“Altertekstet” po shkatërrojnë gjuhën zyrtare

Love

βeℓℓe â๓e
105192.jpg


Nga: GJOVALIN SHKURTAJ

Jam i bindur se të gjithë sa jemi e kemi ndier dhe e përjetojmë, jo pa shqetësim, mungesën e kujdesit ndaj gjuhës shqipe dhe plojën e prurjeve të pamira e të pafalshme të fjalëve dhe termave të papërshtatshme, jo vetëm të huaj, kur janë edhe të panevojshëm, por sidomos të një fryme të pakrehur, shpesh edhe dukshëm të pagdhendur e të pahijshme, që nuk po na ndahet as në të shkruar, as në të folur.

Në mbledhjen e datës 20 dhjetor 2013 për Altertekstin, organizuar nga MAS, të drejtuar nga ministrja e Arsimit dhe e Sporteve, zonja Lindita Nikolla, me specialistët e arsimit parauniversitar dhe universitar u rrahën mendime për Altertekstin. Rëndësia e atij problemi më shtyn t’i ritheksoj e t’i përthekoj sa më qartë disa pika që duhet të na shqetësojnë. Kjo situatë, natyrisht, lidhet edhe me punën jo të mirë, që kemi bërë në shkollë, me tekstet dhe me krejt veprimtarinë arsimore parauniversitare e më lart. Po përqendrohem, tani, në disa mendime të nyjëtuara sipas pikave të programit të mbledhjes kushtuar Altertekstit.

Për problemin e parë ”pikat e forta dhe pikat e dobëta të altertkestit”, përgjigjja ime është: asnjë pikë të fortë nuk ka Alterteksti, së paku, ashtu si është realizuar në mjediset tona, qoftë në Tiranë, qoftë në rrethe. Pa pasur tekste themelore të shkruara me kompetencë dhe më gjuhë të bukur e të saktë, nuk ka pse të rendim pas “Alterteksteve”. Alterteksti, si të gjitha alternativat në këtë botë, duhet të jetë mëdyshje midis së mirës dhe më të mirës, midis një varianti shumë të mirë ekzistues dhe një tjetri edhe më të përparuar e konkurrues, përndryshe nuk ka asnjë kuptim të largohemi nga teksti i vetëm dhe i njëjtë për të gjitha shkollat.

Ka çaluar redaktimi gjuhësor
Për problemin e dytë: “faktorët që ndikojnë në cilësinë e teksteve shkollore”, mendoj se kanë çaluar hartimi, përmbajtja , shprehja dhe redaktimi gjuhësor.
Ka tekste me gabime shkencore dhe gjuhësore; dijet dhe përmbajtja e teksteve shpesh janë më të vështira dhe më të rënda sesa niveli i moshës së nxënësve që u drejtohen, po edhe janë të shkruara me ngut, pa kujdes për shprehjen e terminologjinë. Po nuk patëm gjuhë të qartë e të kuptueshme në matematikë, në pjesën teorike apo në shtrimin e problemave, asnjëherë nuk do të kemi të mësuar të suksesshëm nga të rinjtë. Pra,duhet të lakmojmë e të mbërrijmë të kemi libra shkollorë të shkruar mirë e qartë, jo vetëm për lëndët e gjuhës shqipe e të letërsisë, por edhe për të gjitha lëndët e programit mësimor të sistemit parauniversitar. Më shumë kujdes duhet edhe për gjuhën e teksteve të shkollave të larta, të të gjitha fakulteteve e degëve të tyre.

Pra, sipas meje, më mirë një tekst të mirë, të vetëm e të njëjtë për të gjitha shkollat, por ai të jetë i shkruar mirë dhe mbi të gjitha i vlerësuar dhe i miratuar nga specialistë të zgjedhur nga MAS. Tekstet duhen ideuar, hartuar e redaktuar pa u ngutur, pa u ngashënjyer nga rendja pas fitimit të shpejtë të tenderit. E theksoj: tekstet duhet të kenë redaktor dhe korrektor gjuhësor shumë cilësorë e të sprovuar.
Kujdes për gjuhën zyrtare, tipar i njësimit kulturor e kombëtar

Ka ardhur koha të tregojmë më shumë kujdes për gjuhën shqipe si tipar themelor i njësisë dhe i njësimit kulturor e kombëtar, për gjuhën zyrtare të shtetit e të shkollës, natyrisht edhe të të gjitha institucioneve që varen ose lejohen nga shteti. Të folurit dhe, sidomos, të shkruarit në gjuhën letrare kombëtare është sot shenjë e tregues kulture. Gjuha letrare është një synim i përhershëm i njeriut tonë, sidomos i të rinjve të shkolluar e të profilizuar thellë e ethshëm në shkencën, artin e dijet bashkëkohore, prandaj edhe përbën një dukuri reale e që nuk është as thjesht punë gjuhësie, as thjesht objekt kundrimi vetëm për gjuhëtarët. Kam përshëndetur me shumë dashamirësi e pranueshmëri idetë dhe pohimet e Kryeministrit të ri, zotit Edi Rama, për t’i kthyer sytë nga zbatimi i mirë i normave të shqipes së njësuar në të gjithë praktikën shkrimore e botuese të shtetit e të institucioneve shqiptare.

Shkolla dhe tekstet duhet ta zbatojnë më së miri dhe me tërë përkushtimin e nevojshëm këtë ide dhe, sa më parë, të mbërrijmë që shteti të tregojë kujdesin dhe disiplinën e nevojshme për gjuhën shqipe. Po përmend se, këtu e 100 vjet më parë, në mbështetje të vlerësimit për pranimin e gjuhës shqipe si gjuhë të shtetit shqiptar nga qeveria e Ismail Qemalit jepet pohimi dorëmbarë i këtij shtetari e diplomati të urtë. “Në gazetën “Përlindja e Shqipëniës”, Viti I, nr.6,17/30 gusht 1913 botohet ”Lajmi”: “Pas dëshirës dhe n’emën të Zotënies së tij, Kryetarit të qeverriës, botojmë këtë lajmim: Duhet të gjithë t’a dijnë mirë se, ç’në ditën fatbardhë që kur Shqipëria dolli më vehte, gjuha shqipe u ba gjuha zyrtare e vendit. Tani, në ç’do degë t’administratës, n’a lipsen nëpunës të cilët ta njohin mirë, me shkrim e këndim, gjuhën amtare… Edhe nëpunësit që ndodhen në shërbim do të japin provim në gjuhën shqipe: ata që do të tregohen të zotët, do të konfirmohen në punën që kanë; ata që nuk do të dinë mirë gjuhën shqipe, do të mund të kërkojnë kohë që ta mësojnë në qoftë se kanë dëshirë të mbeten në shërbim.”(Shënimi nr.222).

Jepet provim “Toefli” pa ditur mirë shqipen
Të gjithë jemi dëshmitarë se sot shkollarët dhe pasuniversitarët janë të interesuar dhe, madje, të drithëruar për dhënien provim e pajisjen me dëshminë e njohjes së anglishtes, pra për “Toeflin”, por askush nuk shqetësohet për gjendjen jashtëzakonisht të pamirë të shqipes së shkruar e të folur në zyrat e shtetit, në universitetet publike e private e kudo. Dhe kjo situatë do të vazhdojë nëse nuk do të kemi edhe ne zyrtarisht kërkesën me ligj të provimit dhe njohjes së gjuhës shqipe si kusht për të pasur një vend të caktuar në administratë (vendore apo qendrore).

Pra, le ta bëjmë pa humbur kohë atë vendim që pat ideuar dhe shpallur aq bukur e qartë Qeveria e Ismail Qemalit.
Ka tekste me gabime që në tituj, në krerët dhe sythat e tyre, për të mos folur për shprehjen, hijeshinë dhe dukuri të tjera, për të cilat edhe kemi shkruar e jemi shprehur edhe herë të tjera. Shqipja dëmtohet nga mungesa e kujdesit prej atyre që shkruajnë e botojnë, nga programet shkollore të pamira e ku, për fat të keq, gjuha shqipe ka pësuar dëmtim të madh nga heqja e pamotivuar e të nxënit të saj si lëndë më vete në shkollat e mesme. Po ashtu rendja pas së huajës ka prurë edhe shumë fjalë e shprehje të huaja nga ato që janë katërcipërisht të panevojshme.

Nuk flasim për huazime, por për barbarizma e manierizma të shprehura me shkrime, shkurtesa e sajesa të huaja, të shëmtuara e të papranueshme. Shumë nga të metat e mangësitë e pafalshme gjuhësore të teksteve shkollore parauniversitare, po edhe të shkollës ë lartë, i kam përmendur edhe në faqet e librit tim “Si të shkruajmë shqip-Baza të shkrimit akademik”, Tiranë, 2012, si dhe në artikuj e kumtesa të ndryshme. Pra, më mirë një tekst të mirë, kur nuk kemi mundësi për opsione të njëjta e cilësore.

Problemet e drejtshkrimit
Së fundi, duhet të ketë kërkesa të rrepta për zbatimin e drejtshkrimit të njësuar në të gjithë praktikën shkrimore e botuese, në mediat e shkruara dhe botimet shkencore, letrare etj. dhe të shtohet kujdesi edhe për ligjërimin e folur në mjediset publike e për funksione zyrtare. Të ndjekim shembullin e Francës dhe të vendeve të tjera të Evropës së qytetëruar, të cilat punojnë shumë për mbrojtjen e gjuhës amtare si tipar i përbashkësisë dhe i njëjtësisë së kombit. Rregullat e drejtshkrimit dhe normat e shqipes standarde duhen parë gjithmonë si pronë kombëtare dhe karakteri kombëtar i tyre duhet ruajtur e pasur gjithmonë parasysh.

Puna e pamirë që është bërë nga shkolla dhe tekste e paredaktuara mirë, sigurisht, pasqyrohet edhe në praktikën shkrimore e botuese, si dhe në ligjërimin e folur të kohës sonë. Ata që punojnë sot në mediat e shkruara e të folura, që na mbytën me gabime trashanike (të tipit “me patjetër” në vend të pa tjetër, pa derman, pa asnjë përjashtim, apo që thonë nënpunës në vend të nëpunës; tek mua në vend të te unë, tek ty në vend të tek ti; që thonë shkrojta a shkruajta në vend të shkrova etj.) kanë qenë nxënësit e studentët tanë; kanë pasur në duar tekstet e pamira e plot gabime të botuara këto vitet e fundit,prandaj, përveç kujdesit të pakët që tregojnë ata, peshon edhe sa kemi bërë nëpërmjet librave që u kemi dhënë në dorë gjatë viteve të shkollimit.

Jo rrallë ndeshim asish që ngatërrojnë demagogun me pedagogun, apo që në vend të infarktit thonë infrakti, që foljen zgjidh-zgjidha-zgjidhur e ngatërrojnë me zgjedh-zgjodha-zgjedhur, duke shkruar, a thënë, zgjedhje në vend të zgjidhje (ose anasjelltas) dhe, deri në Kuvendin e Shqipërisë, kemi dëgjuar të ngatërrojnë jo vetëm recesionin me recensionin, po edhe objektivin me objeksionin. Ditë për ditë e natë për natë, shohim të shkruar në faqet e gazetave e revistave, si dhe dëgjojmë të thuhet në gojën e njerëzve të mediave: hapat e para, me hapa të shpejta në vend të hapat e parë, me hapa të shpejtë, sepse hap-i është emër mashkullor dhe shumësin e bën normalisht me -a, por pa e ndërruar gjininë, njësoj si burri-i, shumës burra dhe thuhet burra të mirë, jo burra të mira.

Po ashtu, na çjerrin veshin format dialektore të papranueshme në shqipen standarde, të tilla si shkrojta në vend të shkrova, madje, ndonjëherë edhe shkruajta e shkruva, që mund t’u faleshin vetëm fëmijëve të moshës së njomë, që ende nuk e kanë nxënë shqipen. Ka ardhur koha të reagojmë me të gjithë shqetësimin dhe përgjegjësinë qytetare dhe kombëtare ndaj përmirësimit e rritjes cilësore të teksteve shkollore. Kjo nuk prêt, por edhe nuk mund të kryhet ashtu si duhet pa u marrë të gjitha masat e nevojshme për hartimin, vlerësimin dhe përzgjedhjen e miratimin e teksteve sipas kushteve të sotme sa më profesionale e me cilësi."


Shkrimi u publikua në gazetën Shqiptarja.com
 

Konkursi Letërsisë

  • 1-Bëju.

    Votat: 11 40.7%
  • 2-Ankth mesnate.

    Votat: 3 11.1%
  • 3-Të dua ty.

    Votat: 8 29.6%
  • 4-Nje kujtim.

    Votat: 5 18.5%
Back
Top