Do të ishte pikërisht shkrimi i Artanit që do të provokonte shkrimin tim (Elona Caslli) sot dhe shumë reagime mbrëmjen e djeshme.
Me keqardhje të thellë, më duhet të pohoj se në Shqipëri kultura e debatit është as më pak e as më shumë veçse primitive.
E quaj primitive për sa kohë, fyerja dhe etiketimi përdoret si argument. Gjatë mbrëmjes së djeshme, qoftë unë dhe qoftë Artani, u etiketuam me mbiemra cilësorë të ndryshëm, që për higjienë mendimi nuk po i rendis këtu.
Megjithatë, duhet nënvizuar fakti se debati kërkon argumentin që përballet me argumentin dhe jo argumentin që përballet me fyerjen. Në mungesë argumenti, mund të heshtni por kurrsesi të fyeni. Fyerja nuk bën gjë tjetër veçse diagnostikon nivelin tuaj kulturor dhe një distancë të dhimbshme që keni me botën e qytetëruar. Uroj të ndërgjegjësoheni sa më shpejt për këtë distance dhe të punoni me veten për ta shkurtuar këtë të fundit. Në rast të kundërt do të hyni dhe do të dilni nga jeta pa marrë vesh se ç’është.
Të rikthehemi tek statusi i Artanit. Kur e postova dje e quajta – Njerëzisht nga Artan Gjyzel Hasani.
Pse e quajta njerëzor si status? E quajta njerëzor sepse në mendjen time u projektua si një bisede e një babai me të bijën e tij. Dhe më rierdhi ndërmend Celentano me vargjet e këngës- Pas pak kohësh do të dalësh mbrëmjeve dhe mua nuk do të më zërë gjumi.
Të rikthemi tek thelbi i artikullit, i cili u kundërshtua aq shumë dhe aq përdhunshëm.
Thelbi i artikullit nuk kishte të bënte me një rast të personalizuar, ndonëse në komentet e përdhunshme u vu re prirja për ta personalizuar në një rast konkret.
Të dashura vajza dhe gra, kur dalim nga një pub, orëve të vona, marrim gjithmonë një taksi, ose na shoqëron gjithmonë dikush? Pse e bëjmë këtë?! Pse nuk shkojmë në zemër të natës vetëm në shtëpi? Tek e fundit, kemi të gjithë të drejtën e botës, për të ecur krejt të vetme drejt shtëpisë. Askush nuk duhet të na e cënojë këtë të drejtë.
E bëjmë sepse ka gjasa që rrugës për në shtëpi, në zemër të natës, të përballemi me një hajdut, me një të droguar, me një përdhunues.
E pra, historia e një vajze që nuk mund të lëvizë e vetme natën është e lashtë sa vetë njerëzimi. Kështu ka qenë, kështu është dhe fatkeqësisht kështu do të jetë dhe rrjedhimisht do të jetë ekzistojnë gjithmonë dy pyetje që prindi do t’i bëjë fëmijës para se ky i fundit të dalë në mbrëmje- A do të vonohesh dhe me kë do të kthehesh?!
Pra, pavarësisht se ekzistojnë ligjet, dënimet, protestat dhe gjithçka tjetër, në zemër të natës do të jetë gjithmonë një i droguar, një hajdut dhe një përdhunues tek cepi i murit. Nuk mund ta zhdukim ekzistencën e tyre dhe si rrjedhim duhet të mësojmë dhe të mbrohemi prej tyre.
Duhet edhe të mbrohemi nga jeta ose e thënë shkurt ekzistojnë dhe ato që quhen “ masa mbrotjëse në jetë’. Dhe artikulli i Artanit, nuk bën gjë tjetër veçse e merr të mirëqënë ekzistencën e përhershme të përdhunuesve dhe shtjellon një mendim bazuar mbi statistika në shoqëri të ndryshme, për ta parandaluar një përdhunim. Nuk na nevojitet një përdhunues i dënuar me vdekje sa na nevojitet një vajzë e papërdhunuar.
Një nga pikat që nënvizohet në artikull është veshja e një vajze. E parë nga larg, gjithkush ka të drejtë të veshë atë çka do dhe askush nuk ka të drejtë ta prekë kundër dëshirës.
Shumë në rregull. Por sa e arritshme është kjo në shoqërinë që jetojmë?! Rikthehemi tek situata e taksisë. Pse e marrim taksinë, në mbrëmje vonë? Sepse e dimë fort mirë, që ai i droguari apo përdhunesi tek cepi i murit, nuk e ka fare idenë e konventës së të drejtave të njeriut dhe sifida jonë për t’u kthyer krejt të vetme në shtëpi me siguri nuk do ta kthjellojë atë. Dhe si rrjedhim marrim masat mbrojtëse duke porositur një taksi.
Pika e dytë që nënvizohet është sjellja e një vajze. Kushdo që ka kaluar periudhën e adoleshencës, me siguri i rikujton këshillat e përhershme të prindërve- Mos u fol të panjohurve dhe mos u jep konfidencë të tepruar atyre. Çfarë do të thotë kjo me pak fjalë?!
Një vajze mund t’i qëllojë shpesh të gjendet përballë një situate me një të panjohur. Për shkak të mungesës së përvojës jetësore në jetë, mund të qëllojë që sjellja e saj e çlirët dhe krejt e sinqertë, të rezultojë fatale për këtë të fundit dhe të bjerë pre e një përdhunimi. Pra, shkurt, një nga masat e mbrojtëse ndaj jetës është edhe një sjellje e caktuar kundrejt të panjohurve.
Në artikull statistikat citohen nga titujt e librave dhe vërtetësia e tyre është lehtësisht e verifikueshme.
Sigurisht që autori i artikullit nuk jep formulën e pëdhunimeve. Pasi nëse do të ekzistonte një skemë e caktuar se si ndodh një përdhunim, do ta kishim luftuar këtë skemë prej kohësh dhe nuk do të kishte më as viktima, as përdhunues, as burgje dhe as gjyqtarë.
Përvojat e përdhunimeve sa janë të përbashkëta aq janë dhe të përveçme. Në artikullin në fjalë sillet një këndvështrim i cili bazohet në përvoja dhe situata konkrete dhe në studime konkrete.
Ky artikull nuk është përgjigje për minorenen e përdhunuar nga roja i shkollës dhe nga një grup adoleshentësh. Kushdo që e interpreton si të tillë, e deformon sikundër kushdo që e interpreton si mbrojtje të përdhunuesve nuk ka kuptuar asgjë.
Në fund të artikullit nënvizohet fakti se vajzat shqiptare shpeshherë kanë një veshje të papërmbajtur. Ky është një fakt i pamohueshëm. Kujtdo i ka qëlluar të ecë rrugëve të Tiranës dhe të kthejë kokën teksa ka parë veshjen e papërmbajtur të një vajze.
A e meriton një veshje e papërmbajtur një përdhunim? Aspak. A e provokon një veshje e papërmbajtur një përdhunim? Faktet tregojnë që po.
Atëherë, përballë këtyre fakteve kokëfortë, do të mbrohemi apo do t’i sfidojmë hapur me një veshje të papërmbajtur?!
Do të marrim taksinë apo të kthemi krejt vetëm në shtëpi natën?!
Diskutimi mbetet i hapur.
Një gjë tjetër që bie në sy është që krejt rastësisht, nuk pashë një kritikë kaq të ashpër dhe kaq të fortë ndaj deklaratës Kodheliane. Dhe duhet të risjellim ndërmend faktin se deklarata Kodheliane ishte një poshtërim i drejtpërdrejtë i të gjitha grave që punojnë në arsim. Dhe në deklaratën e saj nuk kishte tituj librash apo pasqyrë statistikore, por veçse një bashkësi fyerjesh që lëshoheshin pa kufij drejt figurës së mësueses. Kujtojmë se Kodheli është deputete në parlamentin shqiptar sikundër kujtojmë dhe faktin që ajo paguhet nga taksat tona dhe ka detyrë të na përfaqësojë.