8% e lëndës gjenetike të njeriut me prejardhje virusi

Lauri

Anunnak
e premte, 8 janar 2010 / Legjion
Rreth 8% e lëndës gjenetike të njeriut buron prej një virusi dhe jo nga gjenoma përjashtimisht njerëzore, sipas kërkimeve më të fundit në Japoni dhe SHBA, me studimin dhe artikullin përkatës nga Universiteti i Teksasit, i profesorit të biologjisë në Arlington, Sedrik Feshot, botuar në numrin e radhës të revistës "Nature".

Studimi tregon se gjenoma e njeriut dhe e gjitarëve të tjerë përmban ADN të prejardhur nga ndërhyrja e bornaviruseve (viruse ARN, replikimi dhe transkriptimi i të cilëve ndodh në bërthamë).

Feshoti ka vijuar mbi punën e nisur më parë nga profesori Keizo Tomonaga i Universitetit të Osakës në Japoni. Ai thotë se kjo ADN e përcjellë nga viruset mund të jetë dhe shkaktar i mutacioneve dhe gjendjeve të rënduara psikologjike si p.sh. skizofrenia dhe çrregullimet në disponim.

Asimilimi i sekuencave virale në gjenomën bujtëse është një proces që quhet endogjenizim. Ky ndodh kur ADN-ja virale trupëzohet në kromozomet e qelizave riprodhuese dhe rrjedhimisht kalon nga prindi tek fëmija.

Deri më tash retroviruset kanë qenë të vetmet viruse të njohura për prodhimin e kopjeve të tilla endogjene në kurrizorë. Por Feshoti pohon se shkencëtarët kanë zbuluar se edhe viruset joretrovirale (të quajtura bornaviruse), janë endogjenizuar në vijimësi nga gjitarët përgjatë tërë evolucionit tonë.

Bornavirusi (BDV) e ka marrë emrin nga qyteti i Bornës në Gjermani, ku një epidemi virale në vitin 1885 shfarosi krejt regjimentin e kuajve të kalorësisë.

BDV-ja prek një sërë shpendësh e gjitarësh deri dhe njeriun. Ai është i veçantë pasi prek vetëm neuronet, duke vendosur infeksion të qëndrueshëm në trurin e bujtësit, dhe tërë cikli i tij jetësor konsumohet në bërthamën e qelizave të infektuara.

Feshoti thotë se kjo lidhje e ngushtë e BDV-së me bërthamën e qelizës ishte që i shtyu studiuesit të hetojnë në atë se a kanë lënë bornaviruset ndonjë gjurmë të infeksioneve të mëhershme në formën e elementëve endogjenë. Studimi nisi kësisoj mbi 234 gjenoma të njohura eukariotike (gjenoma që janë regjistruar plotësisht) për zbulimin e sekuenceave të ngjashme me ato të BDV-së.

"Studiuesit zbuluan një sërë elementësh endogjenë të ngjashëm me bornavirusin N (EBLN) në mjaft gjitarë të ndryshëm," shton Feshoti.

Shkencëtarët madje arritën të shërojnë ndërhyrje të vetishme të BDV-së në kultura kromozomesh njerëzore që infektoheshin vazhdimisht me BDV. Në bazë të këtyre të dhënave, Feshoti shton se ndërhyrjet e BDV-së mund të jenë burim i mutacioneve që ndodhin në qelizat e individëve të infektuar.

"Këto të dhëna na sjellin para hipotezës së verifikueshme për lidhjen e propozuar, por ende të debatueshme, shkakësore të infeksionit me BDV dhe skizofrenisë e çrregullimeve në disponim", thotë Feshoti.

Kërkimi në laboratorin e Feshotit, që përqendrohet gjerësisht mbi përbërësit e zhvendosshëm gjenetikë (ata përbërës që mund të lëvizin dhe të replikohen përbrenda gjenomës së thuajse krejt organizmave të gjalla), përfaqëson dhe kërkimin tash në zhvillim e sipër në Universitetin e Teksasit, Arlington, një institut 28'000 studentësh që së shpejti pritet të udhëheqë dhe në fushën e kërkimeve shkencore në SHBA.
http://www.sciencedaily.com/releases/2010/01/100107103621.htm
 

Konkursi Letërsisë

  • Jeta pa ty

    Votat: 7 50.0%
  • Simfonia e bisedave tona

    Votat: 2 14.3%
  • Bora e parë

    Votat: 3 21.4%
  • Larg

    Votat: 2 14.3%
Back
Top