Arumunet e Shqiperise

fcbesia

Anëtar i Respektuar
Gjeneza e historiku i marrëdhënieve të tyre më shqiptarët, në këndvështrimin e botimit

“Arumunët e Shqipërisë”

Arumunët e Shqipërisë - Rilindja e një komuniteti


Nga Armand Plaka


Për shekuj me radhë ata vërtiteshin rrugëve të Ballkanit si nomadë. Mbijetesa e tyre bazohej e tëra mbi fatin e dhjetëra kokëve bagëti, që i mbarështonin me shumë profesionalizëm në të gjitha trevat ku ata ndodheshin në gadishullin e moçëm. Pastaj, me kalimin e kohës, çobanët, siç i quajnë shpesh në Shqipëri, filluan të zbrisnin bashkë me delet në Myzeqe, kryesisht të ardhur nga Tomori, Opari ose Gramozi


Në Shqipërinë e Mesme i quajnë llacifac (që i referohet mesa duket shprehjes së tyre çe façe), ndërsa në Jug i njohin si çobenj. Në termin zyrtar njihen si arumunë, gjë të cilën edhe vetë ata e kanë pranuar si termin më korrekt për përcaktimin e komunitetit të tyre. Një shumicë i njeh, sigurisht, edhe si vllehë. Ndërkohë, gjatë viteve të postmonizmit, duket se po përjetojnë së bashku me problemet, edhe një rilindje shumëplanëshe. Vetë historianët nuk kanë gjetur akoma ndonjë “vend të virgjër”, ku të flitej vetëm gjuha e tyre. Në Shqipëri, për shembull, ata flisnin, përveç gjuhës së tyre, edhe shqipen, ashtu siç vepronin edhe në territoret e Maqedonisë e atë të Greqisë me gjuhët e tyre respektive. Sipas referimeve të ndryshme, e vazhduan këtë jetë nomade deri para 60 vitesh në Shqipëri, kur regjimi komunist nisi të mendonte seriozisht për kontrollin e plotë të banorëve në territorin e Republikës së saj (gjë e cila, gjatë viteve tetëdhjetë filloi të zbatohej edhe me komunitetin rom).

Gjeneza dhe tri shkollat
Të gjithë arumunët e Shqipërisë janë pjesë e grupit të madh të arumunëve të Ballkanit. Ajo që i bën krenarë, mes shumë të tjerave, sipas tyre, është fakti se asnjëherë nuk e ndërruan besimin e tyre ortodoks, pavarësisht se e kanë humbur nacionalitetin. Gjeneza e arumunëve mbetet shumë e komplikuar (gjithsesi, edhe ajo e shqiptarëve jo e shpjeguar plotësisht). Janë në fakt tri shkolla studimi që mundohen të sqarojnë origjinën e tyre. Ne po mundohemi të sjellim mendimin e ravijëzuar të këtyre tri linjave, të cilat besohet se qëndrojnë më pranë realitetit. E para është shkolla evropiane, e cila përfaqësohet më së shumti nga Karaka, që pretendon se: Arumunët janë autoktonë të latinizuar, të cilët zinin vend në mbarë Gadishullin Ballkanik, e që vuajtën praninë romake për më se njëmijë vjet. Një tjetër studiues me emrin Schaferick, që përfaqëson po të njëjtën shkollë, thotë se “arumunët janë popullsi me prejardhje romake, që kanë jetuar në Daki, Maqedoni, Thesali e Shqipëri. Këto shpjegojnë në një farë mënyre edhe origjinën e tyre, bashkë me rumanishten nga latinishtja.
E dyta është shkolla e studiuesve rumunë, që thotë se: Ata popuj janë të ngjashëm dhe nisen nga premisa të njëjta. Sipas tyre:
“Arumunët janë super-rumunë”. Nikolae Jorga, një historian i shquar rumun, thotë se “arumunët janë romakët e rajonit ilir, se janë djepi i etnisë arumune në hapësirën ilirike” dhe se kanë trungun e përbashkët trako-ilir, duke nënvizuar gjithashtu se shqiptarët janë autoktonë të paromakëzuar.
E treta shkollë është ajo e studiuesve grekë, të cilët, edhe sipas vlerësimit të vetë arumunëve të Shqipërisë, në një vëllim përmbledhës të shoqatave të tyre mbi origjinën e tyre, kërkojnë ta fusin problemin arumun e të gjenezës së tyre në hullitë greke. Në vitet e fundit, është vënë re se një duzinë e tërë librash e vëllimesh publicistikë, destinohen për gjenezën e tyre dhe ndërkohë, shumë të tjerë presin të hidhen në qarkullim. Por nëse pyet pjesëtarë të komunitetit të tyre, gjithsesi, ata vetë janë të vetëdijshëm se rrjedhin nga popullsia e stërlashtë trako-ilire e gadishullit të moçëm.

Vllehët dhe shqiptarët
Prania e ekzistenca e tyre në vendin tonë konsiderohet e ndjeshme. Të paktën kështu duket, ndërsa dëgjon shpesh pretendimet e shoqatës (shoqatave) të saj në media e publik. Megjithëse nuk ka një statistikë të qartë për shpërndarjen e tyre në të gjithë territorin e vendit, dihet mirë se përqendrimi më i madh i tyre është në disa zona kompakte ndër qytete, fshatra dhe qendra të banuara të territorit shqiptar. Për shembull, dihet mirë se në Korçë, për shembull, ka lagje të populluara thuajse plotësisht me arumunë. Sipas botimit me titull “Arumunët e Shqipërisë”, të tilla lagje kompakte me popullsi homogjene arumune ka edhe në Fier, Lushnjë, Pogradec, Kavajë e Berat.
Po ashtu, të tilla ka pasur dikur edhe në Tiranë, Durrës e Vlorë, por që me kalimin e kohës, me rishpërndarjen e popullsisë e procesin e heterogjenizimit gjatë kohës së monizmit, si dhe urbanizimit të qyteteve, u vu re një (ri)shpërndarje e këtyre komuniteteve po në qytetet ku ishin.

Monizmi dhe arumunët
Arumunët në Shqipëri përfaqësojnë një minoritet, që, sipas disa llogarive të përafërta, pretendohet se në vitin 1920 regjistronin 75000 veta. Për sa u përket raporteve me shqiptarët, dihet mirë se ata kanë jetuar në harmoni të plotë me ta (duhet thënë, megjithatë, se ka pasur edhe ndonjë konflikt të vogël, pa pasoja e pa efekt në këto marrëdhënie, sidomos në Korçë). E ndoshta për këtë arsye, mendohet se më pas edhe janë asimiluar një pjesë e madhe e tyre, por, sigurisht, ka shumë prej tyre që akoma kanë një vetëdije nacionale brenda vetes.
Sipas vetë arumunëve, në botimin e lartpërmendur të shoqatës së tyre, ata janë i vetmi popull evropian që kanë lidhje të ngushta me shqiptarët. Në fakt, dikur është folur për krijimin e një shteti vllaho-shqiptar në Epir (shiko tek Historia e Shqipërisë, përkthyer nga Robert Elsie, Jean-Claude Faveyrial-Histoire de l'Albanie), megjithëse pasardhësit e arumunëve, gjatë periudhës së pavarësisë së Shqipërisë, nuk kanë ndarë ndonjëherë pretendimin për të pasur ise në shtetin e ri shqiptar kur ai hodhi themelet e tij në 1912-ën.
Gjithsesi, shumëkush në Shqipëri, nëse i pyet për ta, të thotë me siguri, si një aksiomë që nuk ka nevojë për vërtetim, se gjatë monizmit atyre iu dhanë shumë pushtet e përparësi dhe se ata mund të gjendeshin me shumicë në zyrat më të larta të administratës partiake e shtetërore asokohe. Një tipar tjetër është edhe solidariteti mes tyre, të cilin e kanë dëshmuar, sigurisht edhe në kohën e monizmit, në shumë elementë. Megjithëse ata, sigurisht ndoshta me meritë, kanë gjetur rrugën e dijes e shkollimit në një masë të konsiderueshme, duket se vetë shteti asokohe ishte mesa duket i interesuar t’i shihte ata, padyshim, të mirintegruar e të arsimuar, megjithëse shumëkush mendon pa doreza, se ata janë favorizuar në këtë aspekt asokohe.

Voskopoja, tempulli i arumunëve
Grupet më të mëdha të arumunëve të Shqipërisë, sipas studimeve të dala nga vetë botimet e shoqatave të tyre, del se janë: myzeqarët, grabovitët, fërshërotët e voskopojarët.
Por ne do të ndalemi te grupimi i fundit, i cili, sigurisht, mbart edhe traditat më të mëdha e më të famshme arumune në vendin tonë. Ata janë dhe komuniteti më i madh në numër mes arumunëve në Shqipëri të ndarë në 14 fshatra. Ndër ta, ia vlen të përmendim emrat e Plasës, Pojanit, Nikulicës Dishnicës, Shipskës etj. Voskopoja ka qenë dikur edhe njëra ndër krenaritë kulturore të Ballkanit. Me 2500 banorët e saj dikur, ajo kishte shumë shkolla, e madje besohet se ka pasur edhe pallate mermeri. Nga akademia e saj kanë dalë shumë dorëshkrime e dokumente arkivore të paçmueshme në gjuhët kryesore të Ballkanit. Por, djegia disa e herë e saj në beteja e pragbetejash e përplasjesh të stilit ballkanas, ka bërë që ajo dalëngadalë të boshatisej nga popullsia, e cila në disa valë zhvendosjesh nisi të largohej drejt fshatrave të tjerë të qytetit të Korçës, duke ia humbur kështu shkëlqimin e dikurshëm. Gjithsesi, prej kohësh tashmë ata i janë rikthyer vlerave të saj kulturore e turistike, duke promovuar jo vetëm bukuritë e saj natyrore, por edhe shpalljen e saj si një vend të vërtetë pelegrinazhi për të gjithë komunitetin arumun në Shqipëri.


SHQIP​
 

Konkursi Letërsisë

  • 1-Bëju.

    Votat: 11 40.7%
  • 2-Ankth mesnate.

    Votat: 3 11.1%
  • 3-Të dua ty.

    Votat: 8 29.6%
  • 4-Nje kujtim.

    Votat: 5 18.5%
Back
Top