11 zgjidhje të lashta për problemet dhe sfidat e kohës tonë.
Nga Arthur C.Brooks
“Vëlla Galio, të gjithë njerëzit dëshirojnë të jetojnë të lumtur, por janë të paaftë ta perceptojnë saktësisht se çfarë e bën jetën të lumtur!”- i shkroi filozofi dhe burrështetasi romak Lusius Aneus Seneka vëllait të tij rreth vitit 58 Pas Krishtit.
Seneka mund ta jetë bazuar fare mirë tek vetja mbi atë që shkroi. Pasi ai ishte një ekspert i lumturisë, duke shkruar gjatë gjithë jetës mbi konceptin e lashtë të “eudaemonisë”, që përafërsisht do të thotë “të jetosh në paqe me natyrën”, ose ndoshta në gjuhën e sotme “paqe e brendshme”.
E megjithatë jeta e tij nuk ishte aspak e qetë. Pasi përjetoi për vite të tëra me probleme të rënda shëndetësore, Seneka u internua nga perandori romak Klaudi. Më pas u rikthye si këshilltar i perandorit Neron, nga i cili fillimisht u admirua, dhe pas u akuzua (ndoshta gabimisht) për komplot, dhe kështu u detyrua që të vriste veten.
Seneka e shkroi esenë e tij me titull “Për një jetë të lumtur” pikërisht gjatë atyre viteve të vështira me Neronin, në formën e këshillave për vëllanë e tij. Por s’ka dyshim se ato janëkëshilla për të gjithë ne, se çfarë duhet të bëjmë për të ruajtur qetësinë përballë sfidave të vështira të jetës, shkruan bota.al.
Mësimi nr.1: Reagoj me të njëjtën shprehje të fytyrës, si ndaj vdekjes ashtu edhe një komedie
Seneka nuk sugjeron të qeshni nëpër funerale apo qani në një komedi. Dhe as se trishtimi dhe e qeshura janë gjëra të këqija. Ai thjesht ju nxit t’i menaxhoni emocionet tuaja ekstreme, në mënyrë që ata të mos jenë ato që t’iu kenë nën kontroll.
Dhe në fakt është një këshillë e shkëlqyer. Në vitin 2020, studiuesit francezë studiuan marrëdhënien midis një gjendjeje të barabartë mendore dhe masave të ndryshme të ndjenjës dhe sjelljes. Ata zbuluan se qetësia parashikonte gjendje më të ulëta negative, si mendimi i tepruar, mendimet katatrofike dhe neurotizmi.
Mësimi nr.2: Unë do t’i përvishem punëve, sado të shumta të jenë ato, duke u mbështetur mbi forcën e trupit dhe mendjes time
Një nga leksionet më të mëdha nga kërkimet moderne është se të qëndruarit në formë, fizikisht dhe intelektualisht, janë thelbësore për një jetë të lumtur. Dy nga zakonet e përjetshme të njerëzve të moshuar që janë të lumtur dhe në gjendje të mirë shëndetësore, janë të mësuarit e vazhdueshëm dhe të qenit fizikisht aktivë. Pra lexoni dhe ecni çdo ditë, dy aktivitete që janë po aq revolucionare sot sa ishin edhe në kohën e Senekës. Ose nëse funksionon tek ju, ecni duke dëgjuar një audio-libër!
Mësimi nr.3: Unë do t’i përçmoj pasuritë kur i kam, po aq sa kur nuk i kam. Nëse ato i përkasin dikujt tjetër, nuk do të bie në depresion. Pavarësisht nëse pasuria shkon e vjen, unë nuk do ndikohem aq shumë prej saj
Ky mësim, është shumë më i thellë se vetëm shprehja e njohur “Paraja nuk e blen lumturinë”. Pohimi i Senekës, është se një lidhje e fortë psikologjike dhe emocionale me pasurinë do të sjellë mjerim. Dhe këtë e mbështesin sot edhe studimet. Për shembull, në një studim të vitit 2017, botuar në revistën “Personality and Individual Differences”, studiuesit treguan se materializmi mund të ulë mirëqenien dhe të shtojë depresionin.
Mësimi nr.4: Do t’i shoh të gjitha tokat sikur të më përkasin mua, dhe të miat sikur të ishin të gjithë njerëzimit
Ky mësim është një zgjatim i të tretit, dhe thekson se mjerimi në jetën e një njeriu, buron jo vetëm nga përvetësimi i gjërave materiale, por edhe nga mbajtja shumë pas vetes e asaj që ka dikush. Kjo ide është e pranishme në shumë tradita fetare dhe filozofike.
Për shembull, është e ngjashme me atë që katolikët e quajnë “solidaritet”. Pra ideja që ne jemi të gjithë motra dhe vëllezër. Prandaj pronësia ime mbi pronën time, është në thelb një pronësi e kujdestarisë për të mirën më të madhe të së gjithëve.
Mësimi nr.5: Do të jetoj aq sa të kujtoj se kam lindur për të tjerët, dhe do ta falënderoj Nënën Natyrë për këtë arsye:në çfarë mënyre ajo mund të kishte bërë më mirë për mua? Ajo më ka sjellë në këtë botë për të gjithë, dhe gjithçka ka qenë për mua
Pra bamirësia është një dhuratë për dhënësin. Shërbimi ndaj të tjerëve, është një nga mënyrat më të lehta për t’u bërë më të lumtur. Shumë studime tregojnë se bamirësia dhe vullnetarizmi, e rritin mirëqenien e njeriut.
Mësimi nr.6: Çfarëdo që mund të zotëroj, nuk do ta grumbulloj me lakmi, dhe as do ta shpërdoroj në mënyrë të pamatur
Ky mësim është një version i thënies së vjetër “Çdo gjë me masë!”. Sipas Senekës, një qasje e moderuar e nxit paqen e brendshme. Sërish, ky pretendim mbështetet nga studimet.
Mësimi nr.7: Unë nuk do t’i llogaris përfitimet nga madhësia apo numri i tyre, përveç vlerës së caktuar nga marrësi
Për shembull, vlera e vërtetë e punës tuaj nuk është paga juaj, por sa shumë i ndihmoni të tjerët. Altruizmi nuk do t’ua paguajë qiranë e shtëpisë. Por nëse e ndiqni vërtet këtë mësim, ai mund të ndryshojë prioritetet tuaja, dhe ndoshta t’ju çojë në një punë më të mirë.
Mësimi nr.8: Nuk do të bëj asgjë për shkak të opinionit publik, por gjithçka për shkak të ndërgjegjes:Sa herë që bëj diçka vetëm, do të sillem sikur mbi mua të jenë sytë e gjithëpopullit romak
Ky mësim është i dyfishtë: Së pari, t’i rezistosh krahasimit social; dhe së dyti, të veprosh në mënyrë private njëlloj si në ambiente publike. Mësimi i parë është një element kryesor në literaturën e psikologjisë, dhe ndoshta shpjegon se arsyen përse mediat sociale – ku ne e krahasojmë vazhdimisht veten me të panjohurit dhe miqtë – ndikojnë negativisht mbi mirëqenien e shumë njerëzve. Mësimi i dytë, pohon se integriteti dhe qëndrueshmëria çojnë në lumturi, ndërsa hipokrizia çon në pakënaqësi shkruan bota.al.
Mësimi nr.9: Do të jem i pëlqyeshëm me miqtë e mi dhe i butë me armiqtë e mio të fal para se të më kërkohet, dhe do të përmbush dëshirat e njerëzve të nderuar
Ky mësim i lashtë – Duajini armiqtë tuaj, siç predikon Bibla – qëndron pas shumë filozofive që kërkojnë të zbehin tendencën për të urryer armiqtë tanë. “Dashuria ka brenda saj një fuqi shëlbuese, e cila i transformon individët”- u shpreh Martin Luter King Jr. në një predikim të vitit 1957. Edhe në studimet e mia, unë kam vënë re se dashuria për atë që është ndryshe nga ne, nuk është vetëm praktike. Ajo mund të jetë edhe një burim gëzimi shumë i madh.
Mësimi nr.10: Nuk do të harroj asnjëherë se qyteti im i lindjes është bota, se guvernatorët e saj janë Zotat, dhe se ata qëndrojnë sipër dhe rreth meje, duke kritikuar çdo gjë që bëj ose them
Pra unë nuk duhet të veproj vetëm kur më shohin të tjerët. Por duhet të veproj sikur po mësheh Zoti. Një studim tregoi se nëse besimtarët dhe jobesimtarëve mendonin njëlloj mbi Zotin përpara se të përfshiheshin në një eksperiment në të cilin ata mund t’i jepnin vullnetarisht para një të huaji apo t’i mbanin për vete, ishin 2 herë më shumë bujari sesa kur nuk përfshiheshin konceptet fetare.
Mësimi nr.11: Sa herë që Natyra kërkon sërish frymën time, unë do ta braktis këtë jetë, duke i thirrur të gjithë të dëshmojnë se kam dashur një ndërgjegje të mirë, dhe se liria e askujt, më së paku e imja, nuk është cenuar përmes meje
Ky mësim, na nxit ta konsiderojmë të mirën e të tjerëve, si mënyrën për të pranuar vdekjen tonë në një mënyrë paqësore. Dhe në fakt, një studim i vitit 2014 me pacientët e prekur ngakanceri që po vdisnin, zbuloi se pacientët paqësorë ishin “të përqendruar tek të tjerët”.
Ata e panë sëmundjen e tyre si një mundësi për t’u dhënë të tjerëve, qoftë duke inkurajuar miqtë, duke mësuar nipërit e mbesat për jetën. Apo duke marrë pjesë në prova klinike për të ndihmuar pacientët e ardhshëm. Thuhet se vetë Seneka vdiq në qetësi të plotë. Ai u detyrua të vrasë veten. Por e bëri këtë me qetësi, dhe duke folur për guximin që duhet të ketë njeriu në jetë dhe para vdekjes. / “The Atlantic” – Bota.al