Shfletimi si vizitorë është i kufizuar

A duhet të zgjerohet arsimi universitar?



Pajtim BEJTJA (Panorama)

Në Shqipëri ekziston një prirje e skajshme për t’i bërë me universitet të gjithë ata që marrin maturën …Kjo prirje ekziston më së pari te prindërit, të cilët, pavarësisht nga aftësitë, prirjet dhe rezultatet reale të fëmijëve të tyre në shkollën e mesme, ngulmojnë që këta me çdo mënyrë të marrin një diplomë universitare dhe madje të konkurrojnë në degë që sigurojnë status të lartë ose të ardhura të mëdha në punë. Shteti po u përgjigjet në mënyrë të sforcuar dëshirave të të rinjve dhe të prindërve të tyre, duke hapur degë të reja e rritur në një masë të konsiderueshme numrin e pranimeve në universitetet ekzistuese dhe duke hapur universitete pothuaj në të gjitha qytetet kryesore të vendit. Nga ana tjetër, është krijuar dhe po zgjerohet rrjeti paralel i universiteteve jopublike (private). Përveç kësaj, me mijëra të rinj nisen çdo vit për studime të larta jashtë shtetit, një pjesë e mirë e të cilëve, me mbarimin e studimeve, kthehen me dëshirën për të punuar në vend. Në këto rrethana, pyetja “A është e drejtë të zgjerohet me ritme kaq të shpejta arsimi ynë universitar?” nuk është e tepërt të shtrohet dhe të shqyrtohet gjerësisht, për t’i dhënë një zgjidhje optimale problemit.
Në fakt, niveli i shkollimit të të rinjve është një problem i rëndësishëm, që u intereson si individëve, ashtu edhe shoqërisë në tërësi, prandaj duhet parë në të dyja këto plane dhe duke marrë parasysh të gjithë faktorët ndikues.
Në një shoqëri demokratike, çdo individ duhet të marrë vetë përgjegjësi për llojin dhe nivelin e arsimimit të tij, ndërsa shoqëria duhet t’i sigurojë atij mundësi optimale për të realizuar dëshirat dhe kërkesat e veta. Njëkohësisht ajo duhet ta orientojë dhe ta këshillojë atë për të bërë zgjedhjet e duhura, duke u bazuar jo vetëm në dëshira, por edhe në aftësitë (të dorës, intelektuale etj., të cilat mund të përcaktohen përmes testeve, bisedave etj.) dhe në veçoritë psikologjike të tij, si dhe në faktorë të tjerë ndikues (ekonomikë etj.). Kjo realizohet nëpërmjet shërbimit të orientimit dhe këshillimit shkollor dhe profesional (për karrierë), i cili në Shqipëri ende nuk ka zhvillimin e duhur. Me rëndësi është që zgjedhjet të bëhen edhe duke harmonizuar interesat, aftësitë dhe dëshirat individuale me interesat, nevojat dhe mundësitë e shoqërisë, se çdo shoqëri, sado e zhvilluar të jetë, nuk mund t’i plotësojë në maksimum dëshirat e të gjithë të rinjve. Nga ana tjetër, këto dëshira, në shumë raste, nuk u përgjigjen aftësive të duhura për të përballuar me sukses arsimin universitar dhe as nevojave të shoqërisë. Natyrisht, çdo i ri ose e re ka të drejtë të synojë për arsim të lartë të çdo fushe dhe mund të mos i marrë parasysh këshillat dhe të provojë t’i masë forcat e veta, por dështimi do të thotë humbje mundi, kohe dhe parash. Gjithashtu, rritja e numrit të studentëve pa marrë parasysh nevojat e shoqërisë, përkatësisht kërkesat e tregut të punës, çon në superprodhim specialistësh të lartë për fusha të ndryshme veprimtarie në vend dhe, për pasojë, në pamundësi punësimi sipas diplomës të një numri të konsiderueshëm specialistësh.
Si argument kryesor, “çarmatosës”, i nevojës së zgjerimit me ritme të larta të arsimit universitar në Shqipëri, sillet fakti që në Bashkimin Evropian dhe në SHBA popullsia që zotëron arsim universitar lëviz në kufijtë 36-42 për qind, kurse në Shqipëri është 7-8 për qind, madje në zonat rurale zbret në 2 për qind. Nga ana tjetër, vihet në dukje fakti se edhe në vende të tjera ka plot të rinj me diplomë universitare, që punojnë si kamerier apo bëjnë punë të tjera, jashtë fushës për të cilën janë diplomuar e që mund të përvetësohen nëpërmjet të ushtruarit (praktikës), me kurse formimi profesional apo, shumë-shumë, duke ndjekur ndonjë shkollë profesionale 2-3–vjeçare.
Nuk mund të mohohet nevoja e zgjerimit të arsimit universitar për fusha të caktuara, si p.sh., për mjekësinë apo mësuesinë, por, ndërkaq, për fusha të tjera ka superprodhim specialistësh. Në këto rrethana, besoj se neve, aktualisht, nuk na duhet rritja e përqindjes së popullsisë me arsim të lartë sa në vendet e zhvilluara, por një cilësi e lartë e diplomave universitare, aq sa të mund të njihen nga Bashkimi Evropian. Po edhe sikur të argumentohet katërçipërisht se edhe ne duhet të arrijmë në po ato kuota të popullsisë me arsim të lartë, si BE-ja dhe SHBA-të, pse me kaq ngut, pse me ritme kaq të përshpejtuara, duke mos pasur aq nevojë dhe duke e bërë këtë në dëm të cilësisë?
ثshtë e kuptueshme se në kushtet e një përqindjeje të lartë papunësie, përfshirja masive e të rinjve në shkollat e larta është një mjet i volitshëm për uljen e tensioneve shoqërore, por kjo është e përkohshme. Të rinjtë do të pësojnë një zhgënjim të madh nëse, me mbarimin e studimeve, nuk do të gjejnë punë sipas diplomës që kanë marrë. Kjo do të çojë edhe në rritjen e dëshirës së tyre për të emigruar, si dhe në mungesë motivimi te brezat pasardhës të studentëve, duke parë se diploma që do të marrin nuk do t’u shërbejë për ushtrimin e veprimtarisë profesionale përkatëse, por vetëm sa për të pasur një status më të lartë. Kjo do të shtyjë jo pak prej tyre që, për të fituar këtë status, të kërkojnë ta blejnë e jo ta fitojnë me mund një diplomë universitare, gjë që te ne, siç po duket, nuk është aq e vështirë.
Nuk ka dyshim se pranimi në mënyrë të sforcuar i një numri të madh studentësh në universitetet shtetërore ndikon negativisht në cilësinë e përgjithshme të kontingjenteve që pranohen dhe të produkteve që dalin prej tyre. Po kështu, në kushtet e sotme të universiteteve, ai ndikon negativisht edhe në plotësimin e standardeve evropiane në veprimtarinë e tyre. Puna mësimore e shtuar kufizon kohën për përditësimin e leksioneve nga ana e pedagogëve dhe bëhet në dëm të punës studimore-shkencore, që duhet të jetë komponent i domosdoshëm në veprimtarinë e pedagogëve dhe në të cilën duhet të angazhohen, në një farë mase, edhe studentët. Rekrutimi i menjëhershëm i qindra specialistëve të rinj si pedagogë për dhënie leksionesh, çon, përgjithësisht, në ulje të cilësisë së leksioneve. Nga rritja e shpejtë e numrit të studentëve krijohen shtrëngesa për mjedise e bazë mësimore dhe nuk arrihen në masën e duhur kontaktet pedagog-student.
Politika që ndjek shteti në lidhje me arsimin universitar mendoj se duhet të jetë e pandarë nga politikat arsimore që ndjek ai në përgjithësi, duke marrë parasysh edhe nevojat konkrete e perspektive të shoqërisë.
Siç dihet, shoqëria njerëzore, për të siguruar ekzistencën dhe zhvillimin e saj të vazhdueshëm, ka nevojë që pjesëtarët e saj të kryejnë veprimtari të shumta e të larmishme. Kryerja me sukses e këtyre veprimtarive kërkon, zakonisht, që njerëzit të marrin paraprakisht kualifikime profesionale të llojeve e të niveleve të ndryshme, që sigurohen kryesisht nëpërmjet arsimimit të tyre (në kuptimin e përgjithshëm edhe arsimi i lartë konsiderohet arsim profesional). Vetëm pak lloje veprimtarish mund të kryhen pa marrë kualifikim, kryesisht nëpërmjet të ushtruarit praktik në vendin e punës. Tradicionalisht, shumica e vendeve të punës ka kërkuar arsim të mesëm profesional e deri diku arsim të lartë jouniversitar (postsekondar) dhe relativisht pak vende pune kanë kërkuar arsim të lartë universitar. Megjithatë, me zhvillimet e sotme shkencore e teknologjike, në sajë të futjes gjithnjë e më të gjerë të teknologjisë së informimit e të komunikimit në të gjitha sferat e jetës dhe të veprimtarisë njerëzore dhe nën ndikimin e faktorëve të tjerë ekonomiko-shoqërorë, është rritur përqindja e kërkesave për kualifikime të nivelit universitar. Kjo ndodh veçanërisht në vendet e zhvilluara, në të cilat, përveç të tjerave, ekzistojnë edhe fusha veprimtarie të nivelit të lartë shkencor e teknologjik, që nuk kanë të ngjarë në vendet e tjera. Kështu, sipas një studimi të Këshillit të Evropës (2004), në 2010-n gati 50 për qind e vendeve të reja të punës do të kërkojnë nivel universitar kualifikimesh, më pak se 40 për qind do të kërkojnë shkollim të mesëm dhe vetëm rreth 15 për qind e tyre do të kërkojnë shkollim bazë. Kësisoj, synimi që të gjithë të mbarojnë arsim të lartë universitar, ngjan me synimin për të krijuar një ushtri të përbërë vetëm nga gjeneralë, pa oficerë të rangjeve më të ulëta dhe pa ushtarë (?), gjë që të kujton atë sentencën: “Unë zot, ti zot, po dhentë kush i kullot?”. Se një inxhinier, p.sh., që në universitet ka marrë arsim me karakter të theksuar teorik, përgjithësisht nuk mund ta kryejë punën e punëtorit të fushës përkatëse, që në shkollë ka marrë arsim me karakter të theksuar praktik. Po edhe sikur të mund ta kryejë, për nga arsimi që ka marrë, a do të ishte e drejtë që punët e një punëtori, të cilat e shumta kërkojnë një arsim të mesëm profesional trevjeçar, të kryhen nga një specialist me universitet? Ose, a është e arsyeshme që në sportelet e bankave të punojnë në masë ekonomistë të lartë, kur në to kryhen punë rutinë, për të cilat është më se i mjaftueshëm arsimi i mesëm ekonomik? Besoj se një vend i vogël e me ekonomi ende të dobët, si Shqipëria, është herët të sillet si një vend i zhvilluar ekonomikisht e me potenciale të bollshme shkencore, që është në gjendje të plotësojë nevojat e tij për specialistë me arsim universitar dhe, njëkohësisht, të përmbushë në masë edhe dëshirat e të rinjve për të ndjekur këtë nivel arsimi, duke ruajtur standardet e cilësisë. ثshtë vështirë, gjithashtu, të pranohet si e drejtë prirja që në një vend të vogël si Shqipëria, që ka kaluar e po kalon gjithfarë vështirësish zhvillimi, çdo qytet kryesor të ketë universitetin e tij. Kjo, qoftë nga pikëpamja e nevojave, qoftë për faktin se hapja e një universiteti nuk është njëlloj si hapja e një dyqani dhe nuk është aq e lehtë që të krijohen kushtet për të përmbushur standardet evropiane të të qenit universitet.
Duke u nisur nga nevojat e shoqërisë, mendoj se shteti duhet t’i kushtojë kujdes arsimit dhe formimit profesional të të gjitha niveleve, duke vendosur një raport të drejtë ndërmjet tyre dhe jo të rendë pas një niveli shkollimi (ose formimi), cilido qoftë ai. Në rastin e Shqipërisë, duhet t’u kushtohet vëmendje më e madhe se tani shkollave të mesme profesionale e teknike, të cilat duhet t’u përgjigjen me numër nxënësish dhe në lloje kualifikimesh që japin nevojave të fushave të veprimtarisë profesionale që zhvillohen në vend. Nga ana tjetër, duhet të bëhen përpjekje për rritjen e statusit të këtyre shkollave, që aktualisht është më i ulët se i shkollave të mesme të përgjithshme, dhe të motivohen të rinjtë për t’i ndjekur ato, në përputhje edhe me aftësitë e prirjet e tyre. Duhet përpunuar mendimi se suksesi profesional nuk varet thjesht nga niveli i shkollimit, por kryesisht nga përputhja e profesionit të zgjedhur, pra dhe e nivelit dhe e llojit të shkollimit, me aftësitë dhe prirjet e individit.
Në mbështetje të zgjerimit të shpejtë të arsimit universitar është edhe pikëpamja, sipas së cilës një nivel i lartë arsimimi i popullsisë, edhe pse i tejkalon nevojat e vendit për nivele dhe lloje të ndryshme kualifikimi, është i dobishëm, prandaj shpenzimet që bëhen për arritjen e tij nuk duhen quajtur të kota. Edhe sikur kjo tezë të qëndrojë, mendoj se, të paktën tani për tani, ajo duhet të zbatohet në mënyrë përzgjedhëse, duke pasur parasysh fushat përparësore të zhvillimit të vendit ose ato që kanë nevoja më të mëdha. Ajo, gjithashtu, duhet të zbatohet me ritme në përputhje me zhvillimin ekonomik të vendit dhe pa “i rënë në qafë” cilësisë. Garantimi i cilësisë është pjesë thelbësore e një sistemi arsimor efektiv, që nuk duhet shpërfillur. Prandaj është e nevojshme të krijohen dhe të forcohen mekanizmat për garantimin e saj, bazuar në dokumentet përkatëse të Këshillit të Evropës dhe në praktikat e mira të vendeve të tjera.
Duhet thënë se, niveli arsimor i lartë i popullsisë në kohën e sotme nuk sigurohet vetëm nëpërmjet arsimimit paraprak të të rinjve. Ai sigurohet, rritet e përditësohet, edhe nëpërmjet të nxënit gjatë gjithë jetës, i cili në kohën e sotme është bërë i domosdoshëm. Të nxënit gjatë gjithë jetës realizohet me rrugë formale, joformale e informale, me mjete gjithnjë e më të larmishme (tradicionale dhe të reja, elektronike) e në mjedise të ndryshme (arsimore e të formimit, të punës, publike dhe shtëpiake), sipas nevojave e mundësive. BE-ja e ka shpallur vitin 2010 si vit cak për krijimin e hapësirës evropiane të të nxënit gjatë gjithë jetës. Krijimi i plotë i kësaj hapësire nënkupton që çdo individ mund të nxërë në çdo kohë, në mënyrë periodike a të vijueshme, me ritmet, në drejtimet dhe në nivelet e vendosura prej tij, në varësi nga nevojat dhe kërkesat që ai ka e që mund të ndryshojnë gjatë jetës. Ai bën të mundur që interesat dhe nevojat e individëve të harmonizohen me nevojat dhe kërkesat e shoqërisë. Ai, gjithashtu, bën të mundur që individët t’u përgjigjen në mënyrë të shpejtë ndryshimeve gjithnjë e më të vrullshme që ndodhin në shoqërinë e sotme në lidhje me mënyrën e të jetuarit e të punuarit. Edhe vendi ynë e ka të domosdoshme të krijojë “hapësirën shqiptare të të nxënit gjatë gjithë jetës”, si pjesë të hapësirës evropiane të të nxënit gjatë gjithë jetës. Pjesë përbërëse kryesore e kësaj hapësire janë arsimi dhe formimi profesional i të gjitha niveleve, prandaj reformimi i këtyre sistemeve duhet parë dhe duhet bërë edhe me synimin për të kontribuar në krijimin e hapësirës në fjalë. Kjo është një detyrë komplekse dhe e vështirë, që kërkon kohë dhe investime për t’u realizuar plotësisht, por që e bën të detyrueshme natyra e zhvillimeve në shoqërinë e sotme. Ajo bën thirrje për t’i përdorur në mënyrë racionale investimet, të cilat janë ende larg së qeni të mjaftueshme.
Arsimi universitar duhet të garantojë jo vetëm riprodhimin e thjeshtë të specialistëve të lartë, por edhe krijimin e elitës për çdo fushë veprimtarie që ushtrohet në vend. Por elita është vështirë të krijohet nga universitete që nuk plotësojnë standardet përkatëse e që rrisin jashtë mase numrin e pranimeve. Megjithatë, duhet thënë se ekziston edhe mendimi që sasia çon në cilësi, duke bërë të mundur krijimin e elitës, gjë që mua më duket e dyshimtë, pasi në kushtet tona është vështirë t’u shërbehet si duhet studentëve cilësorë. I dyshimtë do të ishte formimi i elitës edhe në universitetet private, në qoftë se ato nuk e konsiderojnë veten si shërbim publik, po sillen thjesht si biznes. Prandaj mendoj se duhet përshëndetur vendimi që të gjitha universitetet tona, publike dhe jopublike, t’i nënshtrohen një kontrolli të imët nga ekspertë të huaj të akreditimit, dhe, në rast problemesh, t’u nënshtrohen masave që mund të shkojnë deri në mbylljen e institucionit të arsimit të lartë, ose në heqjen e licencës për universitetet private. Shpresoj se kjo masë do të shërbejë që universitetet tona të rrisin cilësinë e punës së tyre dhe të nxjerrin specialistë sa më të përgatitur dhe të pëlqyeshëm nga tregu shqiptar i punës dhe jo vetëm nga ai.
Arsimi universitar, si dhe nivelet e tjera të arsimit, janë investim dhe shërbim, njëkohësisht. Investimi nuk nënkupton ndarje parash thjesht sipas numrit të studentëve e të pedagogëve apo të ndonjë treguesi tjetër, por menaxhim financiar, në mënyrë që paraja të përdoret në mënyrë sa më efektive, eficiente dhe të dobishme. Aq më tepër që në këtë stad zhvillimi mundësitë e shtetit tonë për financim janë relativisht të pakta. Arsimi universitar, duke mos qenë i detyruar dhe duke qenë shërbim, mendoj se duhet të mbahet jo vetëm me fonde publike, por edhe me kontribute nga përfituesit e tij. Raporti midis financimeve publike dhe kontributeve individuale mund të jetë i ndryshëm dhe i diferencuar sipas kritereve të caktuara, që sigurojnë një politikë racionale investimesh. Në këtë drejtim praktika botërore njeh modele të shumta dhe shfrytëzon edhe burime të tjera të larmishme financimi për universitetet. Shqipëria mund të përpunojë një skemë të sajën për financimin e universiteteve, duke marrë parasysh dhe përvojat e mira të vendeve të tjera.
Problemet e arsimit (dhe ato të formimit), në përgjithësi dhe ato të arsimit universitar në veçanti, janë të shumta, komplekse e të vështira dhe nuk është e lehtë të zgjidhen në mënyrën e duhur brenda një kohe të shkurtër. Për më tepër, arsimi nuk mund t’ua arrijë i vetëm qëllimeve të veta, por krahas me të gjitha politikat që synojnë ndërtimin e një shoqërie të re të balancuar, të bazuar në dije dhe në një ekonomi globale. Prandaj ai duhet të harmonizohet dhe të jetë pjesë e pandarë e masave dhe e programeve tërësore ekonomike, të tregut të punës dhe sociale, që nxisin rritjen ekonomike dhe të punësimit.
 

Attachments

  • universiteti.jpg
    universiteti.jpg
    71.4 KB · Shikime: 25

Konkursi Letërsisë

  • Aeroporti i Zaventemit

    Votat: 6 54.5%
  • Të harrova, sepse të dua

    Votat: 5 45.5%
  • Vetëm …

    Votat: 4 36.4%

Theme Editor

Settings Colors

  • Mobile users cannot use these functions.

    Select View Mode

    Switch between full screen and narrow screen modes.

    Grid View

    Easily review content and get an organized view with grid mode.

    Image Grid Mode

    Display your content in an organized and visually rich way with background images.

    Sidebar Close

    Create a larger workspace by hiding the sidebar.

    Fixed Sidebar

    Ensure constant access and easily manage your content by pinning the sidebar.

    Box view

    You can add a box-style frame to the sides of your theme or remove the existing frame. Valid for resolutions over 1300px.

    Radius Control

    Customize the look however you like by turning the radius effect on or off.

  • Choose your color

    Choose the color that reflects your style and ensure aesthetic harmony.

Back