Kryeministri Sali Berisha akuzoi të enjten deputetët socialistë se tentuan të pushtonin Komisionin Qendror Zgjedhor.
"Rama kërkoi të asgjësonte institucionin kryesor të administrimit të zgjedhjeve të Tiranës ", tha Berisha, duke shtuar se "deputetët dhe militantë të opozitës sulmuan policinë në krye të detyrës".
"Votat e gjetura në kuti të gabuara, sipas ligjit shqiptar janë të vlefshme. Ndaj ato vota nuk mund të shpallen si të pavlefshme", tha kryeministri, duke nënvizuar se procesi zgjedhor i 8 majit, ishte ndër më cilësorët.
"Por nëse në gjithë vendin procesi ishte i qetë, në Tiranë ndodhi e kundërta", tha ai. Duke iu referuar avantazhit të kandidatit të opozitës Edi Rama në Tiranë me 10 vota, Berisha shtoi se me "numërimin e votave të hedhura në mënyrë të gabuar rezultati u përmbys".
Kryeministri i është përgjigjur indirekt dhe thirrjeve të diplomatëve të huaj që i kërkonin KQZ-së të shpallte rezultat paraprak, duke thënë se ligji electoral nuk i jep kompetenca KQZ-së për të shpallur rezultatin paraprak.
"Rama nuk tha asnjëherë se do të priste rezultatin përfundimtar, siç bëri kandidati Basha", nënvizoi kryeministri, i cili shtoi se nuk mund të kishte rezultat, pa u vlerësuar 300 votat e hedhura gabimisht.
"Rama në mënyrë të përsëritur dhe në mënyrë ultimative e shpalli veten fitues", tha kryetari i mazhorancës. Berisha e cilësoi ngatërresë njerëzore hedhjen e votave për kryetar bashkie, në kutitë e tjera. Për këtë fakt, këto vota nuk do të flakeshin, tha ai duke shtuar se më pas ishte KQZ-ja në rolin e KZAZ-së, që i vlerësoi këto vota. /Telegrafi/