgjikë dhe gëzon reputacion te klubi ku punon.

Pasi kemi mësuar një të tillë, për të mësuar shkaqet e vërteta të këtij “divorci”, jemi përpjekur të kontaktojmë, qoftë me presidentin e FSHF-së, Armand Duka, por edhe me ish-kandidatin për trajner, Besnik Hasi. Presidenti Duka nuk e pohoi, por as edhe e mohoi prishjen e negociatave midis tij dhe Hasit për postin e trajnerit të kombëtares, madje ai nuk pranoi të prononcohet rreth kësaj çështjeje. Gati të njëjtën gjë bëri edhe kandidati Hasi, cili na tha vetëm: “Nuk dua të komentoj asgjë në këto çaste. Ato që kisha jua thashë me sms.”

Pavarësisht se palët nuk dua të flasin rreth kësaj çështjeje, “divorci” Duka-Hasi tashmë është fakt. Ish-futbollisti për këtë prishje nxjerr kontratën që ka me klubin e Anderlehtin. Por kjo “alibi” nga pakkush mund të besohet, pasi kontrata ishte edhe përpara se të nisnin negociatat dhe asnjëherë nuk është përmendur si pengesë e mundshme.

Ndërkohë që burime të ngushta në Belgjikë pranë ish-futbollistit kuqezi, shprehen se ka qenë presidenti Duka, që e ka prishur këtë marrëveshje, duke mos i plotësuar kërkesat Besnik Hasit, i cili ka kërkuar një kontratë 4-vjeçare në krye të kuqezinjve, një staf belg, si dhe shpenzimet për 20 udhëtime në vit jashtë Shqipërisë.

Paga ishte një tjetër kontraditë, Hasi kërkonte 20 mijë euro në muaj, ndërkohë që paga e Kuzhes ishte 15 mijë. Të gjitha këto kërkesa, sipas burimeve pranë FSHF-së, ishin të pa arsyeshme dhe të papërballueshme për federatën tonë modeste, qoftë edhe të krahasuara me kandidaturën në fjalë të Hasit.

Cila është e vërteta? Tani kjo ka pak rëndësi. Besnik Hasi, një figurë që gëzonte mbështetjen e mbarë tifozërisë, qoftë edhe për imazhin që krijoi se kishte ardhur koha që brezi “i artë“ i kuqezinjve të merrte duart fatet e futbollit shqiptar, u shua. Jo në pak vështirësi duhet të jetë edhe presidenti i FSHF-së, Armand Duka.

Jo se ai nuk mund të gjejë një trajner tjetër për kombëtaren.Aspak. Veprimi i tij ka të bëjë me politikën përzgjedhëse që do të bëjë. Pra, kombëtarja e Shqipërisë do të drejtohet nga një trajner shqiptar, apo i huaj? Kjo mbetet për t’u parë në ditët në vijim.

E sigurtë është se tani, presidenti Duka do të nisë sërish kalvarin e mundimshëm të përzgjedhjes së trajnerit të kombëtares, ndonëse kandidaturat e vetafruara janë në radhë, emra të përfolur herë pas here ne media, duke nisur nga slloveni Matjazh Kek, holandezi Ervin Kuman, italiani Enriko Fabro, por edhe të tjerë. Trajneri i kombëtares, një dhembje koke ciklike kjo për presidentin Duka në çdo fund edicioni…
 
Back
Top