Bashkimi kombëtar si aktualitet dhe histori

fcbesia

Anëtar i Respektuar
Enis Sulstarova

Jetojmë në një situatë paradoksale ku flitet gjithmonë e më shpesh për integrime evropiane, rajonale, madje globale e gjithmonë e më pak për bashkimin kombëtar. Zhvillohen projekte të shoqërisë civile për të na njohur me maltezët, portugezët e danezët, e për të na bërë gati për ditën kur do të hyjmë në BE dhe shumë nga ne nuk e dinë që qyteti që gjithmonë e më shpesh nga mediat thirret Bitola është në fakt Manastiri ku u hodhën themelet e gjuhës zyrtare shqipe. Bashkimi kombëtar reduktohet vetëm në bashkimin territorial-shtetëror dhe politikanët tanë bëjnë gara se cili do të bërtasë më shumë se të tjerët që nuk e duam “Shqipërinë e Madhe”. Ndërkohë nuk shprehen kundër bashkimit të Gjermanive, njohin vetëm një Kinë dhe një Qipro dhe patjetër që nuk do ta kundërshtojnë bashkimin e Koreve, kur ky të ndodhë. Parulla mbizotëruese e politikës shqiptare është se çështja kombëtare shqiptare do të zgjidhet në kuadër të integrimit të rajonit në BE. Evropa që na ndau, ajo do të na bashkojë! Pra, ne vetëm duhet të presim se koha punon për ne.

E kundërta është e vërtetë: koha nuk punon për ne, nëse nuk punojmë ne për kohën. Bashkimin kombëtar nuk duhet ta kuptojmë vetëm si një bashkim territorial në një shtet kombëtar, por pikësëpari si një bashkim shpirtëror, si një vullnet i përbashkët i shqiptarëve. Kombi është një ide që duhet komunikuar, ndarë me të tjerët dhe që duhet aktualizuar gjithmonë në jetën e përditshme të shqiptarëve. Përndryshe ai kthehet në një diçka të largët, ceremoniale. Për kombin kujtohemi vetëm në raste festash përkujtimore (e shkuara), fatkeqësish (“ra ky mort e u pamë”), apo ndeshjesh sportive të ekipit të futbollit apo boksierëve. Kombi dhe atdheu nuk janë realitete të jetuara sot e përditë dhe na mungon një kuadër kombëtar i adresimit të problemeve të shumta që kanë shqiptarët kudo ku ndodhen. Duhet ta kuptojmë se pjesë e kombit janë edhe të varfrit që thyejnë dhe mbledhin gurë për të jetuar; janë bujqit që punojnë arat; janë edhe minatorët që shpojnë tunele në shkëmb, por nuk arrijnë të shpojnë dyllin e veshëve të deputetëve në Kuvend; janë fëmijët e paushqyer e të paarsimuar të fshatrave e të periferive të qyteteve; janë ata që marrin bukë me listë, janë ata presin në radhët e gjata të ambasadave për një lejekalimi për të braktisur njëherë e mirë atdheun; janë edhe gratë e keqtrajtuara nga burra “patriotë”. Pjesë të atdheut janë lumenjtë e ndotur dhe me shtratin e gërryer pa kriter, ujërat e ndotura, pyjet e prerë, toka në erozion, qytetet e betonuar dhe pa identitet të tyrin. Kombi, atdhedashuria, nacionalizmi, patriotizmi janë retorikë boshe nëse nuk i përgjigjen rrethanave jetësore të shqiptarëve, kudo ku këta janë. Kombi përfytyrohet si një vëllazëri, si një familje e madhe, pra le të jemi një familje shpirtërore e të mos presim adoptimin burokratik nga një shtet i vetëm.

Kombi është një ide dhe duhet të besojmë në fuqinë e ideve për të ndryshuar realitetin. Bashkimi nuk realizohet mekanikisht, as nga një treg i vetëm. Shumëkush i ka varur shpresat te rruga Durrës-Morinë, por 130 vjet më parë Abdyl Frashëri nuk priste për rrugë për të udhëtuar nëpër të gjitha trevat shqiptare e për të ndarë me parinë e popullin idenë e bashkimit kombëtar përballë armiqve të kombit. اështja është se si të përdorim liritë që kemi, për të fituar më shumë liri. Në kushtet e sotme kërkohet një veprim hegjemonik ku përpjekjes kombëtare, pa e humbur specifikën e vet t’i brendashkruhen përpjekjet lokale të shqiptarëve në fusha të ndryshme. Fjala “komb” të kthehet në një shënues për një shumësi kërkesash kombëtare e shoqërore.

Pa aktualizim të kombit nuk kanë vlerë të drejtat historike kombëtare të shqiptarëve. Prandaj, ne jetojmë në një periudhë çmitizimesh të historisë e simboleve kombëtare. Përballë apatisë së shqiptarëve vijojnë përpjekjet për të na mohuar prejardhjen ilire dhe hidhet dyshimi se jemi ardhacakë më të vonë se sllavët; vihet në pikëpyetje vazhdimësia iliro-arbëre në mesjetë, lihet në harresë “epoka e artë” periudha e lavdishme e Balshajve, që për pak realizuan bashkimin politik të shqiptarëve; ka përpjekje për greqizimin dhe sllavizmin e Skënderbeut, të cilave shekuj më parë u dha përgjigje Frang Bardhi; mbivlerësohen jo më kot aspektet fetare, lokale dhe feudale të luftës së Skënderbeut dhe nuk citohen fjalët e tij në letrën dërguar princit të Tarantos “të parët tanë quheshin epirotë”, gjë që flet për një vetëdije të lartë etnike, nëse jo kombëtare, të heroit tonë; Rilindja Kombëtare interpretohet si një lëvizje e veçuar e intelektualëve të mënjanuar në mërgim dhe nuk përmendet jehona popullore e saj në Shqipërinë e asaj kohe; festohet me bujë 28 Nëntori dhe “harrohet” pushtimi dhe spastrimi etnik që pësuan shqiptarët në vitet 1912-1913, pasojat e të cilit i vuajmë edhe sot; përkujtojmë Holokaustin dhe pak kujtohen për një gjenocid tjetër, atë çam (çështja çame nuk është çështje pronash, por çështje gjenocidi dhe pjesë e çështjes kombëtare shqiptare).

Sot, në epokën e globalizmit, integrimeve evropiane, demokracisë etj., na thonë që ta rishkruajmë historinë, na mësojnë se nuk kemi më armiq. Kjo bëhet për të fshehur spastrimin e Preshevës, separatizmin serb rreth e brenda Mitrovicës (një Berlin tjetër i ndarë!), boshnjakëzimin e Kosovës; përzënien dhe mënjanimin e shqiptarëve në Shkup e Manastir për të krijuar Lebensraum-in e kombit foshnjarak maqedonas; greqizimin e Himarës, ndërtimin e varreve dhe të kishave greke për të vijëzuar kufirin simbolik dhe territorial të aneksimit të jugut të Shqipërisë, rritja artificialëve e “pakicës” greke, ndërrimin e kombësisë dhe fesë së mërgimtarëve shqiptarë në Greqi, etj. Këto përpjekje kombëtare lokale nuk mund të kenë sukses po nuk u udhëhoqën nga qëllimi i bashkimit kombëtar dhe po nuk u lidhën me përpjekje të tjera shoqërore. اasti i tanishëm përmbledh të shkuarën dhe të ardhmen. Jemi qytetarë të shteteve përkatës, kemi të drejta e detyrime qytetare, por jemi edhe shqiptarë dhe prej kësaj përkatësie buron përgjegjësia për të punuar për realizimin e të drejtave historike. Me rifutjen e “kombit” në qendër të ligjërimeve publike, vala e çmitizimeve do të tërhiqet. Edhe mitet kombëtare do të aktualizohen dhe do të fitojnë kuptime të reja, për t’iu përgjigjur nevojave të një brezi të ri të shqiptarëve. Të punojmë për një rilindje tjetër kombëtare!


(Enis Sulstarova është sociolog dhe ligjërues nga Shqipëria. Kjo është ligjëratë e tij e mbajtur në Universitetin Evropian të Tiranës si përfaqësues i Klubit Kombëtar)
 

Konkursi Letërsisë

  • 1-Bëju.

    Votat: 11 40.7%
  • 2-Ankth mesnate.

    Votat: 3 11.1%
  • 3-Të dua ty.

    Votat: 8 29.6%
  • 4-Nje kujtim.

    Votat: 5 18.5%
Back
Top