Bankat qendrore bashkohen për të shpëtuar tregjet

albstudent

FORCAT RENEA
Gjashtë bankat më të mëdha të botës hedhin në qarkullim 125 miliardë euro


Kriza financiare, që ka goditur Shtetet e Bashkuara të Amerikës me dështimin e "Lehman Brothers" dhe frikën për AIG, "Morgan Stanley" e "Goldman Sachs", ka zhytur në pikiatë edhe një herë Wall Street-in dhe bursat aziatike. Ndërsa bursat evropiane janë lëkundur një ditë pas të mërkurës së zezë, që ka djegur rreth 124 miliardë euro. Për të stabilizuar tregjet kanë ndërhyrë sërish bankat qendrore, që kanë vendosur të hedhin të tjera para në qarkullim. Ndërhyrjet, shkruan "Bloomberg", janë kryer nga Rezerva Federale Amerikane, Banka Qendrore Evropiane, Banka Qendrore Britanike dhe Banka e Japonisë. Në një komunikatë, Bankat Qendrore të SHBA, Japonisë, Evropës, Kanadasë, Britanisë së Madhe dhe Zvicrës, bëjnë të ditur se "do të vazhdojnë të punojnë së bashku dhe të marrin masat e nevojshme për të përballuar situatën e krijuar në tregje". Bursat evropiane kanë kohë që janë pre e luhatjeve të shfrenuara: indekset kanë ndryshuar shumë herë drejtim, në mënyrë të përsëritur dhe drastike. Gjithsesi, ndërhyrja e bankave qendrore duket se e ka qetësuar disi situatën. Injektimi i parave nga ana e Bankave Qendrore ka qenë në të njëjtën kohë edhe injektim besimi dhe titujt e bankave janë ringritur. Ka shënuar madje një bum të vërtetë HBOS që ka fituar 41 për qind, ndërsa janë në pozicion të mirë edhe UBS dhe "Barclays" me një rritje prej mbi 4 përqindësh. Edhe "Morgan Stanley" ka shënuar një rritje prej 1.2 përqindësh. Ndërhyrja e koordinuar e bankave qendrore botërore për të siguruar likuiditet në tregje i ka dhënë një shtysë pozitive edhe Wall Street-it që është hapur me një ngritje. Nën presion mbeten gjithsesi "Goldman Sachs" dhe "Morgan Stanley". Kjo e fundit ka nisur procedurat e bashkimit me disa banka. Lajmi që bankat qendrore kanë ndërhyrë për hedhjen e parave në sistem, ka qenë i papritur. Në fakt, Rezerva Federale Amerikane ka vënë në dispozicion 180 miliardë dollarë, ndërsa Banka Qendrore Evropiane ka ofruar 40 miliardë (në total, rreth 125 miliardë euro). Në këtë mënyrë indekset evropiane janë ngritur. Ndërkohë, financa ndërkombëtare po ndryshon imazh. Pas "Bear Stearns" që në muajt e shkuar u bë pjesë e "JP Morgan", "Lehman Brothers" u zhduk nga skena për shkak të falimentimit dhe "Merrill Lynch" u ble nga "Bank of Amerika". Ndërkohë në Britaninë e Madhe, banka "Lloyds TSB" ka blerë HBOS, shoqërinë më të madhe të specializuar në kredi imobiliare në vend, për 12,2 miliardë sterlina (15,5 miliardë euro). Operacioni ka pasuar rëniet drastike të regjistruara ditët e fundit që e kanë zhytur HBOS në një krizë të vërtetë. Ndërsa përtej oqeanit, autoritetet amerikane po kërkojnë një institut të gatshëm të blejë "Washington Mutual" ndërsa në ambientet financiare flitet për negociata për shkrirjen e "Morgan Stanley"-t me një tjetër institut. E pa asnjë diskutim, kuadri është pak ngushëllues. Veç të tjerash, shefi i Fondit Monetar Ndërkombëtar, Dominik Strauss-Khan, ka vlerësuar se ngjarjet e fundit përfaqësojnë një rrezik të mundshëm për rritjen ekonomike botërore. Duke folur nga Shtëpia e Bardhë, Presidenti amerikan, Xhorxh Bush, është përpjekur të qetësojë situatën. "Kemi marrë masa të jashtëzakonshme përballë sfidave të tregjeve financiare. Ekonomia amerikane ka disa sfida të vërteta financiare përballë saj", ka thënë ai. E ndërkohë, ndryshime ka pasur edhe në çmimin e naftës. Ari i zi, është ringjitur sërish mbi kuotën e 100 dollarëve për fuçi, në tabelat elektronike të bursës së Nju- Jorkut.



Shqip
 

Konkursi Letërsisë

  • 1-Nje veshtrim, nje dashuri.

    Votat: 5 21.7%
  • 2-Agim shpërthyes

    Votat: 2 8.7%
  • 3-Për të voglën

    Votat: 1 4.3%
  • 4-Qiriu pa fjalë

    Votat: 4 17.4%
  • 5-Për të satën herë ….

    Votat: 2 8.7%
  • 6-Tik tak.

    Votat: 3 13.0%
  • 7-Nuk je më vetëm.

    Votat: 6 26.1%
Back
Top