Azem Shkreli

CoNNecT

Administrator
Azem Shkreli zë vend në krye të poezisë aktuale shqiptare. Krahas cilësisë, poezia e Shkrelit shënoi kthesë në rrjedhat e poezisë në Kosovë: e zgjeroi spektrin tematik; e subjektivizoi dhe intimizoi heroin lirik dhe çka është më me peshë, solli një ndjesi të re, të mprehtë ndaj gjuhës, ndaj fjalës. Kështu, ajo i hapi rrugë bindshëm poezisë së viteve pesëdhjetë, të ngarkuar me patosin e euforisë kolektive.


Azem Shkrelي lindi më 1938 në Rugovë të Pejës. Shkollën fillore e kreu në vendlindje, ndërsa në Prishtinë ai vazhdoi shkollën e mesme për të vazhduar fakultetin Filozofik, degën e gjuhës dhe të letërsisë shqipe. Për shumë vjet ai ka qenë kryetar i shoqatës së Shkrimtarëve të Kosovës, drejtor i Teatrit Krahinor në Prishtinë dhe themelues e drejtor i Kosova Filmit. Vdiq në pranverën e vitit 1997.
Ka botuar këto vepra në poezi Bulzat (1960), Engjujt e rrugëve (1963), E di një fialë prej guri (1969), Nga bibla e heshtjes (1975), Pagëzimi i fjalës (1981), Nata e papagajve (1990), Lirikë me shi (1994), Zogj dhe gurë (1997). Në prozë: Karvani i bardhë (1961), Sytë e Evës (1975), Muri përfundi shqipes Shtatë nga at, si dhe dramat: Fosilet (1968), Varri i qyqes (1983) etj. Poezitë e tij janë përkthyer në shumë gjuhë të huaja.
Shfaqja e Azem Shkrelit si poet, përpos që përputhej me ardhjen e talentit të fuqishëm, shënonte njëkohësisht kthesën e parë drejt hapjes dhe modernizimit të poezيsë shqipe të Pasluftës. Shkreli u ngjيt natyrshëm në kulmet e poezisë së sotme shqiptare dhe këtë vend ai e konsolidoi dhe e përforcoi nga njëra vepër poetike në tjetrën, deri në atë të fundit, që e la dorëshkrim "Zogj dhe gurë", botuar më 1997.

Veprimtaria në poezi dhe në prozë e Azem Shkrelit në fund të viteve pesëdhjetë dhe në fillim të gjashtëdhjetave, shënon kthesë cilësore dhe kthesë në praktikat krijuese letrare. Gjatë viteve pesëdhjetë, si gjimnazist, Azem Shkreli, ka mundur të lexojë nga letërsia e kohës në gjuhën shqipe një poezi tematikisht të kufizuar, me strukturë dhe sajim artistik gjuhësor pa origjinalitetin e duhur. Në prozë gjendja ishte edhe më e varfër. Me përjashtim të ndonjë emri, (Hivzi Sulejmani) ajo pak prozë e autorëve jo fort të talentuar, kryesisht trajtonte tematikën e luftës dhe të fitores përmes rrëfimit klishe bardh e zi dhe të metodës së realizmit socialit.
Kështu Azem Shkreli shënoi kthesën e parë më të rëndësishme në poezi, në radhë të parë, duke e çliruar Unin lirik intim nga ai kolektlv, duke selitur në të temën e dashurisë për vendlindjen dhe duke portretizuar njeriun e truallit rugovas, me ngjyrimet e traditës dhe të lashtësisë, dashurinë për vashën, lirikën peizazhiste, etj. Nga ana tjetër thyerjen e parë të madhe në letërsinë shqiptare, kosovare, Shkreli e bëri me romanin "Karvani i bardhë" si edhe me tregimet e përfshira në vëllimin "Sytë e Evës", që qëndrojnë ndër më të realizuarat në prozën tonë të shkurtër...
 
Lirikat e Para

Vendlindja, natyra dhe njeriu i Rugovës së Dukagjinit, portreti shpirtëror i tij, do të jenë frymëzimi kryesor i poezisë së Azem Shkrelit të shtrira brenda viteve gjashtëdhjetë. Frymëzimi që ngjizet mbi këtë hapësirë e që është kthim i shpeshtë i poetit, nuk është konvencional e aq më pak pozë: nuk ka në të patetikë malli dhe mallëngiimi që djeg, "më të bukurin vend"... Bota e vendlindjes së poetit është e pranishme si botë e njerëzve, si besim dhe parim etik, si ashpërsi dhe krenari, si individualitet i papërsëritshëm me hapësirat e tjera, si filozofi jetësore, si raport ndaj lindjes, jetës, vdekjes, dashurisë, si raport ndaj dasmës dhe festës, ndaj punës dhe natyrës, ndaj zotit dhe, sidomos ndaj fjalës. Në këtë frymë janë poezitë e ciklit "Këngë për vete" të shkruara në fund të viteve pesëdhjetë dhe që, së bashku me një tufë poezish të tjera, do t'i emërtojmë si autoportret poetik.
Tek poezitë e ciklit "Dukagjinçe" mund të përmendim disa poezi portrete të vendlindjes që shënojnë kulmin artistik të poetit si: "Dukagjinge", "Vdekja e Malësorit", "Bregu i mollës", "Shkëmbi", "Lumi" etj. Te poezia "Vdekja e malësorit", përmes përqasies poetike vihen pranë e pranë tri majat: e malit, e lisit dhe e Malësorit. S'ka lot, s'ka kujë në këtë vdekje, se atëherë rrëzohen lisat, shemben majat dhe shterrin krojet. Dhe, s'ka vdekje këtu: vetëm se harroi perëndimin dita në sytë e Malësorit, ndërsa mendimi i vrugët dhe i ftohtë ndër vetulla, është ai që shquhet. Ndërsa poezia "Bregu i mollës" edhe si strukturë vargu, si frymëzim dhe poetikë, është realizuar fare ndryshe nga poezia e mësipërme. Ajo është konceptuar si një rrëfim që rrjedh përnjëherë dhe furishëm, thuajse pa të lënë rast të marrësh frymë. Eshtë njëri nga kthim-kërkimet më dramatike të poetit pas gjurmëve të dikurshme që, përfundimisht i ka fshirë koha. Të pashlyera, të njëjta në atë kthim janë vetëm retë shtegtare, të përjetshme në shtegtimin e tyre, sfiduese përballë shtegtimit kalimtar, përballë gjurmëve të fshira pamëshirshëm. Në këtë kontekst mund të përmendet dhe poezia "Lumi", i cili sikur merr pjesë në këtë komplot kundër poetit, po dhe ai fsheh diç të kaltër dhe të urtë në thellësitë e veta, por që s'do ta thotë. Nga vargjet e poezisë "Shkëmbi" reflekton njëjëzimi maksimal në mes të portretit, natyrës së vendlindjes dhe individualitetit të Unit lirik.
 
Lirikat e dashurise

Dashurinë për vashën, poezia e Azem Shkrelit e ka emocion, dhembje të brendshme, të pazëshme.
Fjala është për një cikël jovëllimor poezish, të zëna dhe të lindura, mbase nga një dashuri e pafat e poetit, që përjeton dramë dhimbjesh të thella. Vasha para një udhëkryqi dramatik zgjedh largimin përfundimtar. Vargjet e lindura nga ky detaj jetësor, ngarkohen kryesisht vetëm me një refleks emocional: dhimbjen e poetit pas ndarjes. Edhe për përmasat e emocionit, për figurën, portretin e vashës, poeti gjen ndonjë detaj të rrallë që s'është qëllim në vete, por në funksion të tendosjes dramatike të folësit lirik. Dhembjen e kësaj plage autori parapëlqen ta mbajë të heshtur, vetëm për vetveten dhe, kur ajo kërcënon të dalë jashtë kontrollit, e ndrydh brenda, si një therrje, plagë fizike. Në këto poezi ndjehet gjendja shpirtërore e poetit, supozohen rrethanat, mjedisi, si dhe një ecuri kronologjike se si dhe kur kanë lindur poezitë e ciklit në fjalë, që asnjëra nuk ka datë.
Fillimi do të ishte si një "Këngë e heshtur" një takim e gëzim rasti, po ashtu pa bujë, lindja e këngës si një "takim pa hiri", përthithës në çast, por, njëkohësisht i mbështjellë dhe i përcjellë me një parandjenjë të kobshme që pëshpërit si Korbi i Po-së: do ta dua pa e parë.

Pason pastaj periudha e një dhimbjeje që therr thellë, duke u përplasur brenda gjirit të vet në një vetmi absolute të Unit lirik. Kjo fazë lidhet me bredhien e ankthshme të poetit përmes tri lirikave: "Liqeni", "Nata në kështjellë" dhe "Në Shën Naum". Liqeni që depërton andej dhe këtej kufirit mbase dhe mund të ofrojë një sinjal, një hollësi për vashën, por ai, indiferent, luan me valët dhe, sikur s'është më as syri i tij as loti i saj, dhe Unit folës në çast, i vjen të zbresë në fundin e tij. Nuk ka ngjyrim patetik, as vaj ngushëllues në këtë dëshirë, ide e mendim, qoftë i një Basti fluturues, i një jehone të largët. I tillë është një trevargësh nga cikli i lirikës së realizuar si autoportret, konkretisht nga poezia me titull "ç'ka mësova unë"; -Me qeshë pelim me vuajtë, Me dashtë si me vdekë, Me vdekë si me luejtë. Dashuria dhe vdekja në poezinë e Azem Shkrelit nuk janë një fjalë goje. Përkundrazi ato qëndrojnë pranë e pranë fare natyrshëm.
Poezia "Në Shën Naum" është një tjetër faqe e bredhjeve të poetit rreth e rreth liqenit që e ndan aq mizorisht. Vargjet e poezisë "Nata në kështjellë" vinë si një fund dite e plumbtë, si një thirrje për strehim qetësues, si një refleks për ta heshtur, për ta vënë në gjumë dhembjen. E kjo nuk ndodh. Përkundrazi dhembja roit e përçudnuar dhe poeti, për ta mposhtur, therr faqen e shkëmbit me gishtat e duarve. Poezia kurorë e ciklit pa dyshim është "Në vend të përshëndetjes". Para kësaj, një si këndellje, vërehet që në vargjet e poezisë "Para elegjisë", ku uni lirik sikur e parandjen jehonën e qëndrimit nëpër kohët që vinë. Por përmes vargjeve të poezisë "Në vend të përshëndetjes" poeti do të shpërthejë si klithje dhe anatemë.

Në këtë poezi antologjike vihet re një përplasje e brendshme udhëkryqesh, përplasje përjashtuese, emocionesh në momente të kundërta, që rrjedhin furishëm. Vërehet një konflikt dramatik: aq sa zëri lirik përpëlitet të çlirohet nga kjo magjepsie totale, që kullon dhimbje e ankth. Aq më shumë e ndien ai praninë e saj, të shikimit të saj, "në shtegballin e vet". Ndjehet se stuhia në këtë poezi, turret si e verbër, herë në një drejtim e skajshmëri, herë në të kundërtin.
 
Lirikat atdhetare

Azem Shkreli është një nga lirikët më modernë në llojin e poezisë patriotike. Nuk ka eufori në atë poezi, as përbetime e dëshmi atdhetarizmi që, në këtë fund shekulli janë aq me tepricë në poezinë tonë. Brenda këtij harku tematik poeti me guxim denoncon cenet dhe veset shqiptare, dje dhe sot, duke e ruajtur besimin në substancën e shëndoshë të qenies. Ndjenja e atdhedashurisë shtrihet gati në tërësinë e veprës poetike të Azem Shkrelit. Ajo dallohet thekshëm tek frymëzimet poetike të ngjizura nga drama kosovare dhe shqiptare, sidomos të viteve nëntëdhjetë. Në këtë tematikë sidomos shquhen dy veprat e fundit të poetit, "Lirikë me shi" dhe "Zogj dhe gurë". Nga tërësia e vargjeve atdhetare reflektohet një urti e thithur nga e kaluara, nga tradita dhe lashtësia historike, nga bota shpirtërore kolektive, që i sfidon krizat aktuale morale dhe shpirtërore të shqiptarëve.
Si poezi atdhetare, pjesërisht mund të konsiderohen edhe ato përsiatëse, të llojit "Meshë" apo "Dhiatë e re". Tek e para përmes një loje fjalësh që, vetëm duke i ndërruar vendet, tek tri vargjet e poezisë, shquhet zëri, në frymë biblike, i vendosur, i prerë në mbrojtje të Dheut dhe qëndrimi shpirtëror e intelektual i poetit ndaj tij. Ajo që e dallon poetin nga shumica e autorëve të lirikës patrioktike aktualisht është ndjenja ndaj fjalës dhe e shqiptimit poetik të përmbajtur në emocione; është ndjenja e masës, ndjenja për të mos u rrëmbyer nga brohoritja kolektive në çastet dramatike për fatin e kombit, siç janë vitet nëntëdhjetë. Këto tipare sidomos shquhen tek vëllimi i parafundit i poetit "Lirikë me shi". Në këtë kontekst, do të veçojmë poezinë e poetit të lënë në dorëshkrim e që lidhet me ngjarjet e pranverës shqiptare të vitit 1997: "Këngë e turpshme".
Cikli i kësaj lirike, në këtë përzgjedhje prezantohet me poezitë "Psalm për Kosovën", "Origjina", "Arkeologji", "Meshë", "Sogje", "Zgjim", "Motiv optimist", "Ndërtimi i kullës", të cilat dallohen për shtresime të rralla gjuhësore e poetike.
 
Lirikat refleksive

Në lirikën e Azem Shkrelit nuk mund të bëhet diferencim i prerë ndërmjet llojeve të lirikës. Substanca përsiatëse, refleksive është e pranishme dhe tek poezitë atdhetare dhe tek ato historike, intime, të vendlindjes, etj. Cilido qoftë frymëzimi poetik, në ecje, gjatë artikulimit gjuhësor të poezisë, vargu ngarkohet me reflekse kategorish nga ekzistenca dhe metafizika. اdo dukuri në këtë poezi është në lidhje me tërësinë e universit dhe ka kuptimin apo pakuptimësinë e kësaj tërësie. Në këtë lirikë është më i pranishëm synimi për të shtruar pyetje, përmes të cilave ndriçohen kategori metafizike të rëndësishme, jepen sugjerime të tërthorta drejt përgjigjeve që asnjëherë nuk janë të prera, përfundimtare.
Rëndom, në atë pjesë të lirikës ku substanca filozofike është më e theksuar, mbesin të hapura dilemat, udhëkryqet në jetë, duke e nxitur dhe pasuruar spektrin asociativ e meditativ të lexuesit. Lindja e kësaj pjese të lirikës, lidhet me çaste dëshpërimi me çaste zhgënjimi poetik nga ligjshmëria e gjithësisë, nga njerëzit, ku s'pushon të gjallërojë një besim, sado i largët ndjehet ai, sia ndodh tek vargjet e poezive "Ajo që s'e them", "Pagëzim i fjalës", "Kafshë e zezë", "Këngë e vrugut"... Një dëshpërim e zhgënjim i thellë i ditëve të fundit të poetit vërehet tek poezia "Përshëndetje me miq", ndërsa poezia pak më e gjatë "Letër një miku" lidhet me një brengë më të hershme të poetit.
Vargjet tek të cilat rrezaton dhe besimi e shpresa për ndreqjen e botës dhe të njerëzve, pra dhe të shqiptarëve, janë më të shpeshta në këtë rreth tematik. Në çaste të tilla të rralla, poeti parapëlqen të tërhiqet, të strehohet tek hapësirat e pastra, të virgjëra, siç ndodh me llojin e poezisë "Motive të verdha". Poezitë më të arrirra të kësaj natyre lidhen me trajtat e heshtjes dhe të fjalës, me përthyerjet e tyre në kontekste të ndryshme, qofshin këto sfiduese dhe provokuese, të përditshme dhe të përjetshme. Përshkohet, në këtë cikël lirik, urtia e fjalës dhe e heshtjes, kriza dhe shansi i tyre në rrethana të ndryshme, forca njëherëshe dhe shkatërruese e tyre. Përmes fjalë-heshtjes, në lirikën e vet mendimtare, poeti portretizon kohën e fjalamanëve dhe të heshtakëve aktualë, portretizon njerëzit, bartësit e përditshëm të tyre. Po ashtu brenda këtij rrethi frymëzues Azem Shkreli arriti majat e artit poetik, për arsye se vetë natyra krijuese e tij është më pranë dhe më e prirur drejt meditimeve filozofike. Në këtë fushë, është pa dyshim poeti më i fuqishëm në letërsinë e sotme shqiptare.
 
Poetika

Veti parësore e poezisë së Azem Shkrelit është dendësia e mendimit, ngarkesa dhe tendosja emocionale, të cilat nuk janë sajime mekanike, as rezultat i reduktimeve dhe i shkurtimeve sasiore të
mjeteve shprehëse. Dendësia në të gjitha shtresimet poetike është në natyrën krijuese të poetit. Kjo natyrë krijuese e ka të mprehtë ndjeshmërinë ndaj fjalës, nga e cila shtrydh të pamundshmen. Duke u vendosur në kontekste të caktuara, fjala, figura, fraza, në këtë poezi aftësohen maksimalisht për të zënë dhe për të bartur në rrjetën e tyre, mendime dhe nuanca mendimesh, emocione, imazhe përfytyrimi dhe imagjinate nga më të nuancuarat dhe nga më të ndërlikuarat. Karakteristikë tjetër është gdhendja mjeshtërore e vargut dhe e frazës poetike. Duke qenë jashtë konvencioneve metrike dhe retorike, poeti, në vargun e lirikës së tij arrin të vendosë një ritëm, një harmoni të natyrshme, jo të imponuar dhe jo në dëm të thelbit përmbajtësor dhe estetik të saj. Nga kjo anë poezitë e Azem Shkrelit u përngjajnë skulpturave të gdhendura mjeshtërisht dhe të krijuara nga lënda kristalore, e tejdukshme. Saktësia e imazhit imagjinativ dhe figurativ, saktësia dhe tërësia e perspektivës dhe e filozofisë poetike, qëndrojnë në thelb të strukturës vargëzuese të A. Shkrelit. ثshtë dhe një veçori, mbase e rrallë përgjithësisht, që e veçon vargun e Azem Shkrelit: mendimi, emocioni, nuk i robërojnë strukturat tërësore të vargut, strofës, frazës. Ato sipas nevojës derdhen lirshëm dhe arrijnë përpos efekteve estetike dhe elegancë të përsosur ritmi dhe mendimi poetik.
 
Karvani i bardhe analize

Kur u botua romani "Karvani i bardhë", (1938), ishte ngjarje letrare në Kosovë, jo vetëm pse autori i tij ishte një gjimnazist i panjohur, por para së gjithash për faktin se përballë asaj pak letërsie (poezi) dhe kurrfarë proze, romani i Azem Shkrelit qëndronte su-perior si vlerë. Edhe për këto dy arsye: lufta e fundit që është tema e romanit, jehona e së cilës ndihej akoma, nga autori i ri shihej ndryshe dhe nuk përputhej aspak me parimet e pasqyrimit bardhë e zi. Ndërsa, njerëzit që e mbartnin atë luftë, bota e tyre rrëfehej me një gjuhë të avancuar, gjuhë që s'provonte aftësinë e një të rrëfyeri burimor, efikas për të dhënë situta dhe përfytyrime komplekse shpirtërore.
Aso kohe, romani mbi Dyl Mehmetin, siç njihet më shpesh "Karvani i Bardhë", nuk arriti t'i hapë udhë një konflikti tragjik të brendshëm të botës shqiptare: si të ruhet profili pozitiv i Dyl Mehmetit nga njëra anë, dhe të kundërshtohet lufta e tij nazionaliste, antikomuniste nga ana tjetër; pra si të rezervohet simpatia e lexuesit, përkatësisht e autorit për të, dhe të refuzohet lufta që bën Dyl Mehmeti. Autori i romanit, gjimnazist, e ndjeu thellë këtë mospajtim dhe konflikt të brendshëm të imponuar artificialisht nga jashtë: jo të gjithë ata, për të mos thënë pjesa dërrmuese që e bënë luftën e vet, edhe pse kundër shumicës, nuk ishin dreqër të zinj. Autori shkon dhe më tej, jo të gjithë ata e donin më pak Kosovën dhe shqiptarizmin. Zgjidhja e brendshme e konfliktit në roman prandaj erdhi si rezultat nga jashtë: u desh që Dyl Mehmetit t'i vihet një njollë nga e kaluara. Edhe pse kështu, lexuesi asokohe e dalloi qartë mballomën artificiale që iu vesh kryepersonazhit. Ndërkaq, pikërisht për tendencën e brendshme të romanit dhe të kryepersonazhit të tij, si dhe të pranisë së emocionit negativ që e përshkon luftën e Dylit, për mënyrën dhe gjuhën e rrëfimit, "Karvani i bardhë" me dekada vazhdoi të jetë njëra nga veprat më të kërkuara.
Afërsisht ky është version i botimit të parë të romanit. Në versionin e ri, të botuar në vitin 1996, Dyl Mehmeti del i pastruar nga shpifjet dhe sajesat denoncuese. Tani ai del i vërtetë, i vetvetes, dhe në përputhje me natyrën autoktone. Shëmbëllyeshëm me figurat e shquara të personazheve monumentale, Dyl Mehmeti arrin të shquhet në majat e një rrethi të ngushtë personazhesh, që e shtrijnë larg rrezatimin në kohë dhe në hapësirë. Dyli bart me vete shtresime burrërore dhe tragjike të unit të vet, sublimon mpleksjen e së bukurës dhe së madhërishmes. Në tiparet e këtij personazhi, është koncentruar një frymë kombëtare e formës së filtruar moralisht. Ai, duke qenë i bindur se bën luftën e vërtetë, në fund gjen forcë morale t'u kundërvihet të gjlthëve, për të cilët po ashtu ishte i bindur se nuk e kanë drejt. Ai e ndien se pozicioni dhe perspektiva e luftës së tij janë të drejta, por e sheh se kundër asaj lufte janë të gjithë, ose pothuaj të gjithë. Një perspektivë e tillë, thelbësisht kontradiktore, e bën edhe më komplekse figurën e Dylit, e sprovon atë në rrafshe dhe situata të ndryshme, e ballafaqon me situata që mund t'i mbajë mbi shpatulla vetëm ai. Sprova e tij më e fundit dhe më e madhe, që e shpreh madhështinë e figurës, është ajo e ballafaqimit sy më sy me vdekjen, me të vetën dhe me vdekjen e të tjerëve. Përmes lidhjeve dramatike të episodeve të rrëfyera, që plotësohen dhe ndriçohen mes vetes, sajohet uniteti si shtrat i vizionit të Dylit, dëshmi e gjallë për një kohë dhe realitet.
Autori i këtij romani është i shkollës së rrëfimit të mirëfilltë klasik. Ai, llojin më të ndërlikuar letrar, romanin, e lidh me rrëfimin e një historie, pra është rrëfim i rrëfenjës. Rrëfimi në romanin "Karvani i Bardhë", lidhet me historinë e Dylit. Rrëfimtari është i gjithëditur, dhe nga kjo perspektivë rrëfen duke ndjekur kronologjinë kohore. Lexuesi që e ka të qartë dhe të njohur fundin e luftës së Dylit, përqendrohet në shtytësa dhe thurrje, me motivime dhe tensionime dramatike të kryepersonazhit dhe të personazheve të tjerë. Pra, fjala është për një luftë të humbur që në nismë. Luftën e Dylit duhet ta pranojmë si një metaforë dhe mesazh, në frymën që del nga bindja se lufta që fitohet pëfundimisht, vjen vetëm pas një
vargu betejash të humbura. Në faqet e romanit është një pasazh i fuqishëm, ku përsiatet rreth luftës, por që vjen si digresion apo ndërhyrje jashtë rrjedhës së fabulës, ku njëri nga personazhet do të shprehet kështu: E kemi krisur kur duhei dhe kur sduhej, kahmos dhe për këmos. Por luftë për të fituar jo, nuk kemi bërë.
Gjuha e rrëfimit në këtë roman, në shërbim të shpalimit të një bote komplekse dhe të nuancuar, është ana më e fuqishme e veprës. Zhbiruese, ajo vepron duke e udhëhequr rrëfimin, rrëshqet sferave të thella, i ndriçon ato dhe ngarkohet që andej rishtazi. Nga fjala e këtij rrëfimi, rrezatojnë impulse nga më kryesoret, duke nxitur përsiatje rreth kategorive madhore, siç është jeta, vdekja, lufta, frika, gëzimi etj. ثshtë gjuhë rrëfimtare me fuqi të gjerë rrezatimi, me tiparet e të folurit të urtë, lakonik, dhe të kthjelltë deri në rreptësi. Eshtë një observim burimor, i pasuruar me shtresime originale. Ndjehet në këtë rrëfim një komentator rrëfimtar impulsiv, i një gjallërie anekdotike, një praktikë e rrëfimit, dalë nga një traditë e lashtë, e gdhendur nëpër shekuj si shtresim urtie popullore. Në këtë roman kemi dy rrafshe komunikimi: të folurin dhe atë të heshturin, praktikë rrëfimtare kjo që gjallëron rrjedhën e rrëfimit dhe mbart një rrezatim shumështresor.
Nga ky kënd romani ka një strukturë të natyrshme: Tiparet themelore të narratorit dhe ato të bartësve të veprimit, janë në harmoni të plotë, meqë dalin nga i njëjti burim i filozofisë dhe i urtisë gjatë komunikimit. Mbresa që del nga leximi i romanit "Karvani i Bardhë", është karakteristike. Kur kemi pështypjen se fjalia që sapo kemi lexuar, është kurorë përmbyllëse në paraqitjen e nië situate apo të një gjendjeje, kur jemi të bindur se çdo lëvizje më tej veçse mund ta zbehë fuqinë dhe tensionimin e arritur, befasisht, përmes fjalisë apo frazës që pason, hapet një faqe e re që e shkallëzon më tutje rrjedhën narrative. Gjatë gjithë kohës së leximit kemi përshtypje se udhëheq një rrëfيmtar fjalëpak. Ndjejmë se çdo fjali e rrjedhës së jashtme tërheq dhe vë në lëvizje fjali dhe copa fjalish të brendshme, vizione e përfytyrime që trokasin nga paradhoma. Duke lexuar faqet e romanit, përkujtojmë autorin e poezisë sonë më të ngjeshur. Dhe ekspresioni, dhe bota shpirtërore është e së njëjtës prejadhje në prozën dhe poezinë e Azem Shkrelit. Edhe registri i figuracionit stilistik e legjitimon poetin.
Romani "Karvani i Bardhë" i Azem Shkrelit sjell një vizion tjetër mbi luftën që ai e kishte përjetuar si fëmijë. ثshtë po ashtu një shprehje e re e rrëfimit të artikuluar si roman. ثshtë një realizim kompozicional që shmang klishetë e deriatëhershme dhe duke qenë një sintezë mes romanit të personazhit dhe romanit psikologjik, përbën veprën më komplekse në letërsinë tonë.
 
Titulli: Azem Shkreli

Shkodra


Desha t'ia prek
Rozafës flokun
S'më deshe

Zbrita t'ia puth
Algjet Liqenit
Më nxore

Tani përherë më ke
Maje Taraboshit me cuba
Shkodër Shkodra
----------------------------------------------
Vdekja e malesorit


Asnje koke perkulur
se ia rrezoni lisat

Asnje gjeme mesa guri
se ia shembni majet

Asnje lot asnje
se ia shterroni krojet

ne syte e tij vetem harroi
p'rendimin dita

C'mendim i vruget
C'mendim i ftohte nder vetulla

Lum ky cfare vdekje.
----------------------------------------

Kater e njezet e pese


Ne kater e njezet e pese
mund te vijne e te shkojne udhet, mund
te lindin femije te bukur si bari

Ne kater e njezet e pese mund
te mbaroje lufta, te rrjedhe uje ujrave
te shkruhet liber, asgje te mos perseritet

Mund te jete e shtune pas tere nje te premteje
vetemi e pritje, mallkim e pritje, nje LUME
te heqe dore nga bifurkacioni

mund te degjohet muzike nate, mund te qash
Mund te dashurosh dhe te vdesesh
si asnjehere tjeter

Ne kater e njezet e pese
flene meteoret.
---------------------------------------------

Nga ditari i se premtes

Naten mire, asgje s'mundi te ndodhe
gjithe diten, mezi qe e premte, mezi lindi
pak diell vone pasdreke sa te jete
data katermbedhjete, sa te flene
mbi barin e urte te Tafir Toskes
xixellonjat, naten e mire mundime
sendesh te vogla, flini, une sonte
vetem do ta ve nje gur fjale nen koken
e lodhur te dites, vetem uji te verdhe
do te derdh per shendetin e bimeve
te verdha e do t'vete se asgje s'mundi
te ndodhi pos te jete e premte sa te flene
mbi barin e urte te Tafr Toskes
xixellonjat , date e lenguar, nese fyshkesh sate
s'do te pershkohesh lakuriq si krimbi
date e lenguar, po te le mes numrash
harrimit po te le dhe vete po nisem
nje mendimi qe s'na e fle moshen te premteve
---------------------------------------------------------

Kenge e turpshme


Kenge e turpshme

Sonte
Qava sonte per ty
Arberi

Nuk me vjen turp
Pse qava
Me vjen turp pse s'munda
Te bej tjeter

Nga turpi qava
------------------------------------------------

Kater keshilla vetes


Mos u bej poet nese s'mund te lindesh
Me secilin varg, te lindesh ne secilen fjale

Ngrehu mbi veten ne do te rrokesh freret e ererave
Te shkelesh shpergajt e merise dhe shterngatat e gjakut tend

N'se dashurohesh dashurohu n'flake e n'vale
Jo n'sy te kalter se behesh det i cmendur pendimi

Mos u bej poet nese s'mund te vdesesh
per secilin varg,te vdesesh per secilen fjale.
----------------------------------------------------
Ne vend te përshëndetjes


Shko se furishem po fryen ne mua ere mallkimi qe s'te fal.
Dhe dije mire, kurre me nje e nje nuk bejn nje si thonte Hikmeti, ai fare poeti me kenge prej zjarri.

Shko merri me vete lutjet tua, edhe hijen tende, hiqe zvare rrugeve si gjene e ndyre.
Mos u kthe pas.
Mos i harro syte e perlotur ne shtekballin tim.
Mos thuaj lamtumire.
Asgje mos thuaj.
Merri me vete gjurmat neper te cilat erdhe nje nate me e pervuajtur se frika dhe hyra ne mua.
Shko dhe behu fjale e mbrame n'gojen time.
Behu shkrepetire e fikur n'ylberin e shkrimit tim.
Behu cdogje pos Meje e Teje dhe asaj qe e quajtem Ne kur i zinim yjet si fluturat e ua ngjisnim nga nje emer mos ta harrojme emrin tone.
Shko merri me vete edhe rruget te mos kthehesh kurre ne vesen e lotit te rrejshem germadhat e kujtimit t'i rrezosh.

Shko mbyllu ne do keshtjella te largeta harrimi ku s'te zgjojne me kembonat e pendimit kur cmendet mallit vetmia ose kur buza buzen e han n'pikllim qe mekatin s'e lan, qe s'mundet ta shpoje Gurin e rende, gurin e ftohte te ndarjes.
Shko, me mire dhe hesht. Mos u kthe mbas.
Mos i harro syte e perlotur n'shtekballin tim.
Mos thuaj lamtumire.
E kur t'shkojsh larg, me larg se prej blerimi n'blerim
E kur t'shkojsh larg, me larg se prej zemre ne zemer
Aq larg sa ta harrosh edhe emrin tend dhe zerin tim, fshihu prej vetes
Shkurto flokegjatat, mate me to mendjeshkurtren tende dhe mos qaj.
Shko se tmerrshem po lodrojne sonte n'mua rreket e gjakut te ndezur.
 

Konkursi Letërsisë

  • 1-Bëju.

    Votat: 11 40.7%
  • 2-Ankth mesnate.

    Votat: 3 11.1%
  • 3-Të dua ty.

    Votat: 8 29.6%
  • 4-Nje kujtim.

    Votat: 5 18.5%
Back
Top