C'mendim keni per universitetet private ne Shqiperi
Sistemi piramidal i diplomave në universitetet private rrezikon të shkaktojë inflacionin më të madh të diplomave në vend. Gjithçka ndodh nën dijeninë e ministrit Pollo, duke e vënë kështu arsimin në dilemën më të madhe të cilësisë së studentëve që diplomohen nga këto universitete. Mungesa e kushteve dhe licenca mbi lista joreale pedagogësh janë dy prej të metave teknike. Ndërkohë që paradoski duket se vijon të ndihet e të bëhet edhe më i rrezikshëm për sistemin arsimor shqiptar, kur aplikantët më të dobët, të ardhur nga gjimnazet kthehen në diploma me dhjeta, duke përmbysur kështu çdo rregull dhe respekt mbi arsimin. “Jo vetëm kaq, por ky sistem rrezikon të kthejë në një fushë pa zgjidhje të ardhmen e arsimit, i cili, në momentin që duhej të futeshin universitetet private, duhej të kishte nisur ngjitjen dhe jo degradimin”, - thonë mjaft nga drejtuesit e universiteteve shtetërore, të cilët ndihen të kërcënuar, pasi, përveç manipulimit me stafin e tyre pedagogjik, është abuzuar edhe me lëndët, që janë ekskluzivitet i universiteteve shtetërore.
“Në dëm të universiteteve shtetërore, por edhe të buxhetit të shtetit, është marrë vendimi për të kufizuar sistemin part-time për universitetet publike dhe për ta lejuar pa limit atë në sistemin privat, duke ndërtuar kështu një piramidë të rrezikshme për gjithë sistemin arsimor”, - thuhet në një raport të bazuar nga verifikimi i vendimit të Ministrisë së Arsimit dhe konfliktit me disa dekanë, mes të cilëve atë të Fakultetit Ekonomik, i cili ka denoncuar pranë Autoritetit të Konkurrencës këtë fenomen.
Kontrollet, s’publikohen rezultatet
Do të mjaftonte që ministri Pollo të bënte publike kontrollet që kanë kryer inspektorët e autorizuar prej tij në këto universitete që shqiptarët të mendoheshin edhe njëherë tjetër për shkollimin e fëmijëve të tyre te sistemi arsimor privat. Auditore pa asnjë laborator, tekste mësimore të huazuara nga lektorët e universiteteve publike, si dhe nota fiktive. Si për të plotësuar dyshimet e specialistëve, ka ardhur edhe dyshimi nga Komisioni Evropian, i cili, përmes një raporti, saktëson se “Nuk janë marrë masa për të kontrolluar cilësinë e arsimit privat”.
Vjedhja përmes sistemit part-time
Vjedha e hapur në kurriz të universiteteve publike e si pasojë edhe në kurriz të buxhetit të shtetit, ka ardhur nga lejimi pa kufizim i sistemit part-time te privati dhe kufizimi i këtij numri te shtetërori. Madje, Ministria e Arsimit nuk ka përfillur as kërkesat e dekanëve për numrin që mund të përballonin në këtë sistem. Pas heshtjes së kësaj proteste për shtrembërimin e konkurrimit, dekani i Fakultetit Ekonomik, Dhori Kule, i ka kërkuar Autoritetit të Konkurrencës që të hetojë lidhur me mënyrën sesi është marrë ky vendim. Pas disa korrespondencave, ka nisur verifikimi i kësaj kërkese. Por, në kohën që dukej se do të merrej një vendim në lidhje me këtë kërkesë nga ana e Autoritetit të Konkurrencës, ka ndodhur e kundërta. Gjithçka duket se është mbyllur pas një letre të zv/ministres Gjonaj, e cila kundërshton gjykimin e ndarjes së kuotave në bazë të ligjit “Për mbrojtjen e konkurrencës”. Pas kësaj letre, ky Autoritet ka heshtur, ndërkohë që disa drejtues janë ofruar pranë stafeve të Pollos për “misione të rëndësishme”.
Gjyq për të marrë në dorë listat e pedagogëve
Dekanit të Fakultetit Ekonomik, Dhori Kule, i është dashur të shkojë në dyert e gjykatës që të marrë në dorë listën e pedagogëve në universitetet private, që të identifikojë të punësuarit e fakultetit të tij, nëse kanë apo jo përplasje. Megjithëse asnjëherë nuk kishte marrë përgjigje negative për kërkesën e tij, në zyrat e Kules nuk kishte arritur kurrë lista me pedagogët. Vetëm pas një gjyqi që ka përfunduar në qershorin e këtij viti, (pas një viti kërkesash të vazhueshme të Kules në drejtim të ministrisë), është bërë e mundur që të deklarohen emrat, me të cilët universitetet kanë fituar licencën. “Një listë që rezulton fiktive, çka do të ketë pasoja për firmëtarët, por sidomos për ministrinë që ka toleruar me dashje shkeljen e konfliktit të interesit, pasi një titullar nuk mund të jetë njëkohësisht edhe në universitetin publik, edhe në atë privat”, - janë shprehur dekanët. Sipas tyre, kjo mënyrë ka dëmtuar rëndë autoritetin e arsimit publik, duke e vënë atë me dashje në shërbim të interesave të privatëve.
Kushtet- të gjitha janë shkelur
Një universitet privat, për të nisur funksionimin, duhet së pari që të ketë projektuar ngritjen e së paku dy fakulteteve, të cilat gjithashtu duhet të kenë në përbërje minimalisht nga dy departamente. Në bazë të ligjit të vjetër, çdo departament duhet të kishte 13 pedagogë të brendshëm (ligji i ndryshuar parashikon 7). Nga pedagogët e brendshëm, gjysma e tyre duhet të jetë me titull shkencor të gradës Doktor dhe Profesor i Asociuar apo Profesor. Pra, minimalisht, një universitet duhet të kishte së paku deri tani 52 pedagogë, nga të cilët, 26 duhej të ishin me tituj shkencorë. Por, në fakt, ç`ka ndodhur? Shumica e universiteteve private ka kërkesë për profesorë me tituj, ndërkohë që një pjesë që është shënuar në kërkesën për licencë nuk ka qenë pjesë e këtij stafi. “Mospublikimi i emrave të pedagogëve, me të cilët është marrë licenca, ka dëmtuar rëndë arsimin publik, pasi është abuzuar si me stafin, ashtu edhe me lëndët që i përkasin universitetit shtetëror”, - është shprehur Kule gjatë proceseve në gjykatë.
Pedagogë të brendshëm (pas verifikimeve)
1.Universiteti “Sevasti & Parashqevi Qiriazi” 4 pedagogë
2.Universiteti “Kristal” 9 pedagogë
3.Universiteti Europian i Tiranës 11 pedagogë
4.Universiteti “Justiniani” 7 pedagogë
5.Universiteti “Justica” 4 pedagogë
6.Universiteti “Marin Barleti” 7 pedagogë
7.Universiteti “UFO” 45 pedagogë
marre nga PEQINI