Artan Fuga

Këpucari - pianist

Ishte një këpucari te rruga e Kavajës, disa këpucarë në të njëjtin lokal madje, ishte edhe usta Xhati, aty përballë ish stabilimentit Mihal Durri, sot fillimi i rrugës të ambasadave, këpucarë me nam, riparues mjeshtra!

E fuste thumbin në gojë, me e lag me pështymë para se ta ngulte pak në shuallin e ri të këpucës. Dukej se puthte çdo thumb Xhati! Para se të ta vinte te këpuca jote.

Palé kur pastaj ja jepte me çekiç, nga dyzet cm larg me ngritje krahu çekiçi fluturonte drejt e mbi kokën e thumbit. I binte edhe dy a tre herë të tjera nga pak sikur e përkëdhelte me kokën e çekiçit. Sikur i binte pianos mër jahu! Tat tak tuk tuk tiiik taaaaak.

Palé kur i vinte mastiçin këpucës për ta ngjit. E lyente mirë me gishtin e mesit dhe pastaj e përhapte te astari poshtë shuallit. Dhe fundin e gishtit e fshinte te përparësja gjysëm prej cope gjysëm prej lëkure. Ishte përparësja e tij një pëlhurë pikture magjepëse sa këta piktorët tanë sot vështirë se e bëjnë me përjashtim të njërit.

E shihte shuallin e këpucës të klientit dhe i thoshte : Ke filluar me marrë pak peshë këto kohët e fundit, kujdes diabetin o shok se këpuca nuk më flet mirë, ka filluar të hahet shpejt! Hajde laborator hajde!

Ose: Ore mos ke ndonjë kallo, se shoh sikur njëra këpucë ka ngrënë pak më shumë djathtas sesa tjetra!

Zgjaste klienti të merrte këpucën e rregulluar por Xhati i madh nuk ja jepte: Prit, o burrë sa me vrull e merr! Merrte një sfyngjer të vogël, e zhyste në kuti me bojë kafe dhe me delikatesë e priste te thembra e këpucës duke e lyer bukur!

Gishtin me bojë e fshinte përsëri te përparësja. Përzihej e kafta e bojës me të bardhën si spermë të mastiçit dhe jepte lloj lloj figurash që aman o Zot. Ta merrte mendjen piktura abstraksioniste e Xhatit në përparëse e vet, nuk kishte as Vasilij Kandiskij ta shpjegonte!

Diçka midis artit kubist dhe atij dadaist!

Zgjat prapë dorën ti! Ai ngrinte sytë e qeshur, me fytyrën si Zhan Mareja dhe flokët e lidhur me spango që mos i binin si ujëvara mbi këpucë kur ulte kokën. Priiiit! Dhe me futën prej cope i jepte shkëlqim bojës të sapo vënë.

Jallah, fuqia e fërkimit të tij mbi këpucë sikur e bënte të nxirrte xixa. Llustra!

Lërë sholli. Lëkurë viçi e freskët. E verdhë si ar. Hajde nostalgji për këpucarët hajde!!!!

Ta kapje shollin me vinç dhe suprinën me traktor dhe t'i tërhiqnin në anë të kundërta, me siguri që traktorit i këputeshin zinxhirët kurse vinçi përfundonte në Lanë, po këpuca nuk jepej më! Si varr Faraoni!

Kur u hypje atyre këpucëve dukeshe se kishe hyp në një Toyota Yarris elektrike nga ato të prodhim 2022. Kishte lezet ta përplasje këmbën në pllakat e bulevardit ku ishte shkruajtur : Lutemi mos pështyni për tokë!

Ku të linte Xhadi të ikje pa të vendosur pafkat te këpuca e riparuar që donte pastaj nja tre vjet të prishej. Të shifte nga surrati. Po të ishe pak garip e kuptonte ai dhe ta vinte pafkën metalike para e pas. Ta kërcisje si oficer ukrainas në rrugët e Kievit!

Lëre çfarë e pyet! Ato pafka të jepnin bindjen se ti ekzistoje! Autoritar tjetri nga pafkat e Xhadit. Paf, paf, paf. Nuk bëzante njeri në lagje kur ecte klienti i Xhadit. Të hiqte depresionin. Nuk pyeste njeri mbi ato pafka më: A jam apo nuk jam ? - si Dekarti. Nëse nuk jam kush i përplas këto pafka në xhade? Pra, jam!

Sa të bën haku o Xhad?

Aq mo 30 lekë. Këpucët e reja sa një gjys buke te Xhadi! Dhe e bukura se lëkura e sipërme vjetërohej ndërkohë që sholla ishte vendosur e re! Nuk vriste këpuca më! Ishte miqësuar me këmbën!

Po mirë more mirë, mirë tokën që e thamë, po riparuesit e këpucëve pse i zhdukëm o burrë! Këpucarët tiranas mo! Pianista çekiçi. Puthnin gozhdën mo, si karamele e lëpinin? Gjurmonin thembrën për ta lyer me bojë dhe llustruar.

Lëre muhabetin që bënin, si berberët. Të gjithë disidenta! Agjitacion e propaganë 24 orë në 24!

Kishte lezet sa bukur e fshihnin muhabetin duke e treguar si ngjarje e ndodhur diku! Ku kishte zot që t'i kapte! Në rrjetë binin vetëm ata që nuk ishin këpucarë dhe orëndreqësa. Këta e vinin çdo pushtet në majë të çekiçit, të lugës!

Ku t'i gjej mo? Një palë këpucë atlete pyes sot sa janë: 350 euro më tha shitësja! Oooo pika të raftë, dy palë këpucë dhe një xhakavento femrash, ngjyrë rozë, pa mengë është gjithë paga ime si akademik, profesor, doktor, lëre moooo!

Akademik, doktor, piktor, pianist, ishte Xhadi, a Xhati sikurse ja ndryshonin atë bashkëtingëllore me elegancë në varësi të fillimit dhe mbarimit të punës!

E mor Xhat, mor Xhad, rahmet paç, ti edhe këpucarët e tjerë që u zhdukën, sa herë futem te rruga e ambasadave më kujtohesh ti? Kthej kokën nga dyqoni juaj dhe me neveri shoh këpucët e mia të reja Nike!

Nike, i vërtetë, apo fallco, nuk e di më!
 
Nesër do të shkruaj një profil tjetër
titullohet:
Dru me pre!
Kushedi ju intereson edhe ai!
Unë jam që të ngrihet një muze i kujtesës për të kaluarën me të gjitha profilet madhështore të njerëzve të punës para viteve 90 që ishin simboli i Tiranës të traditës, i asaj shoqërie që jetonte paralelisht me politikën, duke krijuar një mur mbrojtës ndaj saj dhe duke kultivuar atje vlerat e veta!
Këta kanë ngritur muzeun e gjetheve, pra përkujtojnë krimin dhe askush nuk thotë gjë!
Të harruara, të përdhosura, të luftuara egërsisht sot, nga njerëz pa kujtesë! Të përdorur nga lobi dashakeqëse për kombin tonë dhe traditat e tij!
Na duan pa kujtesë, pra pa tru!
Do të ishte një muze me bustet e tyre prej dylli sikurse janë në Londër, Nju Jork, Paris, etj., muzetë e personaliteteve botërore prej dylli!
A.F
 

Konkursi Letërsisë

  • 1-Kur flet shpirti.

    Votat: 6 27.3%
  • 2-Buzëqeshje Maskuar.

    Votat: 12 54.5%
  • 3-Jam femër.

    Votat: 2 9.1%
  • 4-Je ti Nënë.

    Votat: 1 4.5%
  • 5-Ne duart e kohes.

    Votat: 1 4.5%
Back
Top