"Anketa dramatike" me studentet, 79 % e tyre duan te largohen nb ga Shqiperia

studentet-protesta10.jpg

Fenomeni i emigracionit po përkeqësohet vit pas viti, duke përfshirë së fundmi të rinjtë e arsimuar të cilët dëshirojnë të largohen masivisht nga vendi.


Rezultatet e një ankete me 1650 studentë që u prezantuan sot tek Presidenti i Republikës, nga ekspertët e çështjeve demografike, Ilir Gëdeshi dhe Rusell King treguan se 79% e studentëve (mosha mesatare 22 vjeç), që studiojnë në Shqipëri, synojnë të emigrojnë jashtë vendit. Sipas zotit Gëdeshi, synimi për të emigruar lidhet me përfytyrimin që kanë studentët për të ardhmen e tyre.


Nga njëra anë ai është një pasqyrim i gjendjes reale ekonomike, sociale e politike në Shqipëri dhe, nga ana tjetër, i mundësive potenciale në vendin pritës.


Në një studim tjetër të botuar në 2018, Gëdeshi tha treguesi i emigrimit potencial nga Shqipëria, për grupmoshën 18 deri 40 vjeç, ishte 52%, por kurba e tij kulmonte në moshat 27-30 vjeç (71.2%) dhe se dëshironin më shumë të emigronin ata që kishin arsim universitar.

“Tendencat e reja tregojnë se nga Shqipëria synojnë të emigrojnë më shumë të rinjtë dhe më të arsimuarit”, tha Gëdeshi.


Një aspekt i rëndësishëm i migrimit potencial është edhe kuadri kohor në të cilin realizohen synimet dhe dëshirat e studentëve për migrimin. Sipas të dhënave të anketës, 7% e emigrantëve potencialë dëshirojnë të emigrojnë nga Shqipëria para përfundimit të studimeve, 62% menjëherë pas përfundimit të studimeve universitare, dhe rreth 27% pas një përvoje pune në Shqipëri.


Majlinda, një studente në Gjermani, tregon për motrën e saj: “Motra ime përfundoi me rezultate të shkëlqyera Fakultetin e Mjekësisë dhe punoi rreth dy vjet në një nga spitalet private të Tiranës. Kjo qe një kohë e mjaftueshme për të bërë një kurs intensiv të gjuhës gjermane, për të marrë një eksperiencë dhe për të vendosur lidhjet në Gjermani. Aktualisht ajo punon në një spital në Gjermani.”

E shprehur në segmente kohore 17 % e studentëve dëshirojnë të migrojnë brenda vitit, 69 % brenda 5 viteve të ardhshme dhe 12 % thonë pas 5 viteve. Në rast se u besojmë këtyre shifrave atëherë masa e studentëve shqiptarë synon të emigrojë nga Shqipëria në afat të shkurtër dhe të mesëm.

Rezultatet e anketës, sipas Monitor, tregojnë se ekziston një diferencë shumë e vogël në dëshirën për emigrim ndërmjet studentëve femra (79.4%) dhe meshkuj (78.1%). Historikisht emigrimi shqiptar ka qenë i udhëhequr nga meshkujt, ndërsa femrat pasonin në një periudhë të mëvonshme nëpërmjet bashkimit familjar ose martesave. Ky tregues i emigrimit potencial, pak më i lartë tek femrat (+1.3 pikë përqindje) në krahasim me meshkujt (çka vërehet edhe në studime të tjera për të rinjtë), tregon edhe shkallën e lartë të iniciativës, emancipimit dhe pavarësisë të studentëve femra.

Synimi për të emigruar është më i lartë te disa grupe studentësh në fusha të caktuara, si studentët e mjekësisë (91.5 %) dhe infermierisë (83 %), të informatikës (84.4 %), të inxhinierisë (79.2 %) dhe arkitekturës, çka shpjegohet me mundësitë më të mëdha të punësimit në vendin e dëshiruar të emigrimit.

Tendenca e lartë e emigrimit potencial, sidomos për disa grupe studentësh të fushave të caktuara, përbën një shqetësim dhe duhet të tërheqë vëmendjen e gjithë shoqërisë. Kjo mund të rrisë mungesat në segmentin e sipërm të disa profesioneve shumë të nevojshme në Shqipëri, sidomos në mjekësi, thotë Gëdeshi.

Një vrojtim i realizuar në vitin 2018 tregoi se gjatë 5 viteve të fundit rreth 13 % e stafit mjekësor kishte emigruar nga Shqipëria dhe se numri i atyre që emigrojnë çdo vit është i barabartë ose më i madh se sa numri i mjekëve të rinj që diplomohen në Universitetin e Mjekësisë.


Noa.al
 

Konkursi Letërsisë

  • 1-Kur flet shpirti.

    Votat: 6 27.3%
  • 2-Buzëqeshje Maskuar.

    Votat: 12 54.5%
  • 3-Jam femër.

    Votat: 2 9.1%
  • 4-Je ti Nënë.

    Votat: 1 4.5%
  • 5-Ne duart e kohes.

    Votat: 1 4.5%
Back
Top