15 infeksionet që shfaq diabeti dhe si trajtohen ato

sweetzzinna

Dum spiro, spero くる
15 infeksionet që shfaq diabeti dhe si trajtohen ato
Ndërlikimet e diabetit të kuruara keq, çrregullojnë ekuilibrin e tij. Tri masat paraprake për t’u mbrojtur nga këto infeksione

Sëmundja e diabetit, kur nuk mjekohet siç duhet, krijon kushte të favorshme për zhvillimin e infeksioneve të ndryshme. Në të sëmurët me diabet këto infeksione janë jo vetëm më të shpeshta sesa te njerëzit e tjerë, por ato vazhdojnë për një kohë të gjatë dhe janë më rezistente ndaj mjekimit. Arsyeja është se sëmundja e diabetit, duke çrregulluar metabolizmin, dobëson gjithë organizmin, ul forcën dhe rezistencën e tij. Ka të sëmurë që vuajnë nga infeksione të ndryshme gjatë shumë viteve me radhë, pa e ditur fare që janë me diabet si dhe pa u shkuar në mendje që ato janë pasoja të tij. Diabeti mund të fshihet pas infeksioneve të përsëritura, të tilla si çibane, lunga, infeksione të tjera qelbësuese të lëkurës, infeksione urinare (me ose pa djegie gjatë urinimit), turbekuloz, infeksione në organet gjenitale, myk (që shfaqet me të kruara të “vetes”), infeksione të mishrave të dhëmbëve, të bajameve, sinusit dhe sëmundje të gojës në përgjithësi, infeksione të mushkërive, bronkeve, rrugëve të tëmthit, të thonjve të këmbëve etj.
Diabetikët
Diabetikët janë më “delikatë”, ftohen më lehtë, u ngjitet shpejt rrufa, infeksionet e ndryshme virusale dhe gjithë sëmundjet infektive në përgjithësi. Gjithashtu, ata nuk përjashtohen të preken edhe nga hepatiti, SIDA e sëmundjet e tjera të transmetuara seksualisht. Pikërisht për këto arsye është e rëndësishme vetëmbrojtja dhe vaksinimet, të cilat jo vetëm që nuk duhet të ndalohen, përkundrazi, duhen bërë më me rregull sesa te njerëzit e tjerë. Te çdo person që vuan nga një infeksion i gjatë apo që i përsëritet shpesh e që nuk shërohet me mjekimet e rregullta të zakonshme, duhen bërë patjetër edhe analizat për diabet (glicemia esëll, glicemia dy orë pas buke dhe analiza e urinës për glukozë). Në këtë mënyrë është arritur të zbulohet diabeti te një numër jo i vogël të sëmurësh, që nuk e dinin se vuanin nga kjo sëmundje. Nga ana tjetër, të sëmurët që e dinë se vuajnë nga diabeti duhet të kenë kujdes të veçantë që të mbrohen nga infeksionet, sepse këto çrregullojnë rëndë diabetin.
Pasojat
Nëse i sëmuri i lë pas dore masat mbrojtëse të infeksioneve ose i bën në mënyrë të parregullt, ai ka më shumë mundësi që të bëhet pre e infeksioneve të ndryshme. Por çdo vatër infeksioni, sado e vogël, qoftë dhe në rrënjën e një dhëmbi, apo një puçërr e vogël, çrregullon në mënyrë të dukshme e të sigurt ekuilibrin e diabetit, shkakton rritjen e glicemisë dhe nevojave për insulinë. Një diabetik që ka qoftë dhe një infeksion të fshehtë e pa shenja të dukshme (pa temperaturë apo dhimbje), asnjëherë s’mund të jetë i ekuilibruar. Analizat e diabetit do të fillojnë tek ai të çrregullohen gjithnjë e më shumë dhe mund të arrijë në disa raste deri në acidozë apo koma diabetike. Në fakt, një nga shkaqet më të shpeshta që i çojnë diabetikët në këto gjendje të rënda janë pikërisht infeksionet, të cilat janë nënvleftësuar apo nuk janë mjekuar me seriozitetin e duhur.
Mjekimi
Diabeti i çrregulluar, i pamjekuar mirë, favorizon infeksionet, kurse këto, nga ana e tyre, e çrregullojnë dhe rëndojnë akoma më shumë diabetin. Që të ndërpritet ky qark dëmtues lufta duhet bërë njëkohësisht në dy drejtime, si për mjekimin sa më të mirë të diabetit, ashtu dhe për masat kundër mikrobeve e infeksioneve të ndryshme. Lufta më e mirë ndaj infeksioneve është parandalimi i tyre, por në qoftë se për një arsye apo një tjetër, ato arrijnë të shfaqen, në asnjë mënyrë nuk duhen marrë lehtë-lehtë e nuk duhen nënvleftësuar, duke besuar se do të kalojnë vetvetiu. Në të sëmurët me diabet, infeksionet, sado të vogla qofshin, duhen mjekuar seriozisht dhe në mënyrë energjike. Nuk duhet ngurruar asnjë çast, sipas rastit, të fillohet mjekimi me antibiotikë, qoftë dhe për infeksione në dukje të vogla e të parëndësishme. Nga ana tjetër, nuk duhet shpresuar që infeksionin do ta mposhtë vetëm mjekimi me antibiotikë apo ilaçe të tjera antiinflamatore. Që të mposhtet një infeksion në të sëmurët me diabet, përveç antibiotikëve apo ilaçeve të tjera antiinflamatore duhet bërë patjetër dhe mjekimi shembullor i diabetit, duhet të arrihet e të mbahet në mënyrë të qëndrueshme një ekuilibër i përsosur i tij. Në qoftë se kjo nuk bëhet, infeksioni do të ngrejë kokë e do të ringjallet përsëri. Sipas mjekëve, si rregull, ata diabetikë që mjekohen me insulinë, në përshtatje me analizat, duhet të rrisin dozën e saj, kurse ata që mjekohen me kokrra ose me dietë, gjatë infeksioneve, sidomos në ato që shoqërohen me temperaturë, sipas rastit, përkohësisht mund të duhet të fillojnë mjekimin me insulinë. Mos kini frikë se mësoheni me të. Pas kalimit të infeksionit dhe ekuilibrimit të diabetit do të kalohet përsëri në mjekimin e mëparshëm. Kuptohet që manovrime të tilla në mjekim, me anë të të cilave sigurohet një ekuilibër i vazhdueshëm i diabetit, nuk mund të arrihen te një i sëmurë që nuk ka njohuri ose që i mungon zelli dhe vullneti për të bashkëpunuar me mjekun. Mbrojtja jo vetëm nga infeksionet, por dhe nga të gjitha ndërlikimet e tjera të diabetit, nuk mund të arrihet në qoftë se ju nuk mësoni si të mjekoni e të mbroni veten tuaj.

Masat mbrojtëse
Mbrojtja arrihet thjesht me anë të tri masave paraprake:

Së pari: respektimi i rregullave të higjienës së trupit (higjiena e lëkurës së duarve, dhëmbëve, thonjve, këmbëve, e organeve gjenitale), ruajtja nga lagështia, të ftohtit, korrentet e erës etj.

Së dyti: vaksinimi i rregullt kundër të gjitha sëmundjeve infektive, duke përfshirë edhe gripin.

Së treti: mjekimi i rregullt e i përpiktë i diabetit, ruajtja e ekuilibrit të vazhdueshëm të tij.

Infeksionet që shfaq diabeti
Infeksione urinare (me ose pa djegie gjatë urinimit) Infeksione në organet gjenitale
Myku (që shfaqet me të kruara të “vetes”)
Infeksione të mishrave të dhëmbëve
Infeksione të bajameve
Infeksione të mushkërive
Infeksione të bronkeve
Infeksione të rrugëve të tëmthit
Infeksione të thonjve të këmbëve etj.
Infeksione të tjera qelbëzuese të lëkurës
اibanë
Lunga
Tuberkuloz
Sinusit
Sëmundje të gojës në përgjithësi
 

Konkursi Letërsisë

  • Jeta pa ty

    Votat: 7 50.0%
  • Simfonia e bisedave tona

    Votat: 2 14.3%
  • Bora e parë

    Votat: 3 21.4%
  • Larg

    Votat: 2 14.3%
Back
Top