TIRANE-Diku nga viti 230 para Krishtit, qyteti madhështor i Finiqit u pushtua nga trupat ilire të Mbretëreshës Teuta. Qyteti antik, një nga më të pasurit e botës antike, me Akropolin disa herë më të madh se Athina, ra pre e plaçkitjes së trupave ilire, të cilave iu printe Komandanti i njohur i kohës, Skerdilaiti.
Historia e pushtimit të këtij qyteti të famshëm tregohet me mjaft detaje nga kronikani i njohur grek Polibi, i cili përshkruan jo vetëm luftën e trupave ilire me mercenarët që mbronin Finiqin, por edhe plaçkitjen e madhe të këtij qyteti. اuditërisht, - shkruan Polibi, - trupat ilire dhe Skerdilaiti, pasi mbushën anijet e tyre me plaçkë, ikën, pa e dëmtuar qytetin. As ndërtesat nuk i prishën dhe as kodrës nuk ia vunë flakën. Qyteti vazhdoi jetën e tij normale, duke lulëzuar në art dhe tregti, duke mbushur teatrin gjigand me skulptura dhe duke ndërtuar vila madhështore të shtruara me mozaikë. Kaloi vetëm një shekull dhe në portat e Finiqit u dukën ushtritë romake. Prokonsulli Paulius Aemilius, i cili po shtronte Ballkanin me dorë të hekurt dhe po thyente ushtritë e famshme të Maqedonisë, sulmoi edhe Finiqin tonë. E mori pa shumë mundim, duke bërë jo vetëm plaçkë, por edhe skllevër të shumtë. Megjithëse romakët e ashpër kishin djegur fund e krye Kartagjenën, duke ia u mbjellë fushat me kripë, Finiqin nuk e prekën. Morën plaçkën dhe skllevërit e shumtë dhe ikën, pa e dëmtuar dhe pa e djegur qytetin. Romakët, edhe pse akoma të pamësuar me bukurinë e artit antik, me sa duket kanë pasur respekt për madhështinë e këtij qyteti. Akropoli i famshëm plot me ndërtesa, teatri ku uleshin 15 mijë spektatorë, i mbushur përplot me skulptura, shkolla e famshme e artit etj, etj, i bënin pushtuesit të stepeshin përpara idesë së djegies së këtij qyteti të mrekullueshëm.
Diku nga 1600-ta, në fushatën e otomanëve kundër Korfuzit, Sulltan Sulejmani i Madhërishëm e ngriti çadrën jo shumë larg Finiqit. Hordhitë aziatike të otomanëve nuk e trazuan kodrën që mbante akoma gjurmë të lashtësisë. Nuk ia plaçkitën varret dhe as nuk e dogjën Finiqin antik, megjithëse koha ia kishte rrënuar madhështinë e dikurshme.
Dhe ja, historia përsëritet. Në gusht të 2012-ës, në kodrën e Finiqit u dukën përsëri ilirët apo albanët e sotëm. Këtë radhë nën udhëheqjen e Sali Berishës II, i cili udhëheq turmat albane. Qytetit iu vu zjarri fund e krye. Për dy ditë rresht tymi i zi dukej deri në Korfuz, si një paralajmërim për turistët e huaj, që të mos vinin këmbë në territorin iliro-alban. Kodra e Finiqit plaçkitet çdo vit. اdo vit albanët gërmojnë me ekskavator monumentet, për të vjedhur ato pak skulptura që mund të kenë mbetur akoma. Albanët po plaçkisin çdo vit varret e banorëve të lashtë, për të nxjerrë objekte me vlera e për t'i shitur në treg. Me gjithë plaçkitjen e bërë, iliro-albanët e Mbretërimit të Berishës II, nuk e lanë qytetin në dhimbjen e vet, por i vunë edhe flakët. Teatri Madhështor, Akropoli disa herë më i madh se i Athinës, muret mbi tre kilometra të gjata, varret dhe rrënojat e kishave antike nuk i penguan iliro-albanët që ta shkrumbonin Finiqin, si dikur romakët fushat e Kartagjenës. Muret me gurë qiklopikë janë përcëlluar nga flakët, rrënojat e shumta duken si të lyera me katran. Teatri Madhështor është i mbuluar me një shtresë të zezë hiri dhe nga flaka, që zbret më poshtë në kodër në shtëpitë e fshatarëve, duke djegur ullinjtë dhe mullarët e barit. Banorë të alarmuar kanë rrethuar varrezat, duke u përpjekur që të mbrojnë të vdekurit. Ky është Finiqi në 29 gusht 2012. Në kohën e mbretërimit të Sali Berishës II.
(GazetaShqiptare/BalkanWeb)