'2 korriku', Enveri dhe Saliu, shqiptarët pas 20 vitesh 'tranzicioni'

Iron_Leon

شيطان בעל זבוב
ERJUS MEZINI

Nuk ka shumë ditë që policia greke organizoi një operacion të ri për kthimin e
klandestinëve dhe është për tu habitur që në rrethinën e Grevenasë ishin arrestuar
mbi tetëdhjet shqiptarë pa leje qëndrimi. Megjithëse Greqia Veri-Perëndimore njihej,
para zgjerimit të Komunitetit Evropian drejt Lindjes, si zona më pak e zhvilluar në
BE dhe megjithëse shteti fqinj po bën bujë në mediat botërore për shkak të krizës
ekonomike që e ka pllakosur, duket se kjo nuk përbën problem për të uriturit shqiptar.

Ata ende vazhdojnë të sillen rrugëve të emigrimit dhe ndjehen me fat sapo kalojnë
kufirin shqiptar drejt një bote aspak mikpritëse për emigrantët. Se Greqia, si edhe
shtetet e tjera të Evropës, është lodhur nga fluksi i klandestinëve afrikan dhe aziatik
të cilët luftrat, skamja dhe rrënimi i dërgojnë drejt botës perëndimore. Akoma më
habi shkakton fakti i shëmtuar që Shqiptarët pas njëzet vjetësh demokracie ende
duan të largohen nga vendi i tyre duke iu bashkangjitur kështu refugjatëve afrikan
dhe aziatik. Me përjashtim elitën e qendrave urbane, për pjesën tjetër të popullsisë
një martesë jashtë vendit, një bursë studimi në Evropë apo një vizë turistike për në
SHBA shpjegohet si "fat i madh".
Vetëm se 2 Korriku i 2010-ës është shumë herë më i hidhur sesa 2 Korriku i 1990-ës. Refugjatët e 1990-ës u larguan nga shteti më komunist i Evropës. Ata iknin me shpresën se do ktheheshin shumë shpejt, do ktheheshin sapo Shqipëria të bëhej demokratike dhe profetët e PD-ës ta bënin atdheun si gjithë Evropën. Kurse Shqiptarët e 2010-ës po largohen nga Shqipëria demokratike.
Këta të fundit nuk largohen përkohësisht, këta po ikin përgjithmonë. Të privuar nga
një punë stabël, një shtet proteksionist, një treg i mundësive të barabarta dhe një
shtet ligjor, shumë bashkëatdhetarëve nuk i mbetet më gjë për të pritur në këtë vend.
Aq më tepër Shqiptarët janë lodhur me politikën dhe me votimet. Ata kanë njëzet
vjet që dëgjojnë të njëjtat premtime dhe që votojnë pro ose kundër të njëjtit person.

Nëse komunizmi shqiptar kishte Enverin e vet, demokracia shqiptare ka Saliun e vet.
اdo emër është i ndryshueshëm në politikën shqiptare përveç Sali Berishës.
Rrjedhimisht, nëse të gjithë aktorët politik kanë një përgjegjësi mbi krizën që po kalon
Shqipëria këto njëzet vitet e tranzicionit, Berisha ka përgjegjësinë më të madhe. Ai
është gjithmonë aty, duke vjedhur ose lypur votën e popullit. Emri i tij ka kandiduar
në të gjitha votimet qysh në 1991-shin dhe jam i sigurtë se në asnjë demokraci
normale nuk do hidhte një dështarak si Berisha kandidaturën për të udhëhequr vendin
shtatë herë radhazi. Po, Berisha është një dështarak. Ai është simboli i dështimit të
demokracisë shqiptare. Kur ai dhe farefisi i tij të largohen nga jeta politike jam i
sigurtë se Historia e Shqipërisë do i ruaj Berishës një kënd përkrah Lekë Dukagjinit,
Esat Pashë Toptanit, Qazim Mulletit dhe figurave të tjera tragjiko-komike të atdheut.

Enveri dhe Saliu...

Megjithëse doktor Berisha do kishtë dëshirë të mbahej mend si një Enver i dytë, të
cilit i shërbeu me vullnet sa ishte në jetë, një paralelizim mbi Enverin dhe Saliun do
të ishte i cekët. E para e punës, Enveri ishte burrë në fjalë dhe në vepra. Pavarsisht
se veprimtaria e tij i shkaktoi shumë dëme Shqipërisë, Enveri zakonisht e mbante
fjalën dhe i shprente mendimet e veta haptazi si në nivel brenda-partiak si në nivel
ndërkombëtar. Akoma edhe kur i eliminonte miqtë e vet, ish-diktatori i akuzonte
vet ata dhe, si ne rastin e i poshter Ballukut, çështja demonstrohej brenda partisë ose në
publikun e gjerë. Në demokracinë e Sali Berishës gazetarët, politikanët dhe qytetarët
sulmohen nga forca të padukshme dhe nga agresorë që nuk arrestohen kurrë. Siç do
raportonte Organizata e Helsinkit për të Drejtat e Njeriut (HRW, 1996), në periudhën
1993-1994 mbi 30 gazetarë të opozitës do sulmoheshin fizikisht dhe një anëtar partie
do vritej barbarisht nga persona qe nuk u arrestuan kurrë. Megjithëse perjardhja e tij
është nga një zonë ku njerëzit betohen në besë, Sali Berisha nuk duket se e njef këtë
zakon. Berisha, në kundërshtim me Enverin që fliste gjuhën e komunizmit, flet shumë
gjuhë. Ndryshe ia thotë ndërkombëtarëve, ndryshe Shqiptarëve, ndryshe Kosovarëve
dhe Serbëve.

Enveri mbante në krahun e vet bashkëluftëtarët, kurse Saliu jo vetëm që nuk ka
luftuar ndonjëherë për të drejtat shqiptare por menjëherë pas fitores të 1992-shit
largoi nga postet qeveritare ose syrgjinosi jashtë vendit të gjithë ata politikanë të
PD-ës që ishin përpjekur për demokracinë dhe i zëvendësoi ata me njerëz të vetë me
aspak përvojë në politikë. Sigurisht që këtë vendim doktori do e tërhiqte mbrapsht
kur popullariteti i tij do fillonte të ulej, në ndryshim esencial nga Enveri i cili nuk e
kthente më shikimin drejt atyre që kishte shporrur nga partia. Në këtë pikë sigurisht
që ngrihet pyetja, pse disa politikanë dhe gazetarë pranojnë pajtimin me Berishën.
Përgjigja është: se ata ndajnë të njëjtat vlera me të (aspak idealizëm dhe shumë lakmi
për pushtet dhe pasuri).
Një tjetër pikë ku ndryshojnë Saliu dhe Enveri është tek logjika e internimit. Në
komunizëm internimi bëhej brenda shtetit. Njërëz me edukim, kapital, histori dhe
parime të caktuara u shvendosnin për shkaqe politike nga qendrat urbane drejt
periferisë së vendit. Internimi kishte rregull dhe pasojat ishin tragjike vetëm për
personin apo familjen që internohej. Për vendin pasojat nuk ishin negative, sepse në
këtë mënyrë inteligjenca e qendrave urbane transferohej në zonat e largëta rurale ku
popullsia ishte e pashkolluar. Përkundrazi, një ish-kuadër që demokracia shqiptare
e shndërroi në një fshesaxhi të Torontos apo Nju Jorkut përveç dështimit personal
përbën edhe dështim shtetëror. Shteti shqiptar nuk mundi ta mbaj atë në Shqipëri dhe
administrata humbet eksperiencën dhe njohuritë e dobishme të këtij personi.
Në demokracinë ala-berishiane internimi nuk ka dallim dhe kryesisht kthehet ndaj
atyre që nuk kanë asnjëlloj kapitali. Ky internim kryet pa rregull dhe shteti nuk ka
asnjëfarë përgjegjësie mbi fatin e të internuarit refugjat. Refugjati mund të vritet,
mund të burgoset, mund të keqtrajtohet, mund të mbetet i papunë dhe i pastrehë
në një dhe të huaj dhe shteti shqiptar nuk ka asnjëlloj statusi legal dhe asnjëlloj
potenciali tjetër që ti vihet në ndihmë refugjatit. Në kohën e komunizmit ekzistonte
mundësia që një i internuar dikur të kthehej në vendlindjen e tij, pasi Partia e Punës të
vendoste diçka të tillë, kurse në demokracinë shqiptare një gjë e tillë as që diskutohet.
Bile vet Banka e Shqipërisë dhe institucione të tjera kohët e fundit publikojnë
raporte "shqetësuese" mbi kthimin e Shqiptarëve në atdhe. Shteti shqiptar jo vetëm
që nuk ka një politikë riatdhesimi dhe rehabilitimi për emigrantët por e shikon me
mëri kthimin e emigrantëve (rrjedhimisht edhe emigrantët që kthehen në atdhe nuk
qëndrojnë gjatë).
Internimi i Enverit përfshinte një pakicë njerëzish, kurse syrgjinosja e Berishës prek
një në katër Shqiptarë. Niveli i eksodit shqiptar përbën rekord botëror (shiko United
Nations Demographic Yearbook 2006), dhe ky eksod është një nga projektet kryesore
dhe suksesi më i madh i ideatorit Berisha. Në intervistën që Sali Berisha do jepte për
mediat e huaja, gjatë fushatës elektorale me 20 Mars 1992, ai deklaron se "Evropa
duhet të pranoj një numër akoma më të madh emigrantësh" (Vickers and Pettifer,
1997) dhe se ai do bënte çmos që diçka e tillë të realizohej. Treqind mijë Shqiptarët
që ishin larguar jashtë vendit para votimeve të Marsit të 1992-shit nuk dukeshin asgjë
në sytë e Berishës. Si pasojë, vërejme akoma një ndryshim themelor midis shtetit
enverist dhe atij berishian. Byroja komunsite bëri çmos që ta rrisi popullsinë shqiptare
kurse kabineti berishian që ta zvogëloj në minimum. PPSH-ja reklamonte autarkinë
absolute ndërsa PD-ja ekonominë parazite.
Akoma edhe sot, pas njëzet vjetësh, tranzicioni edhe eksodi masiv nuk duket ta
ket ndryshuar linjën e bandës Berisha. Premtimi i radhës është që Shqiptarët të
lëvizin pa viza në Evropë. Shtypi berishian nëse nuk ka më gjë për të thënë mbi
dosjet komuniste, që pak na interesojnë tani pas njëzet vjetësh me Berishën, atëhere
reklamon lëvizjen pa viza të Shqiptarëve. Megjithëse për BE kjo levizje është një
formë turizmi nëntëdhjetë ditësh, për bandën e Berishës është një çlirim politik nga
presioni i të uriturve. Duke u dërguar jashtë këta njerëz të "pafat" ulin opozitën ndaj
grupit që kontrollon vendin dhe, akoma më tepër, kthehen në kontribues të ekonomisë
parazite. Për pasojat afatgjate të një ekonomie parazite Berisha dhe partia e tij nuk
kanë as pyetje dhe as përgjigje.
Për këto dhe shkaqe të tjera z. Berisha do të hidhërohej që në Historinë e Shqipërisë
ai nuk do radhitet përkrah Enver Hoxhës. ثshtë tjetër gjë të jesh tragjik dhe tjetër gjë
të jesh tragiko-komik. Berisha mund të jet po aq despotik dhe sulltanik sa idhulli i tij
Enver, por opozitën dhe ndërkombëtarët nuk ka pasur ndonjëherë guximin ti sfidoj si
profesori i vet. Ai edhe Shqipërinë do ta zvogëloj sa më shumë të jet e mundur, por
edhe PD-ën ka dëshirë ta zvogëloj, se ndryshe nuk e udhëheq dot.

Berisha në akademitë perëndimore...
Pas këtij krahasimi të shkurtër midis atit të komunizmit shqiptar dhe atit të
tranzicionit të pafund mirë do ishte të kthejmë shikimin drejt mendimit akademik
perëndimor mbi Berishën. Siç të gjithë e mbajmë mend shumë mirë, akoma edhe
ne fëmijët që duartrokisnim kryetarin e PD-ës kur krenosej përbri Xhejms Bejkerit
në sheshin Skënderbej nëntëmbëdhjet vjet në parë, Berisha ishte dikur i dashuri i
perëndimorëve. Aq e madhe ishte dashuria e tij për perëndimorët saqë ai, si Lekë
Dukagjini dikur, është shkaku që akoma sot e kësaj dite Shqipëria sovrane nuk
mer dot një vendim pa pyetur Evropën dhe SHBA-të. Ne Shqiptarët sigurisht që
lutemi që Berisha të mos marri vendime pa pyetur BE-në dhe SHBA-të sepse jemi
bindur plotësisht se këto vende të huaja interesohen më shumë për ne se sa vet
kryeministri. Megjithatë, nëse ky vend një ditë përfundon në formën e një protektorati
të perëndimorëve -siç edhe ndodhi në 1997-tën- krediti historik nuk mund ti jepet
kujt tjetri veçse ideatorit Berisha.
Ai ishte personi i parë që thirri Amerikanët dhe Evropianët të bojkotojnë qeverinë
Alia-Nano që lindi nga votimet a para të lira dhe pluraliste në 1991-shin, duke i hapur
kështu rrugën një shteti hibrid që kurrë nuk do ishte i aftë të zgjidhi problemet e veta
pa ndërhyrjen ndërkombëtare. Bile PD-ja i mbante mëri qeverisë Italiane Kraksi pse
guxoi të organizonte projektin humanitar "Pelikan", sepse në sytë e Berishës më mirë
të vdisnin disa Shqiptarë sesa të ndaheshin ndihma humanitare në një kohë që ai nuk
kishte uzurpuar ende pushtetin. Sot, pas nëntëmbëdhjet vjetësh, historia përsëritet
dhe Berisha me mikun e tij Meta na tregojnë se ndërkombëtarët nuk na hyjnë në
punë. Megjithëse siç e përmenda, Saliu nuk kishte kurrë guximin e Enverit që të
përdori të njëjtën gjuhë si për Shqiptarët ashtu edhe për ndërkombëtarët. Një shtet
hibrid dhe parazit si Shqipëria nuk mundet të mbijetoj pa konsensusin dhe ndihmën e
ndërkombëtarëve, këtë gjë e di mirë edhe Berisha -ngase e provoi vet në 1996-tën kur
i ishte mbushur mendja se ishte sulltan i Shqiptarëve dhe nuk merte parasysh asnjëlloj
paralajmërimi. SHBA-të dhe BE e bënë një herë gabimin duke mbrojtur Berishën,
ngase ky i fundit përdori faktin se PPSH-ja komuniste po qeveriste akoma vendin, por
nuk duket se janë më të gatshme të bëjnë të tilla gabime.

Bota e di shumë mirë se kush është Berisha, dhe farefisi i tij mund të ngjyrosi sa të
dojë shtypin berishian apo librat shkollor me "Veprat e Saliut". Kur Berisha farefisi
apo banda e tij të braktisin politikën, diçka që pritet të ndodhi vetëm pasi Berisha të
lër këtë botë, e vërteta do triumfoj. Profesori i Universitetit të Kalifornisë, Steven
Fish, në një libër të botuar nga Universitetet e Oksfordit dhe Prinsitonit (shiko
Anderson et al. 2001), e radhit Berishën përkrah diktatorëve të republikave të Azisë
Qendrore dhe pohon se Kushtetuta e 1994-ës do e kishte kthyer Shqipërinë në një
diktaturë. Të njëjtin mendim duket se ka edhe Clarissa de Waal (2009), profesore
në Universitetin e Kejmbrixhit. Bile ajo shkon akoma më tutje duke argumentuar se
është turp që shteti demokratik, me në krye president Berishën, në 1996-tën dështoi të
përsërisi votimet e lira që ishin organizuar fillimisht nga qeveria komuniste e Ramiz
Alisë. Kurse Miranda Vickers dhe James Pettifer (1997) në një botim të New York
University, e përshkruajnë Sali Berishën si një udhëheqës të dhunshëm dhe despotik.

Ne, shqiptarët pas njëzet vitesh 'tranzicioni'...

Duke iu kthyer sërish pikënisjes së këtij shkrimi, do thosha se data 2 Korrik 1990
simbolizon hapjen e Shqipërisë kundrejt Evropës dhe botës perëndimore. Si një
foshnje e pafajshme dhe hutaqe -jetime nga udhëheqja komuniste, pas dyzetepesë
vitesh e izoluar në vetevete -, Shqipëria nis proçesin e njohjes me botën dhe e vet-
identifikimit në arrenën ndërkombëtare. ثshtë fakt tragjik që në këtë përpjekje foshnja
shqiptare u rrëmbye nga një grup pionerësh që aspak eksperiencë nuk kishin nga
politika. As vet kryetari i këtyre çirakëve të politikës, z. Sali Berisha, nuk duket të ket
pasur ndonjë lidhje tjetër me politikën përveçse disa spiunimeve për llogari të PPSH-
ës. Megjithatë kjo nuk e pengoi Berishën që të vendosi veten në krye të shtetit, me
ndihmën perëndimore sigurisht, dhe të zgjedhi për kabinet vetëm njerëz që kishin
më pak eksperiencë se ai në politikë. Kështu nëse Berishës në 1992-shin dikush do
i jepte notën xero në politikë, kabineti i tij vetëm me një numër negativ mund të
vlerësohej. Ky grup çirakësh, që e ndjente veten disi superior nga pjesa dërrmuese
e popullsisë, kishte vetëm dy receta për foshnjen shqiptare. Receta e parë ishte "ta
bëjmë Shqipërinë si gjithë Evropën" dhe e dyta, që në akademitë perëndimore është
kthyer në sarkazëm, njihet si "Shock Therapy".
Pjesa e parë e Shock Therapy u plotësua me sukses. Pothuajse brenda një viti
qeverisjeje nga PD-ja, çdo industri, fabrikë apo strukturë komuniste ishte rrënuar apo
shfarrosur nga sipërfaqja shqiptare. Ndërsa pjesa e dytë e kësaj terapie, dmth. ardhja
e investimeve të huaja pas shkatërrimit total të ekonomisë komuniste, nuk duket se
është realizuar ende, pavarsisht se z. Berisha na i premtoi para njëzet vjetësh dhe është
i gatshëm të na i premtoj edhe njëzet vite të tjera -duke mbyllur kështu, pa sukses,
ciklin e tij enverian në politikën shqiptare. Përveç disa investimeve në mbeturinat
radioaktive dhe në energjinë bërthamore, të cilat me një gabim teknik mund të
shkaktojnë holokaustin e Shqiptarëve, nuk duket në horizont ndonjë projekt ambicioz
i cili do plotësonte nevojat shqiptare në industri dhe punësim.
Përsa i përket reklamës kryesore me të cilën PD-ja erdhi në pushtet, pasojat janë
shumë herë më të hidhura. Duke i premtuar Shqiptarëve Evropën, Sali Berisha
dhe partia e tij kanë arritur me sukses të monopolizojnë çdo dialog të politikës dhe
mendimit intelektual shqiptar. Evropianizimi është kthyer në psikozën tonë kombëtare
dhe ka kalbur çdo mendim dhe çdo formë frymëzimi. Shqiptarët në mendimin
akademik dhe politik nuk janë më heronjtë e Skënderbeut apo ushtarët e Spartës me
të cilët PPSH-ja krenohej dhe kultivonte në maksimum ideologjinë e autarkisë dhe
vetmbrojtjes. Sa problematik që ishte pozicioni i PPSH-ës mbi historinë dhe rolin
e Shqiptarëve po aq problematik është edhe Evropianizimi i mendimit shqiptar.
Duke përjashtuar çdo lloj tjetër debati, politika dhe inteligjenca shqiptare i dhuron
popullit tonë një rol pasiv dhe e furnizon me një shije dështimi. Shqiptarët nuk janë
më ata që "e nxjerrin vet gomarin nga balta", ne presim që Evropa të zgjidhi hallet
tona dhe politikani më i mirë për ne është ai që na e premton më shumë Evropën.
اuditërisht ky lloj mentaliteti na ka larguar më shumë nga Evropa dhe na ka bërë pre
të populistëve të stilit Berisha.
BE pret që Shqiptarët të zgjidhin vet telashet e tyre, kurse Shqiptarët presin që
Evropa të bëj diçka për ta. Nëse Berisha është oratori numër një i Evropianizimit,
atëhere kundërshtari i tij duhet të jet poashtu orator i Evropianizimit. Në këtë mënyrë,
fatkeqësisht, Berisha ka mbytur mendimin politik shqiptar të njëzet viteve të fundit
dhe populli shqiptar është lënë krahëprerë duke besuar se nuk është në gjendje të
dali nga kriza në të cilën është mbytur nëse nuk bëhet pjesë e BE-së. Për sa kohë që
Shqipëria nuk është pjesë e BE-së për aq kohë Shqiptarët nuk kanë hyrje në kutinë e
Pandorës dhe gënjehen rëndshëm nga ata që ia premtojnë atë.
Hyrja në BE, serioziteti dhe detyrimet që lidhen me anëtarësimin jam i sigurtë
se do i jepnin fund karrierës politike të z. Berisha dhe të atyre politikanëve që
ndajnë të njëjtat vlera me të. Por siç u përmend më sipër, mentaliteti politik më
shumë po e largon se sa po e afron Shqipërinë me BE-në. Ky është edhe shkaku
pse mbas njëzet vitesh tranzicioni e ardhmja e Shqipërisë është ende e pasigurtë.
Informacion mbi Shqipërinë e Berishës:
Anderson, Richard, et al. Postcommunism and the Theory of Democracy. Princeton &
Oxford: Princeton UP, 2001.
De Waal, Clarissa. Albania Today: a Portrait of Post-Communist Turbulence. London: Tauris,
Vickers, Miranda, and James Pettifer. Albania: From Anarchy to Balkan Identity. New York:
New York UP, 1997.
Human Rights Watch. Human Rights in Post-Communist Albania. USA: Human Rights
Watch, 1996.

Shekulli !
 
Titulli: '2 korriku', Enveri dhe Saliu, shqiptarët pas 20 vitesh 'tranzicioni'

Mos harro Ramiz Aline se e ke keq punen me Berishen.

To view this content we will need your consent to set third party cookies.
For more detailed information, see our cookies page.
 

Konkursi Letërsisë

  • 1-Bëju.

    Votat: 11 40.7%
  • 2-Ankth mesnate.

    Votat: 3 11.1%
  • 3-Të dua ty.

    Votat: 8 29.6%
  • 4-Nje kujtim.

    Votat: 5 18.5%
Back
Top