1933, Harvardi studim për Eposin e Kreshnikëve..

ReNdEx

Interist Forever
V.I.P
58181_2.jpg


Eposi heroik, ose siç njihet edhe Eposi i Kreshnikëve, është një ndër përmendoret më të lashtë, më të pasur dhe më problemorë të kulturës shqiptare. I ngjizur qysh nga lashtësia gjer në kohët moderne, në të është gdhendur dhe skalitur artistikisht bota iliro-shqiptare.

Universi i eposit heroik shqiptar ngërthen gjithë botën shqiptare të malësisë; rendin shoqëror dhe familjar, virtytet e larta të shqiptarit si: burrëria dhe nderi, besa dhe mikpritja, dashuria për lirinë, zakone dhe kanune tradicionale, besime të lashta, jeta blegtorale, natyra dhe bjeshkët e bukura etj. Shkurt, një enciklopedi e jetës, kulturës dhe përjetimit artistik shqiptar.

Këngët e kreshnikëve kanë filluar të botohen nga fundi i shekullit 19 dhe fillimi i shekullit 20. Me albanologun e njohur gjerman Gustav Majer fillon botimi i këngëve kreshnike shqiptare. Ky ishte vetëm një fragment prej 15 vargjesh i këtyre këngëve, të cilin e kam redaktuar për vëllimin "Mbledhës të hershëm të folklorit shqiptar" (1635-1912) I, f.503.

Viti 1937 ishte viti më i shënuar për botimin e këngëve epike legjendare. Këtë vit, në serinë e botimit të "Visareve të Kombit", u botua nga Benard Palaj dhe Donat Kurti vëllimi i II-të me titull "Kangë kreshnikësh dhe legjenda". Në "Visaret e Kombit", prej mijëra këngësh të mbledhura, u botuan 342.

Ky vit u bë i mbarë edhe me kërkimet e dijetarit të shquar amerikan Prof. Alber B. Lord në disa zona të Shqipërisë së Veriut.
Shkencëtarët e njohur amerikanë Milman Parry dhe Albert Bates Lord të Universitetit të Harvardit krijuan teorinë homerike të "letërsisë gojore". Me kërkimet në terren në Ballkanin Perëndimor në vitet '30 të shekullit të kaluar, mblodhën një lëndë folklorike të pasur dhe të larmishme të këtyre trevave, që u bënë laboratori i kërkimeve të tyre.

Në fillim të dy bashkë (1933-1935) dhe më pas vetëm Lordi (1937), regjistruan edhe shumë këngë me burim shqiptar.
Albert B Lord në Tiranë, qershor 1966
Më 1966 Albert B. Lordi erdhi në Shqipëri për të marrë pjesë në simpoziumin folklorik, që organizohej në kuadrin e Shoqatës së Studimeve të Europës Jug-Lindore.
Në Tiranë, si dhe në vizitat në Durrës, Krujë dhe Shkodër, duke qenë pranë Lordit mësova edhe për këngët që kishte mbledhur në Shqipëri dhe dëshirën që t'i botonte në një vëllim të veçantë.
Ardhja e profesorit të shquar amerikan Albert B. Lord në qershor 1966, shoqërimi me të, edhe me detyrën e përkthyesit, këmbimi i letrave të para, pas largimit të tij nga Shqipëria, ishte një fat, që u kthye në një fatkeqësi. Ishte fat se mësova mjaft koncepte të reja për letërsinë gojore (gjer atëherë literatura kryesore ishte ajo e folkloristikës sovjetike); dëgjova prej tij për ekspeditën kërkimore që profesori kishte bërë në Shqipërinë e Veriut në vitin 1937, si dhe mendimin që kishte për botimin e lëndës folklorike shqiptare në një vëllim të veçantë. Prof. Lordi më dhuroi veprën "The Singer of Tales".
Ky takim ishte edhe një fatkeqësi për mua. U bë fatkeqësi edhe për familjen. Kjo njohje dhe shoqërimi i Lordit u bënë nxitje për njerëzit e errësirës, të Sigurimit të Shtetit, që të shihesha si "agjent i imperializmit amerikan". Në këtë qëndrim armiqësor ndaj meje, një rol të veçantë luajtën edhe ambicia, paaftësia drejtuese dhe frika e karriges të drejtorit të Institutit të Folklorit, ose të ashtuquajturit "Institut i parullave", Zihni S. dhe elementëve me karakter të dobët dhe të paaftë që drejtori mbante rreth vetes.

Më degdisën për disa vite në periferi të Tiranës, në një shkollë të mekanike të mbrëmjes nën kontrollin dhe edukimin e klasës punëtore…
Siç e kam bërë të njohur publikisht, aty u vura nën ndjekjen e përditshme nga organet e Sigurimit të Tiranës, madje zyra e Sigurimit në KQ të PPSH kërkonte me shkrim në Gjirokastër të dhëna për atin tim, ish-oficer i Zogut, që kishte vdekur dhe ishte varrosur në qytetin e Shkodrës kur isha vetëm 2 vjeç. (Shih: "Po ç'keni me të vdekurit, or të uruar?!" tek "Profesor në tre kontinente", 2004, f.155.)
Rrethanat historiko-politike, vetizolimi ekonomiko-politik, kulturor e shkencor etj., që ndiqte shteti totalitar shqiptar, urrejtja ndaj imperializmit, veçanërisht atij amerikan, ishin bërë perdja e hekurt, që ndalonte dhe dënonte ashpër çdo marrëdhënie me të huajt.
"I... deeply regret the severe consequences to you of your friendship with my husband..." - më shkruante zonja Lord më 28 gusht 1994. (Ndjej keqardhje të thellë për mizorinë e rëndë që pësove si pasojë e miqësisë me tim shoq…)

Ndryshimet historike më 1990, vendosja e pluralizmit politik dhe e rendit demokratik më dhanë mundësi të reja. Fillova të jap mësimin e gjuhës shqipe me personelin e parë të diplomatëve amerikanë. Kështu, siç e kam treguar me hollësi në librin "Profesor në tre kontinente", rashë sërish në gjurmët e Lordit dhe të familjes Lord.

Mars 1996 në Harvard, fletoret e Lordit me këngët e kreshnikëve
Në mars 1996, i ftuar nga zonja Lord, shkova në Massachusetts dhe punova 3 javë në fondin shqiptar të koleksionit Parry-Lord. Në këto javë banova në vilën trekatëshe të familjes Lord në adresën 23 Francais Avenue, Cambridge, Massachusetts.
Gjyshërit e Albertit ishin anglezë. Kishin ardhur në Amerikë aty nga shekulli XVII. Ndërtuan një kishë dhe u morën me punët e Zotit, nga ku Alberti trashëgoi edhe mbiemrin "Lord". Ndërsa gjyshja e zonjës Lord ishte suedeze, prandaj Alberti, i shoqi, kur i shkruante së shoqes shtonte edhe mbiemrin e saj të vajzërisë: Mary Louise Carlson Lord.
"I am looking forward to your visit to Cambridge…" më njoftonte zonja Lord në letrën e datës 5 janar 1995. (Pres me e gëzim e padurim vizitën tënde në Kembrixh…)

Ishte një befasi e bukur kur u ndodha para fletoreve me lëndë folklorike shqiptare mbledhur nga Lordi më 1937 në Shqipërinë e Veriut.
Në bibliotekën "Widener" të Universitetit të Harvardit gjendet arkivi i lëndës folklorike të mbledhur nga dyshja Parry dhe Lord në Ballkanin Perëndimor. Në një dhomë të veçantë ruhen fletoret me materiale shqiptare të mbledhura nga Lordi. Në këtë punë kërkimore pata ndihmën e Prof. Thomas Butler dhe të Prof. M. ث. Kay, i cili drejtonte edhe kompjuterizimin e materialeve arkivorë të mbledhur në vitet 1933-1935. "Parry, i ndihmuar nga Albert B. Lordi, shkruan M. W. Kay, mblodhi 12.544 këngë, biseda dhe histori, të regjistruara ose të diktuara".

Në kapakun e fletores së parë, shkruar anglisht, lexohej: "Koleksion i baladave heroike dhe këngëve popullore të Shqipërisë, mbledhur nga Albert B. Lord, 1936-1937". Ato janë gjithsej 12 fletore me 1350 faqe, fletorja e fundit, me numrin 12, përmban treguesin e 100 këngëve, që përfshihen në tetë fletoret e para.

Pra, fletorja e treguesit të lëndës (ajo me numrin 12) nuk është e plotë, në të nuk përfshihen këngët e fletoreve, 9. 10, 11, të cilat sipas Lordit, janë dërguar më vonë nga Shqipëria, nga bashkëpunëtorët e tij Qamil Hoxha nga Bicaj i Kukësit dhe Murat Paci nga Tropoja.
I gjithë materiali i mbledhur nga Lordi në Shqipërinë e Veriut në vitet 1936-'37 përmban 114 tekste, të mbledhura nga 36 rapsodë të ndryshëm. Kjo dëshmon për një hulumtim të përpiktë dhe përzgjedhës, për kërkime cilësore. Profesor Lordi, edhe pse atëherë i ri në moshë, ka ndjekur një metodikë rigoroze pune në terren dhe ka kryer kërkime në një hapësirë gjeografike tepër të gjerë, që përfshin krejt Shqipërinë e Veriut. Regjistri i parë daton më 4 shtator 1937 dhe i fundit më 13 tetor 1937, pra një kërkim tepër i ngjeshur dhe intensiv. Ja dhe vendet e eksploruara: Shkodër, Kastrat, Bogë, Theth, Abat, Mërtur, Kolgecaj, Tropojë, Bytyç, Bicaj, Prizren, Dukagjin, Pukë.

اdo këngë e mbledhur është e pasaportizuar: vendi i mbledhjes, data e regjistrimit, përkatësia fetare e rapsodit, shkollimi, si dhe të dhëna të tjera.
Këngët e mbledhura sipas gjinisë dhe llojit i përkasin epikës heroike, pra vendin kryesor e zënë bëmat e Mujit dhe Halilit, por në regjistrimet në disqe alumini të rapsodëve dygjuhësh ka edhe mjaft këngë lirike dhe historike shqiptare. Secila pllakë zgjat 4+4 minuta nga të dy anët. Këto incizime janë përdorur edhe nga muzikologu i njohur hungarez Bela Bartok, kur punonte për transkriptimin muzikor të tyre në Universitetin e Kolumbias, në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Gjatë atyre ditëve të paharruara në Kembrixh të Bostonit si mik i familjes së Prof. Albert B. Lordit, një ditë emocionuese ishte vizita në varrezat e qytetit, ku shkova të nderoja kujtimin e këtij shkencëtari dhe ndihmesën e dhënë për kulturën shqiptare. I shoqëruar nga zonja Lord arrita në varrezat e VIP-ave, ku prehen njerëz të famshëm të Amerikës, si poeti Longfellow, njerëz nga dinastia Kenedi etj. Ishte një ditë me diell, por bora kishte mbuluar gjithçka. Me hartë gjetëm varrin e Lordit. Ia shpërndava lulet që kisha sjellë dhe me zë të lartë thashë: "Dear professor Lord. I kept my promise. I have come from far away, from Albania, to meet You… (I dashur profesor Lord! E mbajta fjalën. Kam ardhur nga Shqipëria e largët të takohem me Ty…") Dhe i përlotur shtova: Të ndrittë shpirti, i nderuar profesor Lord!
Zbulimi i thesarit shqiptar në Harvard u bë i njohur publikisht
Zbulimin e këtij thesari të folklorit shqiptar e bëra të njohur publikisht, menjëherë sapo u ktheva në Shqipëri, më 1996, (gazeta "Koha Jonë", 10 maj 1996, f.19). Më pas botova edhe disa artikuj dhe studime në librat që botova më vonë, si dhe në revistën "Dituria" të Akademisë Shqiptaro-Amerikane të Shkencave dhe Arteve në Nju Jork, në gazetat "Albanian Herald" (nr. 313/365-76-13; f.14); "Illyria", "Bota sot" etj.
Studiues të njohur si, Dh. S. Shuteriqi. Dalan Shapllo, Muzafer Xhaxhiu etj. më përgëzuan për kërkimet e bëra në Harvard për eposin heroik shqiptar dhe më përshëndetën si studiuesi i parë shqiptar, që hapi dyert e këtij thesari kombëtar në Harvard.
Profesore Mary Lord, bashkëshorte e Albertit dhe botuesja e veprave të tij, ma vlerësoi punën dhe qëndrimin në Harvard, për zbulimin e fondit shqiptar të mbledhur nga Milman Parry dhe Albert Bates Lord. Në një letër (9 prill 1996) më shkruante:
"Qëndrimi juaj këtu në Kembrixh ka lënë mbresa të forta tek gjithsecili nga ata me të cilët je takuar, përfshirë edhe ata të Koleksionit Parry në bibliotekën "Widener. Jam e gëzuar që patët mundësinë ta shikonit koleksionin dhe që krijuat një ide për pasurinë e materialeve epike dhe lirike që përmban kjo bibliotekë".
Publikimin e bërë në Shqipëri për zbulimin e fondit shqiptar në Harvard e pohonte madje edhe zonja Lord, që jetonte në Amerikë, në Kembrixh, e cila në një letër shkruan:
"I dashur Profesor Fico, ju faleminderit që më dërguat një kopje të artikullit të shkëlqyer tek 'Koha Jonë' dhe që ma kishit përkthyer. Me shumë bujari e kishit lavdëruar koleksionin Parry... Artikullin bashkë me përkthimin tuaj shoqërues do t'i vendos në arkivin e Albertit, në bibliotekën e Harvardit". (4 gusht 1996)
Në një letërkëmbim të gjerë me zonjën Lord dhe me ata të koleksionit të Harvardit kam kërkuar dhe parashtruar ide dhe projekte për botimin e këngëve shqiptare të mbledhura nga Albert B. Lord.
Një përpjekje tjetër për botimin e këngëve shqiptare në Harvard e kam bërë kur erdha në Nju Jork. Përgatita dhe i dërgova Akademisë Shqiptaro-Amerikane të Shkencave dhe Arteve një projekt të hollësishëm për botimin e këtyre këngëve dhe kërkoja përkrahje financiare, por kjo kërkesë mbeti pa përgjigje.
Vite më vonë, Prof. Dr. Zymer Ujkan Neziri boton një studim për këngët epike dhe veçanërisht ato heroike shqiptare në arkivin e Harvardit, në librin "Studime për Folklorin", I, Prishtinë, 2006.
Një bust mirënjohjeje nga Shqipëria për Albert Lordin
Pasi e bëra të njohur publikisht punën e kryer për zbulimin e thesareve të eposit shqiptar në Harvard, porosita një bust të Prof. Lordit, që e realizuan mjeshtërisht skulptorët Kristaq Rama dhe Mumtaz Dhrami. Bustin, shoqëruar me një letër mirënjohjeje, ia dërgova kuratorit të atëhershëm dhe bashkëpunëtor i ngushtë i Lordit, Prof. Stephen A. Mitchel. Ai sugjeroi se do të ishte më kuptimplotë që busti të vendosej në shtëpinë, tashmë pothuaj muze, të familjes Lord. Dhe ashtu u bë. Busti gjendet i vendosur në krye të tryezës së punës së Profesor Lordit, në katin e dytë të vilës trekatëshe, me tekstin konciz - 'dhuratë e profesor Agron Ficos, Albania'. Kam disa vite që po punoj për një libër kushtuar marrëdhënieve me Prof. Lordin, kërkimeve në Harvard për eposin heroik shqiptar dhe më gjerë. Do të ishte jo vetëm një gjest fisnik, por edhe mirënjohje që një nga rrugët e kryeqytetit shqiptar, Tiranës, ashtu si është bërë me emrat e disa albanologëve të huaj, të mbante emrin Albert Lord.
*Studiues

(GazetaShqiptare/BalkanWeb)
 
Top